Bibla—A është e frymëzuar nga Perëndia?
1, 2. Përse shumica e nderon Biblën dhe çfarë deklarojnë shkrimtarët e saj?
THE New Encyclopœdia Britannica e quan Biblën «përmbledhjen e librave, që me sa duket, ka ndikimin më të madh në historinë njerëzore.» Shumica e vlerëson shumë Biblën, për shkak të vjetërsisë së saj—disa pjesë janë shkruar para 3.500 vjetësh. Megjithatë, këshillat e saj praktike dhe aktuale, janë një nga shkaqet për të cilat janë shpërndarë mbi tre miliardë kopje dhe që është përkthyer e tëra apo disa pjesë, në gati dy mijë gjuhë, duke e bërë atë librin më të shitur të të gjitha kohërave.
2 Përveç këtyre faktorëve, të cilët ngjallin të gjithë respekt për Biblën, ka edhe një karakteristikë tjetër që e ka bërë atë kaq ndikuese dhe tërheqëse gjatë shekujve—pohimi i saj se është zbulim i frymëzuar i Perëndisë së Gjithëfuqishëm. Moisiu, që përpiloi Torën (pesë librat e parë të Biblës), «shkroi» gjithçka që i tha Perëndia, duke përfshirë edhe raportin mbi krijimin, dëshminë e Përmbytjes së ditëve të Noesë, historinë e Abrahamit dhe vetë qëndrimin e Moisiut ndaj Perëndisë. (Të Dalët 24:3, 4) Mbreti David tha: «Fryma e ZOTIT ka folur përmes meje, lajmi i tij është në gjuhën time.» (2. Samuelit 23:2) Edhe shkrimtarë të tjerë biblikë bënë pohime të ngjashme se udhëhiqeshin prej Perëndisë. Të gjitha këto shkrime së bashku, përbëjnë shpjegimin që i bën vetë Perëndia historisë—domethënien dhe interpretimin e saj të vërtetë dhe rezultatin e saj përfundimtar. Shkrimtarët e ndryshëm të Shkrimeve—mbretërit, punëtorët me mëditje, priftërinjtë dhe të tjerë—kanë vepruar të gjithë si sekretarë, duke shënuar mendimet e Perëndisë, Autorit të Biblës dhe Garantuesit të premtimeve të saj.
3. Si tregohet se besimi tek Perëndia dhe besimi tek shkenca nuk janë të papajtueshëm?
3 Pasi Bibla pohon autorësinë e saj hyjnore, ndoshta pyetja më e rëndësishme për shumicën lidhet me vetë ekzistencën e Autorit të saj. Shumë veta e refuzojnë hapur ekzistencën e Perëndisë. Të tjerët, nën ndikimin e asaj se të gjithë njerëzit inteligjentë e kanë refuzuar idenë e Perëndisë dhe të besimit në Bibël, pyesin: «Përse shkencëtarët nuk besojnë tek Perëndia?» A është me të vërtetë i drejtë ky ndikim? Një artikull i revistës New Scientist shkruante se «pikëpamja, sipas së cilës zakonisht pritet nga shkencëtarët që të jenë pabesimtarë . . . është jashtëzakonisht e gabuar.»2 I njëjti artikull raporton se shqyrtime të rastësishme nëpër universitete, institucione kërkimi dhe laboratorë industrialë, tregojnë se «ndër dhjetë shkencëtarë, tetë ndjekin një besim fetar dhe kritere sjelljeje që janë ‘jo-shkencore’ .» Prandaj, s’mund të thuhet saktësisht se besimi është në papajtueshmëri me shkencën apo shkencëtarët.—Shiko kutinë, faqe 4-5.
A ka prova se është e frymëzuar?
4. Cilat të vërteta shkencore u përmendën para mijëra vjetëve në Bibël?
4 Kur dikush arrin përfundim se ka dëshmi bindëse të ekzistencës së një Krijuesi, mbetet përsëri pyetja se a ka frymëzuar ai njerëz për të shënuar në Bibël mendimet dhe qëllimet e veta. Ka shumë shkaqe për të qenë të sigurt se është kështu, një prej të cilave është saktësia e saj shkencore. (Shiko kutinë, faqe 6.) Për shembull, më tepër se 3.000 vjet më parë, Jobi tha se Perëndia «e ka varur tokën në asgjë.» (Jobi 26:7, JP) Para rreth 2.700 vjetësh, profeti Isaia konstatoi se Perëndia «ulet mbi rrethin tokësor.» (Isaia 40:22, JP) Por, si kanë mundur t’i dinë Jobi dhe Isaia këto të vërteta themelore shkencore, se toka rri pezull në hapësirë dhe se është sferë? Ndoshta sot, ato janë shumë të njohura, por në kohën kur u bënë këto deklarata, nocione të tilla as që ishin dëgjuar. A nuk është zbulimi hyjnor, shpjegimi më i logjikshëm?
5, 6. Cilat profeci të plotësuara dëshmojnë se shkrimtarët e Biblës ishin të frymëzuar nga Perëndia?
