MËSIMI 44
Përdorimi i efektshëm i pyetjeve
MEQENËSE pyetjet kërkojnë një përgjigje—me gojë ose me mendje—ato ndihmojnë për t’i përfshirë dëgjuesit në bisedë. Pyetjet mund të të ndihmojnë të fillosh një bisedë dhe të kesh një shkëmbim të këndshëm mendimesh. Si orator dhe mësues, ti mund t’i përdorësh pyetjet për të ngjallur interesin, për të ndihmuar dikë që të arsyetojë rreth një argumenti ose për të theksuar atë që thua. Kur i përdor siç duhet pyetjet, i inkurajon të tjerët të mendojnë aktivisht, në vend që të dëgjojnë pasivisht. Ki një synim në mendje dhe bëji pyetjet në mënyrë të tillë që të të ndihmojë ta arrish atë.
Për të nxitur bisedën. Kur je në shërbimin në fushë, ji syçelë ndaj mundësive për t’i ftuar njerëzit që të shprehen, në qoftë se dëshirojnë.
Shumë Dëshmitarë fillojnë biseda interesante thjesht duke pyetur: «A e keni pyetur veten ndonjëherë . . . ?» Po të zgjidhet një pyetje të cilën vërtet e bluajnë në mendje shumë njerëz, është pothuajse e sigurt që shërbimi në fushë do të jetë i kënaqshëm. Edhe sikur personit tjetër të mos i kishte shkuar më parë në mendje pyetja, ajo mund të ngjallë kureshtje. Një larmi çështjesh mund të prezantohen me shprehje të tilla, si: «Çfarë mendoni për . . . ?», «Sipas jush, . . . ?» dhe «A besoni se . . . ?»
Kur iu afrua një zyrtari të oborrit etiopian, i cili po lexonte me zë të lartë profecinë e Isaisë, ungjillëzuesi Filip thjesht e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» (Vep. 8:30) Kjo pyetje hapi rrugën që Filipi të shpjegonte të vërtetat rreth Jezu Krishtit. Duke përdorur një pyetje të ngjashme, disa Dëshmitarë të kohëve tona kanë gjetur njerëz që ishin vërtet të etur për të kuptuar qartë të vërtetën biblike.
Kur u jepet mundësia të shprehin pikëpamjet e tyre, shumë njerëz do të jenë më të prirur për të të dëgjuar. Pasi të bësh një pyetje, dëgjo me kujdes. Trego mirësjellje dhe mos ji kritikues kur shpreh mendimin tënd për përgjigjen e tjetrit. Lavdëroje kur mund ta bësh këtë me sinqeritet. Në një rast, pasi një skrib ishte ‘përgjigjur me zgjuarsi’, Jezui e lavdëroi, duke i thënë: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.» (Mar. 12:34) Edhe sikur të mos kesh të njëjtën pikëpamje me personin tjetër, mund ta falënderosh që shprehu mendimet e tij. Ajo që ka thënë mund të të bëjë të vetëdijshëm për një qëndrim të tijin, të cilin duhet ta marrësh parasysh kur i flet për të vërtetën biblike.
Për të paraqitur mendime të rëndësishme. Kur flet para një grupi ose kur bisedon me një individ, përpiqu të bësh pyetje me qëllim që të paraqesësh mendime të rëndësishme. Sigurohu që pyetjet e tua të përfshijnë çështje të cilat i interesojnë me të vërtetë auditorit tënd. Mund të përdorësh edhe pyetje që ngjallin kureshtje, pasi përgjigjja nuk shihet qartë menjëherë. Nëse bën një pauzë të shkurtër pasi ngre një pyetje, ka të ngjarë që auditori ta dëgjojë me më shumë interes atë që do të thuhet më pas.
