A është e mençur të investoni në bursë?
«Një numër rekord njerëzish po investojnë tani në bursë.»—Newsweek, 5 korrik 1999.
PLATFORMA e një burse tradicionale i ngjan një tregu kaotik. Përdoren sinjale dore misterioze (për një të jashtëm), mbi teleshkrues elektronikë shfaqen mesazhe të koduara që ndryshojnë me një ritëm marramendës, ndërsa agjentët e bursës mbi platformë, ngrenë zërin në përpjekje që të dëgjohen mes furisë së aktivitetit.
Megjithatë, shumë njerëz, dikur të hutuar nga bursa, sot po investojnë në të. Përse? Një nga arsyet është se Interneti u ka dhënë mundësi investuesve që të sigurojnë në çast lajme financiare, këshilla lidhur me investimet dhe agjentë burse. Pol Farell, kryeredaktori i Wall Street News, shkruan: «Për [investitorët individualë], investimi nëpërmjet Internetit është një fushë e re, një vërshim i ri në kërkim të arit, liria për të vendosur ti vetë, me mundësinë për t’u bërë i pavarur financiarisht, ndërsa punon në shtëpi.»
Nga ana tjetër, disa këshillues për çështjet financiare alarmohen kur shohin se sa të etur janë shumë njerëz për të investuar në një treg, për të cilin mund të dinë shumë pak. Një tregtar investimesh me më shumë se 38 vjet përvojë në fushën e sigurimeve tha për Zgjohuni!: «Më shumë njerëz po blejnë paketa aksionesh në bursë si spekulues dhe jo si investues. Disa mund ta quajnë atë investim, por s’dinë asgjë rreth kompanisë [aksionet e së cilës] po blejnë dhe po shesin.»
Çfarë faktorësh duhet të peshoni para se të investoni paratë? Pasi në shitblerjen e aksioneve në bursë përfshihet një masë rreziku, a kemi të bëjmë me bixhoz? Së pari le të shqyrtojmë se si funksionon një bursë.
Të blesh një ‘pjesë të kapitalit’
Firmat kanë nevojë për kapital ose para të investuara, që të kenë aktivitetet të suksesshëm. Kur një firmë lulëzon dhe i duhet një sasi e madhe kapitali, pronari i saj mund të zgjedhë t’i ofrojë publikut pjesë të aksioneve të saj. Një manual burse e ilustron këtë gjë në këtë mënyrë: «Aksionet janë pjesë të kapitalit të një korporate. Kur ju blini aksione ose pjesë të kapitalit, bëheni pronarë të një pjese të firmës.»
Në një treg të hapur, blerësit dhe shitësit takohen dhe bëjnë tregti. Ngjashëm, bursa është një vend tregu për ata që blejnë dhe shesin aksione. Përpara zhvillimit të bursës, aksionet shiteshin e bliheshin nëpërmjet agjentëve tregtarë në kafene dhe anës rrugës. Shitja dhe blerja nën kurorën e një rrapi në Wall Street nr. 68, çoi në formimin e Bursës së Nju-Jorkut.a Sot, ka bursa në shumë vende. Në një ditë të caktuar biznesi, në çdo orë, ka një bursë të hapur diku në botë.
Për të shitur dhe blerë aksione, një investues hap zakonisht një llogari me një agjent burse dhe bën një kërkesë. Sot kërkesat për të shitur ose blerë aksione mund të bëhen nëpërmjet telefonit, Internetit ose personalisht. Më pas, agjenti i bursës duhet të plotësojë kërkesën në dobi të investuesit. Nëse aksioni shkëmbehet në një sallë tradicionale shitblerjeje, zyra e agjentëve të bursës udhëzon njërin prej agjentëve të saj në sallë që të blejë ose shesë aksione për investuesin. Vitet e fundit, disa bursa kanë adoptuar një sistem shitblerjeje krejtësisht elektronik, ku shkëmbimi mund të bëhet disa sekonda pasi agjenti i bursës të ketë paraqitur kërkesën. Atëherë, shitblerjet shënohen në kursin e bursës, pra, çmimet aktuale dhe hollësirat lidhur me shitblerjen tregohen në një teleshkrues elektronik.
