Pasuroji lutjet nëpërmjet studimit të Biblës
«O Jehova, të lutem, dëgjoje me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënd.»—NEH. 1:11.
1, 2. Pse do të jetë me dobi të shqyrtojmë disa lutje të dokumentuara në Bibël?
LUTJET dhe studimi i Biblës janë aspekte thelbësore të adhurimit të vërtetë. (1 Sel. 5:17; 2 Tim. 3:16, 17) Natyrisht, Bibla nuk është libër lutjesh. Gjithsesi, në të ka mjaft lutje, shumë prej të cilave gjenden në librin e Psalmeve.
2 Ndërsa lexon e studion Biblën, me siguri do të gjesh lutje që përshtaten me situatat që has. Madje, mund t’i pasurosh lutjet e tua, duke përfshirë mendime të shprehura në lutjet e dokumentuara në Shkrime. Ç’mund të mësosh nga ata të cilëve iu dëgjuan lutjet për ndihmë e nga përmbajtja e lutjeve të tyre?
Kërko dhe ndiq drejtimin e Perëndisë
3, 4. Ç’mision kishte shërbëtori i Abrahamit dhe ç’mund të mësojmë nga përgjigjja që dha Jehovai?
3 Studimi i Biblës nxjerr në pah se gjithnjë duhet t’i lutemi Perëndisë për drejtim. Shiko ç’ndodhi kur patriarku Abraham dërgoi në Mesopotami shërbëtorin e tij më të moshuar, ndoshta Eliezerin, që t’i gjente Isakut një grua me frikë Perëndie. Teksa gratë po nxirrnin ujë në një pus, shërbëtori u lut: «Jehova . . . , vajza, së cilës unë do t’i them: ‘Ule pak shtambën, të lutem, që të pi’ dhe që do të më thotë: ‘Pi, dhe do t’u jap ujë edhe deveve’, le të jetë ajo që do të zgjedhësh për shërbëtorin tënd, Isakun. Nga kjo do ta marr vesh se i ke treguar dashuri besnike zotërisë tim.»—Zan. 24:12-14.
4 Lutja e shërbëtorit të Abrahamit mori përgjigje kur Rebeka u dha ujë deveve të tij. Pak më vonë, ajo shkoi me të në Kanaan dhe u bë gruaja e dashur e Isakut. Natyrisht, nuk mund të presësh që Perëndia të të japë ndonjë shenjë të veçantë. Gjithsesi, ai do të të drejtojë në jetë, nëse lutesh dhe je i vendosur që të të drejtojë fryma e tij.—Gal. 5:18.
Lutja ndihmon për të pakësuar ankthin
5, 6. Ç’ka të veçantë lutja që bëri Jakobi para se të takohej me Esaun?
5 Lutja mund të pakësojë ankthin. Jakobi i trembej rrezikut nga vëllai binjak, Esau, prandaj u lut: «O Jehova, . . . unë jam i padenjë për gjithë dashamirësinë dhe besnikërinë që ti ke treguar ndaj shërbëtorit tënd . . . Më çliro, të lutem, nga dora e tim vëllai, nga dora e Esaut, sepse kam frikë se mos vjen e më sulmon mua, bashkë me nënat dhe fëmijët. Por ti vetë ke thënë: ‘Pa dyshim do të të trajtoj mirë dhe do ta bëj farën tënde si kokrrizat e rërës së detit, aq shumë sa s’mund të numërohet.’»—Zan. 32:9-12.
6 Pasi u lut, Jakobi mori masa për të mbrojtur familjen, dhe lutja e tij mori përgjigje kur ai dhe Esau u pajtuan. (Zan. 33:1-4) Po ta lexosh me kujdes atë lutje, do të shohësh se Jakobi nuk u lut thjesht për ndihmë. Ai shprehu besim te Fara e premtuar dhe mirënjohje për dashamirësinë e Perëndisë. A ke edhe ti ndonjë ‘frikë brenda’ teje? (2 Kor. 7:5) Nëse po, përgjërimi i Jakobit mund të të kujtojë se lutjet mund ta pakësojnë ankthin. Megjithatë, këto lutje nuk duhet të kenë vetëm kërkesa, por edhe shprehje besimi.
Lutu për mençuri
7. Pse Moisiu u lut që të njihte udhët e Jehovait?
7 Dëshira për t’i pëlqyer Jehovait duhet të të nxitë të lutesh për mençuri. Moisiu u lut që të njihte udhët e Perëndisë. Ai u përgjërua: «Ja, ti [Jehova] po më thua: ‘Nxirre këtë popull [nga Egjipti]’ . . . Të lutem, nëse kam gjetur hir në sytë e tu, bëmë të njoh udhët e tua, . . . që të gjej hir në sytë e tu.» (Dal. 33:12, 13) Si përgjigje, Perëndia i dha Moisiut më shumë njohuri për udhët e Tij. Kjo ishte e domosdoshme, pasi ai duhej të merrte drejtimin në popullin e Jehovait.
