Jetëshkrim
Një jetim i braktisur gjen një Atë të dashur
TREGUAR NGA DIMITRIS SIDIROPULOS
«Hajde, kape pushkën dhe qëllo!»—ulëriti oficeri duke vërvitur një pushkë përpara meje. Unë refuzova me qetësi. Ushtarët u tmerruan kur panë plumbat e pistoletës së oficerit që fluturonin sipër shpatullave të mia. Vdekja dukej e pashmangshme. Por, lumturisht shpëtova. Kjo nuk ishte hera e parë që jeta ime vihej në rrezik.
FAMILJA ime i përkiste një minoriteti grek që jetonte pranë Kaiserit, në Kapadoki të Turqisë. Me sa duket, në shekullin e parë të erës sonë, disa banorë të këtij vendi përqafuan krishterimin. (Veprat 2:9) Por, aty nga fillimi i shekullit të njëzetë, gjërat kishin ndryshuar jashtë mase.
Refugjat e pastaj jetim
Disa muaj pasi linda unë, në vitin 1922, për shkak të një konflikti etnik, familja ime shkoi në Greqi si refugjatë. Nga paniku, prindërit nuk morën asgjë me vete përveç meje, që në atë kohë s’isha veçse një foshnjë disa muajshe. Pas vuajtjesh të papërshkrueshme dhe në gjendje të mjerë, mbërritën në fshatin Kiria, afër qytetit të Dramës që ndodhet në veri të Greqisë.
Pak kohë pasi lindi vëllai, kur unë isha katër vjeç, babai vdiq. Ishte vetëm 27 vjeç, por vuajtjet e atyre kohëve të mundimshme e vunë poshtë. Nëna vuajti jashtë mase, dhe jo shumë kohë pas babait, vdiq edhe ajo. Unë dhe vëllai nuk kishim asgjë me ç’të jetonim. Kështu përfunduam nga njëra jetimore në tjetrën. Kur isha 12 vjeç, më çuan në një jetimore të Selanikut, ku punova si çirak te një mekanik.
Kur jetoja brenda mureve të akullta e pa ngrohtësi të jetimores, pyesja veten se përse disa njerëz vuajnë kaq shumë dhe u bëhen kaq padrejtësi. Nuk e kuptoja pse Perëndia lejonte të ekzistonin kushte kaq të mjera. Në shkollë, gjatë orëve të fesë na mësonin se Perëndia është i plotfuqishëm, por nuk na jepnin asnjë shpjegim të arsyeshëm se përse ekzistonte e keqja dhe përse ishte kaq e përhapur. Në Greqi ekzistonte thënia se Kisha Ortodokse është feja më e mirë. Por, nuk më dhanë asnjë përgjigje kur i pyeta: «Nëse feja ortodokse është më e mira, pse nuk janë të gjithë ortodoksë?»
Megjithatë, mësuesi ynë kishte respekt të thellë për Biblën dhe gjithnjë na theksonte se ajo ishte një libër i shenjtë. Drejtori i jetimores kishte të njëjtin mendim, por për disa arsye që nuk i dinim, nuk merrte pjesë në shërbesat kishtare. Kur pyeta se përse nuk shkonte në kishë, më thanë se më parë kishte studiuar me Dëshmitarët e Jehovait, fe që nuk e njihja fare.
Kur mbarova shkollën në jetimoren e Selanikut, isha 17 vjeç. Lufta II Botërore kishte filluar dhe Greqia ishte pushtuar nga forcat naziste. Njerëzit vdisnin rrugëve nga uria. Që të mbijetoja, shkova në fshat dhe punova si argat, ndonëse rroga ishte qesharake.
Marr përgjigje nga Bibla
Kur u ktheva në Selanik, në prill të vitit 1945, më erdhi për vizitë motra e një shoku të fëmijërisë, me të cilin kishim qenë bashkë në disa jetimore. Paskalia më tha se vëllai i saj ishte zhdukur, dhe më pyeti nëse dija gjë se ku mund të ishte. Gjatë bisedës doli që ajo ishte Dëshmitare e Jehovait dhe më tha se Perëndia interesohet për njerëzit.