5 Profecia, që në fakt është histori e shkruar para se të ndodhë, është ndoshta, karakteristika kryesore e Biblës që vërteton pohimin e saj se është e frymëzuar nga Perëndia. Për shembull, profeti Isaia paratha jo vetëm se Jeruzalemi do të shkatërrohej nga babilonasit dhe se i gjithë kombi hebrej do të zihej rob, por edhe se në një kohë të caktuar gjenerali persian Kiri, do ta pushtonte Babiloninë dhe do t’i lironte hebrenjtë nga robëria. (Isaia 13:17-19; 44:27–45:1) A mund të marrësh me mend ndonjë mënyrë tjetër, përveç frymëzimit hyjnor, me të cilën një njeri do të mund të parashikonte me sukses, 200 vjet më parë, lindjen e Kirit, emrin e tij dhe se ç’do të bënte saktësisht ai? (Shiko kutinë, faqe 17.)
6 Disa nga profecitë më habitëse u shënuan nga Danieli, profet që jetoi në shekullin e gjashtë p.e.s. Ai, jo vetëm që paratha rënien e Babilonisë nga mediasit dhe persët, por paratha edhe ngjarje shumë më të vona nga koha e tij, ngjarje të një të ardhmeje të largët. Për shembull, profecia e Danielit paratha ngritjen e Greqisë si perandori botërore nën Aleksandrin e Madh (336-323 p.e.s.), ndarjen e perandorisë së Aleksandrit ndërmjet katër gjeneralëve, pas vdekjes së tij të parakohshme dhe ngritjen e Perandorisë Romake, me fuqinë e saj të frikshme ushtarake (shekulli i parë p.e.s.). (Danieli 7:6; 8:21, 22) Të gjitha këto ngjarje tani janë fakte të pakundërshtueshme historike.
7, 8. (a) Çfarë akuzash kanë bërë disa mbi profecitë e Biblës? (b) Si provohet se akuza mbi mashtrimin është e pabazë?
7 Pasi profecitë biblike kanë qenë kaq të sakta, kritikët i kanë përcaktuar ato si mashtrime, pra, histori të shkruara pasi ka ndodhur fakti dhe të maskuara si profeci. Por, si mund të pohojë një njeri me arsye, se priftërinjtë hebrenj do të guxonin të trillonin një profeci? Dhe përse do të trillonin profeci që përmbanin kritikat më të ashpra që mund të merren me mend kundër vetvetes? (Isaia 56:10, 11; Jeremia 8:10; Zefania 3:4) Përveç kësaj, si është e mundur që një komb i tërë i mësuar, i përgatitur dhe i edukuar me Biblën si shkrim i shenjtë, të mashtrohej nga një gënjeshtër e tillë?—Ligji i përtërirë 6:4-9.
8 Si mund të bëhet fjalë për ndonjë mashtrim në lidhje me zhdukjen e qytetërimeve të tëra, si Edoma dhe Babilonia, kur këto ngjarje ndodhën shumë shekuj pas përfundimit të Shkrimeve Hebreje? (Isaia 13:20-22; Jeremia 49:17, 18) Edhe nëse dikush mbështet se këto profeci nuk u shkruan në kohën e vetë profetëve, ato gjithsesi janë shkruar para shekullit të tretë p.e.s., sepse pikërisht atëherë ato po përktheheshin në greqisht, në Septuaginta. Po ashtu, Rrotullat e Detit të vdekur (që përfshijnë pjesë të të gjithë librave profetikë të Biblës) datojnë nga shekulli i dytë dhe i parë p.e.s. Siç u përmend, shumë profeci u plotësuan vetëm pas këtyre datave.
A është Bibla plot me kontradikta?
9-12. (a) Përse disa thonë se Bibla është kontradiktore? (b) Si janë zgjidhur disa «kontradikta»?
9 Por disa kundërshtojnë: «Bibla është plot kontradikta dhe mospajtime.» Shpeshherë, ata që pohojnë kështu nuk e kanë shqyrtuar vetë çështjen, por vetëm sa kanë dëgjuar nga të tjerët një apo dy shembuj të supozuar. Në realitet, pjesa më e madhe e këtyre të ashtuquajturave mospajtime, mund të zgjidhet lehtë nëse kujtojmë se shpesh shkrimtarët e Biblës e kanë përmbledhur temën e tyre në pak fjalë. Një shembull i tillë gjendet në raportin e krijimit. Duke krahasuar Zanafillën 1:1, 3 me Zanafillën 1:14-16, shumica pyet se si është e mundur që Perëndia «bëri» trupat ndriçues në ditën e katërt të krijimit, kur drita—që natyrisht vjen nga po këta trupa—erdhi në ditën e parë të krijimit. Në këtë rast, shkrimtari hebre ka mënjanuar nevojën e shpjegimeve të gjata, përmes një zgjedhjeje të kujdesshme të fjalëve. Vërej se vargjet 14-16 flasin për «bërjen» në kontrast me «krijimin» e Zanafillës 1:1 dhe për «ndriçues» në kontrast me «dritën» e Zanafillës 1:3. Kjo tregon, se në ditën e katërt të krijimit dielli dhe hëna, që ekzistonin qysh më parë, u bënë të dukshëm në mënyrë të qartë përmes atmosferës së dendur të tokës.a
10 Lista gjenealogjike ka shkaktuar, gjithashtu, pak pështjellim. Për shembull, Ezdra ka shënuar 23 emra në gjenealogjinë e vet priftërore në 1. Kronikat 5:29-40 (1Kr 6:3-14, NW), por kur ka dhënë gjenealogjinë e vet tek Ezdra 7:1-5, ka shënuar vetëm 16 emra për të njëjtën periudhë. Ky nuk është mospajtim, por një përmbledhje e thjeshtë. Përveç kësaj, sipas synimit për të cilin shkrimtari e tregonte ngjarjen, ai ngrinte, zvogëlonte, përfshinte apo linte jashtë, hollësira që një shkrimtar tjetër i Biblës, duke treguar të njëjtën ngjarje, i shprehte në mënyra të ndryshme. Këto nuk janë kontradikta, përkundrazi, janë raporte të ndryshme që pasqyrojnë pikëpamjen e shkrimtarit dhe llojin e dëgjuesve që u drejtoheshin.b
11 Shpeshherë, për të zgjidhur kontradiktat në dukje, mjafton të shikojmë kontekstin. Për shembull, pyetja: «Ku e gjeti Kaini gruan?» dëgjohet shpesh dhe nënvizon besimin se kjo zbulon mospërputhjen e tregimit biblik. Supozohet se Adami dhe Eva patën vetëm dy djem, Kainin dhe Abelin. Vështirësia mund të zgjidhet lehtë nëse vazhdojmë leximin më tutje. Zanafilla 5:4 thotë: «Pas lindjes së Setit, Adami jetoi 800 vjet dhe i lindën djem e vajza.» Andaj, Kaini është martuar me një nga motrat apo ndoshta mbesat e veta, gjë që do të ishte në harmoni të plotë me qëllimin fillestar të Perëndisë për zgjerimin e racës njerëzore.—Zanafilla 1:28.
