Jehovai fal në masë të gjerë
«Le ta lërë rrugën e vet njeriu i lig dhe njeriu i dëmshëm mendimet e veta; dhe le t’i kthehet Jehovait, . . . sepse ai do të falë në masë të gjerë.»—ISAIA 55:7.
1. Me çfarë janë bekuar sot pranuesit e bekimit të Jehovait?
JEHOVAI i fal shkelësit e penduar dhe tani u mundëson atyre të gëzojnë paqe mendore dhe një parajsë frymore. Ndodh kështu, sepse ata i plotësojnë këto kërkesa: «Kërkojeni Jehovain, ju njerëz, derisa mund të gjendet. Ftojeni, derisa është afër. Le ta lërë rrugën e vet njeriu i lig dhe njeriu i dëmshëm mendimet e veta; dhe le të kthehet nga Jehovai, që do të ketë mëshirë ndaj tij dhe nga Perëndia ynë, sepse ai do të falë në masë të gjerë.»—Isaia 55:6, 7.
2. (a) Çfarë nënkuptohet me «kërkimin e Jehovait» dhe «kthimin nga ai», siç përmendet tek Isaia 55:6, 7? (b) Përse është dashur që mërgimtarët të kthehen tek Jehovai dhe çfarë u ndodhi disave prej tyre?
2 Për të «kërkuar Jehovain» dhe për ta ftuar në mënyrë të pëlqyer, një njeri i lig duhet të braktisë rrugën e vet të gabuar dhe çdo mendim për t’u bërë dëm të tjerëve. Nevoja për «t’u kthyer te Jehovai» tregon se shkelësi e ka lënë Perëndinë, me të cilin njëherë kishte një marrëdhënie të afërt. Kështu qe rasti i banorëve të Judesë, jobesnikëria e të cilëve ndaj Perëndisë i çoi më në fund të mërgonin në Babiloni. Hebrenjtë e mërguar kishin nevojë të ktheheshin te Jehovai, duke u penduar për aktet e shëmtuara që sollën si pasojë robërimin babilonas dhe shkretimin e parathënë 70-vjeçar të vendlindjes së tyre. Më 537 p.e.s., ai vend u pushtua përsëri nga një mbetje hebreje që i frikësohej Perëndisë, e liruar nga Babilonia me një vendim qeveritar. (Ezdra 1:1-8; Danieli 9:1-4) Pasojat e kësaj përtëritjeje qenë aq madhështore, saqë toka e Judesë u krahasua me Parajsën e Edenit.—Ezekieli 36:33-36.
3. Në ç’mënyrë mbetja e Izraelit frymor pati përvojë të ngjashme me atë të mërgimtarëve besimtarë të Perëndisë që u kthyen në Judejë?
3 Izraelitët frymorë patën një përvojë të ngjashme me atë të hebrenjve që i frikësoheshin Perëndisë të kthyer në Jude pas mërgimit babilonas. (Galatasve 6:16) Mbetja e Izraelit frymor bëri disa ndryshime në rrugën dhe mendimet e veta menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Viti 1919 shënoi fundin e mërgimit të tyre nga pëlqimi i plotë i Perëndisë në fushën e Babilonit të Madh, mbretërisë botërore të fesë së rreme. Pasi u penduan për mëkatet që përfshinin frikën nga njeriu dhe joaktivitetin në shërbim të Jehovait, ai i liroi nga Babilonia e Madhe, i ktheu në gjendjen e tyre të drejtë frymore dhe përsëri filloi t’i përdorë për predikimin e lajmit të Mbretërisë. Prej atëherë, në mes të popullit të Perëndisë lulëzon një parajsë frymore, në lavdi të emrit të tij të shenjtë. (Isaia 55:8-13) Pra, si në prototipin e lashtë dhe në antitipin e ri kemi një dëshmi të qartë, se falja hyjnore pasohet nga bekimet dhe se Jehovai i fal në masë me të vërtet të gjerë ata që pendohen.
4. Ç’frikë kanë disa nga shërbëtorët e Jehovait?
4 Prandaj, shërbëtorët e sotëm të Jehovait mund të besojnë në faljen e tij. Megjithatë, disa prej tyre janë të dëshpëruar për shkak të gabimeve të kaluara dhe janë thuajse të pushtuar nga ndjenja e fajit. Nuk e konsiderojnë veten të denjë për të banuar në parajsën frymore. Në të vërtetë, disa frikësohen se kanë bërë mëkatin e pafalshëm dhe se nuk do të arrijnë kurrë faljen e Jehovait. A është kështu?
