Prindër, mbrojeni trashëgiminë tuaj të çmuar!
«Mençuria është mbrojtje . . . [ajo] i ruan gjallë ata që e zotërojnë.»—Eklisiastiu 7:12, Br.
1. Pse prindërit duhet t’i shohin fëmijët si dhuratë?
PRINDËRIT sjellin në jetë një individ të ri me tipare fizike e me veçori të karakterit që janë të ngjashme me të tyret. Bibla i quan fëmijët ‘trashëgimi nga Zoti’. (Psalmi 127:3) Meqë Jetëdhënësi i vërtetë është Jehovai, në realitet ai po u lë në mirëbesim prindërve diçka që, në fund të fundit, i përket atij. (Psalmi 36:9) Prindër, si e konsideroni këtë dhuratë të çmuar që ju jep Perëndia?
2. Si u ndie Manoahu kur mori vesh se do të bëhej baba?
2 Patjetër që kjo dhuratë duhet pranuar me përulësi e me vlerësim. Kështu u ndie më shumë se 3.000 vjet më parë Manoahu, një izraelit, kur një engjëll njoftoi gruan e tij se do të lindte një fëmijë. Sapo dëgjoi këtë sihariq, Manoahu u lut: «O Zot, të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur.» (Gjyqtarët 13:8) Çfarë mund të mësoni ju prindër nga shembulli i Manoahut?
Përse nevojitet tani ndihma e Perëndisë?
3. Përse sot është veçanërisht e nevojshme ndihma e Perëndisë për të rritur fëmijët?
3 Tani, më shumë se kurrë më parë, prindërit kanë nevojë për ndihmën e Jehovait për të rritur fëmijët. Përse? Sepse Satana Djalli dhe engjëjt e tij janë hedhur nga qielli poshtë në tokë. «Mjerë për tokën,—paralajmëron Bibla,—sepse Djalli ka zbritur ndër ju, duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka një periudhë të shkurtër kohe.» (Zbulesa 12:7-9, 12) Pastaj shpjegon se, «si një luan që vrumbullit», Satanai është «duke kërkuar të përpijë dikë». (1 Pjetrit 5:8) Zakonisht luanët gjuajnë kafshët që janë më të dobëta e të pambrojtura, që shpesh janë të vegjlit. Prandaj, me mençuri prindërit e krishterë i drejtohen Jehovait që t’i udhëzojë se si t’i mbrojnë fëmijët. Sa përpjekje po bën ti si prind në këtë drejtim?
4. (a) Si do të reagonin prindërit nëse merrnin vesh që në lagjen e tyre vërtitej një luan? (b) Çfarë u duhet fëmijëve për t’u mbrojtur?
4 Po ta dinit se në lagjen tuaj sillej rrotull një luan, me siguri që shqetësimi kryesor për ju do të ishte të mbronit fëmijët. Satanai është grabitqar. Ai përpiqet t’i korruptojë shërbëtorët e Perëndisë, që të mos meritojnë më miratimin e Perëndisë. (Jobi 2:1-7; 1 Gjonit 5:19) Fëmijët janë shënjestër fare e lehtë. Për t’u shpëtuar kurtheve të Djallit, fëmijët duhet të njohin Jehovain e t’i binden atij. Është thelbësore të marrin njohuri nga Bibla. «Kjo do të thotë jetë e përhershme,—tha Jezui,—të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Gjithashtu, të vegjlit kanë nevojë për mençuri, që është aftësia për të kuptuar e për të zbatuar gjërat që mësojnë. Meqë «mençuria i ruan gjallë ata që e zotërojnë», ju prindër duhet t’u ngulitni në zemër të vërtetën fëmijëve tuaj. (Eklisiastiu [Predikuesi] 7:12, BR) Por, si ta bëni këtë?
5. (a) Si mund t’u japin mençuri prindërit fëmijëve? (b) Si e përshkruan libri i Fjalëve të urta vlerën e mençurisë?
