Çfarë mësojmë nga Jezui
Si ta gjejmë lumturinë?
Cili është çelësi i lumturisë?
▪ Jezui e përmendi lumturinë në fjalët e para të predikimit të famshëm në mal. Ai tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) Çfarë donte të thoshte me këtë? Çfarë do të thotë se kemi nevojë të mësojmë për Perëndinë?
Që të jetojmë, kemi nevojë të marrim frymë, të pimë dhe të hamë, sikurse edhe kafshët. Megjithatë, për të qenë të lumtur, kemi nevojë për diçka që kafshët s’e kanë—nevojën për të kuptuar qëllimin e jetës. Vetëm Krijuesi i jetës mund të na e plotësojë këtë nevojë. Kështu, Jezui tha: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë janë të lumtur, sepse i afrohen Jehovait, «Perëndisë së lumtur», dhe ai u jep atyre diçka jetësore për lumturinë—shpresën.—1 Timoteut 1:11.
Si dha shpresë Jezui?
▪ «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»—tha Jezui. (Mateu 5:5) Ai i dha shpresë njerëzimit duke shëruar të sëmurët dhe duke i sjellë prapë në jetë mbi tokë të vdekurit. Gjithashtu, Jezui kishte një mesazh shprese. Ai shpjegoi: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Njerëzit që i binden Perëndisë do të gëzojnë jetë të përhershme në tokë. A mund ta përfytyrosh veten duke jetuar mes njerëzve me natyrë të butë pa u plakur kurrë? S’është habi që Fjala e Perëndisë thotë: «Gëzoni në shpresë.» (Romakëve 12:12) Po ashtu, Jezui tregoi si ta gjejmë lumturinë tani.
Cilën mënyrë jetese të lumtur mësoi Jezui?
▪ Jezui dha këshilla praktike për çështje të tilla, si: marrëdhëniet me të tjerët, martesën, përulësinë dhe pikëpamjen e duhur për gjërat materiale. (Mateu 5:21-32; 6:1-5, 19-34) Nëse ndjek këshillat e Jezuit, kjo do të të ndihmojë të gjesh lumturinë.
Bujaria sjell lumturi. (Veprat 20:35) Për shembull, Jezui tha: «Kur të shtrosh gosti, fto të varfrit, sakatët, të çalët dhe të verbrit. Atëherë do të jesh i lumtur, sepse ata s’kanë me se të ta shpërblejnë.» (Luka 14:13, 14) Lumturia vjen kur i ndihmojmë të tjerët të jenë të lumtur, jo kur mendojmë kryesisht për interesat tona.
Cili është burimi më i madh i lumturisë?
▪ Kur bën gjëra për njerëzit e tjerë, mund të gjesh lumturi, por kur bën gjëra për Perëndinë, mund të gjesh edhe më shumë lumturi. Madje, as lumturia e prindërve të cilët janë krenarë për fëmijët e tyre të dashur, nuk mund të krahasohet me të. Kjo kuptohet qartë nga ajo që ndodhi në një rast kur Jezui po mësonte publikisht. «Një grua nga turma ngriti zërin dhe i tha: ‘Lum barku që të mbajti dhe gjinjtë ku u mënde!’ Por ai tha: ‘Jo, më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!’»—Luka 11:27, 28.
Vetë Jezui gjente kënaqësi dhe lumturi duke bërë vullnetin e Atit të tij qiellor. Vullneti i Perëndisë është që njerëzit të dëgjojnë për shpresën e jetës së përhershme. Në një rast, pasi ia shpjegoi këtë shpresë një personi të interesuar, Jezui tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi.» (Gjoni 4:13, 14, 34) Edhe ti mund të përjetosh lumturinë që vjen kur bën diçka që e kënaq Perëndinë, si për shembull, duke u folur të tjerëve për të vërtetat biblike.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 1, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 16]
Lumturia e vërtetë vjen kur plotësojmë nevojën tonë për të kuptuar qëllimin e jetës