JETËSHKRIM
Si u bëra «çdo gjë për njerëz të çdo lloji»
«Po u pagëzove, do të të lë!» Me këto fjalë e kërcënoi babai mamanë në vitin 1941. Prapëseprapë, ajo vendosi të mos hiqte dorë dhe të pagëzohej në simbol të kushtimit të saj ndaj Perëndisë Jehova. Im atë veproi sipas kërcënimit dhe iku. Atëherë isha vetëm tetë vjeç.
INTERESI im për të vërtetën e Biblës ishte zgjuar kohë më parë. Mamaja kishte marrë disa botime biblike, dhe unë u mahnita pas përmbajtjes së tyre, sidomos pas figurave. Im atë nuk donte që ajo të më fliste për gjërat që po mësonte. Mirëpo unë isha kurioz dhe i bëja pyetje, prandaj ajo studionte me mua kur babai s’ishte në shtëpi. Si rezultat, edhe unë doja t’ia kushtoja jetën Jehovait dhe vendosa ta bëja këtë. U pagëzova në qytezën e Blekpullit, Angli, më 1943 kur isha dhjetë vjeç.
FILLIMET E MIA NË SHËRBIM TË JEHOVAIT
Që nga ajo kohë, unë dhe mamaja dilnim rregullisht në shërbim bashkë. Për të prezantuar mesazhin e Biblës përdornim gramafonat që ishin kaba dhe peshonin rreth 4 kile e gjysmë. Më imagjinoni pak mua, që isha veçse një djalosh, ndërsa përpiqesha të mbaja një gramafon të tillë!
Në moshën 14-vjeçare, kisha zhvilluar dëshirën për të shërbyer si pionier. Mamaja më tha që të flisja më parë me shërbëtorin e vëllezërve (tani quhet mbikëqyrës qarkor). Ai më sugjeroi të përpiqesha të mësoja ndonjë zanat që të mbaja veten në shërbimin si pionier. E kështu bëra. Pasi punova dy vjet, u këshillova me një mbikëqyrës tjetër qarkor për shërbimin si pionier. Ai më tha: «Jepi, fillo!»
Kështu, në prill të 1949-s, bashkë me mamanë hoqëm mobiliet nga shtëpia me qira dhe u transferuam në Midëllton, afër Mançesterit, ku nisëm shërbimin si pionierë. Pas katër muajsh, zgjodha një vëlla si shok shërbimi. Zyra e degës na sugjeroi të transferoheshim në një kongregacion të sapoformuar në Irlam. Mamaja shërbente si pioniere me një motër në një kongregacion tjetër.
Edhe pse isha vetëm 17 vjeç, mua dhe shokut tim të shërbimit na dhanë përgjegjësinë të drejtonim mbledhjet, ngaqë në kongregacionin e ri kishte pak vëllezër të kualifikuar. Më vonë, më ftuan të transferohesha në kongregacionin e Bakstënit, që kishte shumë pak lajmëtarë dhe i nevojitej ndihmë. Ato përvoja të para i kam konsideruar gjithmonë një stërvitje për caktimet e ardhshme.
Më 1951, plotësova kërkesën për të ndjekur Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Mirëpo, në dhjetor 1952, më erdhi thirrja të paraqitesha për shërbimin ushtarak. Kërkova të më përjashtonin nga ky shërbim duke qenë se isha shërbëtor fetar në kohë të plotë. Por gjykata nuk pranoi të më njihte si shërbëtor fetar dhe më dënoi me gjashtë muaj burg. Ndërsa vuaja dënimin, mora ftesën për të ndjekur klasën e 22-të të Galaadit. Kështu, në korrik 1953, isha në bordin e anijes Xhorxhik që çante para drejt Nju-Jorkut.
