Vazhdo të ecësh me Perëndinë
«Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të përmbushni asnjë dëshirë mishore.»—GALATASVE 5:16, BR.
1. (a) Mes cilave kushte dhe për sa kohë eci me Perëndinë Enoku? (b) Për sa kohë eci me Perëndinë Noeja dhe çfarë përgjegjësish të rënda pati ai?
BIBLA na thotë se Enoku «vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë». Megjithë të folurin skandaloz dhe sjelljen e paperëndishme të njerëzve rreth tij, ai ngulmoi në ecjen me Perëndinë deri në fund të jetës, në moshën 365-vjeçare. (Zanafilla 5:23, 24; Juda 14, 15) Edhe Noeja «eci me Perëndinë e vërtetë». Ai e bëri këtë ndërkohë që rriste familjen e tij, ndërkohë që përballonte një botë të influencuar nga engjëjt rebelë dhe pasardhësit e tyre të dhunshëm, si dhe ndërkohë që kujdesej për të gjitha hollësitë e përfshira në ndërtimin e një arke të stërmadhe, e cila ishte më e madhe se çdo anije që përshkonte detet në kohët e lashta. Ai vazhdoi të ecte me Perëndinë pas Përmbytjes, madje edhe kur rebelimi kundër Jehovait e nxori përsëri kokën në Babel. Në të vërtetë, Noeja vazhdoi të ecte me Perëndinë deri në vdekje, në moshën 950-vjeçare.—Zanafilla 6:9; 9:29.
2. Ç’do të thotë ‘të ecësh me Perëndinë’?
2 Kur thotë se këta burra besimi ‘ecën’ me Perëndinë, Bibla e përdor termin në një kuptim metaforik. Ai do të thotë se Enoku dhe Noeja u sollën në një mënyrë që dha dëshmi për një besim të fortë te Perëndia. Ata bënë atë që u urdhëroi Jehovai dhe e rregulluan jetën e tyre në harmoni me atë që dinin për të, nga mënyra në të cilën kishte vepruar me njerëzimin. (Krahaso 2. Kronikave 7:17.) Ata jo vetëm që shprehën një pajtim mendor me atë që tha dhe bëri Perëndia, por vepruan sipas çdo gjëje që kërkoi ai, jo vetëm sipas një pjese të saj, por sipas së gjithës, deri në masën e mundshme për ta si njerëz të papërsosur. Kështu, Noeja, për shembull, bëri pikë për pikë atë që i urdhëroi Perëndia. (Zanafilla 6:22) Noeja as nuk shkonte përtej drejtimeve që i ishin dhënë, as nuk mbetej prapa me moskokëçarje. Si një njeri që gëzonte intimitet me Jehovain, duke u ndjerë i lirë për t’iu lutur Perëndisë dhe duke e pasur për zemër drejtimin hyjnor, ai ecte me Perëndinë. A po e bën këtë?
Një rrugë konsekuente jete
3. Ç’gjë është me rëndësi jetësore për të gjithë ata që janë shërbëtorë të dedikuar dhe të pagëzuar të Perëndisë?
3 Të ngrohet zemra të vëresh njerëzit tek fillojnë të ecin me Perëndinë. Ndërsa ndërmarrin hapa pozitivë në harmoni me vullnetin e Jehovait, ata japin dëshmi të besimit, pa të cilin askush nuk mund t’i pëlqejë Perëndisë. (Hebrenjve 11:6) Sa gëzohemi që çdo vit, sipas një mesatareje për pesë vjetët e fundit, mbi 320.000 persona i janë dedikuar Jehovait dhe janë paraqitur për pagëzimin në ujë! Por për ta dhe për të gjithë ne është, gjithashtu, e rëndësishme të vazhdojmë të ecim me Perëndinë.—Mateu 24:13; Zbulesa 2:10.
