Të rinjtë pyesin . . .
Si mund të afrohem më shumë me gjyshërit?
«Të dy gjyshërve të mi u pëlqen të tregojnë histori. Historitë e tyre më ndihmojnë për të kuptuar ndjenjat e mia.»—Xhoshua.
NJË herë e një kohë ishte e zakonshme që disa breza të një familjeje të jetonin afër njëri-tjetrit, shpesh, në të njëjtën shtëpi. Shoqërimi i ngushtë me gjyshërit ishte një mënyrë jetese.
Në ditët tona largësitë e mëdha mund t’i ndajnë të rinjtë nga gjyshërit e tyre. Për më tepër, një numër gjithnjë e më i madh familjesh po shkatërrohet nga divorci. The Toronto Star raportoi se «edhe gjyshërit mund të jenë viktima të divorcit e mund t’u ndalohet të shohin nipërit dhe mbesat e tyre të dashura». Në raste të tjera, problemi është se shumë të rinj kanë një pikëpamje negative për të moshuarit, duke i parë ata sikur s’marrin vesh nga bota, sikur kanë pikëpamje, vlera dhe interesa shumë të ndryshme nga të tyret. Cili është përfundimi? Shumë të rinj thjesht nuk janë aq të afruar me gjyshërit, sa mund të ishin.
Kjo është për të ardhur keq. Siç tregohej në një artikull të mëparshëm të kësaj serie, të kesh një marrëdhënie të ngushtë me gjyshërit—sidomos nëse ata i frikësohen Perëndisë—është e shëndetshme, e dobishme dhe e kënaqshme.a Një adoleshente që quhet Rebeka thotë për gjyshërit e saj: «Ne mund të qeshim gjithmonë bashkë.» Një i ri me emrin Piter, në mënyrë të ngjashme, thotë: «Nuk kam frikë për t’u treguar atyre se si ndihem ose cilat janë planet e mia. Ndonjëherë ndihem më i lirshëm me ta, sesa me prindërit. Mendoj se mund të flas me gjyshërit për çdo gjë.»
Po ti? Ndoshta kur ishe i vogël kishe një marrëdhënie të ngushtë me gjyshërit. Por tani që je një adoleshent—kohët e fundit ndoshta—nuk ke bërë shumë për ta zhvilluar marrëdhënien me ta. Nëse është kështu, mund të zbatohet fare mirë parimi i këshillës së Biblës te 2 Korintasve 6:11-13, domethënë të ‘zgjerohesh’ në përzemërsinë ndaj tyre. Pyetja është: Në ç’mënyrë?
Bëj hapin e parë
‘Zgjerimi’ përfshin të bësh hapin e parë. Në fund të fundit, Bibla thotë: «Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.» (Fjalët e urta 3:27) Kur ishe më i vogël mund të mos e kesh pasur mjaft «në dorë» për të bërë diçka rreth marrëdhënies me gjyshërit e tu. Por tani që je më i madh në moshë, ndoshta një i rritur, mund të zbulosh se ka disa hapa që vërtet mund të marrësh.
Për shembull, nëse gjyshërit e tu jetojnë afër teje mund ta bësh zakon t’i vizitosh rregullisht. A është e mërzitshme? Nëse vetëm ulesh dhe rri në heshtje të rëndë, ka mundësi. Prandaj fillo një bashkëbisedim. Për çfarë mund të bisedoni? Parimi i Biblës te Filipianëve 2:4 është i dobishëm. Ky parim thotë ‘të shohësh me interes personal jo vetëm çështjet e tua, por me interes personal edhe ato të të tjerëve’. Me fjalë të tjera, trego interes për gjyshërit e tu. Nxiti të flasin për gjërat që kanë për zemër. Si ndihen? Çfarë kanë bërë më përpara? Mund t’u pëlqejë të flasin për të kaluarën. Prandaj pyeti se si ka qenë jeta kur ishin të rinj. Ose, si ishin babai ose nëna jote kur ishin të vegjël? Nëse gjyshërit janë të krishterë, pyeti se çfarë i tërhoqi drejt të vërtetave të Biblës.
Gjyshërit shpesh janë si një magazinë e pasur me histori për të kaluarën e familjes dhe ndoshta janë më se të gatshëm të të kënaqin me histori magjepsëse. Vërtet, ndoshta mund të dëshirosh madje ta shndërrosh këtë kohë në një kohë të gëzueshme. Përpiqu t’i intervistosh gjyshërit, duke mbajtur shënime ose duke i regjistruar në audiokasetë a videokasetë. Nëse nuk je i sigurt për çfarë t’i pyesësh, kërko ndihmën e prindërve se si të bësh pyetje të përshtatshme. Mund të mësosh shumë gjëra që do të të ndihmojnë për të kuptuar më mirë gjyshërit e tu, prindërit, e madje veten tënde. «Të dy gjyshërve të mi u pëlqen të tregojnë histori,—tregon Xhoshua.—Historitë e tyre më ndihmojnë për të kuptuar ndjenjat e mia.»