12 Është e dukshme se shumë hollësira të historisë njerëzore nuk janë shënuar si pjesë e Shkrimit hyjnor. Por, si për ata që e kanë lexuar së pari edhe për ne sot, çdo hollësi e nevojshme është përfshirë, pa e bërë tregimin të vështirë dhe të pamundur për t’u lexuar.
Për t’u kuptuar vetëm nga dijetarët?
13-15. (a) Përse disa besojnë se për ne Bibla është tepër e vështirë për t’u kuptuar? (b) Si e dimë se Perëndia donte që Fjala e tij të kuptohej?
13 A e ke pyetur ndonjëherë veten: «Përse ka kaq shumë interpretime kontradiktore për Biblën?» Duke dëgjuar autoritetet fetare që kundërshtojnë njëra-tjetrën, disa njerëz të sinqertë janë hutuar dhe dekurajuar. Shumë veta arrijnë në përfundimin se Bibla është e paqartë dhe kontradiktore. Si rezultat, shumica e hedh poshtë tërë Biblën, duke besuar se është tepër e vështirë për t’u lexuar dhe kuptuar. Të tjerët, të ballafaquar me këtë shumëllojshmëri interpretimesh fetare, nuk kanë dëshirë që të bëjnë një shqyrtim serioz të Shkrimeve. Disa thonë: «Njerëz të ditur kanë studiuar me vite nëpër seminaret fetare. Mbi ç’baza mund të vë në dyshim atë që ata mësojnë?» Por, a i shikon kështu gjërat Perëndia?
14 Kur i dha Ligjin kombit të Izraelit, Perëndia nuk tregoi se po u jepte një sistem adhurimi të pakuptueshëm që duhej të mbeste në duart e ekspertëve të teologjisë apo të «dijetarëve». Përmes Moisiut, në Ligjin e përtërirë 30:11, 14, Perëndia shpalli: «Me siguri, ky udhëzim që po ju urdhëroj sot, nuk është aq i pakuptueshëm për ju e as që është i paarritshëm. Jo, ai është shumë afër jush, në gojën tuaj dhe në zemrën tuaj, që ta mbani atë.» Jo vetëm udhëheqësve, por gjithë kombit, iu tha: «Merrini në zemër këto udhëzime që po ju urdhëroj sot. Ngulitini në mendjen e fëmijëve tuaj. Tregojuani me hollësi kur të jeni në shtëpi dhe kur të jeni larg, kur të bini në gjumë dhe kur të ngriheni.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Urdhërat e Perëndisë, të gjitha të shkruara, ishin mjaft të qarta për t’u ndjekur nga mbarë kombi, nga prindërit dhe fëmijët.c
15 Qysh në ditët e Isaisë, krerët fetarë kishin tërhequr mbi vete dënimin e Perëndisë, pasi nga vetvetja e shtonin dhe e interpretonin ligjin e Perëndisë. Profeti Isaia shkroi: «Ky popull më ofrohet me gojë dhe më nderon me buzë, por zemrën e mban larg meje dhe adhurimi i tyre është urdhër njeriu, i mësuar përmendësh.» (Isaia 29:13) Adhurimi i tyre ishte bërë urdhër njeriu dhe jo i Perëndisë. (Ligji i përtërirë 4:2) Këto «urdhëra njeriu», vetë interpretimi dhe shpjegimi i tyre ishin kontradiktore dhe jo fjalët e Perëndisë. Po kështu është edhe sot.
A ka ndonjë bazë biblike për Torën gojore?
16, 17. (a) Ç’besojnë disa në lidhje me ligjin gojor? (b) Ç’tregon Bibla në lidhje me ligjin gojor?