4. Megjithëse treguan njëfarë besimi, pse shumica e izraelitëve që lanë Egjiptin nuk hynë në Tokën e Premtuar?
4 Në kohën e Moisiut, një familjeje izraelite i duhej besim që të kremtonte Pashkët në Egjipt, si edhe që të spërkaste gjakun në shtalkat dhe në arkitraun e derës së shtëpisë së vet. (Dalja [Eksodi] 12:1-28) Megjithatë, besimi i shumë vetave u lëkund kur panë ushtrinë e faraonit prapa, afër tyre, në Detin e Kuq. (Dalja 14:9-12) Psalmi 106:12 tregon se kur kishin kaluar për bukuri nëpër shtratin e detit dhe kishin parë shfarosjen e ushtrisë egjiptiane nga ujërat e furishëm, ata përsëri «patën besim në fjalën [e Jehovait]». Por, pak kohë më pas, izraelitët filluan të ankohen në lidhje me ujin, për ushqimin dhe mbikëqyrjen. Raporti negativ i 10 prej 12 spiunëve që u kthyen nga Toka e Premtuar, i bëri frikacakë. Në këto rrethana, siç thotë Psalmi 106:24, «ata nuk patën besim në fjalën [e Perëndisë]». Ata donin të ktheheshin në Egjipt. (Numrat 14:1-4) Ai besim çfarëdo që patën, u bë i gjallë vetëm kur panë disa shfaqje të jashtëzakonshme të fuqisë hyjnore. Ata nuk vazhduan të ecnin me Perëndinë. Si rezultat, ata izraelitë nuk hynë në Tokën e Premtuar.—Psalmi 95:10, 11.
5. Si lidhen 2. Korintasve 13:5 dhe Proverbat 3:5, 6 me ecjen me Perëndinë?
5 Bibla na këshillon: «Vazhdoni të vini në provë nëse jeni apo jo në besim, vazhdoni të provoni se si jeni ju vetë.» (2. Korintasve 13:5, BR) Të jesh «në besim» do të thotë t’i përmbahesh tërësisë së bindjeve të krishtere. Kjo është jetësore, nëse duam t’ia dalim mbanë në ecjen me Perëndinë gjatë gjithë ditëve të jetës sonë. Që të ecim me Perëndinë, ne duhet, gjithashtu, ta ushtrojmë cilësinë e besimit, duke besuar në mënyrë të plotë te Jehovai. (Proverbat [Fjalët e urta] 3:5, 6) Ekzistojnë kurthe dhe çarqe të shumta, që mund të zënë në grackë ata që dështojnë në bërjen e kësaj gjëje. Cilat janë disa prej tyre?
Shmang grackën e vetëbesimit
6. Çfarë dinë të gjithë të krishterët në lidhje me kurvërinë dhe tradhtinë bashkëshortore dhe çfarë mendojnë në lidhje me këto mëkate?
6 Cilido që ka studiuar Biblën, i ka dedikuar jetën Jehovait dhe është pagëzuar, e di se Fjala e Perëndisë e dënon kurvërinë dhe tradhtinë bashkëshortore. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:1-3; Hebrenjve 13:4) Persona të tillë janë dakord se kjo është një gjë e drejtë. Ata kanë ndër mend të jetojnë në harmoni me të. Por megjithatë, imoraliteti seksual vazhdon të jetë një prej grackave më të efektshme të Satanait. Pse?
7. Në Rrafshnaltën e Moabit, si u përfshinë burrat izraelitë në një sjellje që e dinin se ishte e gabuar?
7 Fillimisht, ata që përfshihen në një sjellje të tillë imorale, mund të mos jenë duke e planifikuar një gjë të tillë. Ndoshta kjo ishte e vërtetë edhe për izraelitët në Rrafshnaltën e Moabit. Burrave izraelitë që ishin lodhur nga jeta në shkretëtirë, gratë moabite dhe midianite, të cilat i joshën ata, në fillim mund t’u jenë dukur miqësore dhe mikpritëse. Por çfarë ndodhi kur izraelitët pranuan ftesat për të lidhur miqësi me njerëz që i shërbenin Baalit dhe jo Jehovait, me njerëz që i lejonin bijat e tyre (edhe nga familje me emër) të kishin marrëdhënie seksuale me burra, me të cilët nuk ishin të martuara? Kur burrat nga kampi i Izraelit filluan t’i shihnin këto shoqëri si të dëshirueshme, u grishën për të bërë gjëra që e dinin se ishin të gabuara dhe kjo u kushtoi jetën.—Numrat 22:1; 25:1-15; 31:16; Zbulesa 2:14.
8. Në ditët tona, ç’gjë mund ta çojë një të krishter në imoralitet seksual?
8 Ç’gjë mund ta bëjë një person të bjerë në një grackë të ngjashme, në ditët tona? Megjithëse mund ta dijë se sa serioz është imoraliteti seksual, nëse nuk kupton, gjithashtu, rrezikun e vetëbesimit, mund t’i lejojë vetes të përfshihet në një situatë të tillë, ku joshja drejt keqbërjes mposht arsyen e tij.—Proverbat 7:6-9, 21, 22; 14:16.