Në një rast, profeti Mikea përdori disa pyetje. Pasi pyeti se çfarë pret Perëndia nga ata që e adhurojnë, profeti bëri edhe katër pyetje të tjera, të cilat përfshinin secila nga një përgjigje të mundshme. Të gjitha ato pyetje shërbyen për t’i përgatitur lexuesit për përgjigjen domethënëse me të cilën e përfundoi atë pjesë të argumentimit të tij. (Mik. 6:6-8) A mund të bësh diçka të ngjashme kur mëson të tjerët? Provoje.
Për të arsyetuar rreth një argumenti. Pyetjet mund të përdoren për t’i ndihmuar të tjerët që të ndjekin logjikën e një argumenti. Jehovai veproi kështu kur i bëri Izraelit një shpallje solemne, siç tregohet te Malakia 1:2-10. Në fillim ai u tha: «Unë ju kam dashur.» Meqë nuk e çmuan atë dashuri, ai pyeti: «A nuk ishte Esau vëllai i Jakobit?» Pastaj Jehovai nxori në pah gjendjen e shkretuar të Edomit, për të treguar se nuk e deshi atë komb ngaqë ishin të ligj. Këtë pohim e pasoi me ilustrime të ndërthurura me pyetje, për të theksuar se as Izraeli nuk kishte reaguar siç duhet ndaj dashurisë së tij. Disa nga pyetjet janë formuluar sikur t’i bënin priftërinjtë jobesnikë. Të tjerat janë pyetje që Jehovai ua bënte priftërinjve. Dialogu ngjall emocione dhe të tërheq vëmendjen; logjika është e pakundërshtueshme; mesazhi, i paharrueshëm.
Disa oratorë i përdorin me efektshmëri pyetjet në mënyrë të ngjashme. Ndonëse mund të mos pritet një përgjigje me zë, auditori përfshihet mendërisht, sikur të jetë duke marrë pjesë në dialog.
Kur drejtojmë studime biblike, ne përdorim një metodë që kërkon pjesëmarrjen e studentit. Natyrisht, përfundimet më të mira arrihen atëherë kur studenti nuk mjaftohet vetëm duke lexuar përgjigjet në materialin e shtypur. Me një ton të ëmbël, duhet të përdorësh pyetje ndihmëse për të arsyetuar me studentin. Për pikat kryesore, nxite të përdorë Biblën si bazë për përgjigjen. Gjithashtu, mund ta pyesësh: «Si lidhet ajo që po diskutojmë me këtë pikë tjetër që kemi studiuar? Pse është e rëndësishme? Si duhet të ndikojë në jetën tonë?» Një metodë e tillë është më e efektshme sesa të shprehësh bindjet e tua ose të japësh vetë një shpjegim të gjatë. Në këtë mënyrë, e ndihmon studentin që të përdorë ‘fuqinë e tij për të arsyetuar’ për ta adhuruar Perëndinë.—Rom. 12:1.
Në qoftë se studenti nuk e kupton një ide të caktuar, ji i duruar. Ndoshta ai po përpiqet ta krahasojë atë që po i thua me atë që ka besuar për shumë vjet. Mund të jetë e dobishme ta trajtosh argumentin duke e parë nga një këndvështrim tjetër. Megjithatë, disa herë mjafton një arsyetim fare i thjeshtë. Përdori lirisht Shkrimet. Përdor ilustrimet. Bashkë me to përdor pyetje të thjeshta që e ftojnë personin të arsyetojë rreth dëshmive.
Për të nxjerrë ndjenjat më të thella të një personi. Kur u përgjigjen pyetjeve, njerëzit nuk zbulojnë gjithmonë atë që ndiejnë me të vërtetë. Mund të japin thjesht përgjigjet që mendojnë se dëshiron ti. Nevojitet aftësi dalluese. (Prov. 20:5) Ashtu si Jezui, mund të pyesësh: «A e beson këtë?»—Gjoni 11:26.
