Libri biblik numër 15—Ezdra
Shkrimtari: Ezdra
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: rr. 460 p.e.s.
Periudha përkatëse: 537 p.e.s.–rr. 467 p.e.s.
1. Cilat profeci jepnin siguri se Jerusalemi do të rivendosej?
SHKRETIMIT të profetizuar 70-vjeçar të Jerusalemit nga Babilonia, po i afrohej fundi. Vërtet Babilonia njihej si një komb që nuk i lironte kurrë robërit, por fjala e Jehovait do të dilte më e fortë se fuqia babilonase. Po afrohej çlirimi i popullit të Jehovait. Tempulli i Jehovait, që ishte shkatërruar, do të rindërtohej dhe në altarin e Jehovait do të bëheshin përsëri flijime shlyerjeje. Në Jerusalem do të dëgjoheshin përsëri britmat dhe lavdërimet e adhuruesve të vërtetë të Jehovait. Jeremia kishte profetizuar se sa do të zgjaste ky shkretim, kurse Isaia kishte profetizuar si do të ndodhte çlirimi i robërve. Madje Isaia kishte përmendur Kirin e Persisë si ‘bariun e Jehovait’, që do ta rrëzonte Babiloninë fodulle nga pozita e saj si fuqia e tretë botërore në historinë biblike.—Isa. 44:28; 45:1, 2; Jer. 25:12.
2. Kur dhe në ç’rrethana ra Babilonia?
2 Shkatërrimi i Babilonisë erdhi natën e 5 tetorit të vitit 539 p.e.s. (sipas kalendarit gregorian), teksa Belshazari, mbreti i Babilonisë, bashkë me parinë e vendit po ngrinin dolli për perënditë e tyre demonike. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo shthurje pagane, ata po përdornin enët e shenjta që ishin marrë nga tempulli i Jehovait, si kupa për të pirë e për t’u dehur! Ishte shumë e përshtatshme që, atë natë, Kiri të ndodhej jashtë mureve të Babilonisë për të përmbushur profecinë!
3. Cila thirrje e Kirit bëri të mundur rivendosjen e adhurimit të Jehovait pikërisht 70 vjet pasi kishte nisur shkretimi i Jerusalemit?
3 Viti 539 p.e.s. është një datë kyçe, pasi përkon si me historinë botërore, ashtu edhe me atë biblike. Gjatë vitit të parë të tij si sundimtar i Babilonisë, Kiri «nxori në gjithë mbretërinë e tij një thirrje», nëpërmjet së cilës i autorizonte judenjtë të shkonin në Jerusalem për të rindërtuar shtëpinë e Jehovait. Me sa duket, ky dekret doli në fund të vitit 538 p.e.s. ose në fillim të vitit 537 p.e.s.a Një mbetje besnike udhëtoi për në Jerusalem, në kohën e duhur për të ngritur altarin dhe për të paraqitur flijimet e para ‘muajin e shtatë’ (tishri, që përkon me periudhën shtator-tetor) të vitit 537 p.e.s., pikërisht 70 vjet nga muaji në të cilin Nabukodonosori shkretoi Judën dhe Jerusalemin.—Ezd. 1:1-3; 3:1-6.
4. (a) Cili është konteksti i ngjarjeve të librit të Ezdrës dhe kush e shkroi? (b) Kur u shkrua libri i Ezdrës dhe ç’periudhë përfshin?
4 Rivendosja! Kjo është tema e librit të Ezdrës. Nga kapitulli 7, vargu 27, deri në kapitullin 9 vargu 15, ngjarjet tregohen në vetën e parë njëjës, dhe kjo tregon qartë se shkrimtari ishte Ezdra. Si «kopist i zoti i ligjit të Moisiut» dhe njeri me besim të vërtetë, që «e kishte përgatitur zemrën e tij për t’u këshilluar me ligjin e Jehovait, për ta zbatuar atë dhe për të mësuar në Izrael», Ezdra ishte më se i kualifikuar për të dokumentuar këtë histori, ashtu siç kishte dokumentuar librat e Kronikave. (Ezd. 7:6, 10) Meqë libri i Ezdrës është vazhdim i Kronikave, në përgjithësi mendohet se u shkrua në të njëjtën kohë, rreth vitit 460 p.e.s. Përfshin 70 vjet, që nga koha kur judenjtë ishin një komb i shkatërruar e i shpërndarë, i damkosur si «ata që i pret vdekja», deri në kohën e përfundimit të tempullit të dytë dhe pastrimit të priftërisë, pas kthimit të Ezdrës në Jerusalem.—Ezd. 1:1; 7:7; 10:17; Psal. 102:20.