9. Cilat paralajmërime biblike mund të na mbrojnë nga imoraliteti?
9 Në mënyrë troç, Fjala e Perëndisë na paralajmëron të mos mashtrohemi nga një mënyrë të menduari se jemi aq të fortë, sa shoqëritë e këqija nuk do të na korruptojnë. Kjo përfshin shikimin e programeve televizive që paraqesin jetën e njerëzve imoralë, si dhe shikimin e revistave që stimulojnë dëshirat imorale. (1. Korintasve 10:11, 12; 15:33) Edhe shoqërimi me bashkëbesimtarë, në rrethana të gabuara, mund të çojë në probleme serioze. Tërheqja ndërmjet sekseve është e fortë. Prandaj, me një merak të dashur, organizata e Jehovait ka paralajmëruar kundër qëndrimit vetëm për vetëm dhe larg syve të të tjerëve me dikë të seksit të kundërt, me të cilin nuk jemi të martuar apo që nuk është një pjesëtar i familjes. Që të vazhdojmë të ecim me Perëndinë, duhet të shmangim grackën e vetëbesimit dhe t’ia vëmë veshin këshillës paralajmëruese që na jep ai.—Psalmi 85:8.
Mos e lër frikën e njeriut të të kontrollojë
10. Në ç’mënyrë ngre një grackë ‘të dridhurit para njerëzve’?
10 Një rrezik tjetër është identifikuar në Proverbat 29:25, ku thuhet: «Të dridhesh para njerëzve është ajo që ngre një grackë.» (BR) Gracka e një gjuetari shpesh përfshin një lak që puthitet pas qafës ose litarë, ku ngecin këmbët e një kafshe. (Jobi 18:8-11) Të dridhesh para njerëzve, mund t’i zërë frymën në mënyrë të ngjashme aftësisë së një personi për të folur lirisht dhe për t’u sjellë në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë. Dëshira për t’u pëlqyer të tjerëve është normale dhe një mospërfillje e pandjeshme për atë që mendojnë njerëzit e tjerë, nuk është e krishterë. Por nevojitet drejtpeshim. Kur shqetësimi për reagimet e mundshme të njerëzve të tjerë shkakton që një person të bëjë atë që Perëndia e ndalon apo të përmbahet nga bërja e asaj që urdhëron Fjala e Perëndisë, ky individ është zënë në grackë.
11. (a) Cila është mbrojtja nga lejimi që frika e njeriut ta kontrollojë një person? (b) Si i ka ndihmuar Jehovai shërbëtorët e tij, që po luftonin me frikën e njeriut?
11 Mbrojtja nga një grackë e tillë gjendet jo në prirjen e lindur të një personi, por në ‘besimin te Jehovai’. (Proverbat 29:25b, BR) Me besim te Perëndia, edhe një person që është i ndrojtur si natyrë, mund të dalë se është me kurajë dhe i palëkundur. Për sa kohë jemi të rrethuar nga presionet e këtij sistemi satanik gjërash, do të na duhet të ruhemi nga frika e njeriut, e cila të zë në grackë. Megjithëse profeti Elija pati një të kaluar të shkëlqyer shërbimi të guximshëm, kur Jezabela kërcënoi se do të bënte që të vdiste, ai ia mbathi nga frika. (1. Mbretërve 19:2-18) I ndodhur nën presion, apostulli Pjetër me frikë mohoi se e njihte Jezu Krishtin dhe vite më vonë ai lejoi që frika ta bënte të sillej në një mënyrë që binte në kundërshtim me besimin. (Marku 14:66-71; Galatasve 2:11, 12) Megjithatë, si Elija, ashtu dhe Pjetri, pranuan ndihmën frymore dhe me besim në Jehovain, vazhduan t’i shërbenin Perëndisë në mënyrë të pranueshme.
12. Cilët shembuj të ditëve moderne tregojnë se si janë ndihmuar individët për të shmangur që frika e njeriut t’i bëjë të përmbahen nga të qenët të pëlqyer prej Perëndisë?
