Po afron çlirimi me anë të Mbretërisë së Perëndisë!
«Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—MAT. 6:10.
1. Cili ishte mësimi kryesor i Jezuit?
KUR Jezu Krishti mbajti Predikimin në Mal, ai përfshiu edhe një lutje model që përmblidhte mësimin e tij kryesor. Ai i mësoi dishepujt që t’i luteshin Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mat. 6:9-13) Jezui «nisi të shkonte nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë». (Luka 8:1) Krishti i nxiti dishepujt: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë.» (Mat. 6:33) Ndërsa studioni këtë artikull, shihni se si ta përdorni këtë material në shërbim. Për shembull, shqyrtoni se si mund t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: Sa i rëndësishëm është mesazhi për Mbretërinë? Nga çfarë ka nevojë të çlirohet njerëzimi? Dhe si do ta sjellë çlirimin Mbretëria e Perëndisë?
2. Sa i rëndësishëm është mesazhi i Mbretërisë?
2 Jezui paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mat. 24:14) Lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë ka rëndësi parësore. Është mesazhi më i rëndësishëm në botë. Në më shumë se 100.000 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës, afro shtatë milionë shërbëtorë të Perëndisë marrin pjesë në një vepër të pashoqe predikimi duke shpallur se Mbretëria është vendosur. Ky është lajm i mirë, sepse do të thotë që Perëndia ka vendosur në qiell një qeveri që të marrë plotësisht në dorë çështjet e tokës. Nën sundimin e Mbretërisë, vullneti i Jehovait do të bëhet edhe në tokë siç është bërë në qiell.
3, 4. Çfarë do të ndodhë kur të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë?
3 Çfarë do të ndodhë me njerëzimin kur të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë? Jehovai «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». (Zbul. 21:4) Njerëzit as do të sëmuren e as do të vdesin për shkak të mëkatit dhe papërsosmërisë së trashëguar. Të vdekurit që janë në kujtesën e Perëndisë do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë, sepse Bibla premton: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Vep. 24:15) Nuk do të ketë më luftëra, sëmundje apo uri, dhe toka do të shndërrohet në parajsë. Madje, edhe kafshët që tani janë të rrezikshme, do të jenë në paqe qoftë me njerëzit, qoftë me njëra-tjetrën.—Psal. 46:9; 72:16; Isa. 11:6-9; 33:24; Luka 23:43.
4 Me tërë këto bekime të mrekullueshme që do të vijnë nga sundimi i Mbretërisë, s’është çudi që profecia biblike e përshkruan jetën në atë kohë me këto fjalë ngushëlluese: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» Po ata që shkaktojnë telashe? Shkrimet parathonë: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më.» Por «ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën».—Psal. 37:9-11.
5. Çfarë do të ndodhë me sistemin e tanishëm?
5 Që të ndodhë e gjithë kjo, duhet zhdukur sistemi i tanishëm me qeveritë, fetë dhe sistemin tregtar që janë në konflikt me njëri-tjetrin. Pikërisht këtë do të bëjë qeveria qiellore. I frymëzuar, profeti Daniel paratha: «Në ditët e atyre mbretërve [që janë tani], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [në qiell] që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [të tanishme], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» (Dan. 2:44) Mbretëria e Perëndisë, një qeveri e re qiellore, do të sundojë në atë kohë mbi një shoqëri të re tokësore. Do të ketë «qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia».—2 Pjet. 3:13.
Tani kemi nevojë për çlirim më shumë se kurrë
6. Si e përshkruan Bibla ligësinë e kësaj bote?
6 Kur Satanai, Adami dhe Eva u rebeluan kundër Perëndisë, duke dashur të vendosnin vetë se çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar, gjithë njerëzimi u fut në udhën e shkatërrimit. Para Përmbytjes globale, më shumë se 1.600 vjet më vonë, «e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën». (Zan. 6:5) Rreth 1.300 vjet më pas, Solomoni pa se kushtet në tokë ishin aq të këqija, saqë shkroi: «I shpalla të lumtur të vdekurit, që tashmë kishin vdekur, në vend të të gjallëve, që ishin ende gjallë. Megjithatë, më mirë se ata është ai që nuk ka ardhur ende në jetë, që s’e ka parë punën sfilitëse që bëhet nën diell.» (Ekl. 4:2, 3) Sot, pas rreth 3.000 vjetësh, ligësia vazhdon të lulëzojë.
