Onesifori: Një ngushëllues i guximshëm
«KUJTONI të burgosurit si të ishit lidhur bashkë me ta dhe ata që keqtrajtohen.» (Hebrenjve 13:3) Kur apostulli Pavël i shkroi këto fjalë rreth vitit 61 të e.s., ai vetë kishte përjetuar burgimin në më shumë se një rast dhe duhet ta përjetonte përsëri para vdekjes së tij si martir. (Veprat 16:23, 24; 22:24; 23:35; 24:27; 2. Korintasve 6:5; 2. Timoteut 2:9; Filemonit 1) Atëherë ekzistonte urgjenca, siç ekziston edhe sot, që kongregacionet të kujdeseshin për bashkëbesimtarët që po kalonin sprova të besimit të tyre.
Një dishepull i shekullit të parë, veçanërisht i vëmendshëm ndaj kësaj nevoje ishte Onesifori. Ai e vizitoi Pavlin gjatë burgimit të dytë të tij në Romë. Në lidhje me të, apostulli shkroi: «Zotëria i dhëntë mëshirë shtëpisë së Onesiforit, sepse ai më solli shpesh freskim dhe nuk u turpërua për prangat e mia. Përkundrazi, kur i qëlloi që të ishte në Romë, më kërkoi me zell dhe më gjeti.» (2. Timoteut 1:16, 17, BR) A ke marrë ndonjëherë kohë për të medituar mbi atë që duan të thonë me të vërtetë ato fjalë? Bërja e kësaj ka të ngjarë që të rritë çmueshmërinë tënde për Onesiforin. Do të kuptosh se ai ishte një ngushëllues i guximshëm.
Burgimi i dytë i Pavlit
Pasi ishte liruar nga burgimi i tij i parë, Pavli gjendej përsëri në një burg romak, por këtë herë nën kushte të ndryshme. Gjatë burgimit të parë, miqtë e tij kishin mundësi ta takonin në shtëpinë e vet të marrë me qera dhe ai dukej i sigurt se lirimi i tij ishte i afërt. Tani, i harruar nga shumica, në horizont shfaqej martirizimi.—Veprat 28:30; 2. Timoteut 4:6-8, 16; Filemonit 22.
Pavli ishte në burg, në rastin e dytë rreth vitit 65 të e.s. Përafërsisht një vit më parë, në korrik të vitit 64 të e.s., një zjarr kishte shkretuar Romën, duke shkaktuar dëme të gjithanshme në 10 nga 14 rajonet e qytetit. Sipas historianit romak Tacitit, perandori Neron nuk ishte në gjendje të «largonte bindjen ogurzezë se zjarri i madh shkatërrimtar ishte si rezultat i një urdhri të dhënë nga vetë ai. Për pasojë, për t’u çliruar nga publiciteti i dëmshëm, Neroni ua hodhi fajin dhe ndëshkoi me torturat më therrëse një klasë që, duke i urryer për veprimet e tyre të neveritshme, turma i quante të krishterë. . . . Vdekjes së tyre i shtoheshin tallje të çdo lloji. Të mbuluar me lëkura kafshësh, ata shqyheshin nga qentë dhe vdisnin, ose gozhdoheshin në kryqe apo i dënonin me djegie dhe i hidhnin në zjarr, për të shërbyer si ndriçim natën kur nuk ishte më drita e diellit».
Ishte nën një atmosferë të tillë dhe me mundësi të ngjashme me këto që Pavli e pa veten përsëri në burg. Nuk habitemi se përse ai ishte kaq mirënjohës për vizitat e mikut të tij, Onesiforit. Por le ta shohim të njëjtën situatë nga këndvështrimi i Onesiforit.
Vizitat te Pavli i burgosur
Me sa duket, familja e Onesiforit jetonte në Efes. (2. Timoteut 1:18; 4:19) Nuk thuhet nëse Onesifori kishte ardhur në kryeqytetin e perandorisë për punët e veta personale apo në mënyrë specifike për të vizituar Pavlin. Sidoqoftë, apostulli vërejti: ‘Kur qëlloi që Onesifori ishte në Romë, ai shpesh më solli freskim.’ (2. Timoteut 1:16, 17, BR) Çfarë lloj freskimi? Megjithëse mbështetja e Onesiforit mund të ketë përfshirë edhe ndihmë materiale, nga sa duket prania e tij shërbeu, gjithashtu, si një melhem për të forcuar dhe për të inkurajuar Pavlin. Në fakt, në disa përkthime lexojmë që «Ai e ka gëzuar shpesh shpirtin tim» apo «ai më ka ngushëlluar shpesh».
Përmbushja e dëshirës për të vizituar një të burgosur të krishterë në Romë, në atë kohë paraqiste sfida. Ndryshe nga koha e burgimit të parë të Pavlit, kësaj radhe të krishterët në Romë duket se i kishin humbur lidhjet me të. Në një qytet të madh si Roma, nuk ishte punë e lehtë të gjeje një të burgosur të panjohur midis numrit të madh të atyre që duhej të ishin në burg për shkelje të ndryshme të ligjit. Prandaj ishte i nevojshëm një kërkim i zellshëm. Xhovani Rostanjo, një studiues, i përshkruan çështjet në këtë mënyrë: «Vështirësitë mund të kenë qenë të natyrave të ndryshme. Para së gjithash, në kërkim nevojitej një maturi jo e zakonshme. Mbledhja e informacioneve andej-këtej dhe fakti që ishte e dukshme se qe në ankth për të gjetur burgun ku gjendej një i burgosur i moshuar fanatik, i cili ishte implikuar në krime të shumta sipas tyre, mund të kishte ngritur dyshime të tepruara.»