16 Disa besojnë se Moisiu mori edhe «Torën gojore», si shtesë të «Torës së shkruar». Sipas këtij besimi, Perëndia urdhëroi që disa urdhëra të caktuara të mos shkruheshin, por në vend të kësaj të përcilleshin me gojë brez pas brezi, duke u ruajtur kështu, vetëm përmes traditës gojore. (Shiko kutinë, faqe 8 dhe 10.) Mirëpo, raporti biblik tregon qartë se Moisiut nuk iu urdhërua kurrë që të transmetonte një ligj gojor. Të Dalët 24:3, 4 thotë: «Moisiu shkoi dhe i përsëriti popullit të gjitha urdhërat e ZOTIT dhe të gjitha rregullat; dhe populli iu përgjigj njëzëri, duke thënë: ‘Të gjitha gjërat që na ka urdhëruar ZOTI do t’i bëjmë!’» Pastaj, Moisiu «i shkroi të gjitha urdhërat e ZOTIT.» Më tutje, në Të Dalët 34:27 na thuhet: «Dhe ZOTI i tha Moisiut: Shkruaji këto urdhëra, sepse në përputhshmëri me këto urdhëra, do të bëj besëlidhje me ty dhe me Izraelin.» Në besëlidhjen që Perëndia bëri me Izraelin nuk kishte vend për një ligj të pashkruar gojor. (Shiko kutinë, faqe 8.) Në asnjë vend në Bibël nuk përmendet ekzistenca e ndonjë ligji gojor.d Dhe më e rëndësishmja është se mësimi i tij kundërshton Shkrimet, duke përforcuar përshtypjen e gabuar, se Bibla është kontradiktore. (Shiko kutinë, faqe 22.) Por përgjegjës për këtë pështjellim është njeriu dhe jo Perëndia.—Isaia 29:13. (Shiko kutinë, faqe 20, 21.)
17 Në kundërshtim me interpretimet kontradiktore të njerëzve, Bibla në vetvete është e qartë dhe e besueshme. Perëndia na ka siguruar dëshmi të mjaftueshme në Fjalën e vet, se bota paqedashëse e paraparë tek Isaia 2:2-4, nuk është vetëm ëndërr, por një realitet i afërt. Askush tjetër, përveç vetë Perëndisë, Perëndisë së profecisë, Perëndisë së Biblës, nuk do ta sjellë këtë.
[Shënimet]
a Duhet të vërejmë se të gjashtë «ditët» e krijimit nuk përfshijnë deklaratën e Zanafillës 1:1, që ka të bëjë me krijimin e trupave qiellorë. Përveç kësaj, fjala hebreje e përkthyer «ditë» të lë të kuptosh se ngjarjet e përshkruara në Zanafillën 1:3-31, ndodhën gjatë gjashtë «periudhave kohore» që mund të kenë zgjatur me mijëra vjet.—Krahaso Zanafilla 2:4.
b Për disa shembuj, shiko librin Bibla—Fjalë e Perëndisë apo e njeriut? (angl.) kapitulli 7, «A është Bibla kontradiktore?», botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
c Pyetjet e vështira për rastet gjyqësore, zgjidheshin nëpërmjet një rregullimi gjyqësor të vendosur qartësisht (Ligji i përtërirë 17:8-11) Për çfarëdo çështje tjetër të rëndësishme që dukej e paqartë, për të marrë përgjigjen e Perëndisë, kombi nuk i drejtohej ligjit gojor, por Urimëve dhe Tuminëve, në duart e priftërinjve.—Të Dalët 28:30; Levitiku 8:8; Numrat 27:18-21; Ligji i përtërirë 33:8-10.
d Disa kanë lexuar në tekstin e Ligjit të përtërirë 17:8-11, nënkuptimin e një tradite të frymëzuar gojore. Megjithatë, sikurse u përmend në shënimin e paragrafit 14, teksti ka të bëjë vetëm me procedurën e gjykimit në rastet juridike. Vërej, se nuk vihej në pyetje nëse u trashëguan apo jo, përmes shumë shekujve, zakonet apo traditat e ndryshme. Padyshim, disa tradita në lidhje me zbatimin e disa pikëpamjeve të caktuara të Ligjit, u trashëguan. Por, fakti se një traditë është e vjetër, nuk dëshmon se ajo është e frymëzuar. Vërej, për shembull, traditën që lindi në lidhje me gjarprin e bronxit.—Numrat 21:8, 9; 2. Mbretërit 18:4.
[Kutia në faqet 4, 5]
EVOLUCIONI—A ËSHTË NJË FAKT?
RAPORTI i Zanafillës mbi krijimin, konstaton se të gjitha gjallesat u krijuan «sipas llojeve të tyre», apo grupeve themelore. (Zanafilla 1:12, 24, 25) Duke përkrahur teorinë e tyre, shumë evolucionistë tallen me raportin e Biblës. Por, a ka ndonjë dëshmi që një lloj i ri të jetë shfaqur si rezultat i kryqëzimeve apo mutacioneve?e Që nga dokumentet më të hershme e deri më tani, qentë janë ende qen dhe macet janë mace. Madje edhe furrtaret e zeza, të gjetura ndër fosilet më të hershme të insekteve, janë faktikisht të njëjta me ato të sotmet.
Në të vërtetë, çfarë dëshmish ka prodhuar bashkësia e shkencëtarëve, në më tepër se njëqind vjet shqyrtimesh intensive, qysh kur Darvini shkroi «Origjina e llojeve»?f Në çfarë përfundimi kanë arritur disa ekspertë?
DËSHMIA E FOSILEVE: Dëshmia e fosileve është quajtur nga disa «gjykata e fundit e apelimit», sepse ajo është historia e vetme autentike e jetës në dispozicion të shkencës. Çfarë tregon ajo?