7. Pse tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë që të na çlirojë Perëndia?
7 Edhe pse është e vërtetë se e keqja ka ekzistuar prej një kohe të gjatë, tani, më shumë se kurrë, ka nevojë për çlirimin me anë të Mbretërisë së Perëndisë. Kushtet në këto 100 vitet e fundit kanë qenë më të këqija se kurrë, dhe ato vazhdojnë të keqësohen. Për shembull, një institut raporton: «Në shekullin [e 20-të] pati tri herë më shumë viktima nga lufta, se në gjithë luftërat që nga shekulli i parë i e.s. deri në vitin 1899.» (Worldwatch Institute) Që nga viti 1914, luftërat kanë shkaktuar më shumë se 100 milionë viktima. Sipas një enciklopedie, vetëm në Luftën e Dytë Botërore vdiqën rreth 60 milionë veta. Tani që disa kombe janë pajisur me armë bërthamore, njerëzit janë në gjendje të shfarosin një pjesë të mirë të popullsisë botërore. Dhe, me gjithë përparimet në fushën e shkencës dhe të mjekësisë, çdo vit vdesin nga uria rreth pesë milionë fëmijë.—Shih kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?
8. Çfarë kanë vërtetuar qartë mijëra vjet të sundimit njerëzor?
8 Përpjekjet njerëzore për të ndalur valën e ligësisë kanë dështuar. Institutet politike, tregtare dhe fetare të kësaj bote nuk i kanë plotësuar kurrë nevojat bazë të njeriut për paqe, begati dhe shëndet. Jo vetëm që nuk i kanë zgjidhur problemet e stërmëdha që po kalon tani njerëzimi, por edhe i kanë përkeqësuar ato. Pa dyshim, mijëra vjet të sundimit njerëzor kanë vërtetuar këto fjalë: «Nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jer. 10:23) Po, «njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij». (Ekl. 8:9) Për më tepër, «e gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku».—Rom. 8:22.
9. Çfarë kushtesh presin të krishterët e vërtetë në këto ‘ditë të fundit’?
9 Në lidhje me kohën tonë, Bibla paratha: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» Pasi përshkruan kushtet e ditëve të fundit nën sundimin njerëzor, profecia vazhdon: «Njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq.» (Lexo 2 Timoteut 3:1-5, 13.) Të krishterët nuk çuditen nga kjo, sepse «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», Satanait. (1 Gjon. 5:19) Megjithatë, lajmi i mirë është se së shpejti Perëndia do t’i çlirojë ata që e duan. Ata do të çlirohen nga kjo botë, e cila me shpejtësi po shkon keq e më keq.
E vetmja shpresë e besueshme për çlirim
10. Pse Jehovai është e vetmja shpresë e besueshme për çlirim?
10 Ndërsa predikoni lajmin e mirë, bëni të qartë se e vetmja shpresë e besueshme për çlirim është Jehovai. Ai dhe vetëm ai ka fuqinë dhe dëshirën për t’i çliruar shërbëtorët e tij nga çdo situatë e keqe. (Vep. 4:24, 31; Zbul. 4:11) Mund të jemi të sigurt se Jehovai do ta çlirojë popullin e tij dhe do të përmbushë qëllimet e tij gjithmonë, sepse ai është betuar: «Ashtu si kam ndër mend, ashtu do të ndodhë.» Fjala e tij «nuk do të kthehet prapë tek [ai] pa dhënë fryt.»—Lexo Isainë 14:24, 25; 55:10, 11.
11, 12. Për çfarë u ka dhënë fjalën Perëndia shërbëtorëve të tij?
