Pyetje nga lexuesit
Pse Jezui mund t’i thoshte një gruaje që njihej si mëkatare se mëkatet e saj ishin falur?—Luka 7:37, 48.
Ndërsa Jezui ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e një fariseu që quhej Simon, një grua «qëndroi prapa, te këmbët e tij». Ajo ia lagu këmbët me lot dhe ia fshiu me flokët e saj. Pastaj ia puthi me butësi këmbët dhe ia leu me vaj aromatik. Ungjilli thotë se gruaja ‘njihej në qytet si mëkatare’. Natyrisht, çdo njeri i papërsosur është mëkatar, por zakonisht Shkrimet e përdorin këtë term për të përshkruar një njeri që ka namin si mëkatar ose mëkatet e të cilit janë shumë të njohura. Ka mundësi që gruaja ishte një prostitutë. Një personi të tillë Jezui i tha: «Mëkatet e tua janë falur.» (Luka 7:36-38, 48) Çfarë donte të thoshte Jezui me këto fjalë? Si ishte e mundur një falje e tillë e mëkateve nëse flijimi shpërblyes nuk ishte ofruar ende?
Pasi gruaja kishte larë dhe lyer me vaj këmbët e Jezuit, por para se ai ta falte, Jezui përdori një ilustrim për t’i shpjeguar një pikë të rëndësishme të zotit të shtëpisë, Simonit. Duke e krahasuar mëkatin me një borxh tepër të madh për ta shlyer, Jezui i tha Simonit: «Dy njerëz i kishin borxh një huadhënësi: njëri pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë. Meqë nuk kishin t’ia kthenin, ai i fali bujarisht që të dy. Cili nga të dy do ta dojë më shumë?» Simoni iu përgjigj: «Ma ha mendja, ai të cilit i fali më shumë.» Jezui i tha: «Gjykove drejt.» (Luka 7:41-43) Të gjithë ne duhet t’i bindemi Perëndisë, prandaj kur nuk i bindemi dhe mëkatojmë, nuk arrijmë t’i shlyejmë Perëndisë atë që i takon. Në këtë mënyrë hyjmë në borxh, i cili shtohet. Por, Jehovai është si një huadhënës i mirë që është i gatshëm të falë borxhet. Ja përse Jezui i nxiti dishepujt t’i luteshin Perëndisë dhe të kërkonin: ‘Na i fal borxhet, sikurse edhe ne i kemi falur borxhlinjtë tanë.’ (Mat. 6:12, shën.) Luka 11:4 i quan këto borxhe mëkate.
Mbi cilat kushte i kishte falur Perëndia mëkatet në të kaluarën? Drejtësia e tij e përsosur kërkon vdekjen si ndëshkim për mëkatin. Kështu, Adami i pagoi me jetën mëkatet. Por, nën Ligjin që Perëndia i dha kombit të Izraelit, një mëkatari mund t’i faleshin mëkatet duke i flijuar një kafshë Jehovait. Apostulli Pavël tha: «Sipas Ligjit, pothuajse të gjitha gjërat pastrohen me gjak dhe, pa u derdhur gjak, nuk bëhet asnjë falje.» (Hebr. 9:22) Judenjtë nuk dinin ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës të arrihej falja e mëkateve nga Perëndia. Ja përse nuk habitemi që të pranishmit në kohën e Jezuit kundërshtuan ndaj fjalëve që i tha ai gruas. Ata që ishin shtruar në tryezë me Jezuin thanë me vete: «Kush është ky që fal edhe mëkatet?» (Luka 7:49) Atëherë, mbi ç’bazë mund të faleshin shkeljet e kësaj gruaje tejet mëkatare?
Profecia e parë që u tha pasi çifti i parë njerëzor u rebelua, tregonte për qëllimin e Jehovait që të nxirrte ‘një farë’ e cila do të plagosej në thembër nga Satanai dhe ‘fara’ e tij. (Zan. 3:15) Kjo plagosje ndodhi kur Jezuin e vranë armiqtë e Perëndisë. (Gal. 3:13, 16) Gjaku i derdhur i Krishtit shërben si shpërblesa që e çliron njerëzimin nga mëkati dhe vdekja. Meqë asgjë nuk mund ta pengojë Jehovain të kryejë atë që ka vënë si qëllim, sapo u thanë fjalët e dokumentuara te Zanafilla 3:15, Perëndia e konsideroi shpërblesën sikur të ishte paguar tashmë. Tani ai mund t’i falte ata që tregonin besim te premtimet e tij.
Gjatë kohëve para krishterimit, Jehovai konsideroi të drejtë mjaft individë. Mes tyre ishin Enoku, Noeja, Abrahami, Rahaba dhe Jobi. Me besim ata pritnin me padurim përmbushjen e premtimeve të Perëndisë. Dishepulli Jakov shkroi: «Abrahami tregoi besim te Jehovai, dhe kjo iu llogarit si drejtësi.» Për Rahabën Jakovi tha: «Po njësoj, a nuk u shpall e drejtë nga veprat edhe Rahaba, prostituta?»—Jak. 2:21-25.
Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë, kreu disa mëkate të rënda, por ai kishte besim të fortë te Perëndia i vërtetë dhe tregoi pendim të sinqertë në çdo rast. Për më tepër Shkrimet thonë: «Perëndia e paraqiti Krishtin si një blatim pajtimi nëpërmjet besimit në gjakun e tij. Këtë e bëri që të tregonte drejtësinë e vet, sepse po falte mëkatet që ndodhën në të shkuarën, ndërkohë që Perëndia tregonte vetëpërmbajtje, dhe që të tregonte drejtësinë e vet në kohën e tanishme, që ai të jetë i drejtë edhe kur të shpallë të drejtë njeriun që ka besim te Jezui.» (Rom. 3:25, 26) Në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit që do të sigurohej në të ardhmen, Jehovai mundi t’i falte shkeljet e Davidit pa bërë kompromis me kërkesat e Tij të drejtësisë.
Me sa duket, situata e gruas që ia leu me vaj këmbët Jezuit ishte e ngjashme. Ajo kishte bërë një jetë imorale, por ishte penduar. E kuptonte nevojën e shpengimit nga mëkati dhe e tregoi me vepra se e vlerësonte vërtet personin nëpërmjet të cilit Jehovai siguroi atë shpengim. Edhe pse ende nuk ishte bërë, ai flijim ishte aq i sigurt, sa vlera e tij tashmë mund të zbatohej për individë si ajo. Ja përse Jezui i tha: «Mëkatet e tua janë falur.»
Siç del qartë nga ky tregim, Jezui nuk iu shmang mëkatarëve. Ai u bëri të mira atyre. Për më tepër, Jehovai është i gatshëm t’i falë mëkatarët e penduar. Sa shumë siguri që të ngroh zemrën na jep kjo ne njerëzve mëkatarë!
[Figura në faqen 7]
Iu llogarit si drejtësi