Ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë
«Ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.»—MIKEA 4:5, BR.
1. Cila ishte gjendja morale në ditët e Noesë, por si ndryshonte Noeja nga gjithë të tjerët?
NJERIU i parë që përmendet në Bibël, i cili eci me Perëndinë, ishte Enoku. I dyti ishte Noeja. Bibla thotë: «Noeja ishte njeri i drejtë. Ai ishte i patëmetë mes bashkëkohësve të tij. Noeja eci me Perëndinë e vërtetë.» (Zanafilla 6:9, BR) Në kohën e Noesë, njerëzimi në përgjithësi ishte larguar nga adhurimi i pastër. Gjendja ishte keqësuar më tej nga engjëjt jobesnikë. Nga marrëdhëniet e panatyrshme që patën me gratë, erdhën në jetë pasardhës të quajtur nefilimë, «heronjtë» ose «njerëzit e famshëm» të atyre kohëve. S’është çudi që toka u mbush plot me dhunë! (Zanafilla 6:2, 4, 11) Gjithsesi, Noeja qëndroi i patëmetë dhe ishte ‘predikues i drejtësisë’. (2 Pjetrit 2:5) Kur Perëndia e urdhëroi të ndërtonte një arkë që të shpëtonte jetën, Noeja iu bind dhe «bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar». (Zanafilla 6:22) Po, Noeja eci me Perëndinë.
2, 3. Cilin shembull të shkëlqyer siguron Noeja për ne sot?
2 Pavli e përfshiu Noenë në listën e dëshmitarëve që treguan besim, dhe shkroi: «Me anë të besimit, Noeja, pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, tregoi frikë Perëndie dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij; dhe nëpërmjet këtij besimi dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është sipas besimit.» (Hebrenjve 11:7) Sa shembull i mrekullueshëm! Duke qenë i sigurt se fjalët e Jehovait do të vërtetoheshin, Noeja harxhoi kohë, energji dhe të ardhura, për të përmbushur urdhrat e Perëndisë. Në mënyrë të ngjashme, shumë veta sot refuzojnë mundësitë që u jep kjo botë për të bërë karrierë dhe e harxhojnë kohën, energjitë dhe të ardhurat e tyre për t’iu bindur urdhrave të Jehovait. Besimi i tyre është i jashtëzakonshëm dhe do t’i shpëtojë ata vetë dhe të tjerët.—Luka 16:9; 1 Timoteut 4:16.
3 Për Noenë dhe familjen e tij duhet të ketë qenë e vështirë të tregonin besim, po aq e vështirë sa ishte edhe për Enokun, stërgjyshin e Noesë, për të cilin u fol në artikullin e mëparshëm. Në kohët e Noesë, si edhe në kohët e Enokut, adhuruesit e vërtetë ishin të paktë në numër. Vetëm tetë veta qëndruan besnikë dhe mbijetuan nga Përmbytja. Noeja e predikoi drejtësinë në një botë të dhunshme e imorale. Për më tepër, ai dhe familja e tij po ndërtonin një arkë kolosale prej druri, në përgatitje të përmbytjes globale, edhe pse askush nuk kishte parë më përpara një përmbytje të tillë. Kjo punë duhet t’u jetë dukur shumë e çuditshme atyre që i shikonin.
4. Cilin gabim të bashkëkohësve të Noesë theksoi Jezui?
4 Duhet theksuar se, kur përmendi ditët e Noesë, Jezui nuk foli për dhunën, fenë e rreme ose imoralitetin, sado që këto ishin shumë të rënda. Gabimi që theksoi Jezui ishte se njerëzit nuk donin t’i kushtonin vëmendje paralajmërimit që po u jepej. Ai tha se ata «hanin e pinin, burrat martoheshin e gratë jepeshin në martesë, deri ditën që Noeja hyri në arkë». E ç’të keqe kishte të hanin, të pinin e të martoheshin? Ata thjesht po bënin një jetë ‘normale’. Po, por shumë shpejt do të vinte një përmbytje dhe Noeja po predikonte drejtësinë. Fjalët dhe sjellja e tij duhej të kishin qenë një paralajmërim për ta. Gjithsesi, «nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë».—Mateu 24:38, 39.