5 Diçka që mund të bëni—e që duhet ta bëni —është t’u lexoni fëmijëve Fjalën e Perëndisë. Po nuk mjafton vetëm kjo për t’i ndihmuar që të duan Jehovain e t’i binden; ata duhet të arrijnë t’i kuptojnë gjërat. Le ta ilustrojmë. Zakonisht fëmijëve u thuhet të mos e kalojnë rrugën pa parë mirë majtas e djathtas. Po gjithsesi, disa fëmijë nuk binden. Pse jo? Ndoshta nuk u janë shpjeguar mjaft shpesh pasojat që vijnë po të të shtypë makina ose nuk janë shpjeguar në atë mënyrë që t’u ngulitë në mendje se sa e rrezikshme është, për të mposhtur ‘marrëzinë’ që mund të çojë në një aksident. Duhet kohë, si edhe shumë durim, që t’i japësh mençuri dikujt. Por, ama, sa shumë do t’u vlejë ajo mençuri! «Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme,—thotë Bibla,—dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.»—Fjalët e urta (Proverbat) 3:13-18; 22:15.
Lloji i mësimit që të bën të mençur
6. (a) Përse shpesh fëmijët veprojnë pa mençuri? (b) Çfarë beteje po zhvillohet në lidhje me fëmijët?
6 Shumë herë, fëmijët veprojnë keq jo sepse nuk u është mësuar çfarë është e drejtë, por sepse ky mësim nuk u ka prekur zemrën, pra njeriun e brendshëm. Djalli lufton që të fitojë kontroll mbi zemrën e të vegjëlve. Me metodat e tij, ai sigurohet që fëmijët të vihen përballë ndikimeve të paperëndishme të botës së tij. Gjithashtu, përpiqet të shfrytëzojë te fëmijët prirjen e trashëguar mëkatare për të bërë gjëra të këqija. (Zanafilla 8:21; Psalmi 51:5) Prindërit duhet të kuptojnë se ekziston një luftë e vërtetë se kush do të ushtrojë kontroll mbi zemrën e fëmijëve të tyre.
7. Përse nuk mjafton t’u thuhet fëmijëve çfarë është e drejtë ose e gabuar?
7 Zakonisht prindërit i thonë fëmijës çfarë është e drejtë ose e gabuar, duke menduar se kështu po i mësojnë një parim. I thonë ndoshta fëmijës se është e gabuar të gënjesh, të vjedhësh ose të kesh marrëdhënie seksuale kur nuk je i martuar. Mirëpo, që të bindet, fëmijës i duhet një motiv edhe më i fortë sesa vetëm fakti që po ia thonë prindërit këtë. Ligjet që po i thonë ata janë ligjet e Jehovait. Fëmija duhet të mësojë se është gjithmonë e mençur t’u bindesh urdhërimeve të Perëndisë.—Fjalët e urta 6:16-19; Hebrenjve 13:4.
8. Çfarë lloj mësimi mund t’i ndihmojë fëmijët që të veprojnë me mençuri?
8 T’i shpjegosh sa i ndërlikuar është universi, sa shumë gjallesa të ndryshme jetojnë në tokë, si ndryshojnë stinët, e të tjera si këto, e ndihmon fëmijën të kuptojë që ekziston një Krijues me mençuri të pakrahasueshme. (Romakëve 1:20; Hebrenjve 3:4) Veç kësaj, fëmijës i duhet mësuar se Perëndia e do dhe se ka marrë masa që t’i japë jetën e përhershme, nëpërmjet flijimit të Birit të Tij. I duhet mësuar edhe se ai mund ta bëjë të lumtur Perëndinë duket iu bindur fjalëve të Tij. Atëherë ka të ngjarë që fëmija do të dëshirojë që t’i shërbejë Jehovait, me gjithë përpjekjet e Djallit për ta penguar.—Fjalët e urta 22:6; 27:11; Gjoni 3:16.
9. (a) Çfarë kërkon nga prindërit lloji i mësimit që është jetëshpëtues? (b) Cili udhëzim u jepet etërve, e çfarë përfshin ky?
