A po e flitni ‘gjuhën e kulluar’ rrjedhshëm?
«Do t’ua ndryshoj popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait.»—SOF. 3:9.
1. Çfarë dhurate të mrekullueshme na ka dhënë Jehovai?
GJUHËN, këtë dhuratë, nuk e krijuan njerëzit, por Krijuesi i njeriut, Perëndia Jehova. (Dal. 4:11, 12) Ai nuk i dha njeriut të parë, Adamit, vetëm aftësinë për të folur, por edhe për të formuar fjalë të reja duke zgjeruar kështu fjalorin e tij. (Zan. 2:19, 20, 23) Çfarë dhurate e mrekullueshme është gjuha! Madje ajo i ka dhënë mundësi njerëzve të komunikojnë me Atin e tyre qiellor dhe të lëvdojnë emrin e tij të lavdishëm.
2. Pse njerëzit nuk flasin më vetëm një gjuhë?
2 Gjatë 17 shekujve të parë të historisë njerëzore, të gjithë flisnin vetëm një gjuhë dhe përdornin «të njëjtat fjalë». (Zan. 11:1) Më pas ndodhi rebelimi në kohën e Nimrodit. Në kundërshtim me udhëzimet e Jehovait, njerëz të pabindur u mblodhën në atë vend që më vonë u quajt Babel, sepse ishin të vendosur për të qëndruar në një vend të vetëm. Ata filluan të ndërtonin një kullë tejet të madhe, jo për t’i dhënë lavdi Jehovait, por ‘për të bërë emër’. Për këtë arsye, Jehovai ua ngatërroi gjuhën fillestare atyre rebelëve duke bërë që të flitnin gjuhë të ndryshme. Kështu, ata u shpërndanë në të gjithë tokën.—Lexo Zanafillën 11:4-8.
3. Çfarë ndodhi kur Jehovai ua ngatërroi gjuhën rebelëve në Babel?
3 Sot në të gjithë botën fliten me mijëra gjuhë, disa thonë më shumë se 6.800. Secila nga këto gjuhë kërkon mënyra të ndryshme për të formuluar mendimet. Pra duket se kur Perëndia Jehova ua ngatërroi gjuhën atyre rebelëve, ua fshiu nga kujtesa gjuhën e tyre të mëparshme. Jo vetëm që u futi në mendje fjalë të reja, por gjithashtu ai u ndryshoi mënyrën se si i formulonin mendimet dhe krijoi shumë gramatika të reja. Prandaj nuk habitemi që vendndodhja e asaj kulle u quajt «Ngatërrim» ose Babel. (Zan. 11:9, shën.) Është interesante se vetëm Bibla jep një shpjegim të kënaqshëm për origjinën e gjuhëve të shumëllojshme që kemi sot.
Një gjuhë e re dhe e kulluar
4. Çfarë paratha Jehovai se do të ndodhte në kohën tonë?
4 Sado tërheqës të jetë tregimi biblik për ndërhyrjen e Perëndisë në Babel, diçka edhe më interesante dhe e rëndësishme ka ndodhur në kohën tonë. Përmes profetit të tij, Sofonisë, Jehovai paratha: «Në atë kohë do t’ua ndryshoj popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait e t’i shërbejnë atij sup më sup.» (Sof. 3:9) Çfarë është ‘gjuha e kulluar’ dhe si mund të mësojmë ta flasim rrjedhshëm?
5. Çfarë është gjuha e kulluar dhe çfarë ka sjellë ky ndryshim i gjuhës?
5 Gjuha e kulluar është e vërteta për Perëndinë Jehova dhe për qëllimet e tij që gjendet në Fjalën e tij, në Bibël. Kjo «gjuhë» përfshin kuptueshmërinë e saktë të së vërtetës për Mbretërinë e Perëndisë dhe se si do ta shenjtërojë ajo emrin e Jehovait, si do ta shfajësojë sovranitetin e tij dhe si do t’u sjellë bekime të përhershme njerëzve besnikë. Çfarë sjell ky ndryshim i gjuhës? Në shkrim thuhet se njerëzit do «të thërrasin emrin e Jehovait» dhe do «t’i shërbejnë atij sup më sup». Ndryshe nga ngjarjet e Babelit, ky ndryshim i gjuhës në një gjuhë të kulluar i ka sjellë lavdi emrit të Jehovait dhe unitet popullit të Tij.
Të mësojmë gjuhën e kulluar
6, 7. (a) Çfarë përfshin mësimi i një gjuhe të re dhe si zbatohet kjo për mësimin e gjuhës së kulluar? (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani?