11 Jehovai ka dhënë fjalën se do t’i çlirojë shërbëtorët e tij kur të sjellë gjykimin mbi të ligjtë. Kur dërgoi profetin Jeremia që t’u fliste me guxim atyre që kishin mëkatuar rëndë, Perëndia i tha: «Mos ki frikë.» Pse? «Sepse unë jam me ty për të të çliruar.» (Jer. 1:8) Po kështu, kur Jehovai ishte gati për të shkatërruar Sodomën dhe Gomorrën e ligë, ai dërgoi dy engjëj për të nxjerrë shëndoshë e mirë nga ajo zonë Lotin dhe familjen e tij. «Atëherë Jehovai bëri që mbi Sodomën dhe Gomorrën të binte squfur e zjarr.»—Zan. 19:15, 24, 25.
12 Edhe në shkallë botërore, Jehovai mund t’i çlirojë ata që bëjnë vullnetin e tij. Në lashtësi, kur shkatërroi botën e ligë me anë të Përmbytjes, «Noenë, një predikues të drejtësisë, e ruajti bashkë me shtatë të tjerë». (2 Pjet. 2:5) Jehovai do ta çlirojë sërish të drejtin kur të shkatërrojë botën e sotme të ligë. Në Fjalën e tij thuhet: «Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut, . . . kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë; dhe ka mundësi që të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.» (Sof. 2:3) Fal këtij shkatërrimi mbarëbotëror, «të drejtët do të banojnë në tokë. . . . Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka».—Prov. 2:21, 22.
13. Si do të çlirohen shërbëtorët e Jehovait që kanë vdekur?
13 Megjithatë, shumë nga shërbëtorët e Perëndisë tashme kanë vdekur për shkak të sëmundjeve, përndjekjeve ose shkaqeve të tjera. (Mat. 24:9) Po atëherë, si do të çlirohen të gjithë këta? Siç u tha më lart, «do të ringjallen . . . të drejtët». (Vep. 24:15) Sa na ngushëllon fakti se asgjë nuk mund ta pengojë Jehovain të çlirojë shërbëtorët e tij!
Një qeveri e drejtë
14. Pse jemi të sigurt se Mbretëria qiellore e Perëndisë është një qeveri e drejtë?
14 Kur predikoni, mund të shpjegoni se Mbretëria qiellore e Jehovait është një qeveri e drejtë. Ajo është e tillë sepse pasqyron cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë, si për shembull drejtësinë dhe dashurinë. (Ligj. 32:4; 1 Gjon. 4:8) Perëndia ia ka lënë në dorë Mbretërinë Jezu Krishtit, që është më i kualifikuari për të sunduar tokën. Gjithashtu, Jehovai ka si qëllim që të marrë nga toka dhe të ringjallë në jetën qiellore 144.000 të krishterë të mirosur që të jenë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin për të administruar çështjet e tokës.—Zbul. 14:1-5.
15. Krahasoni sundimin e Mbretërisë së Perëndisë me atë të njerëzve.
15 Çfarë kontrasti i madh do të ketë midis sundimit të Jezuit e 144.000 të mirosurve dhe sundimit të njerëzve të papërsosur! Sundimtarët e këtij sistemi shpesh kanë qenë mizorë dhe u kanë prirë nënshtetasve të tyre në luftëra, ku miliona janë masakruar. Jo më kot Shkrimet na këshillojnë të mos kemi besim te njeriu, «që nuk sjell dot shpëtim». (Psal. 146:3) Por ç’frymë e mrekullueshme do ta karakterizojë sundimin e Krishtit! Jezui tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»—Mat. 11:28-30.
Ditët e fundit së shpejti do të mbarojnë
16. Si do të përfundojnë këto ditë të fundit?
16 Kjo botë ka hyrë në ditët e fundit, ose në ‘përfundimin e sistemit’, që në vitin 1914. (Mat. 24:3) Shumë shpejt do të ndodhë ajo që Jezui e quajti ‘shtrëngimi i madh’. (Lexo Mateun 24:21.) Ky shtrëngim i paparë do t’i japë fund gjithë botës së Satanait. Por si fillon shtrëngimi i madh? Dhe si mbaron?
17. Çfarë thotë Bibla për fillimin e shtrëngimit të madh?
