«Ardhtë mbretëria jote»—Kur vallë?
«Kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, te dera.»—MAT. 24:33.
1, 2. (a) Çfarë mund të ndikojë tek ajo që shohim vërtet? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt lidhur me Mbretërinë e Perëndisë?
SIÇ mund ta kesh vërejtur, shpesh dëshmitarët okularë të së njëjtës ngjarje kujtojnë detaje shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Në mënyrë të ngjashme, dikush mund ta ketë të vështirë të kujtojë tamam atë që i ka thënë mjeku pasi i ka shpjeguar diagnozën. Ose një tjetër ndoshta mezi i gjen syzet apo çelësat ndërkohë që janë aty pranë. Sipas studiuesve, të gjitha këto situata përshkruajnë një lloj verbërie—të mos vëresh diçka ose të harrosh ngaqë e ke mendjen gjetkë. Nganjëherë, truri ynë punon kështu.
2 Sot shumë veta vuajnë nga një «formë verbërie» e ngjashme kur bëhet fjalë për ngjarjet botërore. Mund ta pranojnë se bota ka ndryshuar goxha që nga 1914-a, por nuk kuptojnë domethënien e vërtetë të këtyre ngjarjeve. Si studiues të Biblës e dimë se në njëfarë kuptimi Mbretëria e Perëndisë erdhi më 1914 kur Jezui u kurorëzua si Mbret në qiell. Mirëpo, dimë se kjo nuk është përgjigjja e plotë e lutjes: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mat. 6:10) Kuptohet, kjo përfshin fundin e këtij sistemi të lig. Vetëm atëherë vullneti i Perëndisë mund të bëhet në tokë ashtu si bëhet në qiell.
3. Ç’përparësi kemi falë studimit të Fjalës së Perëndisë?
3 Ngaqë e studiojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë, mund të dallojmë se kjo profeci po përmbushet tani. Sa ndryshe nga shumica e njerëzve! Janë kaq të përfshirë në jetën dhe interesat e tyre, saqë i mbyllin sytë para dëshmisë së qartë se Krishti po sundon që nga viti 1914 dhe shpejt do të sjellë gjykimin e Perëndisë. Megjithatë, mund të pyesësh veten: nëse po i shërbej Perëndisë për dekada me radhë, a jam po aq i vetëdijshëm dhe a jam po aq i interesuar sa dikur për domethënien e kohës në të cilën po jetojmë? Edhe nëse ke pak kohë si Dëshmitar, ku e ke mendjen? Cilado qoftë përgjigjja, le të rishikojmë tri arsye të rëndësishme pse mund të jemi të sigurt se Mbreti i emëruar i Perëndisë së shpejti do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm që të përmbushë plotësisht vullnetin hyjnor në tokë.
KALORËSIT JANË SHFAQUR
4, 5. (a) Çfarë po bën Jezui që nga 1914-a? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë simbolizojnë tre kalorësit dhe si kanë vajtur punët?
4 Në vitin 1914 Jezu Krishtit—të paraqitur duke kalëruar një kalë të bardhë—iu dha kurora qiellore. Menjëherë nisi kalërimin që të plotësonte fitoren kundër sistemit të lig të Satanait. (Lexo Zbulesën 6:1, 2.) Profecia e gjallë te kapitulli 6 i Zbulesës jepte arsye se menjëherë pas themelimit të Mbretërisë së Perëndisë duhej pritur që kushtet në botë të katandiseshin keq—luftëra, mungesa ushqimesh, murtaja dhe shkaqe të tjera të vdekjes. Këto zhvillime përshkruhen nga tre kalorës që kalërojnë menjëherë pas Jezu Krishtit.—Zbul. 6:3-8.
5 Siç ishte parathënë, paqja ‘u hoq nga toka’, pavarësisht nga premtimet e njerëzve për bashkëpunim ndërkombëtar dhe nga përpjekjet e tyre diplomatike. Siç tregojnë zhvillimet e fundit në botë, Luftën I Botërore mund ta konsiderojmë thjesht si fillimin e luftërave domethënëse. Dhe, pavarësisht nga përparimi i madh ekonomik e shkencor që nga 1914-a, mungesa e ushqimit vazhdon të jetë një kërcënim për sigurinë në botë. Për më tepër, kush guxon të mohojë se lloj-lloj murtajash, katastrofash e ‘plagësh vdekjeprurëse’ vazhdojnë të shkaktojnë miliona viktima çdo vit? Përhapja, shpeshtësia e ashpërsia e këtyre ngjarjeve janë të pashoqe në historinë njerëzore. A e merr vërtet seriozisht domethënien e kësaj?