9 Ky lloj mësimi që e mbron fëmijën dhe e motivon të veprojë drejt, kërkon kohë, vëmendje dhe planifikim. Kërkon që prindërit të pranojnë të udhëhiqen prej Perëndisë. Bibla thotë: «Ju, etër, . . . vazhdoni t’i rritni [fëmijët tuaj] në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Çfarë do të thotë kjo? Shprehja e përkthyer «normë mendore», në greqishten e vjetër përcjell idenë «të vësh mendjen e». Pra, me fjalë të tjera, baballarëve u bëhet thirrje që të vënë mendjen e Jehovait te fëmijët. Sa shumë do t’i mbrojë kjo fëmijët! Po t’i kenë të ngulitura në mendje mendimet e Perëndisë dhe mënyrën se si mendon ai, fëmijët janë të mbrojtur e nuk do të bien në gabime.
Dëshirë e motivuar nga dashuria
10. Çfarë është e rëndësishme të dini për ta mësuar sa më mirë fëmijën?
10 Por, që të plotësoni dëshirën për ta rritur siç duhet fëmijën, përpjekjet tuaja duhet të motivohen nga dashuria. Një faktor i rëndësishëm është komunikimi i mirë. Zbuloni se çfarë po ndodh në jetën e fëmijës suaj dhe cilat janë pikëpamjet e tij ose të saj. Në një atmosferë të çlirët, ndihmojeni me takt fëmijën që të shprehet. Nganjëherë mund të tronditeni me gjërat që thotë. Por bëni shumë kujdes që të mos e shfaqni këtë tronditje. Në vend të kësaj, dëgjojeni me interes e me empati.
11. Si mund ta vërë një prind mendjen e Perëndisë te fëmija i vet?
11 Vërtet që ndoshta i keni lexuar fëmijës nga Bibla ligjet e Perëndisë që ndalojnë imoralitetin seksual. Madje mund t’ia keni lexuar disa herë. (1 Korintasve 6:18; Efesianëve 5:5) Kjo ndoshta u ka ngulitur në mendje fëmijëve çfarë miraton e çfarë nuk miraton Jehovai. Por, të vësh mendjen e Jehovait te fëmija kërkon më shumë se kaq. Fëmijët duhen ndihmuar që të arsyetojnë pse janë të dobishme ligjet e Jehovait. Duhet të binden se ligjet e tij janë të drejta e të mira, dhe se gjëja më e duhur dhe më e dashur është t’u bindemi atyre ligjeve. Vetëm po të arsyetoni me fëmijët në bazë të Shkrimeve, që të pranojnë pikëpamjen e Perëndisë, vetëm atëherë mund të thuhet se keni vënë mendjen e tij tek ata.
12. Si mund ta ndihmojë një prind fëmijën e vet për të pasur pikëpamjen e duhur rreth marrëdhënieve seksuale?
12 Kur të flitni për temën e seksit, mund ta pyetni fëmijën: «A mendon se një njeri nuk do të jetë i lumtur, po t’i bindet ligjit të Perëndisë që ndalon marrëdhëniet seksuale para martesës?» Inkurajojeni fëmijën që të shpjegojë përgjigjen e tij. Pasi të shpjegoni se si e ka bërë të mundur Perëndia procesin e mrekullueshëm për të pasur fëmijë, mund ta pyetni: «A mendon se Perëndia ynë i dashur do të bënte ligje që të na ndalojnë ta gëzojmë jetën? Apo të duket se i ka bërë ligjet për të na bërë të lumtur e për të na mbrojtur?» (Psalmi 119:1, 2; Isaia 48:17) Zbuloni se çfarë mendon fëmija për këtë gjë. Pastaj mund t’i jepni disa shembuj që tregojnë se si imoraliteti seksual ka sjellë telashe dhe vuajtje. (2 Samuelit 13:1-33) Duke arsyetuar me fëmijën, me qëllim që të kuptojë e të pranojë pikëpamjen e Perëndisë, do të keni bërë shumë për të vënë mendjen e Perëndisë tek ai. Por mund të bëni edhe diçka tjetër.
13. Çfarë duhet të kuptojë një fëmijë, që të jetë më i motivuar për t’iu bindur Jehovait?