Disa mëkate të pafalshme
5. Përse mund të thuhet se disa mëkate janë të pafalshme?
5 Disa mëkate janë të pafalshme. Jezu Krishti tha: «Çdo lloj mëkati dhe blasfemie do t’u falet njerëzve, por blasfemia kundër frymës nuk do t’u falet.» (Mateu 12:31, NW) Kështu, pra, blasfemia kundër frymës së shenjtë, apo fuqisë aktive të Perëndisë, s’do të falet. Apostulli Pavël aludonte për këtë mëkat, kur shkroi: «Është e pamundur për ata që kanë qenë të ndriçuar një herë e përgjithmonë, . . . por që janë larguar, të ringjallen përsëri në pendim, sepse ata e shpojnë përsëri për veten e tyre Birin e Perëndisë dhe ia ekspozojnë turpit publik.»—Hebrenjve 6:4-6, NW.
6. Ç’përcakton, se a është një mëkat i falshëm apo jo?
6 Vetëm Perëndia e di nëse një njeri ka kryer mëkatin e pafalshëm. Megjithatë, Pavli hedh dritë mbi këtë çështje, kur shkruan: «Nëse mëkatojmë vullnetarisht, pasi kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk mbetet më ndonjë flijim për mëkatet, por një pritje e sigurt dhe e frikshme e gjykimit.» (Hebrenjve 10:26, 27, NW) Njeriu kokëfortë vepron me paramendim, apo është «i qëndrueshëm dhe shpeshherë kryeneç i pandreqshëm.» (Webster’s New Collegiate Dictionary) Çdo njeri që me kokëfortësi dhe qëndrueshmëri vazhdon të bëjë mëkat, pasi e di të vërtetën, nuk falet. Pra, në faktin se a është mëkati i falshëm apo jo, nuk ndikon aq shumë vetë mëkati, sesa gjendja e zemrës, masa e kokëfortësisë që përfshihet në të. Nga ana tjetër, si mund të jetë puna, kur një i krishterë që ka gabuar është thellësisht i shqetësuar për shkeljen e vet? Ka shumë mundësi që vetë fakti se ai është shumë i shqetësuar, të tregojë, se ai në të vërtetë nuk ka bërë një mëkat të pafalshëm.
Mëkatet e tyre qenë të pafalshme
7. Përse mund të themi se disa nga kundërshtarët fetarë të Jezuit bënë mëkat të pafalshëm?
7 Disa krerë fetarë hebrenj që iu kundërvunë Jezuit, bënë një mëkat të vullnetshëm, pra, të pafalshëm. Edhe pse panë frymën e shenjtë të Perëndisë të veprojë përmes Jezuit, ndërsa bënte mirë dhe kryente mrekullira, ata priftërinj ia atribuan fuqinë e tij Belzebubit, apo Satana Djallit. Ata mëkatuan me ndërgjegje të plotë ndaj veprimit të padyshimtë të frymës së Perëndisë. Kështu, ata bënë mëkat të pafalshëm, sepse Jezui tha: «Secili që flet kundër frymës së shenjtë, s’do të falet, jo, as në këtë sistem gjërash e as në atë që vjen.»—Mateu 12:22-32, NW.
8. Përse mëkati i Juda Iskariotit ishte i pafalshëm?
8 Mëkati i Juda Iskariotit qe, gjithashtu, i pafalshëm. Tradhëtia e tij ndaj Jezuit ishte kulmi kokëfortë, i vullnetshëm i një rruge hipokrizie dhe pandershmërie. Për shembull, kur e pa Marinë, duke lyer Jezuin me vaj të shtrenjtë, Juda pyeti: «Përse nuk është shitur ky vaj i parfumuar për treqind denarë dhe t’i jepet njerëzve të varfër?» Apostulli Gjon shtoi: «[Juda] e tha këtë, por jo sepse interesohej për të varfërit, por sepse ishte vjedhës dhe kishte arkën e të hollave dhe qe mësuar të merrte të hollat që viheshin në të.» Pak pas kësaj, Juda e tradhëtoi Jezuin për 30 monedha argjendi. (Gjoni 12:1-6; Mateu 26:6-16, NW) Është e vërtetë, se Judën e breu ndërgjegjja dhe vrau veten. (Mateu 27:1-5) Por, nuk u fal, pasi mënyra e tij e qëllimshme, këmbëngulëse, egoiste e jetës dhe vepra e tij e pabesë pasqyruan mëkatin e tij kundër frymës së shenjtë. Sa me përshtatshmëri Jezui e quajti Judën «bir të shkatërrimit»!—Gjoni 17:12; Marku 3:29; 14:21.
Mëkatet e tyre u falën
9. Përse i fali Jehovai mëkatet e Davidit në lidhje me Betshebën?
9 Mëkatet e qëllimshme ndryshojnë tërësisht nga gabimet e atyre që Perëndia i fal. Të marrim për shembull mbretin e Izraelit, Davidin. Ai bëri kurorëthyerje me Betshebën, gruan e Uriahut dhe më vonë, përmes Joabit, bëri të mundur që Uriahu të vdesë në betejë. (2. Samuelit 11:1-27) Përse Perëndia tregoi mëshirë ndaj Davidit? Kryesisht për shkak të marrëveshjes së Mbretërisë, por, gjithashtu edhe për shkak të mëshirës së vet Davidit dhe pendimit të tij të vërtetë.—1. Samuelit 24:4-7; 2. Samuelit 7:12; 12:13.