12 Shumë prej shërbëtorëve të Jehovait në ditët tona, kanë mësuar, gjithashtu, se si të fitojnë mbi frikën që të zë në grackë. Një Dëshmitare adoleshente në Gujana pranoi: «Në shkollë, beteja për t’i rezistuar presionit të bashkëmoshatarëve është e fortë.» Por shtoi: «Po kështu është edhe besimi im në Jehovain.» Kur për shkak të besimit të saj, mësuesi e vuri në lojë përpara gjithë klasës, ajo iu lut qetësisht Jehovait. Më vonë, kur ishte vetëm me mësuesin, me takt i dha atij dëshmi. Gjatë një vizite në vendlindjen e tij në Benin, një i ri që po mësonte kërkesat e Jehovait, vendosi ta hiqte qafe një idhull që i ati e kishte punuar me shumë merak për të. Ky i ri e dinte se shëmbëlltyra ishte e pajetë dhe nuk kishte frikë prej saj, por ishte, gjithashtu, i vetëdijshëm se fshatarët e acaruar mund të kërkonin ta vritnin. Ai iu lut Jehovait dhe pastaj, natën, e çoi idhullin në një vend të shkretë dhe u çlirua prej tij. (Krahaso Gjykatësve 6:27-31.) Kur një grua në Republikën Domenikane filloi t’i shërbente Jehovait, i shoqi i kërkoi të zgjidhte midis tij dhe Jehovait. Ai e kërcënoi me divorcin. A do ta bënte frika ta braktiste besimin e saj? Ajo u përgjigj: «Do të më vinte turp po të ishte fjala për jobesnikëri, por nuk më vjen turp t’i shërbej Perëndisë Jehova!» Ajo vazhdoi të ecte me Perëndinë dhe me kohë i shoqi u bashkua me të në kryerjen e vullnetit të Jehovait. Me një besim të plotë në Atin tonë qiellor, edhe ne mund të shmangim që lejimi i frikës së njeriut të na bëjë të përmbahemi nga kryerja e asaj që e dimë se do t’i pëlqejë Jehovait.
Shmang minimizimin e këshillës
13. Për cilën grackë jemi të paralajmëruar në 1. Timoteut 6:9?
13 Ndonëse disa gracka të përdorura nga gjuetarët kanë si qëllim të kapin çdo kafshë që i qëllon të kalojë në një vend të caktuar, gracka të tjera i grishin kafshët me anë të karremit që i tërheq në mënyrë mashtruese. Për shumë njerëz, pasuritë janë si ky karrem. (Mateu 13:22) Në 1. Timoteut 6:8, 9, Bibla na inkurajon që të kënaqemi me të ushqyerit dhe të veshurit. Pastaj paralajmëron: «Ata që janë të vendosur të jenë të pasur, bien në tundim, në grackë dhe në shumë dëshira të pakuptimta dhe të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.»
14. (a) Çfarë mund ta pengojë një person që të marrë për zemër këshillën për t’u kënaqur me të ushqyerit dhe të veshurit? (b) Si mundet një përkufizim i gabuar i pasurive ta bëjë një person të minimizojë paralajmërimin e dhënë në 1. Timoteut 6:9? (c) Në ç’mënyrë «dëshira e syve» mund t’i verbojë disa para grackës që i pret?
14 Megjithë këtë paralajmërim, shumë zihen në grackë, sepse nuk ia aplikojnë vetes këshillën. Pse? Mos ndoshta krenaria i shtyn të këmbëngulin për t’iu përmbajtur një mënyre jetese që kërkon më shumë sesa «të ushqyerin dhe të veshurin», me të cilin Bibla na nxit të kënaqemi? Mos ndoshta e minimizojnë paralajmërimin e Biblës, sepse i përkufizojnë pasuritë sipas asaj që zotërojnë njerëzit shumë të pasur? Bibla thjesht e vë vendosmërinë për të qenë i pasur në kontrast me të qenët i kënaqur me të ushqyerin dhe të veshurin. (Krahaso Hebrenjve 13:5.) A do t’i bëjë «dëshira e syve», dëshira për të zotëruar gjërat që shohin, madje edhe duke sakrifikuar detyrat frymore, që ta kalojnë adhurimin e vërtetë në vend të dytë? (1. Gjonit 2:15-17; Hageu 1:2-8) Sa shumë më të lumtur janë ata që e marrin me të vërtetë për zemër këshillën e Biblës dhe ecin me Perëndinë, duke e bërë shërbimin e Jehovait qendrën e jetës së tyre!
Përballimi me sukses i anktheve të jetës
15. Cilat situata mund t’u shkaktojnë logjikisht ankth shumë personave prej popullit të Jehovait dhe ndaj cilës grackë duhet të jemi syhapur, kur ndodhemi nën presione të tilla?
15 Më i zakonshëm sesa vendosmëria për t’u pasuruar është shqetësimi me ankth për të arritur pasjen e gjërave të domosdoshme për të jetuar. Shumë prej shërbëtorëve të Jehovait jetojnë vetëm me gjërat minimale. Ata punojnë fort për shumë orë, që të kenë thjesht gjërat kryesore për t’u veshur, një vend ku të flerë familja gjatë natës dhe të paktën ca ushqim për ditën. Të tjerë luftojnë me problemet për shkak të sëmundjeve apo moshës së thyer të atyre vetë ose të pjesëtarëve të familjes. Sa e lehtë do të ishte t’i linin rrethana të tilla t’u zinin frymën interesave frymore në jetën e tyre!—Mateu 13:22.