13 Mos u mjaftoni vetëm duke i mësuar fëmijës pasojat e mosbindjes ndaj ligjeve të Jehovait, por, me mençuri, shpjegojini edhe ç’ndikim ka te Jehovai mënyra si jetojmë ne. Tregojini fëmijës nga Bibla se, kur nuk bëjmë vullnetin e Jehovait, mund t’i shkaktojmë dhembje atij. (Psalmi 78:41) Mund ta pyetni: «Pse nuk do që ta lëndosh Jehovain?», dhe pastaj shpjegojini: «Armiku i Perëndisë, Satanai, thotë që ne i shërbejmë Jehovait ngaqë jemi egoistë, jo ngaqë e duam.» Pastaj shpjegojini se Jobi, duke qëndruar besnik me gjithë vështirësitë, ia gëzoi zemrën Perëndisë e kështu i dha përgjigje akuzës gënjeshtare të Satanait. (Jobi 1:9-11; 27:5) Fëmija duhet të kuptojë se me sjelljen e tij mund ta hidhërojë ose ta bëjë të lumtur Jehovain. (Fjalët e urta 27:11) Këtë dhe shumë mësime të tjera të rëndësishme mund t’ua mësoni fëmijëve duke përdorur librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh.a
Rezultate të kënaqshme
14, 15. (a) Cilat mësime te libri Mësuesi i Madh i kanë motivuar fëmijët? (b) Çfarë rezultatesh të mira keni arritur duke përdorur këtë libër? (Shih edhe kutinë në faqet 18, 19.)
14 Në Kroaci, një gjysh i lexon gjithnjë nipit të tij 7-vjeçar librin Mësuesi i Madh. Ai shkruan se çfarë i tregoi nipi: «Mami më tha të bëja një gjë, po unë nuk doja. Pastaj m’u kujtua kapitulli ‘Bindja të mbron’. Prandaj shkova te mami dhe i thashë se do t’i bindesha.» Për kapitullin «Pse s’duhet të gënjejmë?», një çift në Florida, SHBA, tha: «Aty ka pyetje që i bëjnë fëmijët të shprehin çfarë kanë në zemër dhe të tregojnë për gabime që përndryshe s’do t’i tregonin.»
15 Libri Mësuesi i Madh ka më shumë se 230 figura dhe për çdo figurë a grup figurash ka një diçiturë ose përshkrim. «Shpesh, im bir përqendrohet te një figurë dhe nuk do që ta kthejmë faqen,—komentoi me mirënjohje një nënë.—Këto figura jo vetëm që janë tërheqëse, por të mësojnë diçka, ose të paktën i bëjnë fëmijët të pyesin. Kur pa një figurë me një djalë që po sheh televizor në errësirë, im bir më pyeti me një ton që tregonte se e kuptonte që diçka ishte e gabuar: ‘Mami, çfarë po bën ky djali?’» Diçitura e figurës thotë: «Kush mund të shohë çdo gjë që bëjmë ne?»
Edukim i domosdoshëm për ditët e sotme
16. Cila gjë u duhet mësuar me domosdo fëmijëve sot dhe përse?
16 Fëmijët duhet të dinë cili është përdorimi i duhur dhe i gabuar i pjesëve intime të trupit. Mirëpo nuk është gjithnjë e lehtë të flasësh për këtë. Një gazetare tha se ishte rritur në një epokë kur ishte turp të zije në gojë fjalët për organet seksuale. Prandaj, ajo shkroi në lidhje me mësimin e fëmijëve të saj: «Do të më duhet të kapërcej sikletin që ndiej.» Kur prindërit e shmangin temën e seksit, ngaqë ndihen në siklet, kjo nuk e mbron fëmijën. Ngacmuesit seksualë shfrytëzojnë faktin që një fëmijë është i paditur. Libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh e trajton këtë temë në mënyrë të pastër e dinjitoze. Nuk u heq fëmijëve pafajësinë fëmijërore po t’i informosh për seksin. Përkundrazi, po të mos i informosh, mund t’i vësh në rrezik që ta humbin këtë pafajësi.
17. Si i ndihmon prindërit libri Mësuesi i Madh, që t’i informojnë fëmijët për seksin?
17 Në kapitullin 10 të librit, kur flitet për engjëjt e ligj që erdhën në tokë dhe patën fëmijë, fëmijës i bëhet një pyetje: «Çfarë di ti për marrëdhëniet seksuale?» Libri jep një përgjigje të thjeshtë e dinjitoze. Më pas, kapitulli 32 shpjegon se si mund të mbrohen fëmijët nga ngacmuesit seksualë. Shumë letra që kanë ardhur, vërtetojnë se ky mësim është jetësor. Në një letër thuhej: «Javën e shkuar, e çova tim bir, Javanin, te mjekja pediatre dhe ajo më pyeti nëse kishim folur me djalin se si duheshin përdorur pjesët intime të trupit. I bëri shumë përshtypje që tashmë e kishim shpjeguar këtë, duke përdorur librin e ri.»