Çmimi me të cilin blihen ose shiten aksionet, zakonisht përcaktohet nga ofertat konkurruese, si në një ankand. Lajmet lidhur me biznesin, fitimet e firmës dhe perspektivat e ardhshme të një kompanie, mund të ndikojnë të gjitha në çmimin e një aksioni. Investuesit shpresojnë t’i blejnë aksionet me një çmim të ulët dhe t’i shesin pjesët e tyre të kapitalit me fitim, pasi ato të rriten në vlerë. Gjithashtu, një pjesë e fitimeve të firmës mund të ndahet ndërmjet aksionarëve në mënyrë proporcionale. Disa njerëz blejnë aksione si një investim afatgjatë, të tjerë shesin e blejnë rregullisht aksione, duke shpresuar të përfitojnë nga çmimet e aksioneve që rriten në mënyrë dramatike brenda një kohe të shkurtër.
Ndërsa shitblerja e aksioneve është bërë tradicionalisht me anë të telefonit, shkëmbimi me anë të kompjuterit (duke blerë dhe shitur aksione nëpërmjet Internetit) po bëhet gjithnjë e më i përhapur. The Financial Post raporton se numri i shitblerjeve nëpërmjet Internetit në Shtetet e Bashkuara «u rrit nga rreth 100.000 në ditë në vitin 1996, në afërsisht 500.000 në ditë aty nga fundi i qershorit [1999], që do të thotë se rreth 16% e të gjitha shitblerjeve në Shtetet e Bashkuara u bënë në rrugë elektronike». Në Suedi, rreth 20 për qind e shitblerjes së aksioneve në tërësi në vitin 1999, u bë nëpërmjet Internetit.
Investo me mençuri
Lehtësia në dukje e shitblerjes së aksioneve nëpërmjet Internetit dhe sigurimi me lehtësi i informacioneve që më parë ishin të rezervuara për agjentët e bursës dhe shitblerësit profesionistë, ka nxitur shumë investues si individë, që të fillojnë shitblerjen ditore, pra, të merren gjithë kohën me shitje dhe blerje aksionesh. Disa kanë hequr dorë nga karriera fitimprurëse për t’u bërë shitblerës ditorë. Përse? «Joshja është e dukshme,—shpjegon gazeta Money.—S’ka pronarë, ke kontroll të plotë mbi atë se si dhe kur bën tregti, si edhe mundësi, ose të paktën kështu duket, për të bërë shumë para.» Një 35-vjeçar që la punën me 200.000 dollarë të ardhura në vit, për të shitur e blerë aksione në shtëpi citohet të ketë thënë: «A ka më mirë se të mos kesh mall stok, vartës, të mos paguash qira, por tap, tap, tap mbi një tastierë dhe siguron jetesën?»
Ekspertët paralajmërojnë se shitblerja e aksioneve nuk është dhe aq e lehtë sa mund t’i duket një investuesi të ri. Një psikiatër që specializohet për streset që vijnë nga marrja me tregti vëren: «Në mënyrë mashtruese shitblerja duket diçka e lehtë, por dua të them se është mënyra më e vështirë për të bërë para pa u munduar.» Lumi i pafund i të dhënave dhe i këshillave në fushën financiare, nuk është se s’ka pasur efekte anësore. Pol Farell i cituar më lart vëren: «Dyndja e pandalshme e informacioneve që vërshojnë me shpejtësi marramendëse drejt investuesve—si investuesit individual, dhe shitblerësit institucional—po ndikon shumë në aspektin psikologjik: nerva të shkatërruara, zhgënjime, stres.»
Besimi i tepërt mund të jetë edhe një grackë. Gazetarja për çështjet financiare Xhejn Briant Kuin paralajmëron për qëndrimet e rrezikshme që kanë shitblerësit: «Ti mendon se nëse je në krye të punës ose te mausi, nuk mund të ndodhin gjëra të këqija. Mendon se do të jesh në gjendje të ndërhysh gjithnjë në kohë.» Ajo shton: «Për shkak se mund të sigurojmë informacion që përdoret nga profesionistët, fillojmë të mendojmë se edhe ne jemi profesionistë.» Pavarësisht nga historitë mjaft të reklamuara për investues që janë bërë të pasur brenda ditës në bursë, shitblerja e aksioneve përmban në vetvete rreziqe. Disa investues kanë qenë shumë të suksesshëm. Të tjerë kanë pësuar humbje të konsiderueshme.