8. Si mund të nxjerrësh dobi duke medituar rreth 1 Mbretërve 3:7-14?
8 Edhe Davidi u lut: «Më bëj të njoh udhët e tua, o Jehova.» (Psal. 25:4) I biri i Davidit, Solomoni, iu përgjërua Perëndisë për mençurinë e duhur që të kryente detyrat si mbret i Izraelit. Lutja e Solomonit i pëlqeu Jehovait, i cili i dha jo vetëm atë që i kërkoi, por edhe pasuri e lavdi. (Lexo 1 Mbretërve 3:7-14.) Nëse merr privilegje shërbimi që të duken përtej asaj që mund të mbash, lutu për mençuri dhe shfaq frymën e përulësisë. Atëherë Perëndia do të të ndihmojë të fitosh njohuri dhe të përdorësh mençurinë e nevojshme që të kujdesesh siç duhet e me dashuri për përgjegjësitë e tua.
Lutu nga zemra
9, 10. Çfarë të bën përshtypje kur sheh se sa herë e përmend zemrën Solomoni në lutjen për përurimin e tempullit?
9 Që të dëgjohet, lutja duhet të vijë nga zemra. Solomoni bëri një lutje të përzemërt, të dokumentuar në kapitullin 8 të 1 Mbretërve, para turmave të mbledhura në Jerusalem për përurimin e tempullit të Jehovait në vitin 1026 p.e.s. Pasi arka e besëlidhjes u vendos në Më të Shenjtën dhe reja e Jehovait mbushi tempullin, Solomoni lëvdoi Perëndinë.
10 Studioje lutjen e Solomonit dhe shiko sa herë flet për zemrën. Solomoni pranoi se vetëm Jehovai e njeh zemrën e çdokujt. (1 Mbret. 8:38, 39) E njëjta lutje tregon se për një mëkatar që ‘kthehet te Perëndia me gjithë zemër’, ka shpresë. Nëse një armik do të kapte shërbëtorët e Perëndisë, lutjet e tyre do të dëgjoheshin po t’i drejtoheshin me gjithë zemër Jehovait. (1 Mbret. 8:48, 58, 61) Pra, natyrisht që edhe lutjet e tua duhet të vijnë nga zemra.
Si mund të t’i pasurojnë lutjet Psalmet?
11, 12. Çfarë ke mësuar nga lutja e një leviti që për njëfarë kohe nuk mund të shkonte në shenjtëroren e Perëndisë?
11 Studimi i Psalmeve mund të t’i pasurojë lutjet dhe të të ndihmojë të presësh Perëndinë që t’u përgjigjet. Mendo për durimin e një leviti në mërgim. Ndonëse për njëfarë kohe s’mund të shkonte në shenjtëroren e Jehovait, ai këndoi: «Pse bie në dëshpërim, o shpirti im, pse je i trazuar? Prit Perëndinë, se unë do ta përlëvdoj ende si shpëtimin tim të madh dhe si Perëndinë tim.»—Psal. 42:5, 11; 43:5.
12 Ç’mund të mësosh nga ai levit? Nëse burgimi për hir të drejtësisë nuk të lejon për njëfarë kohe të jesh me bashkëbesimtarët në vendin e adhurimit, prit me durim Perëndinë që të veprojë për ty. (Psal. 37:5) Medito rreth gëzimeve që ke pasur në të kaluarën në shërbim të Perëndisë dhe lutu për qëndrueshmëri ndërsa ‘pret Perëndinë’ të të rikthejë në shoqërinë e popullit të tij.
Lutu me besim
13. Pse duhet të lutesh me besim, në përputhje me Jakovin 1:5-8?
13 Pavarësisht nga rrethanat që ke, gjithnjë lutu me besim. Nëse po has një sprovë integriteti, ndiq këshillën e dishepullit Jakov. Lutju Jehovait dhe mos dysho nëse ai mund të të japë mençurinë e duhur për të përballuar sprovën. (Lexo Jakovin 1:5-8.) Perëndia i di mendimet turbulluese që mund të kesh dhe mund të të drejtojë e ngushëllojë me anë të frymës së tij. Hapja zemrën atij me besim të plotë, «pa dyshuar aspak», dhe prano drejtimin e frymës së tij dhe këshillat e Fjalës së tij.
14, 15. Pse mund të thuhet se Hana u lut dhe veproi me besim?