5. Cilat cilësi duhej të kishin Noeja dhe familja e tij?
5 Kur mendojmë për atë kohë, e kuptojmë sa e mençur ishte rruga që ndoqi Noeja. Veçse, në ato ditë para Përmbytjes, duhej guxim për të qenë ndryshe nga gjithë të tjerët. Noeja dhe familja e tij duhej të kishin besim të fortë që të ndërtonin arkën kolosale dhe ta mbushnin me çifte kafshësh të ndryshme. A do të ketë pasur çaste kur ndonjëri nga ata besnikë mund të kishte dëshiruar të binte më pak në sy dhe të bënte një jetë ‘normale’? Edhe sikur këto mendime t’u kenë kaluar nëpër mend, nuk u lëkundën nga integriteti i tyre. Pas shumë vitesh—shumë më tepër nga sa do të na duhet të durojmë ne në këtë sistem—besimi i Noesë i dha mundësi të shpëtonte në Përmbytjen që erdhi. Megjithatë, Jehovai e ekzekutoi gjykimin mbi të gjithë ata që po bënin një jetë ‘normale’ dhe nuk po i kushtonin vëmendje domethënies së kohëve në të cilat jetonin.
Bota mbushet përsëri me dhunë
6. Cila gjendje ekzistonte ende pas Përmbytjes?
6 Pasi u tërhoqën ujërat e Përmbytjes, njerëzimi filloi edhe një herë nga e para. Por njerëzit ishin ende të papërsosur dhe «synimet e zemrës së njeriut» vazhdonin të ishin «të këqija qysh në fëmijërinë e tij». (Zanafilla 8:21) Veç kësaj, ndonëse demonët nuk ktheheshin dot më në njerëz, ende ishin shumë aktivë. Bota me njerëz të paperëndishëm e tregoi shumë shpejt se ‘dergjej nën pushtetin e të ligut’ dhe, ashtu si sot, adhuruesit e vërtetë duhej të luftonin kundër «intrigave të Djallit».—1 Gjonit 5:19; Efesianëve 6:11, 12.
7. Si u shtua tej mase dhuna në botën pas Përmbytjes?
7 Të paktën që nga koha e Nimrodit, bota pas Përmbytjes u mbush përsëri me dhunë. Për shkak të rritjes së popullsisë dhe të përparimit të teknologjisë, kjo dhunë sa ka ardhur dhe është shtuar. Në vitet e hershme kishte shpata e heshta, harqe e shigjeta, si dhe karroca lufte. Pastaj erdhën pushkët dhe topat, automatikët dhe artileria e rëndë e fillimshekullit të 20-të. Lufta I Botërore nxori në dritë armë edhe më të frikshme, si aeroplanët, tanket, nëndetëset dhe gazin helmues. Në atë luftë, armë të tilla u morën jetën miliona njerëzve. A ishte diçka e papritur kjo? Jo.
8. Si është përmbushur Zbulesa 6:1-4?
8 Në vitin 1914, Jezui u kurorëzua si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, e kështu filloi ‘dita e Zotërisë’. (Zbulesa 1:10) Në një vegim që gjejmë në librin e Zbulesës, Jezui paraqitet si një Mbret që kalëron fitimtar mbi një kalë të bardhë. Pas tij vijnë kalorës të tjerë, e secili simbolizon një plagë që do të godasë njerëzimin. Njëri prej këtyre kalorësve nget një kalë me ngjyrë të kuqe zjarr, dhe atij iu lejua «të hiqte nga toka paqen, kështu që ata të thernin njëri-tjetrin; dhe atij iu dha një shpatë e madhe». (Zbulesa 6:1-4) Ky kalë dhe kalorësi i tij paraqesin luftën, kurse shpata e madhe paraqet shkallën e madhe të shkatërrimit që do të sillnin luftërat moderne me armët e tyre të fuqishme. Sot, në këto armë, përfshihen edhe armët bërthamore, çdonjëra prej të cilave mund të shkatërrojë dhjetëra mijë njerëz, si dhe raketa që mund t’i çojnë këto armë bërthamore mijëra kilometra larg. Përfshihen edhe armë të sofistikuara kimike e biologjike të shkatërrimit në masë.
