Një moment historik për ata që e duan fjalën e Perëndisë
Në vitin 1998 u arrit një moment historik për të gjithë ata që e duan Fjalën e Perëndisë. Gjatë atij viti, doli nga shtypshkronja kopja e 100 miliontë e Biblës «Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta». Në këtë mënyrë, ajo është bërë një nga Biblat më të shpërndara në këtë shekull!
KJO arritje është e habitshme, veçanërisht po të marrim parasysh se kur doli fillimisht, ky përkthim qe subjekt kritikash të ashpra. Megjithatë, ai jo vetëm që ka mbijetuar, por ka lulëzuar, duke hyrë në miliona shtëpi dhe miliona zemra në të gjithë botën. Cila është origjina e këtij përkthimi unik? Kush qëndron pas tij? Gjithashtu, si mund të nxjerrim dobi duke e përdorur atë?
Përse një përkthim i ri?
Për më shumë se njëqind vjet, Watch Tower Bible and Tract Society, agjencia ligjore që përfaqëson Dëshmitarët e Jehovait, ka shpërndarë Bibla. Por, përse Dëshmitarët e Jehovait e panë të nevojshme të prodhonin një version tjetër të Fjalës së Perëndisë? Libri So Many Versions?, nga Sakae Kubo dhe Uolter Spekt, thotë: «Asnjë përkthim i Biblës nuk mund të konsiderohet kurrë përfundimtar. Përkthimet duhet të ecin krahas rritjes së dijes biblike dhe ndryshimeve gjuhësore.»
Ky shekull ka parë një rritje të konsiderueshme në kuptueshmërinë e gjuhëve hebraike, greke dhe aramaike, gjuhë në të cilat u shkrua fillimisht Bibla. Gjithashtu, janë zbuluar dorëshkrime biblike që janë më të vjetra dhe më të sakta sesa ato që ishin përdorur nga brezat e mëparshëm të përkthyesve të Biblës. Në këtë mënyrë, sot Fjala e Perëndisë mund të përkthehet më saktësisht se kurrë më parë. Pra, kishte arsye të vlefshme se përse u krijua Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e re, për të ndërmarrë përkthimin e Biblës në gjuhët e ditëve tona.
Në vitin 1950 u botua versioni në anglisht i Biblës Përkthimi Bota e re i Shkrimeve të Krishtere Greke. Vetë titulli ishte një shkëputje e guximshme nga tradita, duke hedhur poshtë përcaktimin se Bibla është e përbërë nga një besëlidhje «e Re» dhe një «e Vjetër». Gjatë dekadës që pasoi, u botuan në disa vëllime, pjesë të Shkrimeve Hebraike. Në vitin 1961, u botua Bibla e plotë në anglisht në një vëllim të vetëm.
Por kush e përktheu këtë Bibël të veçantë? Në Kullën e Rojës, 15 shtator 1950, anglisht, thuhej: «Ata që përbëjnë Komitetin e Përkthimit kanë shprehur dëshirën . . . për të mbetur anonimë dhe në veçanti nuk dëshirojnë që emrat e tyre të botohen për sa kohë që janë në jetë ose pas vdekjes. Qëllimi i përkthimit është që të lartësohet emri i Perëndisë së gjallë e të vërtetë.» Disa kritikë pohuan se vepra nuk duhet pranuar fare, meqë është një produkt amatorësh, por jo të gjithë patën këtë qëndrim të paarsyeshëm. Alan S. Duthi shkruan: «Po ta dimë se cilët janë përkthyesit ose botuesit e një përkthimi të veçantë Bible, a do të na ndihmojë kjo për të vendosur nëse përkthimi është i mirë ose i keq? Jo drejtpërdrejt. S’ka të zëvendësuar shqyrtimi i karakteristikave të çdo përkthimi në vetvete.»a
Veçori unike
Miliona lexues kanë vepruar pikërisht siç thuhet më lart dhe kanë zbuluar se Përkthimi Bota e Re jo vetëm që është i lexueshëm, por edhe është kryer me kujdes e saktësi. Përkthyesit e saj punuan nga gjuhët origjinale hebraike, aramaike dhe greke, duke përdorur tekstet më të mira që ishin në dispozicion.b Një kujdes i veçantë iu kushtua, gjithashtu, përkthimit të tekstit të lashtë sa më drejtpërdrejt që të ishte e mundur, por në një gjuhë që kuptohej me lehtësi. Në përputhje me këtë, disa studiues e lavdëruan këtë përkthim për integritetin dhe saktësinë. Për shembull, në Andover Newton Quarterly, janar 1963, thuhej: «Përkthimi i Besëlidhjes së Re është një dëshmi e ekzistencës në lëvizje të studiuesve të kualifikuar për të trajtuar në mënyrë inteligjente problemet e shumta të përkthimit të Biblës.»
