Lexuesit pyesin . . .
Kush e dërgoi «yllin»?
▪ A ke parë ndonjëherë skena ose drama të lindjes së Krishtit ku përshkruhen tre mbretër a burra të mençur që vizitojnë foshnjën e sapolindur Jezu në një grazhd? Sipas tregimit, Perëndia dërgoi një yll që t’i udhëhiqte për te stalla në Betlehem. Është i pallogaritshëm numri i fëmijëve që i kanë mësuar përmendsh emrat e këtyre tre mbretërve: Melkior, Gaspar dhe Baltazar. Gjithsesi, a përputhet ky tregim i përhapur me atë që thotë vërtet Bibla? Jo. Në disa aspekte është i pasaktë.
Së pari, cilët ishin ata burra? Në greqishten origjinale, Bibla nuk i quan as mbretër, as burra të mençur. Ata ishin magjistarë ose astrologë. Me sa duket, praktikonin artin pagan të fallit që bazohej tek yjet. Dokumentimi biblik nuk na tregon as emrat e vizitorëve, as numrin e tyre.
Së dyti, kur shkuan për vizitë burrat? Nuk shkuan kur Jezui ishte foshnjë në grazhd. Si e dimë? Shkrimtari i Ungjillit, Mateu, thotë: «Kur hynë në shtëpi, panë fëmijën me të ëmën, Marinë.» (Mateu 2:11) Vër re se Jezui nuk ishte më foshnjë e sapolindur, por ‘fëmijë’. Maria dhe Jozefi nuk i kalonin më netët në stallë, por jetonin në një shtëpi.
Së treti, kush e dërgoi «yllin» që t’i udhëhiqte astrologët? Sot, udhëheqësit fetarë në përgjithësi mësojnë se «yllin» e dërgoi Perëndia. A është e vërtetë kjo? Mos harro se në fillim ‘ylli’ nuk i çoi astrologët në Betlehem. Por i çoi te mbreti Herod në Jerusalem. Atij vrasësi të fuqishëm e xheloz i treguan se kishte lindur Jezui, madje i dhanë arsye të fortë për ta urryer fëmijën, pasi ai do të bëhej «mbreti i judenjve». (Mateu 2:2) Herodi u tregua dinak dhe u kërkoi që, kur të ktheheshin, t’i tregonin vendndodhjen e saktë të fëmijës se gjoja edhe ai donte t’i bënte nderime. Më pas, ‘ylli’ i drejtoi astrologët për te Jozefi dhe Maria. Kështu, ajo që po bënin astrologët mund të çonte në vdekjen e fëmijës, po të mos ndërhynte Perëndia. Sa mirë që ndërhyri! Kur astrologët nuk u kthyen t’i raportonin, Herodi u tërbua kaq shumë, sa urdhëroi që të vriteshin tërë meshkujt dy vjeç e poshtë, në Betlehem dhe përqark tij.—Mateu 2:16.
Më vonë Jehovai e quajti Jezuin «Biri im, i dashuri, që e kam miratuar». (Mateu 3:17) Mendo pak: ky Atë i dashur e i drejtë, a do të zgjidhte si lajmëtarë të tij astrologë paganë, të cilët praktikonin artin e okultizmit që Ligji i tij e ndalonte? (Ligji i përtërirë 18:10) A do të përdorte një yll që t’i udhëhiqte për te vrasësi më i rrezikshëm e i fuqishëm në vend, te Herodi, dhe t’i çonin një mesazh që me siguri do t’ia ndizte urrejtjen plot xhelozi? A do të përdorte Perëndia të njëjtin yll dhe të njëjtët astrologë që të zbulonte vendndodhjen e birit të tij të brishtë?
Ta ilustrojmë: një komandant ushtarak i aftë dërgon ushtarin më të mirë në një mision të rrezikshëm në territorin armik. A do t’i tregonte armikut ku ta gjente ushtarin? Sigurisht që jo! Në mënyrë të ngjashme, Jehovai dërgoi birin e tij në këtë botë të rrezikshme. A do t’i tregonte mbretit të lig Herod vendndodhjen e të Birit kur ishte një fëmijë i pambrojtur? Kurrë!
Pra, kush e dërgoi «yllin» ose objektin ngjashëm një ylli? Po mirë, kush do ta donte më tepër vdekjen e fëmijës Jezu, që të mos rritej e të përmbushte misionin e tij në tokë? Kush orvatet t’i mashtrojë njerëzit dhe kush nxit gënjeshtra, dhunë e masakra? Vetë Jezui e identifikoi duke e quajtur «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës», i cili «ishte vrasës që nga fillimi»: Satana Djalli.—Gjoni 8:44.