5. Ç’lidhje ka libri i Ezdrës me atë të Nehemisë dhe në cilat gjuhë u shkrua?
5 Emri hebraik Ezdra do të thotë «Ndihmë». Fillimisht, librat e Ezdrës dhe të Nehemisë ishin një rrotull e vetme. (Neh. 3:32, shënimi te Bibla me referime, anglisht)b Më vonë, judenjtë e ndanë këtë rrotull në dy pjesë dhe i quajtën libri i parë i Ezdrës dhe libri i dytë i Ezdrës. Biblat e sotme hebraike i quajnë dy librat Ezdra dhe Nehemia, siç bëjnë edhe Biblat e tjera. Një pjesë e librit të Ezdrës (4:8 deri 6:18 dhe 7:12-26) u shkrua në gjuhën aramaike, kurse pjesa tjetër në hebraisht, meqë Ezdra ishte shumë i zoti në të dyja gjuhët.
6. Ç’dëshmi kemi për saktësinë e librit të Ezdrës?
6 Sot, pjesa më e madhe e studiuesve e pranojnë që libri i Ezdrës është i saktë. Lidhur me faktin që libri i Ezdrës është një libër kanunor, U. F. Ollbrajti në një vepër të tij shkruan: «Të dhënat arkeologjike kanë provuar përtej çdo dyshimi vërtetësinë thelbësore të librave të Jeremisë dhe të Ezekielit, të Ezdrës dhe të Nehemisë; ato kanë vërtetuar tablonë e pranuar tradicionalisht të zhvillimit të ngjarjeve, si edhe radhën në të cilën janë zhvilluar.»—The Bible After Twenty Years of Achaeology.
7. Si ka treguar libri i Ezdrës se është vërtet pjesë e tekstit hyjnor?
7 Ndonëse shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke mund të mos kenë cituar drejtpërdrejt ose t’i jenë referuar librit të Ezdrës, nuk ka dyshim për vendin që zë ai në kanunin e Biblës. Në këtë libër gjejmë të dhëna për mënyrën si ka vepruar Jehovai me judenjtë deri në kohën e grupimit të shkrimeve hebraike që, sipas traditës judaike, u bë kryesisht nga Ezdra. Për më tepër, libri i Ezdrës vërteton saktësinë e gjithë profecive të rivendosjes, duke treguar kështu se është vërtet pjesë përbërëse e tekstit hyjnor, me të cilin është krejtësisht në përputhje. Veç kësaj, ngre lart adhurimin e vërtetë dhe shenjtëron emrin e madh të Perëndisë Jehova.
PËRMBAJTJA E EZDRËS
8. Përshkruaj zinxhirin e ngjarjeve që çojnë deri në mbarim të 70 viteve të shkretimit.
8 Një mbetje kthehet (1:1–3:6). Jehovai zgjon frymën e mbretit të Persisë, Kirit, i cili nxjerr një dekret që u lejon judenjve të kthehen në Jerusalem e të ndërtojnë atje shtëpinë e Jehovait. Ai i nxit judenjtë që duan të qëndrojnë në Babiloni të kontribuojnë lirisht për këtë projekt dhe, nga ana tjetër, sigurohet që judenjtë që do të kthehen, të marrin me vete enët që i përkitnin tempullit fillestar. Zorobabeli (Sheshbazari), një udhëheqës nga fisi mbretëror i Judës dhe pasardhës i mbretit David, emërohet si guvernator për të drejtuar të çliruarit, kurse kryeprift është Jeshuai (Josiu). (Ezd. 1:8; 5:2; Zak. 3:1) Kështu, një mbetje shërbëtorësh besnikë, që mund të ketë arritur deri në 200.000 veta, përfshirë burra, gra e fëmijë, nisin udhëtimin e gjatë. Aty nga muaji i shtatë, sipas kalendarit judaik, ata vendosen në qytetet e tyre dhe më pas, mblidhen në Jerusalem që të paraqitin flijime në vendin ku gjendej altari i tempullit dhe që të kremtojnë festën e Kasolleve në vjeshtën e vitit 537 p.e.s. Kështu, shkretimi 70-vjeçar përfundon tamam në kohë!c