Profesori i shkencave natyrore John Moore, raporton mbi rezultatet e një studimi të gjerë, të drejtuar nga Shoqata Gjeologjike e Londrës dhe Shoqëria Paleontologjike e Anglisë. «Rreth 120 shkencëtarë, të gjithë specialistë, kanë përgatitur 30 kapitujt e një pune madhështore prej më se 800 faqesh, për të paraqitur dokumentacionin mbi fosilet e bimëve dhe kafshëve . . . Siç është paraqitur, çdo formë kryesore apo lloj i bimëve apo kafshëve ka një histori të veçantë dhe të dalluar nga të gjitha format apo llojet e tjera! Grupet e bimëve dhe kafshëve paraqiten papritmas në dokumentacionin fosil . . . Nuk ka asnjë gjurmë të ndonjë paraardhësi të përbashkët e aq më pak një lidhje me ndonjë zvarranik, paraardhësi i supozuar.»—Should Evolution Be Taught?, 1970, faqe 9, 14.
A MUND TË JETË SHKAKTUAR EVOLUCIONI NGA MUTACIONET? Për shkak të natyrës së dëmshme të mutacioneve, Encyclopedia Americana ka pranuar: «Fakti se shumica e mutacioneve e dëmton organizmin, është i vështirë të pajtohet me mendimin se mutacionet janë burimi i lëndës së parë për evolucionin. Në të vërtetë, shembujt e mutacioneve të paraqitura në librat e biologjisë, janë një koleksion i trilleve e llahtarive dhe se mutacioni duket më tepër një proces shkatërrues, sesa ndërtues.»
Ç’MUND TË THEMI PËR NJERIUN–MAJMUN? Science Digest ka konstatuar: «Është fakt i jashtëzakonshëm, se dëshmitë fizike që kemi në lidhje me evolucionin e njeriut, mund të mbushin ende një arkivol të vetëm! . . . Për shembull, majmunët e sotëm duket sikur kanë dalë jashtë nga hiçi. Nuk kanë të kaluar dhe as dokumentacion fosil. Ndërsa, origjina e vërtetë e njeriut modern—qenie e drejtë, lakuriqe, ndërtuese mjetesh, me tru voluminoz—nëse dëshirojmë të jemi të ndershëm me veten, është një çështje po aq e mistershme.»—Maj 1982, faqe 44.
NJË TEORI NË KRIZË: Vërej komentet vijuese nga Michael Denton, biolog molekular, të cituara nga libri i tij Evolucioni: Një teori në krizë (Evolution: A Theory in Crisis).
«Nuk vihet në diskutim fakti se Darvini nuk kishte aspak dëshmi të mjaftueshme për të themeluar teorinë e vet të evolucionit. . . . Teoria e tij e përgjithshme, se e gjithë jeta në tokë e pati prejardhjen dhe u zhvillua përmes akumulimit të njëpasnjëshëm dhe gradual të mutacioneve të papritura, është ende ashtu si ishte edhe në kohën e Darvinit, një hipotezë shumë spekulative, plotësisht e papërkrahur nga fakte të drejtpërdrejta dhe shumë larg nga aksioma e vetëkuptueshme, në të cilën disa nga mbrojtësit e saj më agresivë, do të dëshironin që të besonim. . . . Dikush do të mund të priste që një teori me kaq rëndësi themelore, një teori që me të vërtetë ka ndryshuar botën, të ishte diçka më tepër se metafizika, diçka më tepër se një mit.»—Botim i 1986, faqe 69, 77, 358.
[Shënimet]
e Duhet bërë dallimi në mes të të ashtuquajturit «mikroevolucion», apo zhvillimeve progresive, përshtatjeve dhe ndryshimeve brenda llojit dhe «makroevolucionit», që mëson se një lloj evoluon në një tjetër. Ata që mësojnë mbi evolucionin, zakonisht i referohen konceptit të dytë.
f Për një trajtim më të hollësishëm, shiko librin Jeta—Si ka ardhur ajo? Me evolucion apo me krijim? (angl.), botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Kutia në faqen 6]
«NË FILLIM PERËNDIA KRIJOI» . . .
. . . «TOKËN DHE QIELLIN.» (Zanafilla 1:1, JP)—Sot, shumica e shkencëtarëve pajtohet me faktin se gjithësia ka pasur një fillim. Astronauti Robert Jastrow, shkroi: «Tani shohim, se dëshmitë astronomike na çojnë drejt pikëpamjes biblike për prejardhjen e botës. Ndryshojnë hollësitë, por elementet themelore në raportet astronomike dhe biblike të Zanafillës janë të ngjashme: zinxhiri i ngjarjeve që të çon deri tek njeriu, filloi papritmas dhe shpejt, në një moment të caktuar të kohës, me një shkreptimë drite dhe energjie.»—God and Astronomers, 1978, faqe 14.
. . . «KRIJESA TË GJALLA» (Zanafilla 1:20)—Fizikani H. S. Lipson, duke kuptuar pamundësinë e prejardhjes së jetës vetvetiu, tha: «Shpjegimi i vetëm i pranueshëm është krijimi. E di se ky është mallkim për fizikanët, si edhe për mua, por ne nuk mund të hedhim poshtë një teori që nuk na pëlqen, nëse dëshmitë eksperimentale e përkrahin atë.»—Physics Bulletin, volumi 31, 1980, faqe 138.