E kundërshtova plot mllef. Atëherë, pse kisha vuajtur aq shumë që i vogël? Pse kisha mbetur jetim? Ku është Perëndia kur kemi vërtet nevojë për të? Ajo u përgjigj: «A je i sigurt se për të gjitha këto e ka fajin Perëndia?» Me anë të Biblës më tregoi se nuk është Perëndia që i bën njerëzit të vuajnë. Kjo më ndihmoi të kuptoja që Krijuesi i do njerëzit dhe se së shpejti do t’i rregullojë gjërat. Me anë të disa shkrimeve, si Isaia 35:5-7 dhe Zbulesa 21:3, 4, ajo më tregoi se së shpejti lufta, konfliktet, sëmundjet dhe vdekja nuk do të ekzistojnë më dhe se njerëzit që besojnë do të jetojnë përgjithmonë në tokë.
Gjej një familje që më mbështet
Mora vesh se vëllai i Paskalisë ishte vrarë gjatë luftimit të forcave guerilase. Shkova te shtëpia e saj për ngushëllim, por në të vërtetë ishin ata që më ngushëlluan mua me anë të Shkrimeve. U riktheva atje për të marrë edhe më tepër ngushëllim nga Bibla, dhe shumë shpejt u bashkova me një grup të vogël Dëshmitarësh të Jehovait, të cilët mblidheshin fshehurazi për të studiuar dhe për të adhuruar Perëndinë. Pavarësisht nga përbuzja shoqërore që ekzistonte ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, isha i vendosur të shoqërohesha me ta.
Në atë grup të krishterësh të përulur, gjeta atmosferën e ngrohtë dhe të dashur familjare, që më kishte munguar. Ata më dhanë ndihmën dhe mbështetjen emocionale për të cilën kisha aq shumë nevojë. Tek ata gjeta miq të dhembshur dhe altruistë, që me kënaqësi e gatishmëri më ndihmonin dhe më ngushëllonin. (2 Korintasve 7:5-7) Ç’është më e rëndësishmja, më ndihmuan t’i afrohesha edhe më shumë Jehovait, të cilin tanimë e konsideroja Atin tim të dashur qiellor. Më tërhiqnin vërtet cilësitë e tij si, dashuria, dhembshuria dhe kujdesi i madh për ne. (Psalmi 23:1-6) Më në fund kisha gjetur një familje frymore dhe një Atë të dashur. E vërteta më preku në zemër. Pa kaluar shumë kohë, kisha dëshirë t’ia kushtoja jetën Jehovait, dhe kështu u pagëzova në shtator të vitit 1945.
Mbledhjet e krishtere jo vetëm që më dhanë më tepër njohuri, por edhe ma forcuan më shumë besimin. Meqë nuk kishte mjete udhëtimi, disa prej nesh shpesh i bënim në këmbë ato pesë kilometra që nga fshati deri te vendi ku mbahej mbledhja dhe, gjatë rrugës, bënim biseda frymore të paharrueshme. Aty nga fundi i vitit 1945, kur mora vesh se mund të merrja pjesë në veprën e ungjillëzimit në kohë të plotë, fillova shërbimin si pionier. Pas pak, besimi dhe integriteti im do të sprovoheshin në maksimum, prandaj ishte jetësore të kisha një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.
Kundërshtimi jep efekt të kundërt
Gjatë mbledhjeve, shpesh policia na bastiste me armë në dorë. Vendi ishte nën kontrollin ushtarak, sepse në Greqi vlonte lufta civile. Palët kundërshtare ishin kthyer kundër njëra-tjetrës me një urrejtje barbare. Duke përfituar nga situata, kleri i bindi autoritetet se ne ishim komunistë, me qëllim që të na përndiqnin mizorisht.
Brenda dy vjetëve mua dhe shokët e mi të shërbimit na arrestuan disa herë, dhe gjashtë herë na dënuan deri në katër muaj burg. Por burgjet ishin plot me të burgosur politikë, kështu që na liruan. E shfrytëzuam këtë liri të papritur për të vazhduar predikimin, por pas pak kohe na arrestuan përsëri; tri herë brenda javës. E dinim se shumë prej vëllezërve ishin internuar në ishujt e pabanuar. A do të kisha një besim aq të fortë, sa të përballoja një sprovë të tillë?
Gjendja u bë tepër e vështirë kur më vunë në provë mbikëqyrjeje. Që të më kishin nën mbikëqyrje, autoritetet më dërguan në fshatin Evozmos, afër Selanikut, ku kishte një rajon policie. Mora një dhomë me qira afër këtij rajoni dhe, që të mbaja veten, fillova punë si kallajxhi, kështu shkoja shtëpi më shtëpi për të kallajisur enë kuzhine prej bakri. Për shërbimin tim si pionier në fshatrat përreth, kjo punë ishte më se e volitshme, sepse mund të shkoja në shtëpitë e njerëzve pa ngjallur dyshimin e policisë. Si rezultat, disa njerëz morën lajmin e mirë dhe reaguan pozitivisht ndaj tij. Më shumë se dhjetë prej tyre u bënë adhurues të kushtuar të Jehovait.