Përkthyesit sollën në dritë një sferë të re kuptueshmërie për Biblën. Disa tekste biblike që më përpara kuptoheshin turbull, u bënë shumë të qarta. Për shembull, teksti enigmatik në Mateun 5:3, «të bekuar janë të varfërit në frymë» (King James Version), u përkthye në një mënyrë që kishte kuptim: «Të lumtur janë ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» Përkthimi Bota e Re është, gjithashtu, koherent dhe i njëtrajtshëm në mënyrën e përkthimit të termave kyçe. Për shembull, fjala greke psike u përkthye «shpirt» në të gjitha rastet kur shfaqej. Si rezultat, lexuesit mund ta kuptojnë menjëherë se në kundërshtim me teoritë fetare, shpirti nuk është i pavdekshëm.—Mateu 2:20; Marku 3:4; Luka 6:9; 17:33.
Rivendosja e emrit të Perëndisë
Një veçori e jashtëzakonshme e Përkthimit Bota e Re kishte të bënte me rivendosjen e emrit të Perëndisë, Jehova. Në kopjet e vjetra të Biblës Hebraike, emri hyjnor paraqitet me katër bashkëtingëllore që mund të përkthehen YHWH ose JHVH. Ky emër i veçantë shfaqet afro 7.000 herë vetëm në të ashtuquajturën Besëlidhja e Vjetër. (Eksodi 3:15; Psalmi 83:18) Qartë, Krijuesi ynë kishte ndër mend që adhuruesit e tij ta dinin dhe ta përdornin këtë emër!
Megjithatë, frika besëtytnore shkaktoi që populli hebre të mos e përdorte më emrin hyjnor. Pas vdekjes së apostujve të Jezuit, kopistët e Shkrimeve Greke filluan ta zëvendësonin emrin personal të Perëndisë me fjalët greke Kirios (Zot) ose Theos (Perëndi). Mjerisht, përkthyesit e ditëve moderne e kanë përjetësuar këtë traditë që nuk e nderon Perëndinë, duke eliminuar emrin e Perëndisë nga pjesa më e madhe e Biblave e madje duke fshehur faktin që Perëndia ka një emër. Për shembull, në Gjonin 17:6 gjejmë fjalët e Jezuit: «Unë kam dëftuar emrin tënd.» Megjithatë, Today’s English Version e përkthen kështu: «Të kam bërë të njohur.»
Disa studiues mbrojnë eliminimin e emrit hyjnor, sepse shqiptimi i tij i saktë nuk dihet. Gjithsesi, emra të tillë të njohur biblikë si Jeremia, Isaia dhe Jezu përkthehen normalisht në mënyra që ngjajnë shumë pak me shqiptimin e tyre origjinal hebraik. Meqë forma Jehova është një mënyrë e pranuar për ta përkthyer emrin hyjnor—dhe është e njohur për shumë njerëz—kundërshtimet lidhur me përdorimin e këtij emri duken të kota.
Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re ndërmori hapin e guximshëm për ta përdorur emrin Jehova si në pjesën hebraike, ashtu edhe në atë greke të Shkrimeve. Ata kishin një precedent për këtë në përkthimet e hershme misionare për njerëzit e Amerikës Qendrore, të Paqësorit Jugor dhe të Lindjes. Megjithatë, ky përdorim i emrit të Perëndisë nuk është thjesht me interes studimor. Njohja e emrit të Perëndisë është kryesore për ta njohur atë si person. (Eksodi 34:6, 7) Përkthimi Bota e Re ka inkurajuar miliona lexues për të përdorur emrin e tij!