6. Cilët vërejtën plotësimin e profecisë biblike, dhe për çfarë i nxiti kjo?
6 Edhe pse mjaft veta e kishin mendjen te shpërthimi i Luftës I Botërore dhe te gripi spanjoll, të krishterët e mirosur mezi pritnin vitin 1914 si fundin e kohës së johebrenjve, ose ‘kohëve të caktuara të kombeve’. (Luka 21:24) S’e kishin plotësisht të qartë ç’do të ndodhte. Prapëseprapë, e dinin se 1914-a do të shënonte një pikë kthese për sundimin hyjnor. Me të kuptuar plotësimin e profecisë biblike, njoftuan me guxim se sundimi i Perëndisë kishte filluar. Përpjekjet e tyre për të shpallur Mbretërinë sollën përndjekje të ashpra. Fakti që kjo ndodhi në shumë kombe ishte dëshmi e mëtejshme se profecia po plotësohej. Në dekadat vijuese armiqtë e Mbretërisë shkuan deri aty sa ‘kurdisën telashe me anë të dekretit’. Gjithashtu, ushtruan dhunë fizike ndaj vëllezërve tanë, i burgosën e madje i ekzekutuan me varje, pushkatim ose prerje koke.—Psal. 94:20; Zbul. 12:15.
7. Pse shumica nuk e dallon domethënien e vërtetë të ngjarjeve botërore?
7 Me gjithë dëshmitë se Mbretëria e Perëndisë tashmë është themeluar në qiell, pse pjesa dërrmuese nuk e pranon çfarë do të thotë kjo? Pse nuk e bëjnë dot lidhjen mes gjendjes së botës dhe profecive biblike specifike që populli i Perëndisë ka publikuar për një kohë të gjatë? Mos vallë ngaqë shumica përqendrohet vetëm tek ajo që kanë para syve? (2 Kor. 5:7) A janë kredhur aq shumë në çështjet njerëzore, sa nuk shohin fare atë që po bën Perëndia? (Mat. 24:37-39) A janë shpërqendruar disa nga shamata që ka sjellë propaganda satanike? (2 Kor. 4:4) Duhet besim dhe perceptim frymor për të dalluar çfarë po bën Mbretëria e Perëndisë në qiell. Sa mirë që nuk jemi të verbër, por e dimë mirë çfarë po ndodh!
LIGËSIA PO SHKON KEQ E MË KEQ
8-10. (a) Si është përmbushur 2 Timoteut 3:1-5? (b) Si po shkon keq e më keq ligësia?
8 Ka një arsye të dytë pse e dimë se s’do të kalojë shumë dhe Mbretëria e Perëndisë do të marrë në dorë çështjet e tokës: ligësia në shoqërinë njerëzore po shkon keq e më keq. Për gati një shekull duken qartë kushtet e parathëna te 2 Timoteut 3:1-5. Madje, po përkeqësohen kur bëhet fjalë për përhapjen, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë. A nuk e dallon se profecia po plotësohet në një shkallë gjithnjë e më të madhe? Le të shohim disa shembuj që e tregojnë më së miri këtë.—Lexo 2 Timoteut 3:1, 13.
9 Mendo për kontrastin mes asaj që shihej si skandaloze në vitet 40 ose 50 të shekullit të njëzetë dhe asaj që po ndodh sot në vendin e punës, në botën artistike, në sporte e në fushën e modës. Dhuna ekstreme dhe imoraliteti tani janë normale. Njerëzit konkurrojnë të duken më të egër, më të shthurur, më të pashpirt. Ajo që shihej si përtej caqeve në programet televizive në vitet 50, tani konsiderohet e përshtatshme për gjithë familjen. Gjithashtu, shumë e kuptojnë se homoseksualët ndikojnë ndjeshëm në fushën artistike dhe të modës, duke ngritur në qiell haptas stilin e tyre të jetesës. Sa mirënjohës jemi që e kuptojmë pikëpamjen e Perëndisë!—Lexo Judën 14, 15.
