Çfarë shprese ka për paraardhësit e mi?
PAK kohë më parë, një gazetë koreane (The Chosun Ilbo) kishte një artikull mjaft interesant në faqen e parë: «‘E mrekullueshmja Shim Çangu’, e cila nuk dinte asgjë për Jezuin: a ka shkuar në ferr?»
Ky titull ishte provokues, sepse, sipas gojëdhënave koreane, Shim Çangu ishte një e re që e sakrifikoi jetën për të ndihmuar babanë e saj të verbër. Me kalimin e viteve, ajo është bërë një person shumë i nderuar. Në fakt, në kulturën koreane, Shim Çangu është bërë modeli i një bije të përkushtuar.
Për shumë veta, ideja se një person i tillë do të ndëshkohej në ferrin e zjarrtë, thjesht ngaqë nuk ishte e krishterë e pagëzuar, dukej e padrejtë, madje fyese. Në fund të fundit, kjo histori supozohet të ketë ndodhur shumë kohë para se mesazhi për Krishtin të vinte në fshatin e saj.
Artikulli përmbante edhe një intervistë me një klerik, të cilin e pyetën nëse janë dënuar në ferrin e zjarrtë të gjithë të vdekurit që nuk kanë pasur mundësi të mësonin për Jezuin. Përgjigjja? «Nuk e dimë. Thjesht mendojmë se duhet të ketë njëfarë drejtimi hyjnor [për këta persona].»
KËRKESË PËR SHPËTIM
Një enciklopedi (The New Catholic Encyclopedia) thotë: «Pagëzimi është i nevojshëm për të shpëtuar. Siç tha vetë Krishti, dikush nuk mund të futet në Mbretërinë e Perëndisë nëse nuk lind sërish nga uji dhe nga fryma e shenjtë (Gjo 3:5).» Për këtë arsye, disa besojnë se ata që kanë vdekur pa u pagëzuar, hidhen në ferrin e zjarrtë ose vuajnë në ndonjë mënyrë tjetër pas vdekjes.
Megjithatë, për shumë të tjerë, ky besim është absurd. Miliona veta kanë vdekur pa ditur asgjë për Biblën. A meritojnë të mundohen përjetësisht? Ç’thotë Bibla për këtë?
SHPRESA E PREMTUAR NË BIBËL
Bibla e tregon qartë se Perëndia nuk i lë në harresë njerëzit që jetuan pa i ditur kërkesat e tij. Te Veprat 17:30 na jepet siguria: «Perëndia i mbylli sytë para kohëve të një padijeje të tillë.» Po atëherë, çfarë shprese ofron Bibla për ata që kanë vdekur pa pasur mundësi të mësonin për Perëndinë?
Përgjigjen e gjejmë në fjalët që Jezui i tha njërit prej kriminelëve që vdiq përkrah tij. Ai i tha Jezuit: «Më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» Si iu përgjigj Jezui? «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»—Luka 23:39-43.
A po i premtonte Jezui se do të shkonte në qiell? Jo. Ai nuk ‘kishte lindur përsëri’ nga uji dhe fryma, e cila ishte një kërkesë për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. (Gjoni 3:3-6) Por Jezui po i premtonte atij krimineli se do të jetonte përsëri, në Parajsë. Duke qenë se ishte jude, ka të ngjarë që ky burrë të kishte dijeni për Parajsën tokësore—kopshtin e Edenit—që përshkruhet në librin e parë të Biblës. (Zanafilla 2:8) Premtimi i Jezuit i dha shpresën e sigurt të një ringjalljeje në Parajsë, kur ajo të rivendoset në tokë.
Në fakt, Bibla premton «se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Veprat 24:15) «Të padrejtët» janë ata që nuk jetuan sipas normave të drejta të Perëndisë, sepse nuk e dinin cili ishte vullneti i tij. Jezui do ta ringjallë kriminelin ‘e padrejtë’ me të cilin foli, si edhe miliona e ndoshta miliarda të tjerë që kanë vdekur në padije. Më pas, në Parajsën në tokë, ata do të mësojnë kërkesat e Perëndisë dhe do të kenë mundësi të tregojnë se e duan Perëndinë duke iu bindur urdhërimeve të tij.
KUR TË RINGJALLEN TË PADREJTËT
Kur të ringjallen të padrejtët, a do të gjykohen në bazë të veprimeve të kaluara? Jo. Te Romakëve 6:7 thuhet: «Kush vdes, shfajësohet nga mëkati i vet.» Të padrejtët do t’i kenë paguar mëkatet e tyre me vdekjen. Kështu, ata do të gjykohen për veprimet që do të bëjnë pasi të ringjallen, jo për veprimet që bënë nga padija para se të vdisnin. Si do të nxjerrin dobi ata?
Pas ringjalljes, të padrejtët do të kenë mundësi të mësojnë për ligjet e Perëndisë, të cilat do të zbulohen kur të hapen rrotullat simbolike. Në atë kohë, ata do të gjykohen «sipas veprave të veta», domethënë, në bazë të bindjes ose të mosbindjes ndaj ligjeve të Perëndisë. (Zbulesa 20:12, 13) Për shumë nga të padrejtët, kjo nuk do të jetë një mundësi e dytë, por mundësia e parë reale që ata të marrin jetën e përhershme në tokë duke mësuar dhe duke bërë vullnetin e Perëndisë.
Ky mësim biblik ka ndihmuar shumë veta të besojnë sërish te Perëndia. Jang Sugu ishte një prej tyre. Ajo u rrit si një katolike e devotshme në një familje priftërinjsh. Ajo shkoi në një kuvend, me shpresë që të bëhej murgeshë. Më vonë, u largua sepse u zhgënjye nga gjërat që bëheshin atje. Për më tepër, nuk mund ta pranonte doktrinën e ferrit të zjarrtë, ngaqë mendonte se t’i mundosh njerëzit në ferr nuk është as e drejtë, as e dashur.
Më vonë, një Dëshmitare e Jehovait i tregoi Jang Sugut këto fjalë nga Bibla: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë; ata nuk kanë më asnjë shpërblim.» (Eklisiastiu 9:5) Dëshmitarja e ndihmoi të kuptonte se paraardhësit e saj nuk po mundohen në një ferr të zjarrtë. Përkundrazi, ata janë në gjumin e vdekjes, në pritje të ringjalljes.
Duke e ditur se shumë njerëz nuk e kanë dëgjuar kurrë të vërtetën e Biblës, Jang Sugu i mori për zemër fjalët e Jezuit te Mateu 24:14: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» Tani ajo merr pjesë në predikimin e lajmit të mirë dhe ndan me të tjerët shpresën e mrekullueshme të Biblës.
«PERËNDIA NUK ËSHTË I ANSHËM»
«Perëndia nuk është i anshëm,—thotë Bibla.—Por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35) Kjo është drejtësia e përsosur që mund të presim të gjithë nga Perëndia, i cili «e do të drejtën dhe drejtësinë».—Psalmi 33:5.