Kur shumë prej dishepujve u fyen nga ajo që tha Jezui dhe e braktisën, ai i ftoi apostujt të shpreheshin se si ndiheshin. I pyeti: «Mos doni të shkoni edhe ju?» Pjetri i shprehu ndjenjat e të gjithë atyre me fjalët: «Zotëri, te kush të ikim? Ti ke fjalë jete të përhershme; e ne kemi besuar dhe kemi arritur të njohim se ti je i Shenjti i Perëndisë.» (Gjoni 6:67-69) Në një rast tjetër, Jezui i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?» Ai e pasoi këtë me një pyetje që i ftonte ata të shprehnin çfarë kishin në zemër: «Po ju, kush thoni se jam?» Duke iu përgjigjur, Pjetri tha: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.»—Mat. 16:13-16.
Kur drejton një studim biblik, ndoshta do të jetë e dobishme të përdorësh të njëjtën metodë për disa çështje. Mund të pyesësh: «Ç’mendojnë shokët e tu të shkollës (ose shokët e punës) për këtë çështje?» Pastaj mund të pyesësh: «Po ti ç’mendon për të?» Kur i kupton ndjenjat e vërteta të një personi, kjo të jep mundësi ty si mësues që ta ndihmosh më shumë.
Për të dhënë më shumë emfazë. Pyetjet mund të përdoren edhe për t’u dhënë më shumë emfazë mendimeve. Kështu veproi apostulli Pavël, siç tregohet te Romakëve 8:31, 32: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh? Ai që nuk kurseu as Birin e vet, por e dorëzoi për ne të gjithë, përse bashkë me atë të mos na japë me mirësi edhe të gjitha gjërat e tjera?» Vër re që në secilin rast pyetja bazohet në pjesën që i paraprin në fjali.
Pasi dokumentoi gjykimin e Jehovait kundër mbretit të Babilonisë, profeti Isaia shprehu bindje të plotë duke shtuar: «Vetë Jehovai i ushtrive ka këshilluar, kush mund ta shkelë? Dora e tij është shtrirë, kush mund ta kthejë mbrapsht?» (Isa. 14:27) Nga vetë përmbajtja e tyre, këto pyetje tregojnë se ideja e shprehur nuk mund të mohohet. Nuk pritet asnjë përgjigje.
Për të treguar që një mënyrë të menduari është e gabuar. Pyetjet e menduara me kujdes janë, gjithashtu, një mjet i fuqishëm për të treguar që një mënyrë të menduari është e gabuar. Para se të shëronte një burrë, Jezui i pyeti farisenjtë dhe disa njohës të mirë të Ligjit: «A është e ligjshme të shërosh në sabat, apo jo?» Pasi e kreu shërimin, ai bëri edhe një pyetje tjetër: «Cili nga ju, po t’i bjerë i biri ose demi në pus, nuk do ta nxjerrë menjëherë jashtë ditën e sabatit?» (Luka 14:1-6) Nuk pritej asnjë përgjigje dhe në të vërtetë nuk u dha asnjë. Pyetjet nxorën në pah se mënyra e tyre e të menduarit ishte e gabuar.
Ndonjëherë edhe të krishterët e vërtetë mund të zhvillojnë një mënyrë të menduari të gabuar. Disa në Korintin e shekullit të parë i çonin në gjyq vëllezërit e tyre për të zgjidhur probleme që duhej të kishin qenë në gjendje t’i zgjidhnin mes tyre. Si e trajtoi këtë çështje apostulli Pavël? Për të ndrequr mënyrën e tyre të të menduarit, ai bëri një sërë pyetjesh të drejtpërdrejta.—1 Kor. 6:1-8.
Duke u ushtruar mund të mësosh t’i përdorësh pyetjet me efektshmëri. Megjithatë, mos harro të tregosh respekt, sidomos kur flet me njerëz më të rritur, me njerëz që nuk i njeh personalisht dhe me persona që kanë autoritet. Përdori pyetjet për ta paraqitur të vërtetën biblike në mënyrë tërheqëse.