18. Si e trajton libri Mësuesi i Madh nderimin e simboleve kombëtare?
18 Në një kapitull tjetër flitet për tre të rinj hebrenj që përmenden në Bibël, Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon, të cilët nuk pranuan të përkuleshin para një shëmbëlltyre që përfaqësonte shtetin babilonas. (Danieli 3:1-30) Disa ndoshta nuk e bëjnë lidhjen ndërmjet përkuljes para shëmbëlltyrës dhe nderimit të flamurit, siç tregon libri Mësuesi i Madh. Por, shikoni se çfarë tha autori Eduard Gafni në një intervistë për revistën U.S. Catholic. Tregoi se ditën e parë të shkollës, e bija i tha se «kishte mësuar një lutje të re në shkollë», dhe ai i kërkoi që t’ia përsëriste. «Ajo vuri dorën në zemër,—tha Gafni,—dhe tërë krenari filloi: ‘Betohem para flamurit . . . ’» Ai vazhdoi: «Në çast, i rashë më të. Dëshmitarët e Jehovait kishin të drejtë. Nëpër shkolla, që herët në jetën e fëmijëve, nxitet një aspekt i adhurimit të kombit, domethënë besnikëria e padiskutueshme përtej çdo kufiri.»
Ia vlejnë të gjitha përpjekjet
19. Çfarë shpërblimesh vijnë kur i mësojmë fëmijët?
19 Në të vërtetë, të gjitha përpjekjet që bëni për t’i mësuar fëmijët ia vlejnë. Një nënë në Kansas, SHBA, u prek shumë kur mori një letër nga i biri. Ai i shkruante: «E ndiej veten të privilegjuar që jam rritur në një atmosferë që më dha qëndrueshmëri dhe ekuilibër emocional. Pa dyshim, ti dhe babi jeni për t’u lavdëruar.» (Fjalët e urta 31:28) Libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh mund të ndihmojë shumë prindër të tjerë t’i mësojnë fëmijët, me qëllim që të mbrojnë këtë trashëgimi të çmuar.
20. Çfarë nuk duhet të harrojnë kurrë prindërit, e si duhet të ndikojë kjo tek ata?
20 Fëmijët tanë meritojnë gjithë kohën, vëmendjen dhe përpjekjet që mund t’u kushtojmë. Janë të vegjël për shumë pak kohë! Përfitoni nga çdo mundësi për të ndenjur me ta dhe për t’i ndihmuar. Nuk do të pendoheni kurrë për këtë. Ata do t’ju duan shumë. Asnjëherë mos e harroni se fëmijët tuaj janë një dhuratë që ju ka bërë Perëndia. Sa trashëgimi e çmuar që janë! (Psalmi 127:3-5) Prandaj, trajtojini si të tillë, sikur do t’i jepni llogari Perëndisë për mënyrën se si i rritni, pasi në të vërtetë, do t’i jepni llogari.
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Shih kapitullin 40: «Si ta bëjmë të lumtur Perëndinë?»
Si do të përgjigjeshit?
• Përse veçanërisht tani prindërit duhet t’i mbrojnë fëmijët e tyre?
• Cili lloj mësimi të bën të mençur?
• Cilat janë çështjet jetësore që duhet t’i diskutoni me fëmijët tuaj në ditët e sotme?
• Si i ka ndihmuar prindërit libri Mësuesi i Madh, për të mësuar fëmijët?
[Kutia dhe figurat në faqet 18, 19]
Një libër për të gjithë
Libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh u përgatit për t’i ndihmuar prindërit ose të rritur të tjerë, që të lexojnë e të trajtojnë me fëmijët mësimet e Jezu Krishtit. Megjithatë, edhe të rritur që e kanë lexuar për vete librin, kanë shprehur çmueshmëri të sinqertë për atë që mësuan prej tij.