Arrin te lexuesit që nuk flasin anglisht
Nga viti 1963 deri në vitin 1989, Përkthimi Bota e Re u vu në dispozicion, i plotë ose pjesërisht, në dhjetë gjuhë të tjera. Megjithatë, puna e përkthimit ishte e lodhshme dhe disa projekte zgjatën deri në 20 ose më shumë vjet. Pastaj, në vitin 1989, në Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait u formua Reparti i Shërbimit të Përkthimit. Nën drejtimin e Komitetit të Shkrimit dhe të Trupit Udhëheqës, ky repart kishte si qëllim të përshpejtonte përkthimin e Biblës. U zhvillua një metodë përkthimi që kombinonte studimin e fjalëve biblike me teknologjinë kompjuterike. Si funksionon ky sistem?
Pasi Komiteti i Shkrimit ka miratuar përkthimin e Biblës në një gjuhë tjetër, ai cakton një grup të krishterësh të dedikuar që të shërbejnë si skuadër përkthimi. Skuadrat japin përkthime më të ekuilibruara sesa puna individuale më vete. (Krahaso Fjalët e urta 11:14.) Në përgjithësi, çdo pjesëtar i skuadrës ka pasur përvojë në përkthimin e botimeve të Shoqatës. Pastaj, skuadra merr stërvitje të plotë në lidhje me parimet e përkthimit të Biblës dhe me përdorimin e programeve kompjuterike të bëra posaçërisht për këtë punë. Një kompjuter nuk bën faktikisht punën e përkthimit, por mund t’i japë skuadrës mundësi të marrë informacione të rëndësishme dhe mund t’i ndihmojë për të mbajtur shënim vendimet që marrin.
Projekti i përkthimit të Biblës ka dy faza. Gjatë fazës së parë, përkthyesve u jepet një listë me fjalë dhe shprehje që janë përdorur në Përkthimin Bota e Re në anglisht. Termat në anglisht që kanë lidhje me njëri-tjetrin si «shlyej», «shlyerje» dhe «pajtim» janë grupuar bashkë, duke i vënë në dijeni përkthyesit për ngjyrimet e mundshme kuptimore. Ata përpilojnë një listë me ekuivalentin e fjalëve në gjuhën e tyre. Gjithsesi, nganjëherë një përkthyes mund ta ketë të vështirë të përkthejë një varg. Sistemi i kërkimeve në kompjuter i siguron përkthyesit informacione për termat grekë dhe hebraikë, si edhe i jep mundësi të bëjë kërkime në botimet e Watch Tower-it.
Kur projekti hyn në fazën e dytë, termat e zgjedhur në gjuhën amtare futen automatikisht në tekstin biblik. Kjo siguron një saktësi dhe koherencë të konsiderueshme në përkthim. Megjithatë, teksti që del si rezultat i këtij veprimi «kërko dhe zëvendëso», mezi lexohet. Duhet bërë një punë e konsiderueshme për të nxjerrë dhe për të rregulluar frazat e vargjeve biblike, që të mund të lexohen rrjedhshëm.
Ky sistem përkthimi ka dalë shumë i efektshëm. Një grup arriti të përkthente gjithë Shkrimet Hebraike për dy vjet. Ta krahasojmë këtë me një grup që punoi në një gjuhë të së njëjtës familje pa ndihmën e kompjuterit. Këtyre të fundit iu deshën 16 vjet. Deri tani, që nga viti 1989 Shkrimet e Krishtere Greke janë botuar në 18 gjuhë të tjera. Përkthimi Bota e Re tani është në dispozicion, i plotë ose pjesërisht, në 34 gjuhë. Kështu, mbi 80 për qind e Dëshmitarëve të Jehovait kanë të paktën Shkrimet e Krishtere Greke në dispozicion në gjuhën e tyre amtare.