6 Kur dikush dëshiron të mësojë një gjuhë tjetër, nuk duhet që thjesht të mësojë përmendësh fjalë të reja. Mësimi i një gjuhe të re përfshin të mësosh një mënyrë të re të menduari, mënyra të reja për të formuluar mendimet. Logjika dhe humori mund të jenë të ndryshëm në një gjuhë tjetër. Shqiptimi i tingujve të reja kërkon një përdorim të ndryshëm të organeve të të folurit, siç është gjuha. E njëjta gjë vlen edhe kur fillojmë të mësojmë gjuhën e kulluar të së vërtetës biblike. Kërkohet më shumë se sa thjesht të mësojmë disa mësime biblike bazë. Mësimi i kësaj gjuhe të re përfshin të ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe të shndërrojmë mendjen tonë.—Lexo Romakëve 12:2; Efesianëve 4:23.
7 Çfarë do të na ndihmojë që jo vetëm ta kuptojmë gjuhën e kulluar, por edhe ta flasim rrjedhshëm? Siç ndodh me mësimin e çdo gjuhe, ka disa teknika bazë që mund të na ndihmojnë ta flasim rrjedhshëm gjuhën e së vërtetës biblike. Le të shqyrtojmë disa hapa bazë që bëjnë njerëzit për të mësuar një gjuhë tjetër dhe le të shohim se si këta hapa mund të na ndihmojnë ta mësojmë këtë gjuhë të re në kuptim të figurshëm.
Ta flasim rrjedhshëm gjuhën e kulluar
8, 9. Çfarë duhet të bëjmë nëse duam të mësojmë gjuhën e kulluar, dhe pse kjo është kaq e rëndësishme?
8 Të dëgjojmë me kujdes. Si fillim, një gjuhë e re mund t’i tingëllojë krejt e huaj dikujt që nuk e ka dëgjuar kurrë më parë. (Isa. 33:19) Por, ndërsa mëson të përqendrohet tek ajo që po dëgjon, ky individ fillon të kuptojë disa fjalë dhe të dallojë mënyra të shprehuri që përsëriten. Po kështu, edhe neve na jepet kjo këshillë: «E kemi të nevojshme t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që dëgjuam, që të mos na marrë kurrë rryma.» (Hebr. 2:1) Jezui i këshilloi vazhdimisht dishepujt e tij: «Ai që ka veshë, le të dëgjojë.» (Mat. 11:15; 13:43; Mar. 4:23; Luka 14:35) Duhet të ‘dëgjojmë dhe të kapim kuptimin’ e asaj që dëgjojmë, nëse duam të përparojmë në kuptueshmërinë e gjuhës së kulluar.—Mat. 15:10; Mar. 7:14.
9 Dëgjimi kërkon përqendrim, por kjo është një përpjekje që vërtet ia vlen. (Luka 8:18) Kur jemi në mbledhjet e krishtere, a përqendrohemi tek ajo që po thuhet apo shpërqendrohemi? Është shumë e rëndësishme të bëjmë çmos për t’u përqendruar tek ajo që po thuhet. Në të kundërt, mund të na mpihet dëgjimi.—Hebr. 5:11.
10, 11. (a) Përveçse të dëgjojmë me kujdes, çfarë duhet të bëjmë për të mësuar një gjuhë tjetër? (b) Çfarë nevojitet për të folur gjuhën e kulluar?
10 Të imitojmë ata që flasin rrjedhshëm. Ata që studiojnë një gjuhë të re nxiten që jo vetëm të dëgjojnë me kujdes, por edhe të përpiqen të imitojnë shqiptimin dhe mënyrat e të shprehurit të atyre që flasin rrjedhshëm. Në këtë mënyrë mund të shmangin një theks të rëndë që më vonë mund t’ua bëjë të vështirë të komunikojnë. Po ashtu edhe ne duhet të mësojmë nga ata që zotërojnë ‘artin e mësimdhënies’ së gjuhës së re. (2 Tim. 4:2) Le të kërkojmë ndihmë. Të jemi të gatshëm të pranojmë korrigjimet kur bëjmë gabime.—Lexo Hebrenjve 12:5, 6, 11.
11 Për të folur gjuhën e kulluar nuk mjafton vetëm ta besojmë të vërtetën dhe t’ua mësojmë atë të tjerëve, por edhe të sillemi në harmoni me ligjet dhe parimet e Perëndisë. Që ta bëjmë këtë duhet të imitojmë të tjerët. Kjo përfshin të imitojmë besimin dhe zellin e tyre, si edhe të gjithë mënyrën e jetesës së Jezuit. (1 Kor. 11:1; Hebr. 12:2; 13:7) Nëse ngulmojmë në këtë gjë, do të ketë unitet mes popullit të Perëndisë, dhe kështu, si të thuash do të flasim të gjithë me të njëjtin theks.—1 Kor. 4:16, 17.