Një burrë në Teksas, SHBA, tha: «Libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh të tërheq me thjeshtësinë e tij, duke të motivuar pavarësisht nga mosha që ke, madje edhe mua që jam një 76-vjeçar. Shumë faleminderit, nga dikush që i ka shërbyer Jehovait që kur ishte fëmijë!»
Një lexuese nga Londra, Angli, tha: «Figurat e bukura me siguri që u prekin zemrën si prindërve, edhe fëmijëve. Pyetjet dhe formati i zgjedhur për këtë libër, janë shumë të veçanta. U mrekullova kur pashë se si trajtoheshin çështjet delikate, si për shembull, në kapitullin 32 me titull: ‘Si e mbrojti Jehovai Jezuin?’» Në fund, tha: «Edhe pse ky libër pa dyshim është bërë duke pasur në mendje fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait, mendoj se edhe mësuesit dhe të tjerët do të jenë më se të kënaqur po të kenë një kopje. Mezi pres ta përdor këtë libër në muajt dhe në vitet që do të vijnë.»
Edhe një grua nga Masaçusetsi, SHBA, tha se libri kishte shumë «figura të menduara mirë». Ajo komentoi: «Kuptova që, ndonëse libri është bërë për fëmijët, temat e trajtuara na ndihmojnë edhe ne të rriturve që të mendojmë për marrëdhënien tonë me Jehovain.»
«Uau! Sa libër i mrekullueshëm!»—u shpreh një grua nga Mejni, SHBA.—Nuk është vetëm për të vegjlit, po për të gjithë ne, si fëmijë të Perëndisë. Më ka prekur thellë brenda meje, më ka emocionuar dhe pastaj më ka qetësuar. Si përfundim, kam ndier paqe të brendshme. Ndihem kaq afër Jehovait, Atit im! Më ka hequr të gjithë dhembjen emocionale që kam pasur këto vite, dhe e ka bërë shumë të qartë qëllimin e tij.» Letrën e mbyllte me fjalët: «Po u them të gjithëve: ‘Ju lutem, lexojeni këtë libër!’»
Një grua nga Kioto, Japoni, tha se kur po ua lexonte nipërve dhe mbesave këtë libër, ata i bënin pyetje të tilla, si: «‘Çfarë po bën ky djali? Pse po e qortojnë këtë vajzën? Po kjo mamaja çfarë po bën? Po ky luani?’ Libri na mëson gjëra që na interesojnë, prandaj më pëlqen më tepër se çdo libër tjetër që mund të gjendet në ndonjë bibliotekë.»
Një baba në Kalgari, Kanada, thotë se sapo e mori librin, filloi t’ia lexonte vajzës 6-vjeçare dhe djalit 9-vjeçar. «Reagimi i tyre qe i menjëhershëm dhe i mrekullueshëm,—komenton ai.—Fëmijët më dëgjonin me vëmendje dhe u përgjigjeshin pyetjeve me çiltërsi. E ndienin se po merrnin pjesë në studim, dhe kjo i ndihmonte të shpreheshin. Janë bërë shumë entuziastë, dhe ime bijë më thotë se dëshiron ta studiojmë librin e ri çdo darkë.»
Pas një studimi që kishin bërë, babai tha: «Fola gjatë me tim bir për Jehovain dhe për qëllimet e tij. Atij i kishin lindur shumë pyetje nga libri që po lexonim. M’u mbushën sytë me lot kur më tha ‘natën e mirë’ dhe pastaj më pyeti: ‘Babi, a mund të flasim prapë kështu? Kam tërë ato pyetje, dhe dua të di çdo gjë për Jehovain!’»
[Figura në faqen 15]
Prindër, çfarë mund të mësoni nga shembulli i Manoahut?
[Figura në faqen 16]
Fëmijë, çfarë mund të mësoni nga shembulli i tre hebrenjve?
[Figurat në faqen 17]
Figurat dhe diçiturat e librit «Mësuesi i Madh» janë shumë të efektshme për të mësuar
Çfarë gënjeshtre po i thotë Anania Pjetrit?
Kush mund të shohë çdo gjë që bëjmë ne?