Megjithatë, mos harro se gjyshërit janë shumë të interesuar edhe për jetën e veprimtaritë e tua. Kur u tregon se çfarë po bën, po i fton ata për të qenë pjesë e jetës sate. Kjo pa dyshim që do t’ju afrojë më shumë bashkë. Një i ri në Francë me emrin Igor thotë: «Mua dhe gjyshes na pëlqen të pimë çaj së bashku në ndonjë lokal dhe të bisedojmë për gjërat që secili prej nesh ka bërë kohët e fundit.»
Çfarë mund të bëjmë së bashku?
Pasi keni filluar të bisedoni bashkë, ndoshta mund të vazhdoni të bëni disa gjëra së bashku. Duke menduar që më përpara, mund të zbulosh të gjitha llojet e veprimtarive në të cilat mund të merrni pjesë me ta. Dara, një e re, kujton: «Të dy gjyshet e mia më kanë mësuar se si të gatuaj, të bëj konserva, të pjek bukë, të rris bimë dhe të merrem me kopshtari.» Emi bashkohet me gjyshërit e saj gjatë mbrëmjeve dhe pushimeve të familjes. Në varësi të moshës, disa gjyshër janë plot gjallëri. Aaronit i pëlqen të luajë golf me gjyshen e tij. Xhoshua bashkë me gjyshërit e tij merret me peshkim, si edhe punon për mirëmbajtjen e shtëpisë.
Nëse gjyshërit e tu janë adhurues të Jehovait, mund të jetë në mënyrë të veçantë e këndshme pjesëmarrja me ta në fusha të ndryshme të adhurimit të Jehovait, si për shembull, të flitni me të tjerët rreth Biblës. Igori bashkë me gjyshen e tij udhëtuan për në një kongres ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në Poloni. «Ishte një përvojë e paharrueshme, në të cilën mundëm të merrnim pjesë së bashku dhe ende na pëlqen të bisedojmë për të»,—thotë ai. Është e vërtetë se jo të gjithë gjyshërit janë në gjendje të lëvizin kaq shumë. Megjithatë, ia vlen të kalojmë kohë me ta.
Një trashëgimi frymore
Në kohët biblike një grua me emrin Loide luajti një rol të rëndësishëm në ndihmën që i dha nipit të saj Timoteut, për t’u bërë një njeri i shquar i Perëndisë. Nuk është për t’u habitur që shumë gjyshër të krishterë luajnë një rol të ngjashëm sot. Lidhur me gjyshërit e tij, Xhoshua thotë: «Vitet për të cilat ata i kanë shërbyer Jehovait janë më të shumta se vitet e jetës sime, kështu që kam një respekt të thellë për ta, jo vetëm si gjyshër, por edhe si mbajtës të integritetit.» Emi thotë: «Gjyshërit më thonë gjithmonë se sa shumë marrin zemër dhe se ndihen të lumtur tek më shohin duke i shërbyer Jehovait me besnikëri. Sidoqoftë, shembulli i tyre i shkëlqyer dhe zelli që tregojnë për Jehovain si pionierë [ungjillëzues në kohë të plotë] më kanë nxitur për të vazhduar në shërbimin tim si pioniere.»
Krisi e quan gjyshen e tij «personi që më nxiti më shumë për të studiuar dhe për të ecur drejt pjekurisë». Ai shton: «Nuk do ta harroj kurrë thënien e saj se ‘për Jehovain duhet të bëjmë më të mirën tonë’.» Gjyshërit e Pedros kanë luajtur një rol mjaft të madh në rritjen e tij frymore. Ai thotë: «Përvoja e tyre më ka ndihmuar shumë. Gjyshërit më merrnin gjithmonë në veprën e predikimit dhe këtë e vlerësoj shumë.» Po, të afrohesh më shumë me gjyshër që i frikësohen Perëndisë mund të të ndihmojë për t’i shërbyer atij më plotësisht.
Gjyshërit që jetojnë larg
Po sikur gjyshërit e tu të jetojnë shumë larg? Nëse është e mundur, përpiquni t’i vizitoni rregullisht. Në kohën mes vizitave bëni atë që keni mundësi për të ruajtur komunimikimin. Ornani i takon gjyshërit vetëm tri herë në vit, por ai thotë: «I marr në telefon çdo të diel.» Dara, e cila po ashtu jeton shumë larg gjyshërve të saj, thotë: «Ata interesohen për jetën time dhe i telefonojmë ose i dërgojmë postë elektronike njëri-tjetrit gati çdo javë.» Posta elektronike dhe telefonatat kanë vendin e tyre, por mos e nënvlerësoni fuqinë e një letre të zakonshme të shkruar me dorë. Shumë të rinj habiten kur zbulojnë se gjyshërit e tyre i kanë ruajtur të gjitha letrat që ata u kanë shkruar që nga fëmijëria. Letrat mund të lexohen e të rilexohen, si edhe të ruhen si diçka e dashur. Prandaj, sigurohu që t’u shkruash!
Gjyshërit shpesh kanë një dashuri të veçantë për nipërit e mbesat. (Fjalët e urta 17:6) Ka shumë mënyra për të ndërtuar dhe për të ruajtur një marrëdhënie të ngushtë me gjyshërit, pavarësisht nëse jetojnë afër ose larg. Prandaj, përpiquni!
[Shënimi]
a Shiko artikullin «Të rinjtë pyesin. . . Përse duhet t’i njoh gjyshërit?» në numrin e 22 prillit, 2001 (anglisht).