9. Si fillon puna për ndërtimin e tempullit, por çfarë ndodh në vitet e mëpasshme?
9 Rindërtohet tempulli (3:7–6:22). Fillimisht mblidhen materialet dhe, vitin e dytë të kthimit të tyre, hidhen themelet e tempullit të Jehovait mes britmave të gëzimit e të qarave të pleqve që kishin parë tempullin e mëparshëm. Popujt fqinj, kundërshtarët, kërkojnë që të ndihmojnë për punën e ndërtimit duke thënë se kërkojnë të njëjtin Perëndi, mirëpo mbetja e judenjve refuzon prerazi çdo aleancë me ta. Që nga koha e mbretërimit të Kirit e deri në atë të Darit, kundërshtarët përpiqen vazhdimisht t’i dobësojnë e t’i shkurajojnë judenjtë që puna e tyre të dështojë. Së fundi, në kohën e «Artakserksit» (Bardijai ose ndoshta një magjistar i njohur si Gaumata, 522 p.e.s.), ata arrijnë ta ndalin me forcë punën me anë të një urdhri të dalë nga mbreti. Ky ndalim zgjat «deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, mbretit të Persisë» (520 p.e.s.), pra më shumë se 15 vjet nga hedhja e themeleve.—4:4-7, 24.
10. (a) Si ndërthuret inkurajimi i profetëve të Perëndisë me urdhrin e mbretit për të përfunduar punën? (b) Ç’gëzim e karakterizon kushtimin e këtij tempulli të dytë?
10 Prandaj, Jehovai dërgon profetët e tij, Hageun dhe Zakarinë, që të ngrenë Zorobabelin dhe Josiun, e kështu puna e ndërtimit rinis me zell të përtërirë. Kundërshtarët ankohen sërish para mbretit, por puna shkon përpara me forcë të pandalshme. Pasi citon dekretin origjinal të Kirit, Dari I (Histaspi) jep urdhër që puna të vazhdojë pa ndërprerje, madje i urdhëron kundërshtarët që të furnizojnë me materiale ndërtuesit dhe të përshpejtohet ndërtimi. Të inkurajuar vazhdimisht nga profetët e Jehovait, ndërtuesit e mbarojnë tempullin në më pak se pesë vjet. Kjo ndodh në muajin adar të vitit të gjashtë të mbretërimit të Darit, ose aty nga pranvera e vitit 515 p.e.s., dhe gjithë puna e ndërtimit zgjat pothuajse 20 vjet. (6:14, 15) Tani, shtëpia e Perëndisë përurohet me gëzim të madh e me flijime të përshtatshme. Pastaj, populli kremton Pashkën dhe ‘vazhdon të kremtojë me gëzim festën e kuleçve të ndormë për shtatë ditë’. (6:22) Po, gëzimi e hareja karakterizojnë kushtimin e këtij tempulli të dytë në lavdi të Jehovait.
11. Si ia plotëson mbreti Ezdrës «të gjitha kërkesat» dhe si reagon Ezdra?
11 Ezdra kthehet në Jerusalem (7:1–8:36). Kalojnë pothuajse 50 vjet dhe tani jemi në vitin 468 p.e.s., viti i shtatë i mbretit pers Artakserks (i njohur edhe si Dorëgjati, për shkak se dorën e djathtë e kishte më të gjatë se të majtën). Mbreti ia plotëson Ezdrës, që ishte një kopist i zoti, «të gjitha kërkesat» në lidhje me një udhëtim për në Jerusalem, ku kishte shumë nevojë për ndihmë. (7:6) Kur autorizon Ezdrën për këtë punë, mbreti i nxit judenjtë të shkojnë bashkë me të dhe i jep Ezdrës enë prej ari e argjendi që t’i përdorin në tempull, si dhe furnizime me grurë, verë, vaj e kripë. Ai i përjashton priftërinjtë dhe punonjësit e tempullit nga pagimi i taksave. Prifti i vesh Ezdrës përgjegjësinë për të mësuar popullin dhe shpall se, kushdo që nuk zbaton ligjin e Jehovait e të mbretit, do të dënohet me vdekje. Mirënjohës për dashamirësinë që Jehovai shfaq me anë të mbretit, Ezdra i futet menjëherë punës.