16. Si na ndihmon Jehovai të përballojmë presionet e jetës?
16 Me dashuri, Jehovai na tregon për lehtësimin që do të përjetohet nën Mbretërinë Mesianike. (Psalmi 72:1-4, 16; Isaia 25:7, 8) Ai na ndihmon, gjithashtu, të përballojmë tani presionet e jetës, duke na dhënë këshilla se si t’i mbajmë në vendin e duhur përparësitë tona. (Mateu 4:4; 6:25-34) Duke dokumentuar mënyrën se si i ka ndihmuar shërbëtorët e tij në të kaluarën, Jehovai na jep siguri. (Jeremia 37:21; Jakovit 5:11) Ai na forcon me dijeninë se, pavarësisht nga çdo hall që bie mbi ne, dashuria e tij për shërbëtorët e vet besnikë, mbetet e pandryshuar. (Romakëve 8:35-39) Atyre që e vënë besimin te Jehovai, ai u deklaron: «Në asnjë mënyrë nuk do të të lë dhe në asnjë mënyrë nuk do të të braktis.»—Hebrenjve 13:5, BR.
17. Jep shembuj se si individë që kanë përjetuar halle të mëdha, kanë qenë në gjendje të vazhdojnë të ecin me Perëndinë.
17 Të forcuar nga kjo dijeni, të krishterët e vërtetë vazhdojnë të ecin me Perëndinë, në vend se t’u drejtohen rrugëve të botës. Një filozofi e zakonshme e botës mes të varfërve në shumë vende, është se t’i marrësh dikujt që ka më shumë, për të ushqyer kështu familjen tënde, nuk është vjedhje. Por ata që ecin me anë të besimit e hedhin poshtë këtë pikëpamje. Ata e vlerësojnë miratimin e Perëndisë mbi gjithçka tjetër dhe shohin nga ai, për t’ua shpërblyer sjelljen e tyre të ndershme. (Proverbat 30:8, 9; 1. Korintasve 10:13; Hebrenjve 13:18) Një e ve në Indi vuri re se gatishmëria për të punuar, bashkë me zhdërvjelltësinë, e ndihmuan për ta përballuar gjendjen. Në vend që të hante inat për shortin e saj në jetë, ajo qe e vetëdijshme se nëse vendoste Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij në vend të parë në jetë, Jehovai do t’ia bekonte përpjekjet për të pasur gjërat e domosdoshme për vete dhe për të birin. (Mateu 6:33, 34) Me mijëra veta përreth tokës, demonstrojnë se megjithë hallet që mund të përjetojnë, Jehovai është strehimi dhe fortesa e tyre. (Psalmi 91:2) A është e vërtetë kjo për ty?
18. Cili është çelësi për të shmangur grackat e botës së Satanait?
18 Për sa kohë të jetojmë në sistemin e tanishëm të gjërave, do të ketë gracka që duhen shmangur. (1. Gjonit 5:19) Bibla i identifikon ato dhe na tregon se si t’i shmangim. Ata që e duan me të vërtetë Jehovain dhe që kanë një frikë të shëndetshme se mos nuk i pëlqejnë atij, mund t’i përballojnë me sukses këto gracka. Nëse ‘vazhdojnë të ecin sipas frymës’, nuk do t’u dorëzohen rrugëve të botës. (Galatasve 5:16-25) Përpara të gjithë atyre që e ndërtojnë me të vërtetë jetën e tyre rreth marrëdhënies me Jehovain, ndodhet perspektiva e madhe e ecjes me Perëndinë, duke e gëzuar përgjithmonë intimitetin me të.—Psalmi 25:14, BR.
Cili është komenti yt?
◻ Si mund të jetë një grackë vetëbesimi?
◻ Çfarë mund të na mbrojë nga të qenët të kontrolluar nga frika e njeriut?
◻ Ç’gjë mund të na bëjë të dështojmë në aplikimin e këshillës mbi rrezikun e shkuarjes pas pasurive?
◻ Ç’gjë mund të na aftësojë që të shmangim të qenët të kapur në grackë nga ankthet e jetës?
[Figura në faqet 16, 17]
Shumë persona vazhdojnë të ecin me Perëndinë gjatë gjithë jetës