Ne u kushtojmë vëmendje paralajmërimeve të Jehovait
9. Si është bota e sotme, në krahasim me botën që ekzistonte para Përmbytjes?
9 Në ditët e Noesë, Jehovai e shkatërroi njerëzimin për shkak të dhunës së jashtëzakonshme të njerëzve të ligj, të drejtuar nga nefilimët. Po sot? Mos vallë, toka është më pak e dhunshme se atëherë? Absolutisht jo! Për më tepër, edhe sot, ashtu si në ditët e Noesë, njerëzit vazhdojnë me punët e tyre dhe përpiqen të bëjnë një jetë ‘normale’, por nuk duan t’ia vënë veshin paralajmërimeve që po jepen. (Luka 17:26, 27) Atëherë, a ka ndonjë arsye për të dyshuar se Jehovai do ta shkatërrojë përsëri njerëzimin? Jo.
10. (a) Cili paralajmërim jepet vazhdimisht në profecitë biblike? (b) Cili është i vetmi drejtim i mençur sot?
10 Qindra vjet para Përmbytjes, Enoku paratha shkatërrimin që do të ndodhë në ditët tona. (Juda 14, 15) Edhe Jezui foli për ‘shtrëngimin e madh’ që do të vijë. (Mateu 24:21) Profetë të tjerë, po ashtu, paralajmëruan për këtë kohë. (Ezekieli 38:18-23; Danieli 12:1; Joeli 2:31, 32) Në librin e Zbulesës lexojmë një përshkrim të gjallë të këtij shkatërrimi përfundimtar. (Zbulesa 19:11-21) Si individë, ne imitojmë Noenë dhe jemi aktivë si predikues të drejtësisë. U kushtojmë vëmendje paralajmërimeve të Jehovait dhe i ndihmojmë me dashuri njerëzit e tjerë që të veprojnë po njësoj. Prandaj, ashtu si Noeja, edhe ne ecim me Perëndinë. Është vërtet thelbësore që njerëzit të cilët dëshirojnë jetën, të vazhdojnë të ecin me Perëndinë. Por, si mund të ecim me Perëndinë, me gjithë këto presione që hasim përditë? Duhet të zhvillojmë besim të fortë në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë.—Hebrenjve 11:6.
Të vazhdojmë të ecim me Perëndinë në kohë të turbullta
11. Në ç’mënyrë i imitojmë të krishterët e shekullit të parë?
11 Në shekullin e parë, për të krishterët e mirosur thuhej se i përkitnin «Udhës». (Veprat 9:2) E gjithë jeta e tyre ishte e përqendruar në besimin te Jehovai dhe te Jezu Krishti. Ata ecën në shtegun ku kishte ecur Zotëria i tyre. Sot, të krishterët besnikë veprojnë njësoj.
12. Çfarë ndodhi pasi Jezui bëri një mrekulli dhe ushqeu një turmë njerëzish?