Shoqatat e Bashkuara të Biblës raportojnë se nga 6.500 gjuhët e botës, vetëm në 2.212 gjuhë janë në dispozicion pjesë të Biblës.c Prandaj, rreth 100 përkthyes po punojnë për ta përkthyer Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve Hebraike dhe Greke në 11 gjuhë të parën pjesë dhe në 8 gjuhë të dytën. Vullneti i Perëndisë është «që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës». (1. Timoteut 2:4) Përkthimi Bota e Re pa dyshim do të vazhdojë të luajë një rol kryesor në këtë aspekt.
Prandaj ne gëzohemi që ky përkthim ka kaluar momentin historik me 100 milionë kopje dhe lutemi që miliona kopje të tjera të prodhohen në të ardhmen. Të inkurajojmë ta shqyrtosh vetë këtë përkthim. Do të kënaqesh me veçoritë e shumta të veçanta: germat që lexohen kollaj, titujt e faqeve, një indeks që do të të ndihmojë të gjesh vargjet e njohura, harta të hollësishme dhe material tërheqës shtesë. Ç’është më e rëndësishmja, mund ta lexosh këtë Bibël me sigurinë se ajo paraqet saktësisht në gjuhën tënde vetë thëniet e Perëndisë.
[Shënimet]
a Është interesante se në mbulesën e kopertinës së botimit me referime 1971 të përkthimit New American Standard Bible, thuhej në mënyrë të ngjashme: «Nuk kemi përdorur ndonjë emër studiuesi për referime ose rekomandime, sepse jemi të bindur që Fjala e Perëndisë duhet të qëndrojë sipas meritës së vet.»
b The New Testament in the Original Greek, nga Uestkot dhe Hort, shërbeu si teksti bazë në greqisht. Biblia Hebraica e R. Kitelit ishte teksti bazë për Shkrimet Hebraike.
c Meqë shumë njerëz flasin dy gjuhë, besohet se Bibla, e plotë ose pjesërisht, është përkthyer në mjaft gjuhë sa për t’u lexuar nga më shumë se 90 për qind e popullsisë së tokës.
[Diçitura në faqen 29]
«Përkthimi i Besëlidhjes së Re është një dëshmi e ekzistencës në lëvizje të studiuesve të kualifikuar për të trajtuar në mënyrë inteligjente problemet e përkthimit të Biblës.»—ANDOVER NEWTON QUARTERLY, JANAR 1963
[Diçitura në faqen 30]
«Përkthimet duhet të ecin krahas rritjes së dijes biblike dhe ndryshimeve gjuhësore»
[Kutia dhe figura në faqen 31]
STUDIUESIT LAVDËROJNË PËRKTHIMIN BOTA E RE
PËR SA i përket Përkthimit Bota e re të Shkrimeve të Krishtere Greke, Edgar J. Gudspid, përkthyes i «Besëlidhjes së Re» në An American Translation, shkroi në një letër që mbante datën 8 dhjetor 1950: «Jam i interesuar për veprën misionare të njerëzve tuaj dhe shtrirjen e saj mbarëbotërore, si edhe shumë i kënaqur me përkthimin e lirë, të qartë dhe të gjallë. Ai shfaq një sasi të madhe mësimesh të shëndetshme e serioze, siç mund ta dëshmoj vetë.»
Studiuesi i greqishtes dhe i hebraishtes, Aleksandër Tomson, shkroi: «Duket qartë se përkthimi është punë e studiuesve të aftë dhe të zgjuar, të cilët janë përpjekur të nxjerrin akoma më shumë kuptim të vërtetë nga teksti grek, sa ç’është në gjendje të shprehë gjuha angleze.»—The Differentiator, prill 1952, faqet 52-57.
Profesori Benxhamin Kedar, një studiues i hebraishtes në Izrael, në vitin 1989 tha: «Në kërkimet e mia gjuhësore lidhur me Biblën Hebraike dhe përkthimet, shpesh i referohem një botimi në anglisht i cili njihet si Përkthimi Bota e Re. Duke bërë këtë, më përforcohet gjithnjë e më shumë mendimi se kjo vepër pasqyron një përpjekje të sinqertë për të arritur një kuptueshmëri sa më të saktë të tekstit.»