14 Hana, njëra nga dy gratë e levitit Elkanah, u lut dhe veproi me besim. Penina, gruaja tjetër, e cila kishte lindur disa fëmijë, e tallte Hanën që s’kishte fëmijë. Në tabernakull, Hana u zotua se po të lindte një djalë, do t’ia jepte Jehovait. Ngaqë i dridheshin buzët ndërsa lutej, kryeprifti Eli mendoi se ishte e dehur. Si mori vesh se nuk ishte kështu, ai tha: «Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!» Ndonëse nuk e dinte saktësisht se ç’do të ndodhte, Hana kishte besim se lutja e saj do të merrte përgjigje. Prandaj, «fytyra e saj nuk dukej më e merakosur». Nuk ishte më e trishtuar ose shpirtvrarë.—1 Sam. 1:9-18.
15 Pasi lindi e u zvordh Samueli, Hana ia paraqiti Jehovait për shërbimin e shenjtë në tabernakull. (1 Sam. 1:19-28) Nëse hera-herës lë kohë të meditosh për atë lutje, mund të pasurosh lutjet e tua e të kuptosh se edhe trishtimi ose një problem shqetësues mund të kapërcehet, po t’i lutesh Jehovait me besimin se do të të përgjigjet.—1 Sam. 2:1-10.
16, 17. Çfarë ndodhi ngaqë Nehemia u lut dhe veproi me besim?
16 Nehemia, një njeri i drejtë që jetoi në shekullin e pestë p.e.s., u lut dhe veproi me besim. Ai u përgjërua: «O Jehova, të lutem, dëgjoje me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënd dhe të shërbëtorëve të tu, që dëshirojnë të kenë frikë nga emri yt. Të lutem, bëj që të ketë sukses shërbëtori yt sot dhe bëj që këtij burri t’i vijë keq për të.» Kush ishte ‘ky burrë’? Ishte mbreti pers Artakserksi, tek i cili Nehemia shërbente si kupëmbajtës.—Neh. 1:11.
17 Nehemia u lut me besim për ditë të tëra pasi mori vesh se judenjtë e çliruar nga robëria babilonase ishin «në gjendje shumë të keqe e të poshtëruar dhe muri i Jerusalemit [ishte] shembur». (Neh. 1:3, 4) Lutjet e Nehemisë morën përgjigje përtej asaj që priste ai, pasi mbreti Artakserks e lejoi të shkonte në Jerusalem e të rindërtonte murin. (Neh. 2:1-8) S’kaloi shumë dhe muri ishte rindërtuar. Lutjet e Nehemisë morën përgjigje sepse u përqendruan tek adhurimi i vërtetë dhe u bënë me besim. A mund të thuhet e njëjta gjë për lutjet e tua?
Mos harro të lëvdosh e të falënderosh
18, 19. Për cilat arsye duhet ta lëvdojë e ta falënderojë Jehovain një shërbëtor i tij?
18 Kur lutesh, mos harro të lëvdosh e të falënderosh Jehovain. Sa shumë arsye kemi për ta bërë këtë! Për shembull, Davidi mezi priste t’i thurte lavde Mbretërisë së Jehovait. (Lexo Psalmin 145:10-13.) A tregojnë lutjet e tua se e vlerëson privilegjin që të shpallësh këtë Mbretëri? Fjalët e psalmistëve mund të të ndihmojnë edhe t’i shprehësh Perëndisë në lutje të përzemërta mirënjohjen për mbledhjet, asambletë dhe kongreset e krishtere.—Psal. 27:4; 122:1.
19 Mirënjohja për marrëdhënien e çmuar që ke me Perëndinë mund të të shtyjë të lutesh nga zemra me shprehje si këto: «Mes popujve do të të përlëvdoj, o Jehova, mes kombeve do të këndoj për ty! Sepse dashamirësia jote është aq e madhe sa arrin deri në qiej, dhe besnikëria jote deri në re. Qofsh i lartësuar mbi qiejt, o Perëndi! Lavdia jote rrezatoftë në tërë tokën!» (Psal. 57:9-11) Çfarë ndjenjash që të ngrohin zemrën! A nuk je dakord se fjalë të tilla prekëse nga Psalmet mund të ndikojnë te lutjet e tua dhe të t’i pasurojnë?
Lutju Perëndisë me respekt të thellë
20. Si e shprehu Maria përkushtimin e saj ndaj Perëndisë?
20 Në lutjet e tua duhet të dallohet qartë respekti i thellë për Perëndinë. Fjalët plot nderim që tha Maria pak pasi mori vesh se do të ishte nëna e Mesisë, ishin të ngjashme me ato të Hanës kur e paraqiti Samuelin e vogël për shërbimin në tabernakull. Nderimi i thellë që kishte Maria për Perëndinë duket qartë në fjalët e saj: «Shpirti im madhëron Jehovain dhe fryma ime nuk mund të mos ngazëllohet për Perëndinë, Shpëtimtarin tim.» (Luka 1:46, 47) A mund t’i përmirësosh më tej lutjet duke shprehur ndjenja të ngjashme? Nuk habitemi që Maria me frikë Perëndie u zgjodh të ishte nëna e Jezu Mesisë!