Tetë burgje në dhjetë vjet
Isha nën mbikëqyrjen e policisë deri në fund të vitit 1949, pastaj u ktheva në Selanik, ku mezi prisja të vazhdoja shërbimin në kohë të plotë. Në vitin 1950, pikërisht atëherë kur mendoja se sprovave të mia u kishte ardhur fundi, papritur më thirrën ushtar. Isha i vendosur të mos ‘mësoja luftën’, sepse si i krishterë doja të qëndroja asnjanës. (Isaia 2:4) Kështu filloi një udhëtim i gjatë e torturues nëpër disa prej burgjeve më famëkeqe të Greqisë.
Gjithçka filloi në qytetin e Dramës. Gjatë javëve të para të burgimit, ushtarët e saporekrutuar filluan të bënin prova qitjeje. Një ditë më çuan në poligonin e qitjes. Njëri nga oficerët vërviti një pushkë përpara meje dhe më urdhëroi të qëlloja. Ngaqë refuzova, ai filloi të gjuante nga unë me pistoletë. Kur oficerët e tjerë panë që unë nuk do të pranoja kurrsesi, filluan të më gjuanin barbarisht me grushta. Ndiznin cigare dhe m’i shuanin në pëllëmbë. Pastaj, më futën në një qeli izolimi. Më mbajtën aty për tri ditë. Dhimbja e djegieve të cigareve ishte e padurueshme, dhe shenjat e tyre më ikën vetëm pas shumë vitesh.
Para se të më çonin në gjyqin ushtarak, më transferuan në një kamp ushtarak në Iraklion të Kretës. Atje, që të më thyenin integritetin si i krishterë, më rrahën mizorisht. Nga frika se mos dorëzohesha, i lutesha me përgjërim Atit tim qiellor që të më jepte forcë. Më erdhën në mendje fjalët e Jeremisë 1:19 ku thuhet: «Ata do të luftojnë kundër teje por nuk do të të mundin sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti.» «Paqja e Perëndisë» më dha qetësi dhe lehtësim. E kuptova se sa e mençur është të kesh besim të plotë te Jehovai.—Filipianëve 4:6, 7; Fjalët e urta 3:5.
Në gjyqin pasues, më dënuan me burgim të përjetshëm. Dëshmitarët e Jehovait konsideroheshin si ‘armiqtë më të këqinj të shtetit’. Dënimi filloi në burgun kriminal të Itsidinit, që ndodhet jashtë Kanjës, ku më futën në izolim. Itsidini ishte një kështjellë e vjetër, dhe qelia ime ishte plot me minj. Mblidhesha me batanije nga koka te këmbët, që minjtë të mos më preknin drejtpërdrejt në trup kur më kalonin sipër. Mora një pneumoni të rëndë dhe doktori tha se duhet të dilja e të rrija në diell, kështu që munda të bisedoja me shumë të burgosur të tjerë në oborr. Por gjendja ime shëndetësore u keqësua dhe, pas një hemorragjie të rëndë në mushkëri, më çuan në spitalin e Iraklionit.
Përsëri, familja ime frymore m’u ndodh pranë kur pata nevojë. (Kolosianëve 4:11) Vëllezërit në Iraklion më vizitonin rregullisht, duke më ngushëlluar dhe duke më inkurajuar. U thashë se kisha nevojë për literaturë që t’u predikoja të interesuarve. Më sollën një valixhe që kishte fund të dyfishtë, ku mund t’i fshihja revistat pa e kuptuar njeri. Sa i gëzuar isha që, gjatë qëndrimit tim në ato burgje, munda të ndihmoja të paktën gjashtë shokë burgu të përqafonin krishterimin e vërtetë!
Kur lufta civile mbaroi, dënimin ma ulën në dhjetë vjet burg. Pjesën tjetër të dënimit e bëra në burgjet e Rethimnos, të Jedi Kules dhe të Kasandrës. Pasi kalova dhjetë vjet në tetë burgje, më liruan. Kështu u ktheva në Selanik, ku vëllezërit e mi të dashur të krishterë më pritën krahëhapur e me ngrohtësi.