12. Si tregon Jehovai që është me grupin e Ezdrës gjatë rrugëtimit?
12 Në këtë pikë, Ezdra nis të tregojë një histori që e ka përjetuar personalisht, duke shkruar në vetën e parë. Ai mbledh në lumin Ahava judenjtë që do të ktheheshin, për t’u dhënë udhëzimet e fundit, dhe grupit prej rreth 1.500 burrash që tashmë janë mbledhur, i shton edhe ca levitë. Ezdra është i vetëdijshëm për rreziqet e udhëtimit që do të ndërmarrë, megjithatë nuk i kërkon mbretit ushtarë për ta shoqëruar që kjo të mos merret si mungesë besimi te Jehovai. Në vend të kësaj, shpall një agjërim dhe drejton kampin në një përgjërim që i bëjnë Perëndisë. Lutja merr përgjigje dhe dora e Jehovait është me ta në gjithë atë rrugëtim të gjatë. Kështu, ata ia dalin pa asnjë problem të çojnë thesaret (që me vlerën e sotme do të ishin më shumë se 43.000.000 dollarë) në shtëpinë e Jehovait në Jerusalem.—8:26, 27 dhe shënimet te Bibla me referime, anglisht.
13. Ç’bën Ezdra për të larguar papastërtinë nga judenjtë?
13 Pastrimi i priftërisë (9:1–10:44). Gjithsesi, jo gjithçka shkon vaj gjatë këtyre 69 viteve të rivendosjes në vend. Ezdra merr vesh disa zhvillime shqetësuese: populli, priftërinjtë dhe levitët kanë lidhur martesa me kananitët paganë. Kjo e trondit Ezdrën besnik. Ai ia shtron çështjen në lutje Jehovait. Populli rrëfen keqbërjet e veta dhe i kërkon Ezdrës ‘të jetë i fortë e të veprojë’. (10:4) Ai i detyron judenjtë të largojnë gratë e huaja që kishin marrë në mosbindje të ligjit të Perëndisë, e kështu papastërtia hiqet brenda pothuajse tre muajve.—10:10-12, 16, 17.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
14. Ç’tregon libri i Ezdrës për profecitë e Jehovait?
14 Libri i Ezdrës është i dobishëm, në radhë të parë, sepse tregon saktësinë e pagabueshme me të cilën përmbushen profecitë e Jehovait. Jeremia që kishte parathënë me kaq saktësi shkretimin e Jerusalemit, kishte parathënë edhe rivendosjen pas 70 vjetësh. (Jer. 29:10) Pikërisht në kohën e duhur, Jehovai tregoi dashamirësinë e tij dhe e çoi përsëri në Tokën e Premtuar popullin e vet, një mbetje besnike, që të vazhdonte adhurimin e vërtetë.
15. (a) Si e përmbushi tempulli i restauruar qëllimin e Jehovait? (b) Në ç’aspekte nuk e kishte lavdinë e tempullit të parë?
15 Tempulli i rindërtuar e lartësoi përsëri adhurimin e Jehovait mes popullit të tij dhe shërbeu si dëshmi se, me mëshirë e në mënyrë të mrekullueshme, i bekon ata që kthehen tek ai me dëshirën për të vazhduar adhurimin e vërtetë. Edhe pse s’kishte lavdinë e tempullit të Solomonit, ky tempull e përmbushi qëllimin e vet në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Shkëlqimi fizik që kishte njëherë e një kohë, ishte venitur. Çalonte edhe nga pikëpamja e thesareve frymore, pasi mungonte, ndër të tjera, arka e besëlidhjes.d As përurimi i këtij tempulli nga Zorobabeli nuk krahasohej me përurimin e tempullit në kohën e Solomonit. Flijimet në gjedhë e dhen s’ishin as një për qind e flijimeve që u bënë në tempullin e Solomonit. Këtë shtëpi të dytë as e mbushi lavdia në formën e një reje, siç kishte ndodhur me të parën, as zbriti në të ndonjë zjarr nga Jehovai që të përpinte blatimet e djegura. Megjithatë, të dy tempujt e përmbushën qëllimin e rëndësishëm të lartësimit të adhurimit të Jehovait, Perëndisë së vërtetë.