12 Një ngjarje që ndodhi gjatë shërbimit të Jezuit na tregon se sa i rëndësishëm është besimi. Në një rast, Jezui bëri një mrekulli dhe ushqeu një turmë me 5.000 burra. Njerëzit ishin të mahnitur dhe shumë të kënaqur. Por, shikoni se çfarë ndodhi më pas. Në Bibël lexojmë: «Kur panë shenjat që kreu ai, njerëzit filluan të thoshin: ‘Ky është pa dyshim profeti që duhej të vinte në botë.’ Prandaj, duke e ditur se pas pak do të vinin e ta kapnin për ta bërë mbret, Jezui u tërhoq përsëri krejt i vetëm në mal.» (Gjoni 6:10-15) Atë natë, ai udhëtoi për në një vend tjetër. Me siguri, shumë veta do të jenë zhgënjyer kur Jezui nuk e pranoi këtë propozim. Në fund të fundit, ai kishte treguar se e kishte mençurinë për të qenë mbret dhe fuqinë për të plotësuar nevojat fizike të njerëzve. Por, s’kishte ardhur ende koha e vendosur nga Jehovai që Jezui të sundonte si Mbret. Veç kësaj, Mbretëria e Jezuit do të ishte qiellore, jo tokësore.
13, 14. Cilën pikëpamje treguan se kishin disa dhe si u sprovua besimi i tyre?
13 Megjithatë, me vendosmëri, turmat e ndoqën Jezuin dhe e gjetën «matanë detit», siç na tregon Gjoni. Pse e ndoqën, kur ai nuk pranoi ta bënin mbret? Shumë prej tyre lanë të kuptohej se mendonin sipas mishit, pasi folën me shumë zjarr për mbështetjen materiale që kishte siguruar Jehovai në shkretëtirë, në kohën e Moisiut. Me fjalë të tjera, po thoshin që edhe Jezui duhej të vazhdonte t’u siguronte gjëra materiale. Duke kuptuar motivet e tyre të gabuara, Jezui filloi t’u mësonte të vërteta frymore, që mund t’i ndihmonin të ndreqnin pikëpamjen. (Gjoni 6:17, 24, 25, 30, 31, 35-40) Por disa murmuritën kundër tij, sidomos kur dha këtë ilustrim: «Me të vërtetë po ju them se po të mos hani mishin e Birit të njeriut e të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në veten tuaj. Ai që ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përhershme dhe unë do ta ringjall atë ditën e fundit.»—Gjoni 6:53, 54.
14 Shpesh, ilustrimet e Jezuit i shtynin njerëzit të tregonin nëse dëshironin vërtet të ecnin me Perëndinë. Edhe ky ilustrim po njësoj ishte, dhe reagimet që shkaktoi ishin shumë të forta. Tregimi vazhdon: «Si e dëgjuan këtë, shumë nga dishepujt e tij thanë: ‘Ky i folur është tronditës; kush mund ta dëgjojë?’» Jezui shpjegoi se ata duhej t’i kuptonin në aspektin frymor fjalët e tij. Ai tha: «Fryma është ajo që jep jetë; mishi nuk vlen për asgjë. Fjalët që ju kam thënë janë frymë dhe janë jetë.» Gjithsesi, shumë nuk pranuan ta dëgjonin, prandaj tregimi thotë: «Prej kësaj, shumë nga dishepujt e tij iu kthyen gjërave të lëna prapa dhe nuk ecnin më me të.»—Gjoni 6:60, 63, 66.
15. Cilën pikëpamje të drejtë kishin disa nga ithtarët e Jezuit?
15 Por jo të gjithë dishepujt e Jezuit reaguan në këtë mënyrë. Qartë, as dishepujt besnikë nuk e kuptuan plotësisht atë që tha Jezui. Gjithsesi, vazhduan të kishin besim të patundur tek ai. Pjetri, njëri nga këta dishepuj besnikë, shprehu ndjenjat e të gjithë atyre që qëndruan, kur tha: «Zotëri, te kush të ikim? Ti ke fjalë jete të përhershme.» (Gjoni 6:68) Sa qëndrim i shkëlqyer dhe sa shembull i mrekullueshëm!