12. Si na ndihmon ngulitja në mendje e gjërave kur mësojmë një gjuhë të re?
12 T’i ngulitim në mendje gjërat e reja. Ata që mësojnë një gjuhë të re duhet të ngulitin në mendje shumë gjëra. Këtu përfshihen fjalë dhe shprehje të reja. Për të krishterët, ngulitja në mendje mund të jetë një ndihmë e madhe për të zotëruar gjuhën e kulluar. Patjetër, një gjë e mirë është të ngulitim në mendje emrat e librave të Biblës sipas radhës. Disa e kanë vënë si synim të mësojnë përmendësh shkrime të ndryshme ose se ku gjenden disa fragmente biblike. Të tjerë kanë nxjerrë dobi duke mësuar përmendësh këngë të Mbretërisë, emrat e fiseve të izraelit dhe të 12 apostujve, si dhe cilësitë që përbëjnë frytin e frymës. Në kohët e hershme shumë izraelitë i mësonin psalmet përmendësh. Në kohën tonë, një djalë i vogël mësoi përmendësh mbi 80 shkrime biblike kur ishte vetëm gjashtë vjeç. A mund ta përdorim më mirë këtë aftësi të çmuar?
13. Pse është kaq e rëndësishme përsëritja?
13 Përsëritja e ndihmon kujtesën, dhe në fakt përkujtuesit e vazhdueshëm janë pjesë e rëndësishme e arsimimit tonë të krishterë. Apostulli Pjetër tha: «Do të jem gjithnjë gati t’jua kujtoj këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni vendosur në mënyrë të patundur në të vërtetën, që është te ju.» (2 Pjet. 1:12) Pse na duhen përkujtuesit? Sepse na e thellojnë kuptueshmërinë, na e zgjerojnë pikëpamjen dhe na e forcojnë vendosmërinë për t’iu bindur Jehovait. (Psal. 119:129) Kur i rishikojmë vazhdimisht normat dhe parimet e Perëndisë, kjo na ndihmon të shqyrtojmë veten dhe t’i kundërvihemi prirjes për të qenë ‘dëgjues harraqë’. (Jak. 1:22-25) Nëse nuk ia kujtojmë vazhdimisht vetes të vërtetën, në zemrën tonë do të ndikojnë gjëra të tjera dhe mund të mos e flasim më rrjedhshëm gjuhën e kulluar.
14. Çfarë do të na ndihmojë kur studiojmë gjuhën e kulluar?
14 Të lexojmë me zë. (Zbul. 1:3) Disa përpiqen të studiojnë një gjuhë të re në heshtje. Kjo nuk sjell rezultatet më të mira. Kur studiojmë gjuhën e kulluar, herë pas here kemi nevojë të lexojmë «nën zë» pasi kjo na ndihmon të përqendrohemi. (Lexo Psalmin 1:1, 2.) Po të bëjmë këtë, do të na ngulitet në mënyrë të pashlyeshme në mendje ajo që po lexojmë. Në hebraisht shprehja «të lexosh nën zë» lidhet ngushtë me meditimin. Ashtu si tretja është e nevojshme që të nxjerrim dobi plotësisht nga ushqimi që hamë, edhe meditimi është i nevojshëm nëse duam ta kuptojmë qartë atë që lexojmë. A lëmë mjaft kohë për të medituar rreth asaj që studiojmë? Pasi lexojmë Biblën, duhet të mendojmë thellë rreth asaj që kemi lexuar.
15. Si mund ta studiojmë «gramatikën» e gjuhës së kulluar?
15 Të analizojmë gramatikën. Në njëfarë pike është e dobishme të studiojmë gramatikën, pra rregullat dhe mënyrat se si lidhen fjalët në fjali në gjuhën e re që po mësojmë. Kjo na jep mundësi të kuptojmë strukturën e gjuhës, e kështu mund ta flasim siç duhet. Ashtu si një gjuhë ka një model fjalësh, gjuha e kulluar e së vërtetës biblike ka ‘modelin e fjalëve të shëndosha’. (2 Tim. 1:13) Duhet ta imitojmë këtë ‘model’.
16. Ç’prirje duhet të mposhtim dhe si mund ta bëjmë këtë?
16 Të vazhdojmë të bëjmë përparim. Dikush mund të mësojë një gjuhë aq sa të jetë në gjendje të bëjë një bisedë të thjeshtë, por pastaj nuk bën më përparim. Një problem i ngjashëm mund të ndodhë edhe me ata që flasin gjuhën e kulluar. (Lexo Hebrenjve 5:11-14.) Çfarë mund të na ndihmojë ta mposhtim këtë prirje? Të jemi të gatshëm që, si të thuash, ta zgjerojmë fjalorin. «Tani që e kemi lënë prapa doktrinën fillestare lidhur me Krishtin, le të sulemi drejt pjekurisë e të mos hedhim prapë një themel, domethënë pendimin për veprat e vdekura dhe besimin te Perëndia, mësimin për pagëzimet dhe vënien e duarve, ringjalljen e të vdekurve dhe gjykimin e përhershëm.»—Hebr. 6:1, 2.