Me të mbërritur, pata mundësi të ndiqja Kongresin «Shoqëria e Botës së Re» që u mbajt më 1953. Pastaj udhëtova me tren për në Lansingun Jugor, Nju-Jork, ku ndodhej shkolla. Si i sapodalë nga burgu, s’kisha shumë para. Kur zbrita nga treni duhej t’i hipja një autobusi linje për në Lansingun Jugor dhe m’u desh t’i merrja borxh 25 centë për biletën një bashkudhëtari.
CAKTIMI NË NJË VEND TË HUAJ
Shkolla e Galaadit na dha një stërvitje të mrekullueshme që na ndihmoi ‘të bëheshim çdo gjë për njerëz të çdo lloji’ në veprën misionare. (1 Kor. 9:22) Tre nga ne—Pol Bruni, Rajmond Liçi dhe unë—u caktuam në Filipine. Na u desh të pritnim disa muaj për të marrë vizat; pastaj nisëm udhëtimin me anije duke kaluar nga Roterdami, deti Mesdhe, kanali i Suezit, Oqeani Indian, Malajzia dhe Hong-Kongu—gjithsej 47 ditë në det. Më në fund, më 19 nëntor 1954 mbërritëm në Manilë.
Atëherë nisi përshtatja me një popull të ri, një vend të ri e madje edhe me një gjuhë të re. Megjithatë, në fillim ne të tre na caktuan në një kongregacion në Keson-Siti, ku shumë banorë flisnin anglisht. Prandaj, edhe pse kaluan gjashtë muaj, dinim vetëm pak fjalë në gjuhën tagaloge. Caktimi i ardhshëm do ta zgjidhte këtë problem.
Një ditë në maj të 1955-s kur u kthyem nga shërbimi, unë dhe vëlla Liçi gjetëm një tufë letrash në dhomën tonë. Mësuam se na kishin caktuar të dy si mbikëqyrës qarkorë. Isha vetëm 22 vjeç, por ky caktim më dha mundësi të ‘bëhesha çdo gjë për njerëz të çdo lloji’ në mënyra të reja.
Për shembull, fjalimin e parë publik si mbikëqyrës qarkor e mbajta përjashta përballë një dyqani fshati. Shpejt mësova se në atë kohë në Filipine ishte zakon që fjalimi publik të ishte vërtet publik. Teksa vizitoja kongregacione të ndryshme në qark, mbaja fjalime në gazebo publike, në tregje, përballë bashkive, në fusha basketbolli, në parqe dhe shpesh në kryqëzimet e rrugëve të qyteteve. Një herë në qytetin San-Pablo, ra një rrebesh që s’më lejoi ta mbaja fjalimin në treg, prandaj u sugjerova vëllezërve përgjegjës të përdornim Sallën e Mbretërisë. Më vonë, vëllezërit më pyetën nëse kjo mund të raportohej si mbledhje publike meqë nuk ishte mbajtur në një vend publik.
Gjithmonë strehoheshim në shtëpitë e vëllezërve. Ndonëse të thjeshta, shtëpitë e tyre ishin përherë të pastra. Shpesh krevati im ishte një shtrojë kashte mbi dyshemenë prej druri. Meqë vendi ku bëhej banjë ishte i hapur, mësova të lahesha përjashta me rroba. Udhëtoja me jeepney, një furgon tipik i Filipineve, me autobus dhe ndonjëherë me varkë kur shkoja në ishuj të tjerë. Gjatë gjithë viteve të shërbimit nuk kam pasur kurrë makinë.
Predikimi dhe vizitat nëpër kongregacione më ndihmuan të mësoja gjuhën tagaloge. Nuk bëra asnjëherë kurs për gjuhën, por mësova duke dëgjuar vëllezërit në shërbim dhe në mbledhje. Vëllezërit donin të më ndihmonin të mësoja, dhe i çmoja durimin e komentet e tyre të sinqerta.