10 Ose një i krishterë mund të reflektojë mbi atë që shihej si sjellje rebele nga të rinjtë në vitet 50 në kontrast me atë që po ndodh sot. Prindërit në atë kohë bëheshin merak me të drejtë nëse fëmijët pinin duhan apo alkool, ose nëse kërcenin në mënyrë provokuese. Sot janë bërë më se të zakonshme raporte të tilla tronditëse: një nxënës 15-vjeçar hap zjarr ndaj shokëve të tij të klasës, duke vrarë 2 dhe duke plagosur 13. Një grup adoleshentësh të dehur vrasin brutalisht një vajzë nëntëvjeçare dhe rrahin të atin e kushëririn e saj. Thuhet se të rinjtë në një vend aziatik janë përgjegjës për gjysmën e krimeve të bëra gjatë dhjetë viteve të fundit. A mund të mohojë dikush me arsye se gjërat po shkojnë shumë më keq?
11. Pse shumë veta nuk e dallojnë se gjërat po shkojnë keq e më keq?
11 Apostulli Pjetër i ra pikës kur tha: «Në ditët e fundit do të vijnë tallës, që do të tallen e do të vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar?! Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.’» (2 Pjet. 3:3, 4) Si shpjegohet që disa reagojnë kështu? Duket se sa më shumë që mësohen me një situatë, aq më pak përshtypje u bën. Rënia graduale e moralit të gjithë shoqërisë mbase nuk na trondit aq shumë, sa ndryshimi i beftë i sjelljes së një shoku të ngushtë. Gjithsesi, kjo rënie graduale e moralit është e rrezikshme.
12, 13. (a) Pse nuk duhet të shkurajohemi nga zhvillimet në botë? (b) Çfarë do të na ndihmojë t’i përballojmë me sukses kushtet e «vështira për t’u përballuar»?
12 Apostulli Pavël na paralajmëroi se «në ditët e fundit» kushtet do të ishin «të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Por ama, nuk janë të papërballueshme, kështu që nuk ka pse t’i fshihemi realitetit. Me ndihmën e Jehovait, të frymës së tij dhe të kongregacionit të krishterë, mund të kapërcejmë me sukses çdo zhgënjim ose frikë që hasim. Mund të qëndrojmë besnikë. «Fuqia përtej asaj që është normale» është e Perëndisë dhe aspak jona.—2 Kor. 4:7-10.
13 Vëreni se Pavli e nisi profecinë për ditët e fundit me shprehjen «dije se». Këto fjalë na garantojnë se ajo që tha më pas do të ndodhë se s’bën. S’ka pikë dyshimi se shoqëria e paperëndishme do të vazhdojë të shkojë keq e më keq derisa Jehovai të ndërhyjë e t’i japë fund. Historianët kanë dokumentuar se herë pas here ndonjë komb ose shoqëri ka rënë fare ngaqë është katandisur keq moralisht. Megjithatë, kurrë më parë në histori morali i shumicës në tërë botën nuk është katandisur deri në këtë pikë ku është tani. Shumë veta mbyllin sytë para pasojave, por ky zhvillim i pashoq që nga 1914-a na tregon qartë se mund të besojmë se s’duhet shumë dhe Mbretëria e Perëndisë do të ndërmarrë veprime vendimtare.
KY BREZ NUK DO TË KALOJË
14-16. Cila është arsyeja e tretë pse besojmë se Mbretëria e Perëndisë ‘do të vijë’ së shpejti?
14 Ka edhe një arsye të tretë pse ndihemi të sigurt. Zhvillimet mes popullit të Perëndisë tregojnë se jemi afër fundit. Për shembull, para themelimit të Mbretërisë së Perëndisë në qiell, një grup i të mirosurve besnikë po i shërbente me zell Perëndisë. Kur nuk u realizuan disa nga gjërat që pritnin të ndodhnin në vitin 1914, çfarë bënë? Shumica prej tyre e ruajtën integritetin nën sprova e përndjekje dhe ecën pareshtur në shërbimin e Jehovait. Me kalimin e viteve shumica e këtyre të mirosurve, në mos të gjithë, e kanë përfunduar me besnikëri jetën në tokë.