16. Cili tempull e tejkalon lavdinë e tempujve tokësorë?
16 Tempulli që ndërtoi Zorobabeli, tabernakulli që ndërtoi Moisiu dhe tempujt që ndërtuan Solomoni e Herodi, bashkë me aspektet e tyre të ndryshme, ishin simbolikë, pra paraqitnin diçka tjetër. Paraqitnin ‘tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Jehovai e jo njeriu’. (Hebr. 8:2) Ky tempull frymor është masa për t’iu afruar Jehovait në adhurim, në bazë të flijimit pajtues të Krishtit. (Hebr. 9:2-10, 23) Tempulli i madh frymor i Jehovait ka një lavdi shumë më të madhe dhe një bukuri e vlerë të pashoqe; shkëlqimi i tij nuk do të venitet kurrë dhe tejkalon çdo strukturë fizike.
17. Ç’mësime me vlerë gjejmë në librin e Ezdrës?
17 Libri i Ezdrës përmban mësime me vlerë të jashtëzakonshme për të krishterët sot. Aty lexojmë se populli i Jehovait bënte blatime vullnetare për ndërtimin e shtëpisë së tij. (Ezd. 2:68; 2 Kor. 9:7) Marrim zemër kur lexojmë se Jehovai siguronte asamble të shumta që shërbenin për t’i dhënë lavdi atij dhe se ato kishin bekimin e tij. (Ezd. 6:16, 22) Shohim një shembull të shkëlqyer te nethinimët dhe te të huajt e tjerë besimtarë që shkuan bashkë me mbetjen për të mbështetur me gjithë zemër adhurimin e Jehovait. (2:43, 55) Të mendojmë edhe për pendimin që shfaqi me përulësi populli, kur iu shpjegua se kishin vepruar gabim duke lidhur martesa me fqinjët e tyre paganë. (10:2-4) Për shkak të shoqërisë së keqe humbën miratimin e Perëndisë. (9:14, 15) Zelli dhe gëzimi për veprën e tij, solli miratimin dhe bekimin e tij.—6:14, 21, 22.
18. Përse rivendosja e popullit të Jehovait ishte një hap i rëndësishëm drejt shfaqjes së Mesisë, Mbretit?
18 Edhe pse në fronin e Jehovait në Jerusalem nuk ulej më asnjë mbret, rivendosja ngjalli shpresën se, në kohën e duhur, Jehovai do të sillte Mbretin e premtuar nga linja e Davidit. Tani kombi i rivendosur ishte në gjendje t’i ruante thëniet e shenjta dhe adhurimin e Perëndisë deri në kohën kur të shfaqej Mesia. Sikur kjo mbetje të mos ishte përgjigjur me besim e të mos ishte kthyer në vend, cilëve do t’u ishte shfaqur Mesia? Vërtet, ngjarjet në librin e Ezdrës janë pjesë e rëndësishme e historisë që çon deri në shfaqjen e Mesisë, Mbretit! Për ne sot është shumë e dobishme ta studiojmë këtë libër.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 452-454, 458, anglisht.
b Në Biblën me referime, anglisht, shënimi në këtë varg thotë: «Në tekstin masoretik hebraik, anash këtij vargu, gjendet e shkruar shprehja hebraike ‘gjysma e librit’, që tregon se ky është vargu i mesit i 685 vargjeve në hebraisht të librave të Ezdrës dhe Nehemisë të marrë së bashku, dhe se në tekstin masoretik hebraik këta të dy ishin një libër i vetëm.»
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 332, anglisht.
d Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 1079, anglisht.