Por edhe nëse është e pamundur, a s’mund të ndodhë, megjithatë, vetvetiu lindja spontane? Fizikani dhe astronomi Fred Hoyle thotë: «Nuk ekziston asnjë grimcë dëshmie objektive që të përkrahë hipotezën se jeta ka filluar nga një lëng organik këtu në Tokë.» Shton, gjithashtu: «Sa më shumë që biokimistët zbulojnë në lidhje me ndërlikimin e jetës, aq më shumë bëhet e dukshme se mundësitë e prejardhjes së saj të rastësishme janë aq të vogla, saqë mund të përjashtohen plotësisht. Jeta s’mund të ketë lindur rastësisht.» Hoyle shton: «Biologët lëshohen në fantazira të pa vërtetuara, në mënyrë që të mohojnë atë që është e dukshme kaq qartë, d.m.th. se të 200.000 vargjet e amino-acideve, pra, vetë jeta nuk është paraqitur rastësisht.» Në të vërtetë, ai pyet: «Si mund të prodhonte bashkimi i rastësishëm i substancave kimike në një lëng organik, të 2.000 enzimat e domosdoshme për jetën?» Ai thotë se mundësia është një në 1040.000, apo «e njëjtë me mundësinë që, duke hedhur një zar pa hile, të të bien 50.000 herë rresht vetëm gjashta!» (The Intelligent Universe, nga F. Hoyle, 1983, faqe 11, 12, 17, 23) Ai shtoi: «Nëse dikush nuk do të ishte i kushtëzuar nga bindje shoqërore apo mësime shkencore në lidhje me faktin se jeta është paraqitur në Tokë [vetvetiu], kjo llogaritje e thjeshtë do ta nxirrte këtë ide plotësisht jashtë loje.»—Evolution From Space, nga Fred Hoyle dhe Chandra Wickramasinghe, 1981, faqe 24.
[Kutia në faqen 7]
PERËNDIA—«ZBULUES I MISTEREVE» PËRMES PROFECIVE
DUKE folur me një mbret të lashtësisë, profeti Daniel tha: «Misterin që mbreti po kërkon—nuk mund t’ia thonë as njerëzit e urtë, as dëbuesit e djajve, as magjistarët dhe as fallxhinjtë. Por, është një Perëndi në qiell që zbulon misteret.» (Danieli 2:27, 28) A ka ndonjë dëshmi, se Perëndia është me të vërtetë Zbulues i mistereve përmes profecive? Ja, disa nga shembujt e mëposhtëm.
Rënia e Babilonisë: «Kështu i tha ZOTI, Kirit, të mirosurit të vet—dorën e djathtë të të cilit ai e ka shtrënguar, duke shkelur kombet para tij, duke çarmatosur mbretërit, duke hapur dyert para tij dhe duke mos lënë asnjë portë të mbyllur.»—Isaia 45:1, profetizuar në 732 p.e.s. Shiko, gjithashtu, Jeremia 50:35-38; 51:30-32, profetizuar para vitit 625 p.e.s.
Plotësimi—539 p.e.s.: Historianët Herodoti dhe Ksenofoni, tregojnë se Kiri i Persisë u ktheu drejtimin ujërave të Eufratit, që kalonte përmes qendrës së Babilonisë dhe i dërgoi forcat e veta nëpër shtratin e lumit, duke i zënë rojet babilonase në befasi dhe duke e marrë qytetin brenda një nate. Por edhe me këtë strategji, Kiri s’do të kish mundur të hynte brenda, sikur portat buzë Eufratit që të çonin në qytet, të mos ishin lënë të hapura nga pakujdesia. «Portat nuk qenë të mbyllura», pikërisht siç kishte parathënë profecia.
Fati i Tirit: «Kështu tha Zoti PERËNDIA: Kam të bëj me ty, O Tir! Do të hedh shumë kombe kundër teje, sikurse hedh deti valët e veta. . . . Dhe do ta gërryej dheun e tij dhe do ta lë si shkëmb të zhveshur. . . . Dhe ato do të hedhin në ujë gurët e tu dhe drunjtë dhe dheun.»—Ezekieli 26:3, 4, 12, profetizuar rreth vitit 613 p.e.s.
Plotësimi—332 p.e.s.: Aleksandri i Madh ndërtoi një urë tokësore, apo një pendë prej kontinentit deri në një pjesë të Tirit (800 m nga bregdeti), në mënyrë që ushtarët e tij të mund të marshonin mbi të dhe të sulmonin qytetin në ishull. The Encyclopedia Americana raporton: «Me gërmadhat e pjesës së shkatërruar të qytetit në kontinent, ndërtoi një pendë të madhe në vitin 332, për të bashkuar ishullin me kontinentin.» Pas një rrethimi relativisht të shkurtër, qyteti në ishull u shkatërrua dhe profecia e Ezekielit u plotësua në të gjitha hollësitë e veta. Madje edhe «gurët dhe drunjtë dhe dheu» i Tirit të vjetër (pjesa kontinentale e qytetit), «u hodhën në mes të ujit.»
Shkatërrimi i Jeruzalemit: «Atëherë Isaia i tha Hezekias: ‘Dëgjoje fjalën e ZOTIT të Zotërinjve: Po vjen koha, kur çdo gjë në pallatin tënd që stërgjyshërit e tu e ruajtën deri në këtë ditë, do të merret nga Babilonia; asgjë s’do të lihet pas.»—Isaia 39:5, 6, profetizuar më 732 p.e.s.; shiko, gjithashtu, Isaia 24:1-3; 47:6.
