Ndikimi mbarëbotëror i Jezuit
«TË GJITHA fjalët e Jezuit të dokumentuara te ungjijtë, të thëna si privatisht, ashtu edhe publikisht, mund të përmblidhen vetëm në dy orë,—shkroi përkthyesi i Biblës Edgar Gudspidi.—Por, ato pak fjalë ishin kaq emocionuese, prekëse dhe të thella, sa mund të themi pa frikë se askush tjetër nuk ka pasur ndikim më të madh në botë.»
Në vitin 33 të e.s., kur Jezu Krishti mbaroi shërbimin e tij këtu në tokë, dishepujt ishin rreth 120 burra dhe gra. (Veprat 1:15) Në ditët e sotme, më shumë se dy miliardë njerëz pohojnë se janë të krishterë. Qindra milionë të tjerë e pranojnë Jezuin si profet. Mësimet e tij kanë ushtruar vërtet një ndikim të jashtëzakonshëm te njerëzimi.
Edhe udhëheqësit fetarë jo të krishterë e kanë pranuar se Jezui ka pasur ndikim në mbarë botën. Për shembull, një rabin jude me emrin Hajmen Enelou shkroi: «Jezui është bërë personazhi më i njohur, më i studiuar dhe më me peshë në historinë fetare të njerëzimit.» Gjithashtu Enelou tha: «E kush mund ta llogaritë gjithë ndikimin që ka ushtruar Jezui te njerëzimi? Dashuria që nxiti te të tjerët, ngushëllimi që dha, mirësia që bëri të lindë, shpresa dhe gëzimi që ngjalli—janë të gjitha të pashoqe në historinë njerëzore. Nga njerëzit më të famshëm dhe më të mirë që kanë jetuar ndonjëherë, asnjëri nuk i afrohet Jezuit për nga interesi dhe ndikimi mbarëbotëror. Ai është bërë figura më tërheqëse e historisë.» Ndërsa udhëheqësi hinduist Mohandas K. Gandi tha: «Nuk njoh asnjë që të ketë bërë më shumë për njerëzimin sesa Jezui. Në të vërtetë, nuk ka asgjë të keqe te besimi i krishterë.» Por ai shtoi: «Problemi qëndron te ju të krishterët. Ju as nuk përpiqeni të jetoni sipas asaj që u mësoni të tjerëve.»
Krishterizmi prej kohësh nuk jeton sipas mësimeve të Jezuit. Sisil Zh. Kaduja, një historian i krishterimit, shkroi se «shtimi gradual dhe i vazhdueshëm i një tolerance morale në të gjithë Kishën» kishte tërhequr «vëmendjen e udhëheqësve të krishterë që në vitin . . . 140 A.D.». Ai tha: «Kjo shmangie nga zbatimi me përpikëri që u bëhej në fillim normave morale, natyrisht që do të çonte në modelimin e tyre sipas udhëve të botës.»
Kjo rënie morale mori vrull në shekullin e katërt, kur u bë i krishterë perandori romak Kostandini. Kaduja shkroi: «Historianët kanë arritur të kuptojnë dhe disa, madje, të dënojnë kompromisin e madh që bëri Kisha, duke lidhur aleancë me Kostandinin.» Në shekujt e mëpasshëm, ata që thoshin se ishin të krishterë kanë kryer shumë vepra të turpshme që e kanë çnderuar emrin e Krishtit.
Pyetjet që na interesojnë veçanërisht janë: Çfarë u mësoi në të vërtetë Jezui të tjerëve? Dhe, si duhet të ndikojnë mësimet e tij te ne?
[Figura në faqen 3]
«Nuk njoh asnjë që të ketë bërë më shumë për njerëzimin sesa Jezui.»—Mohandas K. Gandi
[Figura në faqen 3]
«Askush tjetër nuk ka pasur ndikim më të madh në botë.»—Edgar Gudspidi
[Burimi]
Culver Pictures