Shkrimtari P. N. Herrison jep një përshkrim të gjallë të së njëjtës situatë, duke thënë: «Na duket sikur shohim fluturimthi një fytyrë me një qëllim të caktuar mes një grumbulli njerëzish dhe ndjekim me interesim të gjallë këtë të huaj nga brigjet e largëta të Egjeut, ndërsa çan rrugën në labirintin e rrugicave të panjohura, duke trokitur në shumë dyer, duke ndjekur çdo fill drejtimi, i vetëdijshëm për rreziqet që po merr përsipër, por i vendosur për të mos hequr dorë nga kërkimi; derisa në ndonjë shtëpi-burg të errët një zë i njohur e përshëndet dhe ai gjen Pavlin të lidhur në pranga me një ushtar romak.» Nëse ai vend ishte si burgjet e tjera të Romës, ka të ngjarë të ketë qenë një vend i ftohtë, i errët dhe i ndyrë, ku kishte me bollëk pranga dhe mundime të çdo lloji.
Të njiheshe si miku i një të burgosuri si Pavli, ishte një ndërmarrje e rrezikshme. Të vazhdoje ta vizitoje atë ishte akoma më shumë e rrezikshme. Ta identifikoje hapur veten si i krishterë, do të thoshte të rrezikoje arrestimin dhe vdekjen nga torturat. Por Onesifori nuk mjaftohej duke e vizituar Pavlin vetëm një apo dy herë. Ai nuk kishte as turp, as frikë për ta bërë këtë gjë kaq «shpesh». Onesifori me të vërtetë jetoi në lartësinë e kuptimit të emrit të tij, «që sjell dobi», duke siguruar mbështetje të guximshme dhe të dashur, pavarësisht nga rreziqet.
Përse e bëri Onesifori të gjithë këtë? Brajan Rapske vërejti: «Burgu nuk ishte vetëm një vend vuajtjesh fizike, por edhe një vend ankthi të thellë për gjendjen e stresuar që i sillte të burgosurit. Në një kontekst të tillë, prania fizike dhe inkurajimet gojore të ndihmësave, mund të ishin një shtytje përpara emocionalisht për të burgosurin.» Me sa duket, Onesifori e kuptoi këtë dhe me guxim mbështeti mikun e tij. Sa duhet ta ketë çmuar Pavli një ndihmë të tillë!
Çfarë ndodhi me Onesiforin?
Në letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut, Pavli i dërgoi përshëndetje shtëpisë së Onesiforit dhe tha për të: «Zotëria i dhëntë të gjejë mëshirë nga Jehovai në atë ditë.» (2. Timoteut 1:18; 4:19, BR) Shumë mendojnë se fjalët «në atë ditë» i referohen ditës së gjykimit nga ana e Perëndisë dhe nxjerrin kështu si përfundim se Onesifori kishte vdekur. Nëse ishte kështu, ndoshta «Onesifori me guxim kishte hyrë shpesh në atë lagje të rrezikshme dhe herën e fundit e pagoi . . . dënimin me jetën e tij»,—sugjeron P. N. Herrison. Sigurisht, Onesifori mund të ketë qenë thjesht larg shtëpisë në atë kohë ose Pavli mund ta ketë përfshirë atë në përshëndetjet që i dërgoi gjithë shtëpisë së tij.
Disa besojnë se ka një domethënie të veçantë në thënien: «Zotëria i dhëntë të gjejë mëshirë nga Jehovai në atë ditë.» Ata mendojnë se këto fjalë i justifikojnë lutjet e ndërmjetësimit në favor të frymërave të vdekura që jetojnë dhe ndoshta vuajnë në ndonjë mbretëri frymore. Megjithatë, një mendim i tillë bie ndesh me mësimin biblik se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë. (Predikuesi 9:5, 10) Edhe sikur Onesifori të kishte vdekur, Pavli ishte vetëm duke shprehur një dëshirë që miku i tij të mund të gjente mëshirë nga Perëndia. «Atë dëshirë ne kemi të drejtë ta shprehim për të gjithë njerëzit,—thotë R. F. Horton.—Por të lutesh për të vdekurit dhe të ofrosh mesha për ta, ky është një mendim larg nga mendja [e apostullit].»
Le të jemi ngushëllues besnikë
Pavarësisht nëse Onesifori e humbi apo jo jetën e tij ndërsa ishte duke ndihmuar Pavlin, patjetër që ai e rrezikoi atë për ta gjetur dhe për ta vizituar apostullin në burg. Dhe nuk mund të ketë asnjë dyshim se Pavli e çmoi mbështetjen dhe inkurajimin aq të nevojshëm që mori nga Onesifori.
Kur bashkë të krishterët përjetojnë sprova, persekutime apo burgime, ne mund të kemi mundësinë për t’i ngushëlluar dhe inkurajuar ata. Le të lutemi, pra, në favor të tyre dhe me plot dashuri të bëjmë gjithçka mundemi për t’i ndihmuar. (Gjoni 13:35; 1. Selanikasve 5:25) Ashtu si Onesifori, le të jemi ngushëllues të guximshëm.
[Figura në faqen 31]
Onesifori në mënyrë të guximshme e inkurajoi apostullin Pavël të burgosur.