Si ndikoi vejëria te dy gra?
SANDRA është një vejushë që jeton në Australi. Kur i vdiq i shoqi disa vjet më parë, reagimi i menjëhershëm që pati Sandra ishte tronditja e plotë. «Mendimi se, papritur, kisha humbur bashkëshortin dhe mikun tim më të mirë më mbyste. Vërtet, nuk e mbaj mend si ia bëra që erdha nga spitali në shtëpi ose çfarë bëra pjesën tjetër të asaj dite. Gjatë disa javëve që pasuan, frika më shndërrohej në dhembje të vazhdueshme fizike.»
Sandra ka një shoqe më të madhe se veten, Ilejnën, e cila ka gjashtë vjet që është vejushë. Ilejna i shërbeu të shoqit, Davidit, për gjashtë muaj para se ai të vdiste nga kanceri. Hidhërimi i saj ishte kaq i madh, saqë jo shumë kohë pasi i vdiq i shoqi, pati një humbje të përkohshme të shikimit. Dy vjet më vonë, i ra të fikët kur ishte mes njerëzve. Mjeku nuk i gjeti shenjë të ndonjë sëmundjeje fizike. Mirëpo, zbuloi se Ilejna e kishte mbajtur përbrenda hidhërimin, kështu që e këshilloi të shkonte në shtëpi dhe të përpiqej me të gjitha forcat që të qante. «M’u desh njëfarë kohe që ta kapërceja hidhërimin»,—pranon Ilejna, duke shtuar se, gjatë periudhave të vetmisë «e kisha zakon të shkoja në dhomën e gjumit dhe ta futja kokën mes rrobave të Davidit».
Po, vdekja e një bashkëshorti të dashur mund të shkaktojë reagime të ndryshme, pasi vejëria, në të vërtetë, përfshin më shumë sesa vetëm të jetosh pa bashkëshortin. Sandra, për shembull, për njëfarë kohe u ndie sikur kishte humbur identitetin e saj. Si shumë vejusha të tjera që sapo kanë humbur bashkëshortin, edhe ajo u ndie e dobët dhe e pasigurt. Sandra kujton: «Pasi isha mësuar që vendimet përfundimtare t’i merrte im shoq, papritur mbeta e vetme dhe më duhej t’i merrja vetë vendime të tilla. Më iku gjumi. Isha e lodhur dhe e rraskapitur. E kisha të vështirë ta kuptoja se çfarë duhej të bëja.»
Histori të ngjashme me ato të Sandrës dhe të Ilejnës përsëriten çdo ditë në mbarë botën. Sëmundjet, aksidentet, luftërat, spastrimi etnik, si edhe dhuna në përgjithësi, po e shtojnë numrin e vejushave.a Shumë nga këto gra vuajnë në heshtje, duke mos ditur se çfarë të bëjnë. Çfarë mund të bëjnë miqtë e të afërmit për të ndihmuar ato gra që kanë mbetur vejusha? Artikulli vijues ka disa sugjerime që mund të jenë të dobishme.
[Shënimi]
a Ka edhe gra të tjera që janë në një gjendje të ngjashme me atë të vejushave, sepse burrat i kanë braktisur. Ndonëse ndarja dhe divorci krijojnë problemet e tyre të veçanta, disa nga parimet e trajtuara në artikullin vijues mund të ndihmojnë edhe gratë që gjenden në rrethana të tilla.