17 Shtrëngimi i madh do të fillojë papritur. Po, «dita e Jehovait» do të vijë befas, «kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’» (Lexo 1 Selanikasve 5:2, 3.) Shtrëngimi i parathënë do të nisë kur kombet të mendojnë që janë afër zgjidhjes së disa problemeve të tyre të mëdha. Shkatërrimi i papritur i ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme, do ta zërë botën në befasi. Mbretërit dhe të tjerët do të habiten kur të bjerë gjykimi mbi Babiloninë e Madhe.—Zbul. 17:1-6, 18; 18:9, 10, 15, 16, 19.
18. Si do t’u kundërpërgjigjet Jehovai sulmeve të Satanait kundër popullit të Tij?
18 Në një moment kritik, do të këtë «shenja në diell, në hënë dhe në yje» dhe «do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut». Atëherë, do të mund ‘të ngremë kokën lart, sepse çlirimi ynë po afrohet’. (Luka 21:25-28; Mat. 24:29, 30) Satanai, ose Gogu, do t’i drejtojë forcat e tij kundër popullit të Perëndisë. Por, për ata që sulmojnë shërbëtorët e tij besnikë, Jehovai thotë: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zak. 2:8) Prandaj, përpjekjet e Satanait për t’i shkatërruar ata, do të dështojnë. Pse? Sepse Zotëria Sovran Jehova do të kundërpërgjigjet menjëherë që të çlirojë shërbëtorët e tij.—Ezek. 38:9, 18.
19. Pse mund të jemi të sigurt se forcat ekzekutuese të Perëndisë do të shkatërrojnë sistemin e Satanait?
19 Kur Perëndia të veprojë kundër kombeve, ata ‘kanë për ta marrë vesh se ai është Jehovai’. (Ezek. 36:23) Ai do të dërgojë forcat e tij ekzekutuese, dhjetëra mijë krijesa frymore nën udhëheqjen e Krishtit Jezu, për të shkatërruar pjesën e mbetur nga sistemi i Satanait në tokë. (Zbul. 19:11-19) Kur kujtojmë se në një rast u desh vetëm një engjëll që brenda një nate ‘të godiste njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë’ armiq të Perëndisë, mund të jemi të sigurt se ushtria qiellore do të fshijë me lehtësi çdo gjurmë të sistemit të Satanait në tokë kur shtrëngimi i madh të arrijë kulmin në Harmagedon. (2 Mbret. 19:35; Zbul. 16:14, 16) Satanai dhe demonët e tij do të mbyllen në humnerë për një mijë vjet. Në fund ata do të shkatërrohen.—Zbul. 20:1-3.
20. Çfarë do të bëjë Jehovai me anë të Mbretërisë?
20 Kështu, toka do të spastrohet nga ligësia dhe njerëzit e drejtë do të jetojnë përgjithmonë në të. Jehovai do të tregojë se është Çliruesi i Madh. (Psal. 145:20) Me anë të Mbretërisë, ai do të shfajësojë sovranitetin e tij, do të shenjtërojë emrin e tij dhe do të përmbushë qëllimin e tij madhështor për tokën. Urojmë të ndieni gëzim të madh në shërbim ndërsa shpallni këtë lajm të mirë dhe ndihmoni ‘ata që janë të prirur për jetën e përhershme’ të arrijnë çlirimin që po afron me anë të Mbretërisë së Perëndisë!—Vep. 13:48.
A ju kujtohet?
• Si e theksoi Jezui rëndësinë e Mbretërisë?
• Pse tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për çlirim?
• Çfarë ngjarjesh presim të ndodhin gjatë shtrëngimit të madh?
• Si do të tregojë Jehovai se është Çliruesi i Madh?
[Figurat në faqet 12, 13]
Fjala e Perëndisë paratha për kohën tonë një vepër predikimi mbarëbotërore të pashoqe
[Figura në faqen 15]
Ashtu si çliroi Noenë dhe familjen e tij, Jehovai mund të na çlirojë edhe ne
[Figura në faqen 16]
Jehovai ‘do të fshijë çdo lot dhe nuk do të ketë më vdekje’.—Zbul. 21:4