Këshilluesit në fushën e investimeve i nxitin investuesit e mundshëm që të shqyrtojnë informacionet lidhur me të kaluarën e një firme dhe perspektivat që ka ajo për të ardhmen, çfarë kërkesash ka për prodhimet e saj, konkurrencën nga firmat e tjera tregtare dhe disa faktorë të tjerë, përpara se të zgjedhin aksionet e një firme. Ky informacion shpesh mund të sigurohet nëpërmjet agjentëve të bursave dhe institucioneve të tjera financiare. Shumë investues konsultohen me planifikues financiarë përpara se të blejnë aksione.b Duke shqyrtuar të dhënat e një firme, një investues mund të sigurohet, gjithashtu, që paratë e tij nuk do të përdoren për të përkrahur ndonjë ndërmarrje jokorrekte.—Shih Zgjohuni!, 8 shkurt 1962, faqet 21-23, anglisht.
Një llotari e përbashkët?
Duke pasur parasysh rreziqet që ekzistojnë në një bursë, a do të thotë që të blesh aksione është njëlloj si të luash bixhoz? Një masë rreziku përfshihet pothuaj në të gjitha investimet financiare. Disa persona blejnë prona të patundshme, duke mos ditur nëse vlera e tyre do të rritet ose do të bjerë me kalimin e kohës. Të tjerë i depozitojnë paratë në një bankë duke besuar se kursimet e tyre do të jenë të sigurta. Ndërsa një bursë është më e komplikuar, me pak fjalë, një që investon në bursë, blen aksione të një kompanie me shpresën se aktiviteti i saj do të ketë sukses dhe aksionet do të rriten në vlerë.
Ky lloj investimi ndryshon nga bixhozi, sepse aksionari ka blerë pjesë të një kompanie. Këto aksione mund t’i shiten një personi tjetër ose mund të ruhen me shpresën për një rritje të vlerës së tyre në të ardhmen. Kjo nuk mund të thuhet në rastin kur një person i vë paratë në një kazino ose në një lojë fati. Në pritje të shansit, bixhozçiu përpiqet të parashikojë një rezultat të pasigurt dhe të fitojë shumat e atij ose atyre që humbin.
Deri në ç’masë duhet ta pranojë rrezikun një investues? Kjo i takon secilit individ ta vendosë. Natyrisht, nuk është e mençur që në një investim personi të rrezikojë më shumë para nga ç’është i gatshëm të humbë.
Një qëndrim i ekuilibruar ndaj parave
Me dëshirën për të siguruar plotësimin e nevojave të tyre aktuale dhe atyre në të ardhmen, disa kanë vendosur të investojnë në bursë. Motivi që na nxit për të marrë vendime të tilla financiare është diçka me rëndësi. Xhejn Briant Kuin e cituar më lart, pohon: «Zilia për pasurinë e rastësishme, mund të zhvillojë instinktet tona më të këqija si investues.» Këto fjalë duket se të sjellin ndër mend këshillën e dhënë në letrën shkruar një të riu gati 2.000 vjet më parë: «Kurse ata që janë të vendosur për të qenë të pasur bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.»—1 Timoteut 6:9, 10.
Mënyra si zgjedh një person t’i investojë paratë e tij është një vendim personal. I udhëhequr nga një mendje e shëndoshë dhe i kënaqur me gjërat e nevojshme të jetës, një investues bën mirë t’i mbajë interesat financiare në vendin e tyre dhe të mos lërë pas dore përgjegjësitë e tij a të saj familjare dhe nevojat frymore.
[Shënimet]
a Sot, termi «Wall Street» shpesh u referohet tregjeve financiare në përgjithësi.
b Jo çdo këshillë është e shëndoshë. Investuesit duhet të jenë të vetëdijshëm që një planifikues financiar ose një agjent burse mund të jetë thjesht duke u bërë reklamë të bujshme shërbimeve të tij ose ndoshta po manipulon klientin e tij për të përfituar.