17. Pse është e rëndësishme të studiojmë rregullisht? Ilustrojeni.
17 Të përcaktojmë qartë kohën e studimit. Një studim që bëhet në periudha të shkurtra, por rregullisht, është më i mirë sesa një studim që bëhet në periudha të gjata, por me hope. Duhet të studiojmë kur jemi të vëmendshëm dhe nuk shpërqendrohemi lehtë. Mësimi i një gjuhe të re është si të hapim një shteg përmes xhunglës. Sa më shpesh të përshkohet ky shteg, aq më i lehtë bëhet kalimi. Nëse shtegu nuk përshkohet për një kohë të gjatë, shpejt xhungla do ta mbulojë. Prandaj është jetësore të studiojmë me ngulm dhe pareshtur! (Dan. 6:16, 20) Kur bëhet fjalë për të folur gjuhën e kulluar të së vërtetës biblike, duhet ‘të rrimë zgjuar me qëndresë të plotë’ me anë të lutjeve.—Efes. 6:18.
18. Pse duhet të flasim gjuhën e kulluar në çdo rast?
18 Të flasim! Të flasim! Të flasim! Disa që po mësojnë një gjuhë të re mund të ngurrojnë të flasin ngaqë janë të ndrojtur ose kanë frikë se bëjnë gabime. Kjo do t’i pengojë të bëjnë përparim. Kur mësohet një gjuhë, është e domosdoshme që ajo të praktikohet. Sa më shumë ta flasë gjuhën e re ai që po e mëson, aq më rehat do të ndihet ndërsa e flet. Edhe ne duhet ta flasim gjuhën e kulluar në çdo rast. «Me zemër njeriu tregon besim, që të çon në drejtësi, por me gojë bën publikisht shpalljen, që të çon në shpëtim.» (Rom. 10:10) Ne nuk e bëjmë «publikisht shpalljen» vetëm kur pagëzohemi, por edhe kur flasim për Jehovain në çdo rast, përfshirë edhe kur marrim pjesë në shërbim. (Mat. 28:19, 20; Hebr. 13:15) Mbledhjet tona të krishtere na japin mundësi të shprehemi saktë e qartë në gjuhën e kulluar.—Lexo Hebrenjve 10:23-25.
Ta flasim së bashku gjuhën e kulluar për të lëvduar Jehovain
19, 20. (a) Çfarë gjëje të mrekullueshme po kryejnë Dëshmitarët e Jehovait në ditët tona? (b) Për çfarë jemi të vendosur?
19 Sa emocionues duhet të ketë qenë mëngjesi i së dielës në Jerusalem, më 6 sivan të vitit 33 të e.s.! Atë mëngjes herët, paksa para orës nëntë, ata që ishin mbledhur në një dhomë të sipërme «nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme», falë një mrekullie. (Vep. 2:4) Sot shërbëtorët e Perëndisë nuk e kanë më dhuratën për të folur në gjuhë të huaja. (1 Kor. 13:8) Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait e shpallin lajmin e mirë për Mbretërinë në më shumë se 430 gjuhë.
20 Sa mirënjohës jemi që pavarësisht se çfarë gjuhe flasim normalisht, të gjithë flasim në unitet gjuhën e kulluar të së vërtetës biblike! Në njëfarë mënyre, kjo është e kundërta e asaj që ndodhi në Babel. Populli i Jehovait i sjell lavdi emrit të Tij, si të fliste në një gjuhë të vetme. (1 Kor. 1:10) Qofshim të vendosur të vazhdojmë të shërbejmë «sup më sup» me vëllezërit dhe motrat tona në mbarë tokën, ndërsa mësojmë të flasim këtë gjuhë të vetme edhe më rrjedhshëm, për lavdinë e Atit tonë qiellor, Jehovait!—Lexo Psalmin 150:1-6.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë është gjuha e kulluar?
• Çfarë përfshin ta flasim gjuhën e kulluar?
• Çfarë do të na ndihmojë ta flasim rrjedhshëm gjuhën e kulluar?
[Kutia në faqen 23]
Si të mësojmë të flasim rrjedhshëm gjuhën e kulluar?
◆ Të dëgjojmë me kujdes.
◆ Të imitojmë ata që flasin rrjedhshëm.
◆ T’i ngulitim gjërat në mendje dhe t’i përsëritim.
◆ Të lexojmë me zë.
◆ Të analizojmë «gramatikën».
◆ Të vazhdojmë të bëjmë përparim.
◆ Të përcaktojmë qartë kohën e studimit.
◆ Të flasim.
[Figurat në faqen 24]
Populli i Jehovait flet në unitet gjuhën e kulluar