15 Në këtë profeci të hollësishme për fundin e këtij sistemi, Jezui tha: «Ky brez nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ndodhin të gjitha këto gjëra.» (Lexo Mateun 24:33-35.) E kuptojmë se «ky brez» për të cilin foli Jezui përfshin dy grupe të të krishterëve të mirosur. Grupi i parë ishte i pranishëm më 1914 dhe e dalloi menjëherë shenjën se prania e Krishtit nisi atë vit. Ata që e përbëjnë këtë grup nuk ishin thjesht gjallë në 1914-n, por ishin të mirosur në frymë si bij të Perëndisë atë vit ose para atij viti.—Rom. 8:14-17.
16 Grupi i dytë i përfshirë në ‘këtë brez’ janë të mirosurit që janë bashkëkohës me grupin e parë. Ata nuk ishin thjesht gjallë në kohën kur jetuan pjesëtarët e grupit të parë, por ishin të mirosur me frymën e shenjtë gjatë kohës që disa nga grupi i parë jetonin ende në tokë. Kështu, jo çdo i mirosur me frymë sot përfshihet në ‘këtë brez’ për të cilin foli Jezui. Tani, ata të grupit të dytë janë të shkuar në moshë. Megjithatë, fjalët e Jezuit te Mateu 24:34 na sigurojnë se të paktën disa nga ‘ky brez nuk do të kalojnë kurrsesi’ para se të shohin fillimin e shtrëngimit të madh. Kjo duhet të na forcojë bindjen se mbetet fare pak kohë para se Mbretëria e Perëndisë të shkatërrojë të ligjtë dhe të sjellë një botë të re të drejtë.—2 Pjet. 3:13.
SË SHPEJTI KRISHTI DO TË PLOTËSOJË FITOREN
17. Ç’përfundim nxjerrim nga tri linjat e dëshmive që kemi shqyrtuar?
17 Ç’përfundim mund të nxjerrim nga tri linjat e dëshmive që kemi shqyrtuar? Me maturi, Jezui tha se nuk do të dinim as ditën, as orën, dhe vërtet nuk i dimë. (Mat. 24:36; 25:13) Por, mund të dimë ‘periudhën’ për të cilën foli Pavli, dhe këtë e dimë vërtet. (Lexo Romakëve 13:11.) Jetojmë në këtë periudhë, në ditët e fundit. Nëse i kushtojmë plotësisht vëmendje profecisë biblike dhe asaj që po bëjnë Perëndia Jehova e Jezu Krishti, s’ka si të mos i dallojmë dëshmitë bindëse se jetojmë tamam në prag të fundit të këtij sistemi.
18. Çfarë i pret ata që s’duan t’ia dinë për Mbretërinë e Perëndisë?
18 Ata që s’duan t’ia dinë për autoritetin madhështor që i është dhënë Jezu Krishtit, Kalorësit ngadhënjyes mbi kalin e bardhë, duan s’duan, së shpejti do të pranojnë sa gabim e kanë. Nuk do të gjejnë dot rrugëdalje. Në atë kohë shumë do të ulërasin të llahtarisur: «Kush është në gjendje të qëndrojë në këmbë?» (Zbul. 6:15-17) Mirëpo, përgjigjen e gjejmë menjëherë në kapitullin vijues të Zbulesës. Të mirosurit dhe ata me shpresë tokësore patjetër që ‘do të qëndrojnë në këmbë’ atë ditë, të miratuar nga Perëndia. Pastaj, ‘një shumicë e madhe’ nga delet e tjera do t’i mbijetojë shtrëngimit të madh.—Zbul. 7:9, 13-15.
19. Ngaqë kupton, pranon dhe vepron në përputhje me dëshmi të qarta se ditët e fundit do të mbarojnë pas pak, çfarë pret me padurim?
19 Nëse i mbajmë sytë gjithmonë te plotësimi i profecisë biblike që po shpaloset në këtë periudhë emocionuese, nuk do të shpërqendrohemi nga shamata e botës së Satanait e as do të jemi të verbër para domethënies së vërtetë të ngjarjeve të botës. Pas pak Krishti do të plotësojë fitoren një herë e mirë mbi këtë shoqëri të paperëndishme, duke luftuar me drejtësi. (Zbul. 19:11, 19-21) Imagjino sa e mrekullueshme do të jetë jeta jonë pas kësaj!—Zbul. 20:1-3, 6; 21:3, 4.