Vetëm Perëndia mund ta shpëtojë tokën
«NJË XHEVAHIR RRËZËLLUES BARDHË E BLU.» Kështu e përshkroi tokën astronauti Edgar Miçëll, duke e parë nga hapësira e errët.
Perëndia bëri çdo gjë të mundshme që ta përgatiste tokën si shtëpi për njeriun. Krijimi i saj i nxiti engjëjt ‘të brohoritnin’ tërë ngazëllim. (Jobi 38:7) Pasi kemi studiuar mrekullitë e këtij planeti, edhe ne kemi arsye të brohorasim. Jeta në tokë lulëzon falë ekosistemeve të shumta e të ndërlikuara. Në një nga sistemet më të njohura, për të prodhuar ushqim bimët e gjelbra përdorin dritën e diellit, dyoksidin e karbonit në ajër dhe ujin. Një nënprodukt i këtij procesi është oksigjeni që lëshohet në atmosferë e që është jetësor për ekzistencën tonë.
Bibla tregon se Perëndia ia besoi njeriut tokën, që të kujdesej për të. (Zanafilla 1:28; 2:15) Por, që mjedisi i tokës të ruante ekuilibrin, njeriu duhej të kishte qëndrimin e duhur. Duhej ta donte shtëpinë e tij tokësore. Duhej të dëshironte ta mbante të bukur siç ishte. Mirëpo atij iu dha vullneti i lirë, prandaj ekzistonte mundësia që të zgjidhte ta shfrytëzonte tokën e ta keqadministronte. E pikërisht këtë ka bërë. Papërgjegjësia dhe lakmia e njeriut kanë sjellë pasoja shkatërrimtare.
Të përmendim vetëm disa nga problemet: (1) Shpyllëzimi po ndikon në aftësinë e tokës për të thithur dyoksidin e karbonit, i cili pastaj mund t’i bëjë më ekstreme dukuritë e motit. (2) Përdorimi i tepruar i pesticideve po shkatërron kolonitë e insekteve që kryejnë role jetësore ekologjike, duke përfshirë pjalmimin e të mbjellave. (3) Peshkimi pa kriter dhe ndotja e deteve dhe lumenjve po pakësojnë me ritme të shpejta popullatat e peshqve. (4) Shfrytëzimi me lakmi i pasurive natyrore të tokës nuk po lë shumë për brezat e ardhshëm dhe mendohet se po shpejton ngrohjen globale. Disa ambientalistë tregojnë si dëshmi të ngrohjes globale zvogëlimin e akullnajave dhe shkëputjen e ajsbergëve në Arktik dhe Antarktidë.
Duke parë se katastrofat natyrore po shtohen, disa mund të thonë se toka po kundërpërgjigjet, duke u shkaktuar mjerime njerëzve. Perëndia e lejoi njeriun të banonte në tokë pa qira. (Zanafilla 1:26-29) Por ngjarjet e sotme botërore tregojnë se shumë njerëz nuk duan ta mirëmbajnë shtëpinë e tyre të bukur tokësore. E kanë mendjen veç te dëshirat dhe aktivitetet e tyre egoiste. Kanë treguar se janë banorë të këqij dhe ‘po e rrënojnë tokën’, siç kishte parathënë Zbulesa 11:18.
Profecitë biblike tregojnë se Perëndia i Plotfuqishëm, Jehovai, Krijuesi i ekosistemeve tokësore që mbështetin jetën, ka dekretuar se ka ardhur koha për t’i dëbuar banorët e këqij. (Sofonia 1:14; Zbulesa 19:11-15) Para se njeriu ta dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme tokën, Perëndia do të veprojë, ndoshta më shpejt nga sa presim ne.a (Mateu 24:44) Po, vetëm Perëndia mund ta shpëtojë tokën.
[Shënimi]
a Për më shumë informacione rreth urgjencës së kohëve, shih broshurën Qëndroni vigjilentë!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.