Me kalimin e kohës, caktimet e reja më nxitën të përshtatesha në mënyra të tjera. Më 1956 kur na erdhi për vizitë vëlla Nejthën Nori, më caktuan të kujdesesha për marrëdhëniet me publikun në kongresin kombëtar. Nuk kisha fare përvojë, ndaj të tjerët më ndihmuan me gatishmëri të mësoja. Pa kaluar as një vit, u organizua një kongres tjetër kombëtar dhe na erdhi për vizitë vëlla Frederik Franci nga selia botërore. Ndërsa shërbeja si mbikëqyrësi i kongresit, mësova nga gatishmëria e vëlla Francit për t’u përshtatur me njerëzit. Vëllezërit vendës u kënaqën kur e panë vëlla Francin të mbante fjalimin publik i veshur me barong Tagalog, një veshje tradicionale filipinase.
Kur u caktova mbikëqyrës krahinor m’u desh të përshtatesha edhe më shumë. Në atë kohë, shfaqnim filmin Lumturia e Shoqërisë Bota e Re. Pothuajse gjithnjë e shfaqnim jashtë në vende publike dhe ndonjëherë na bezdisnin insektet. I tërhiqte drita e projektorit dhe ngecnin aty. Pastaj duhej goxha punë për ta pastruar projektorin. Nuk ishte e lehtë të organizoje ato shfaqje, ama na gëzonte zemra kur shihnim sa mirë reagonin njerëzit teksa njihnin organizatën ndërkombëtare të Jehovait.
Në disa zona, priftërinjtë katolikë u bënin presion autoriteteve vendëse të mos na jepnin leje për asamble e kongrese. Ose, sa herë që mbaheshin fjalime afër kishave të tyre, ata u binin kambanave që njerëzit të mos dëgjonin dot. Sidoqoftë vepra përparoi, dhe shumë veta nga ato zona tani janë adhurues të Jehovait.
CAKTIME QË KËRKONIN EDHE MË SHUMË PËRSHTATJE
Më 1959, mora një letër ku më njoftonin se isha caktuar të shërbeja në zyrën e degës. Si rezultat pata mjaft përvoja të reja nga të cilat mësova shumë. Me kohë, më kërkuan të vizitoja shtete të tjera si mbikëqyrës zone. Në një nga këto udhëtime u njoha me Xhaneta Dumondin, që shërbente si misionare në Tajlandë. Shkëmbyem letra për njëfarë kohe dhe më vonë u martuam. Së bashku si çift kemi shijuar 51 vite të bukura shërbimi.
Kam pasur kënaqësinë të vizitoj popullin e Jehovait në 33 shtete gjithsej. Sa i lumtur jam që caktimet e para më përgatitën për sfidat e veçanta që has kur ke të bësh me njerëz nga një larmi kulturash e prejardhjesh! Këto vizita më ndihmuan të kisha një këndvështrim më të gjerë dhe të shihja se si dashuria e Jehovait përfshin njerëz të çdo lloji.—Vep. 10:34, 35.
AKOMA PO PËRSHTATEMI
Ç’kënaqësi ka qenë të shërbejmë bashkë me vëllezërit tanë në Filipine! Numri i lajmëtarëve tani është rreth dhjetë herë më i madh se kur fillova shërbimin këtu. Xhaneta dhe unë vazhdojmë të shërbejmë së bashku në zyrën e degës të Filipineve në Keson-Siti. Edhe pse kam më shumë se 60 vjet në këtë caktim në vend të huaj, ende më duhet të jem gati të përshtatem me drejtimin e Jehovait. Ndryshimet organizative të kohëve të fundit kanë kërkuar të vazhdojmë të jemi elastikë ndërsa i shërbejmë Perëndisë dhe vëllezërve tanë.
Cilido të ishte vullneti i Jehovait, kemi bërë çmos ta ndjekim, dhe kjo mënyrë jetese na ka sjellë shumë gëzim. Gjithashtu, jemi përpjekur të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe t’u shërbejmë mirë vëllezërve. Po, jemi të vendosur që, për sa kohë të jetë vullneti i Jehovait, të bëhemi «çdo gjë për njerëz të çdo lloji».