21. Si e treguan lutjet e Jezuit nderimin e thellë dhe besimin që kishte?
21 Jezui u lut me nderim të thellë e besim të plotë. Për shembull, para se të ringjallte Lazarin, ai «ngriti sytë nga qielli dhe tha: ‘Të falënderoj, o Atë, që më ke dëgjuar! Vërtet, e dija se ti gjithmonë më dëgjon.’» (Gjoni 11:41, 42) A e tregojnë edhe lutjet e tua këtë nderim të thellë e besim? Studio lutjen model që bëri gjithë nderim Jezui dhe do të shohësh se aspektet më domethënëse të saj janë shenjtërimi i emrit të Jehovait, ardhja e Mbretërisë së tij dhe kryerja e vullnetit të tij. (Mat. 6:9, 10) Mendo për lutjet e tua. A pasqyrojnë ato interesin tënd të thellë për Mbretërinë e Jehovait, për bërjen e vullnetit të tij dhe për shenjtërimin e emrit të tij të shenjtë? Duhet t’i pasqyrojnë.
22. Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të japë guxim që të shpallësh lajmin e mirë?
22 Për shkak të përndjekjes ose sprovave të tjera, lutjet shpesh përfshijnë kërkesa për ndihmë që t’i shërbejmë me guxim Jehovait. Kur Sinedri i urdhëroi Pjetrin dhe Gjonin ‘të mos mësonin në emër të Jezuit’, me guxim apostujt nuk pranuan ta mbyllnin gojën. (Vep. 4:18-20) Pasi u liruan, u treguan bashkëbesimtarëve ç’kishte ndodhur. Atëherë, të gjithë të pranishmit iu lutën Perëndisë për ndihmë që ta thoshin me guxim fjalën e tij. Sa drithëruese duhet të ketë qenë kur mori përgjigje ajo lutje, pasi ata «u mbushën me frymën e shenjtë dhe e thoshin fjalën e Perëndisë me guxim»! (Lexo Veprat 4:24-31.) Si rrjedhojë, shumë veta u bënë adhurues të Jehovait. Lutja mund të të forcojë edhe ty që ta shpallësh me guxim lajmin e mirë.
Vazhdo t’i pasurosh lutjet e tua
23, 24. (a) Përmend shembuj të tjerë që tregojnë se si mund të t’i pasurojë lutjet studimi i Biblës. (b) Ç’do të bësh që të pasurosh lutjet e tua?
23 Mund të përmendim edhe shumë shembuj të tjerë për të treguar se si mund të t’i pasurojë lutjet leximi dhe studimi i Biblës. Për shembull, si Jonai, në lutje mund të pranosh se «shpëtimi i takon Jehovait». (Jon. 2:1-10) Nëse je i trazuar për shkak të një mëkati të rëndë dhe ke kërkuar ndihmën e pleqve, ndjenjat që shprehu Davidi në lutje mund të të ndihmojnë të shprehësh pendimin tënd gjatë lutjeve personale. (Psal. 51:1-12) Në disa lutje, mund ta lëvdosh Jehovain siç bëri Jeremia. (Jer. 32:16-19) Nëse po kërkon bashkëshort, studimi i lutjes që gjendet në kapitullin 9 të Ezdrës, si dhe lutjet që bën ti vetë, mund të ta forcojnë vendosmërinë që t’i bindesh Perëndisë ‘duke u martuar vetëm në Zotërinë’.—1 Kor. 7:39; Ezd. 9:6, 10-15.
24 Vazhdo të lexosh, të studiosh dhe të hulumtosh Biblën. Kërko pika që mund t’i përfshish në lutjet e tua. Mund t’i gërshetosh mendimet biblike në përgjërimet dhe lutjet e falënderimit e të lëvdimit. Me siguri do të afrohesh edhe më shumë me Perëndinë Jehova, ndërsa i pasuron lutjet me anë të studimit të Biblës.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse duhet të kërkojmë e të ndjekim drejtimin e Perëndisë?
• Ç’duhet të na shtyjë të lutemi për mençuri?
• Si mund të t’i pasurojë lutjet libri i Psalmeve?
• Pse duhet të lutemi me besim dhe nderim të thellë?
[Figura në faqen 8]
Shërbëtori i Abrahamit u lut për drejtimin e Perëndisë. Po ti?
[Figura në faqen 10]
Adhurimi Familjar mund të t’i pasurojë lutjet