ARAMI
1. Një nga pesë bijtë e Semit që renditet i fundit. Arami dhe katër bijtë e tij, Uzi, Huli, Geteri e Mashi, formuan 5 nga 70 familjet pas Përmbytjes; pasardhësit e tyre ishin aramaitët dhe sirianët.—Zn 10:22, 23; 1Kr 1:17.
2. Biri i Kemuelit dhe nip i Nahorit; ky i fundit ishte vëllai i Abrahamit. Pra, Arami ishte nip i Abrahamit dhe kushëri i dytë i Isakut. Rebeka, vajza e Betuelit, xhaxhait të Aramit, ishte kushërirë e parë e tij. Familja e Nahorit nuk u largua nga Mesopotamia me Abrahamin, por vite më vonë ‘Abrahamit i mbërriti lajm’ për pasardhjen e Nahorit, ndër të cilët edhe Arami.—Zn 22:20-23; 11:27, 31; 24:4, 10.
3. Një nga katër «bijtë e Shemerit» (Shomerit) nga fisi i Asherit; renditet mes ‘krerëve të shtëpive të paraardhësve të tyre, burrave të zgjedhur, trima e të fuqishëm, krerë prijësish’. (1Kr 7:31, 32, 34, 40) Edhe Arami, edhe i ati kishin lindur në Egjipt, meqë gjyshi dhe stërgjyshi i tij përmenden mes pasardhësve të Jakobit që «erdhën në Egjipt».—Zn 46:8, 17.
4. Në disa versione në shqip (Dio, Kris) Arami shfaqet te Mateu 1:3, 4 dhe te Luka 3:33.—Shih ARNI; RAMI nr. 1.
5. Emri Aram është përdorur si term gjeografik, edhe më vete, edhe i bashkuar me terma të tjerë, për të treguar rajonet ku u përqendruan pasardhësit e Aramit (nr. 1).
Arami i përdorur më vete i referohet në thelb Sirisë dhe përgjithësisht është përkthyer kështu. (Gjy 10:6; 2Sa 8:6, 12; 15:8; Ho 12:12) Përfshinte rajonin nga malet e Libanit deri në Mesopotami dhe nga malet Taurus në veri deri në Damask e përtej në jug.—Shih SIRIA.
Aram-Naharaimi (Ps 60:Mbishk.) përkthehet kryesisht me fjalën greke «Mesopotamia», që mendohet se do të thotë «vend mes lumenjve». Dy lumenjtë ishin Eufrati dhe Tigri. Stefani thotë se Abrahami jetonte në Mesopotami kur ai banonte ende në Ur të Kaldeasve (Ve 7:2), dhe shumë vjet më vonë, kur dërgoi shërbëtorin që t’i gjente grua Isakut, Abrahami i tha të shkonte në qytetin e Nahorit, në Mesopotaminë (e Sipërme), (Aram-Naharaim). (Zn 24:2-4, 10) Edhe Balaami nga Pethori ishte nga një rajon malor në Mesopotaminë Veriore.—Da 23:4; krahaso Nu 23:7; shih MESOPOTAMIA.
Padan-Arami tregon veçanërisht zonën përreth qytetit të Haranit në Mesopotaminë e Sipërme.—Zn 25:20; 28:2-7, 10; shih PADANI.
Aramaitët, pasardhës semitikë të Aramit, jetonin në të gjitha këto zona. Veç kësaj, emri i Uzit, një prej katër djemve të Aramit, është përdorur për zonën e shkretëtirës së Arabisë në lindje të Tokës së Premtuar dhe në kufi të Edomit. (Jb 1:1; Va 4:21) Aramaitët flitnin aramaisht, një gjuhë shumë e ngjashme me hebraishten. Me kalimin e kohës ajo u bë gjuha ndërkombëtare për tregtinë dhe për diplomacinë në mbarë rajonet e Gjysmëhënës Pjellore.—2Mb 18:26; shih ARAMAISHTJA.
Te Ligji i përtërirë 26:5, Jakobi quhet «sirian» (fjalë për fjalë «aramait»), pa dyshim ngaqë kishte jetuar 20 vjet në Aram te vjehrri i tij aramait, Labani. Për më tepër, nëna e Jakobit, Rebeka, ishte aramaite, siç ishin edhe gratë e tij Lea dhe Rakela. Pra, izraelitët ishin në të vërtetë të afërm të ngushtë të aramaitëve.
Mbretëritë aramaite. Mbretëritë aramaite filluan të përmenden në Bibël në fillimet e historisë së Izraelit si komb. Kushan-Rishathaimi, mbreti i Aram-Naharaimit (Mesopotamisë), i nënshtroi izraelitët për tetë vjet derisa i çliroi gjykatësi Otniel.—Gjy 3:8-10.
Aram-Zobahu ishte një mbretëri aramaite që përmendet si armike e mbretërisë së Saulit (1117-1078 p.e.s.). (1Sa 14:47) Duket se ndodhej në veri të Damaskut dhe e kishte shtrirë sundimin në veri deri në Hamath e në lindje deri në Eufrat. Ndërsa luftonte me armiqtë e Izraelit, Davidi u ndesh me Hadadezerin, mbretin e fuqishëm të Aram-Zobahut, dhe e mundi. (2Sa 8:3, 4; 1Kr 18:3; krahaso Ps 60:Mbishk.) Pas kësaj, Rezoni, një kusar aramait, hipi në pushtet në Damask, që shumë shpejt u bë qyteti më i rëndësishëm aramait (1Mb 11:23-25) dhe «koka e Sirisë». (Is 7:8) Ky qytet u tregua armiqësor me Izraelin gjatë gjithë historisë së mbretërisë veriore.—Shih DAMASKU.
Aram-Makahu përmendet bashkë me Zobahun, Rehobin dhe Ishtobin si një nga mbretëritë aramaite të cilave amonitët u morën me pagesë karroca e kalorës për të luftuar kundër Davidit. Mbreti i Aram-Makahut u bashkua me këto forca mercenare, por ushtria e Davidit u dha dërrmën. (1Kr 19:6-15; 2Sa 10:6-14) Ka shumë të ngjarë që mbretëria e Makahut ndodhej në lindje të Jordanit, me malin Hermon në veri.—Js 12:5; 13:11.
Geshuri ishte një mbretëri e vogël aramaite në lindje të Jordanit, pikërisht poshtë Makahut, dhe në jug kufiri i tij shkonte deri në lindje të detit të Galilesë. Ashtu si Makahu, gjendej brenda territorit që i ishte caktuar fisit të Manaseut.—Lp 3:14; Js 13:11; shih GESHURI nr. 1.
Me pushtimin e mbretërive aramaite, Davidi i zgjeroi kufijtë e mbretërisë së tij shumë më në veri, deri te lumi Eufrat, jo larg Haranit të Padan-Aramit. Kështu kufijtë e trashëgimisë së Izraelit, Tokës së Premtuar, u shtrinë siç kishte premtuar Jehovai.—Lp 1:7; 11:24; Js 1:4.
Për më shumë informacione rreth marrëdhënieve të Izraelit me Aramin, shih SIRIA.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
ARAM
Deti i Madh
M. Taurus
Hamath
M. e Libanit
ARAM-ZOBAH
Damask
ARAM-MAKAH
GESHUR
Haran
PADAN-ARAM
Lumi Tigër
ARAM-NAHARAIM (MESOPOTAMI)
Lumi Eufrat