Profeti Jeremia shpalli: «Po shkoj që . . . t’i sjell ata [babilonasit] kundër kësaj toke dhe banorëve të saj . . . E gjithë kjo tokë do të jetë një gërmadhë e braktisur. Dhe këto kombe do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet.»—Jeremia 25:9, 11, profetizuar më 625 p.e.s.
Plotësimi—607 p.e.s. (586 p.e.s. sipas shumicës së kronologjive të botës): Babilonia e shkatërroi Jeruzalemin pas një vit e gjysëm rrethimi. Qyteti dhe tempulli u rrafshuan me themel dhe vetë hebrenjtë u morën në Babiloni. (2. Kronikat 36:6, 7, 12, 13, 17-21) Mbarë kombi mbeti në mërgim për 70 vjet, sikurse kishte parathënë Jeremia. Çlirimi i tyre i mrekullueshëm më 537 p.e.s. nga Kiri i Madh, që pushtoi Babiloninë, plotësoi profecinë e Isaisë që e kishte përmendur atë me emër. (Isaia 44:24-28) Profeti Daniel, në robëri në Babiloni, llogariti kohën e saktë të çlirimit të popullit të tij, duke e bazuar përfundimin e tij në profecinë e Jeremisë.—Danieli 9:1, 2.
[Kutia në faqen 8]
KU ISHTE LIGJI GOJOR . . .
. . . kur Moisiu i përsëriti të gjitha urdhërat e Perëndisë gjithë kombit izraelit? Në atë kohë, kombi pranoi të zbatonte atë që ai përsëriti, pas kësaj Moisiu «i shkroi të gjitha urdhërat e ZOTIT»—Të Dalët 24:3, 4, kursivi është yni.
. . . kur Josui mblodhi kombin e Izraelit, pas hyrjes në Tokën e Premtuar dhe u lexoi edhe një herë të gjitha fjalët që ata kishin pranuar të zbatonin? «Asnjë fjalë nga të gjitha ato që Moisiu urdhëroi, Josiu nuk mungoi të lexonte në prani të të gjithë kuvendit të Izraelit.»—Josiu 8:35, Kursivi është yni.
. . . kur në ditët e mbretit Josiah, ndërsa tempulli po rindërtohej, u gjend ‘libri i Ligjit të Moisiut’ që kishte humbur? Sapo dëgjoi përmbajtjen që u lexua, Josiah shqeu me hidhërim rrobat e veta, duke kuptuar se breza të tërë nuk e kishin zbatuar Ligjin, sipas asaj që ishte shkruar. Pastaj, ai bëri përgatitjet për festimin e festivalit të Pashkëve, që gjatë gjithë periudhës së mbretërve dhe gjykatësve para tyre, nuk ishte festuar siç duhej. Ku ishte ligji gojor ‘i transmetuar besnikërisht’ gjatë atyre qindra viteve? Po të kish ekzistuar, kjo informatë nuk do të harrohej kurrë. Vetëm një shënim i shkruar, i ruajtur me kujdes, mundi ta kthente kombin që të bënte siç duhej vullnetin e Perëndisë.—2. Mbretërit 22:8–23:25.
. . . kur profeti Jeremia deklaroi: «Nga më i vogli e deri tek më i madhi, të gjithë janë lakmitarë për fitim; si priftërinjtë, ashtu edhe profetët, të gjithë veprojnë në mënyrë të rreme»? (Jeremia 6:13) Gjatë pjesës më të madhe të historisë së kombit izraelit, kjo ishte gjendje frymore e krerëve të kombit, veçanërisht e priftërinjve, të cilët ishin përgjegjës për mësimin e Ligjit. (Malakia 2:7, 8) Shënimet e shkruara flasin vetë, por a ka mundësi t’u besohet njerëzve që ishin kaq të pabesë, ruajtja me besnikëri e një tradite gojore?
. . . gjatë më tepër se një mijë viteve të përfundimit të Shkrimeve Hebreje? Prej Moisiut, deri tek Malakia nuk përmendet ekzistenca e një ligji të tillë gojor. Vetëm qindra vjet më vonë, gjatë periudhës së rabinëve, kur sektet kundërshtare fetare luftonin për kontroll dhe autoritet mbi kombin hebrej, gjejmë të përmendet ky koncept. A thua, këto qindra vite qetësie mbi këtë çështje dhe dëshmia e Shkrimeve të frymëzuara, nuk e mohojnë pohimin se mund të ketë ekzistuar një ligj i tillë i frymëzuar gojor?
[Kutia dhe figura në faqen 9]
RROTULLAT E DETIT TË VDEKUR
Të datuara para erës sonë, ato zbulojnë saktësinë e transmetimit të tekstit të Biblës gjatë shekujve. Vërtetojnë, gjithashtu, se profecitë u shkruan para se të plotësoheshin
[Kutia në faqen 10]
A ËSHTË TORA ME «SHTATËDHJETË FYTYRA»?
