JEHOJADA
[Jehovai njohtë].
1. I ati i Benajahut, i cili pothuaj gjithmonë quhet ‘Benajahu, biri i Jehojadës’, dhe një nga luftëtarët e fuqishëm të Davidit, si edhe kreu i ushtrisë së Solomonit. (2Sa 23:8, 20, 22, 23; 1Mb 2:35) Vetë Jehojadën e lidhin me priftërinë, pasi quhej ‘kreu i priftërinjve’. Ai paraqitet si «udhëheqësi i bijve të Aaronit» dhe ishte mes atyre që u mblodhën përqark Davidit kur u bë mbret mbi gjithë Izraelin në Hebron.—1Kr 27:5; 12:27, 38.
2. Këshilltar i mbretit David; me sa duket nip i Jehojadës nr. 1.—1Kr 27:33, 34.
3. Kryeprift në kohën e Jehoramit, Ahaziahut, Atalisë dhe Jehoasit. Jehojada ishte martuar me të bijën e mbretit Jehoram, Jehoshebën, që quhet edhe Jehoshabeta (rasti i vetëm kur një kryeprift martohet me dikë nga familja mbretërore). Jehojada njihet mbi të gjitha si ai që rrëzoi nga froni Atalinë dhe lartësoi adhurimin e vërtetë në Judë. Pas vdekjes së të birit, mbretit Ahaziah, Atalia vrau të gjithë pasardhësit mbretërorë që kishin mbetur dhe mori fronin. Megjithatë Jehosheba, që ishte e motra e Ahaziahut, por jo medoemos e bija e Atalisë, mori Jehoasin e vogël, të birin e Ahaziahut dhe e mbajti fshehur për gjashtë vjet. Vitin e 7-të, Jehojada siguroi mbështetjen e levitëve, të krerëve të truprojës kariene e të vrapuesve, si dhe të krerëve të shtëpive atërore të Izraelit, e u prezantoi Jehoasin të cilin e shpallën mbret. Më pas, Jehojada urdhëroi që Atalia të nxirrej jashtë tempullit dhe të vritej.—2Mb 11:1-16; 2Kr 22:10–23:15.
Pastaj, pa vonuar, Jehojada iu fut punës për të çuar përpara adhurimin e Jehovait. Ai përtëriu besëlidhjen e Izraelit me Jehovain e, pas kësaj, populli shembi shtëpinë e Baalit dhe hoqi altarët, shëmbëlltyrat e priftërinë e tij. Më pas, rivendosi të gjitha shërbimet e tempullit. Ai pati një ndikim shumë pozitiv në jetën e Jehoasit. Jehojada dhe mbreti meremetuan tempullin dhe bënë pajisje të ndryshme për shtëpinë e Jehovait. Në moshën 130-vjeçare, Jehojada vdiq dhe e nderuan duke e varrosur bashkë me mbretërit, «sepse kishte bërë mirë në Izrael, ndaj Perëndisë së vërtetë dhe ndaj shtëpisë së Tij». Mjerisht, ndikimi i tij i mirë u shua bashkë me të, sepse më pas Jehoasi u vuri veshin princave të Judës dhe u largua nga Jehovai, madje arriti deri aty sa urdhëroi të vritej biri i Jehojadës, Zakaria, që kishte qortuar popullin jobesnik.—2Mb 11:17–12:16; 2Kr 23:16–24:22.
4. Prift të cilit ia zuri vendin Sofonia, biri i Masejahut, gjatë kohës së Jeremisë.—Jr 29:24-27.