16. Si mund të sprovohemi sot dhe cilën pikëpamje të drejtë duhet të zhvillojmë?
16 Edhe ne sot mund të sprovohemi njësoj si ata dishepuj të hershëm. Në rastin tonë, mund të zhgënjehemi sepse premtimet e Jehovait nuk po përmbushen aq shpejt sa do të donim. Mund të mendojmë se shpjegimet e Shkrimeve në botimet tona biblike, janë të vështira për t’u kuptuar. Mund të na zhgënjejë sjellja e një të krishteri tjetër. Por, a do të ishte e drejtë që të mos ecnim më me Perëndinë, për këto arsye apo për arsye të ngjashme? Natyrisht që jo! Dishepujt që braktisën Jezuin treguan se mendonin sipas mishit. Ne s’duhet të bëjmë të njëjtin gabim.
«Ne nuk jemi lloji që sprapset»
17. Çfarë ndihme kemi, që të vazhdojmë të ecim me Perëndinë?
17 Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.» (2 Timoteut 3:16) Nëpërmjet faqeve të Biblës, Jehovai na thotë qartë: «Kjo është rruga, ecni në të!» (Isaia 30:21) Bindja ndaj Fjalës së Perëndisë na ndihmon që ‘të shohim me kujdes mënyrën se si ecim’. (Efesianëve 5:15) Studimi i Biblës dhe meditimi rreth asaj që mësojmë, na jep mundësi që ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’. (3 Gjonit 3) Vërtet, siç tha Jezui, «fryma . . . jep jetë; mishi nuk vlen për asgjë». E vetmja udhëheqje e besueshme për të drejtuar hapat tanë është udhëheqja frymore, që vjen nëpërmjet Fjalës, frymës dhe organizatës së Jehovait.
18. (a) Çfarë bëjnë disa, në mënyrë të pamend? (b) Ç’lloj besimi zhvillojmë ne?
18 Ata që sot mërziten sepse mendojnë sipas mishit ose nuk u realizohet ajo që pritnin, shpesh kalojnë në drejtimin e kundërt dhe përpiqen të marrin sa më shumë nga kjo botë. Duke humbur ndjenjën e urgjencës, ata nuk e shohin të nevojshme ‘të qëndrojnë vigjilentë’ dhe vendosin të ndjekin synime egoiste, në vend që të kenë si gjë të parë në jetë interesat e Mbretërisë. (Mateu 24:42) Ecja në këtë mënyrë është shumë e pamend. Shikoni se çfarë tha apostulli Pavël: «Ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.» (Hebrenjve 10:39) Ashtu si Enoku e Noeja, edhe ne jetojmë në kohë të turbullta, por, njësoj si ata, kemi privilegjin të ecim me Perëndinë. Ndërsa veprojmë kështu, kemi shpresën e sigurt se do të shohim përmbushjen e premtimeve të Jehovait, zhdukjen e ligësisë dhe vendosjen e një bote të re. Sa e ardhme e mrekullueshme që është kjo!
19. Si e përshkruan Mikea drejtimin që ndjekin adhuruesit e vërtetë?
19 Nën frymëzim, profeti Mikea tha se kombet do të ecnin «secili në emër të perëndisë së vet». Pastaj tha për veten e për adhuruesit e tjerë besnikë: «Kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.» (Mikea 4:5, BR) Nëse je po kaq i vendosur sa Mikea, qëndro pranë Jehovait, sado të turbullta që të bëhen këto kohë. (Jakovi 4:8) Le të kemi që të gjithë dëshirën e fortë për të ecur me Jehovain, Perëndinë tonë, tani e në jetë të jetëve, po, përgjithmonë!
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë ngjashmërish ka ndërmjet ditëve të Noesë dhe ditëve të sotme?
• Cilin drejtim ndoqi Noeja dhe familja e tij, e si mund ta imitojmë besimin e tyre?
• Cilën pikëpamje të gabuar treguan se kishin disa ithtarë të Jezuit?
• Çfarë janë të vendosur të bëjnë të krishterët e vërtetë?
[Figurat në faqen 20]
Ashtu si në ditët e Noesë, edhe sot njerëzit janë shumë të zënë me punët e përditshme
[Figura në faqen 21]
Si predikues të Mbretërisë, «ne nuk jemi lloji që sprapset»