Përparoj frymësisht me ndihmën e vëllezërve të krishterë
Në kohën që u lirova nga burgu, Dëshmitarët e Jehovait në Greqi deri në një farë mase ishin të lirë për adhurimin e tyre. Përfitova menjëherë nga kjo për të vazhduar shërbimin në kohë të plotë. Pas kësaj, pata një bekim tjetër. Njoha Katinën, një e krishterë besnike, e cila e donte Jehovain dhe ishte shumë e zellshme në veprën e predikimit. U martuam në tetor të vitit 1959. Lindja e Agapes, vajzës sonë, dhe familja që krijuam m’i shëroi edhe më shumë plagët e jetës si jetim. Mbi të gjitha, familja jonë ishte e kënaqur që shërbente nën kujdesin dhe mbrojtjen e Jehovait, Atit tonë të dashur qiellor.—Psalmi 5:11.
Për shkak të rrethanave, që nuk vareshin nga unë, u detyrova ta ndërprisja shërbimin si pionier. Megjithatë mbështetja gruan, e cila e vazhdoi shërbimin në kohë të plotë. Viti 1969 ishte një moment historik në jetën time të krishterë, pasi atë vit, në Nuremberg të Gjermanisë u mbajt një kongres ndërkombëtar i Dëshmitarëve të Jehovait. Që të shkoja atje më duhej pasaporta, kështu që bëra kërkesë për të. Kur gruaja shkoi në polici për të pyetur se përse kishin dy muaj që e zvarritnin nxjerrjen e pasaportës sime, një polic mori nga sirtari një dosje të trashë dhe tha: «Do pasaportë për këtë njeri, që të bëjë prozelitë edhe andej nga Gjermania? Në asnjë mënyrë. Është njeri i rrezikshëm.»
Me ndihmën e Jehovait dhe të disa vëllezërve, munda të shkoja në atë kongres të mrekullueshëm me anë të një pasaporte ku mund të përfshiheshin një grup personash. Pjesëmarrja arriti një maksimum prej 150.000 të pranishmish, dhe mund të shihja qartë se si fryma e Jehovait drejtonte dhe bashkonte këtë familje frymore ndërkombëtare. Por në të ardhmen, do ta çmoja akoma më shumë vlerën e vëllazërisë së krishterë.
Në vitin 1977, gruaja ime e dashur dhe shoqja ime besnike, vdiq. Bëra ç’munda që ta rritja vajzën sipas parimeve biblike, por nuk isha vetëm. Përsëri, ishte familja frymore ajo që më erdhi në ndihmë. Do të jem gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vëllezërve në atë kohë të vështirë. Disa prej tyre madje erdhën të banonin për ca kohë në shtëpinë tonë që të më ndihmonin për t’u kujdesur për vajzën. Nuk do ta harroj kurrë dashurinë e tyre vetëmohuese.—Gjoni 13:34, 35.
Agape u rrit dhe u martua me një vëlla, me Iliasin. Kanë katër djem, që të katërt në të vërtetën. Këto vitet e fundit kam pësuar disa herë hemorragji në tru, dhe shëndeti më është keqësuar. Vajza dhe familja e saj kujdesen mjaft për mua. Ndonëse i sëmurë, prapëseprapë kam shumë arsye për të qenë i gëzuar. Më kujtohet kur ishim vetëm rreth njëqind vëllezër në të gjithë Selanikun dhe mblidheshim fshehurazi në shtëpi private. Tani jemi rreth pesë mijë Dëshmitarë të zellshëm në këtë zonë. (Isaia 60:22) Në kongrese, vëllezër të rinj në moshë më afrohen dhe më pyesin: «A e mban mend kur vije te shtëpia jonë dhe na sillje revistat?» Edhe pse prindërit e tyre mund të mos i kenë lexuar ato revista, fëmijët e kishin bërë, dhe kështu përparuan nga ana frymore.
Ndërsa shoh rritjen e organizatës së Jehovait, mendoj se të gjitha sprovat që kalova ia vlenin. U them gjithmonë nipërve dhe të rinjve të tjerë që ta kujtojnë Atin e tyre qiellor gjatë rinisë, dhe ai nuk ka për t’i braktisur kurrë. (Predikuesi 12:1) Jehovai e mbajti fjalën, dhe u bë për mua «babai i jetimëve». (Psalmi 68:5) Ndonëse isha një jetim i braktisur që në fëmijëri, më në fund gjeta një Atë të dashur.
[Figura në faqen 22]
Kur punoja si kuzhinier në burgun e Dramës
[Figura në faqen 23]
Me Katinën ditën e dasmës, në vitin 1959
[Figura në faqen 23]
Një asamble në një pyll afër Selanikut, në fund të viteve 1960
[Figura në faqen 24]
Me vajzën tonë në vitin 1967