Nuk është diçka e pazakontë që sot në Izrael të dëgjohet se si populli përmend një shprehje të mirënjohur hebreje—«Tora është me shtatëdhjetë fytyra»—duke treguar që ata besojnë se Shkrimet mund të interpretohen në shumë mënyra të ndryshme, madje edhe kontradiktore. Kjo konsiderohet e vërtetë si për Ligjin e shkruar, ashtu edhe për të ashtuquajturin Ligj gojor. The Encyclopedia of Judaism komenton: «Ligji gojor nuk është një kod përfundimtar; përfshin shumë mendime të ndryshme dhe madje kontadiktore. Në lidhje me to njerëzit e mençur kanë thënë: ‘Të gjitha ato janë fjalë të Perëndisë së gjallë.’» (faqe 532) Sidoqoftë, a është e arsyeshme të besohet se Perëndia paska frymëzuar mendime kontradiktore dhe përçarëse? Si ndodhi që të pranoheshin kontradikta të tilla?
Gjatë gjithë periudhës në të cilën u shkruan Shkrimet Hebreje (rreth viteve 1513–443 p.e.s.), Perëndia emëroi përfaqësues që sqaruan çështjet e dyshimta dhe shpeshherë vetë Perëndia i përkrahu, duke treguar fuqinë hyjnore apo përmes përmbushjes së profecive që u kishte dhënë për t’i shqiptuar. (Të Dalët 28:30; Numrat 16:1–17:5 [Nu 16:1-50, NW] Nu 27:18-21; Ligji i përtërirë 18:20-22) Në atë kohë, nëse dikush jepte shpjegime dhe interpretime të kundërta, shihej jo si dijetar, por si një apostat. Perëndia e paralajmëroi të gjithë kombin: «Bëhu i kujdesshëm që të mbash vetëm atë që të kam urdhëruar: as mos shtoni e as mos merrni nga ajo.»—Ligji i përtërirë 13:1 (Lp 12:32, NW).
Megjithatë, me kohë ndodhi një ndryshim thelbësor në mendimin e kombit izraelit. Farisenjtë, që luajtën një rol të rëndësishëm në judaizëm gjatë shekullit të parë të e.s., përkrahën mësimin e «Torës gojore», të cilën e kishin zhvilluar dy shekuj më parë. Ata mësonin, se si shtesë të Ligjit të shkruar dhënë kombit izraelit në Malin Sinai, Perëndia u transmetoi në të njëjtën kohë edhe një ligj gojor. Sipas këtij besimi, ky ligj i frymëzuar gojor interpretonte dhe sqaronte hollësi të Ligjit të shkruar, hollësi që Perëndia me qëllim i kish thënë Moisiut të mos i shkruante. Ligji gojor nuk duhej shkruar, por duhej transmetuar vetëm gojarisht, nga mësuesi tek dishepulli, nga brezi në brez. Kështu, ai u jepte një autoritet të veçantë farisenjve, të cilët konsideroheshin si ruajtësit e kësaj tradite gojore.g
Pas shkatërrimit të tempullit të dytë, në vitin 70 të e.s., pikëpamja e farisenjve fitoi dhe judaizmi u bë një formë fetare e dominuar nga rabinët, gjë që nuk kishte ndodhur më parë.h Pasi tani i jepej më shumë rëndësi rabinëve, sesa priftërinjve apo profetëve, ligji gojor u bë pjesa e re qendrore e judaizmit. The Encyclopedia of Judaism konstaton: «Tora gojore konsiderohej më e rëndësishme se Tora e shkruar, pasi shpjegimi dhe kuptimi i kësaj të fundit varej nga e para.»—1989, faqe 710.
Ndërsa prestigji i rabinëve rritej dhe traditat shtoheshin, ndalimi për shkruarjen e këtij ligji gojor, u hoq. Nga fundi i shekullit të dytë dhe fillimi i shekullit të parë të e.s., Judah Ha-Nasi (135-219 e.s.), sistematikisht i shkroi këto tradita gojore të rabinëve, në një vepër që u quajt Mishna. Shtesat e bëra më vonë u quajtën Tosefta. Nga ana e tyre, rabinët e panë të nevojshme që ta komentonin Mishnën dhe këto interpretime të traditave gojore u bënë baza e një përmbledhjeje voluminoze librash, e quajtur Gemara (e përpiluar nga shekulli i tretë deri në shekullin e pestë të e.s.). Këto vepra, së bashku u bënë të njohura si Talmudi. Të gjitha këto mendime të rabinëve vazhdojnë të komentohen deri në ditët tona. Pasi është e pamundur të harmonizohen gjithë këto pikëpamje kaq të ndryshme, a është për t’u habitur që shumica preferon të shohë «shtatëdhjetë fytyrat e Torës»?
[Shënimet]
g Ky mësim, i nxitur fillimisht nga farisenjtë, u refuzua nga shumë bashkëkohës të tyre brenda kombit hebre. Saducenjtë, shumë prej të cilëve ishin priftërinj, si dhe esenët e shekullit të parë, e refuzuan këtë koncept të farisenjve. Sot, karaitët (prej shekullit të tetë të e.s.) dhe lëvizjet reformiste dhe konservatore të judaizmit, nuk e shohin një ligj të tillë gojor si të frymëzuar nga Perëndia. Megjithatë, judaizmi i sotëm ortodoks, i konsideron këto tradita të frymëzuara dhe të detyrueshme.
h The Encyclopaedia Judaica konstaton: «Titulli rabin rrjedh nga emri rav që në hebraishten biblike do të thotë ‘i madh’ dhe nuk haset në Biblën [hebreje].»