10. Përse e fali Perëndia Pjetrin edhe pse gaboi seriozisht?
10 Të shqyrtojmë, gjithashtu, apostullin Pjetër. Ai mëkatoi seriozisht, duke e mohuar Jezuin disa herë. Përse e fali Perëndia Pjetrin? Ndryshe nga Juda Iskarioti, Pjetri ishte i ndershëm në shërbimin e Perëndisë dhe Krishtit. Mëkati i këtij apostulli i detyrohet dobësisë trupore dhe ai u pendua me të vërtetë dhe «qau me hidhërim.»—Mateu 26:69-75.
11. Si do ta përcaktoje «pendimin» dhe ç’duhet të bëjë një njeri, nëse është penduar me të vërtetë?
11 Shembujt e lartëpërmendur tregojnë se edhe një njeri që mëkaton rëndë mund ta fitojë faljen e Perëndisë Jehova. Por, çfarë qëndrimi kërkohet për falje? Pendimi i vërtetë është i domosdoshëm, nëse një i krishterë dëshiron falje nga Perëndia. Të pendohesh nënkupton «të kthehesh nga mëkati, të pendohesh për shkeljet e kaluara» apo «të ndjesh keqardhje apo pendim për atë që dikush ka bërë apo nuk ka bërë.» (Webster’s Third New International Dictionary) Një njeri vërtet të penduar e bren ndërgjegjja për çfarëdolloj faji, pikëllimi apo problemi që mëkati i tij i ka sjellë emrit të Jehovait apo organizatës së tij. Shkelësi i penduar duhet, gjithashtu, të japë fryt përkatës, duke kryer vepra të përshtatshme për pendim. (Mateu 3:8; Veprat 26:20) Për shembull, nëse i ka marrë diçka ndokujt, ai duhet të ndërmarrë hapa të arsyeshme për të kompensuar dëmin. (Luka 19:8) Një i krishterë i tillë i penduar ka arsye të forta biblike për të besuar se Jehovai do ta falë në masë të gjerë. Cilat janë ato?
Shkaqe për të besuar në faljen e Perëndisë
12. Mbi çfarë baze Psalmi 25:11 tregon se një njeri i penduar mund të lutet për falje?
12 Një shkelës i penduar mund të lutet me besim për falje në bazë të emrit të Jehovait. Davidi u lut: «Për hir të emrit tënd, O Jehova, duhet të ma falësh gabimin tim, sepse është i konsiderueshëm.» (Psalmi 25:11) Kjo lutje, e lidhur me pendimin për çdo lloj faji që shkelësi ka sjellë mbi emrin e Perëndisë, gjithashtu duhet të veprojë si mjet frenimi për mëkate më të mëdha në të ardhmen.
13. Ç’rol luan lutja në faljen hyjnore?
13 Perëndia Jehova u përgjigjet lutjeve të përzemërta të shërbëtorëve të vet që gabojnë, por pendohen. Për shembull, Jehovai nuk e bëri veshin të shurdhër ndaj Davidit, që u lut nga zemra, pasi e kuptoi madhësinë e mëkateve të veta në lidhje me Betshebën. Në të vërtetë, fjalët e Davidit në Psalmin 51 shprehin ndjenjat e shumë njerëzve që luten. Ai u lut: «Më trego favor, O Perëndi, sipas dashamirësisë tënde të dashur. Sipas bollëkut të mëshirës tënde pastroi shkeljet e mia. Lamë plotësisht nga gabimi im dhe pastromë edhe nga mëkati im. Flijim i Perëndisë është fryma e thyer; zemrën e thyer dhe të dërrmuar, O Perëndi, ti s’do ta përçmosh.»—Psalmi 51:1, 2, 17.
14. Si na sigurojnë Shkrimet, se Perëndia i fal ata që tregojnë besim në flijimin shpërblerës të Jezuit?
14 Perëndia i fal ata që tregojnë besim në flijimin shpërblerës të Jezuit. Pavli shkroi: «Nëpërmjet tij e kemi çlirimin me anë të shpërblimit nga gjaku i tij, po, faljen e fajeve tona.» (Efesianëve 1:7) Me domethënie të njëjtë, apostulli Gjon shkroi: «Fëmijët e mi të vegjël, po ju shkruaj këto gjëra që të mos bëni mëkat. Por, edhe nëse ndonjëri bën ndonjë mëkat, kemi një ndihmës me Atin, Jezu Krishtin, të drejtin. Ai është flijimi pajtues për mëkatet tona, dhe jo vetëm tonat, por gjithashtu, për të të gjithë botës.»—1. Gjonit 2:1, 2.
15. Ç’duhet të bëjë mëkatari i penduar që të vazhdojë të gëzojë mëshirën e Perëndisë?
15 Mëshira e Jehovait i jep shkelësit të penduar bazë për besim se mund të falet. Nehemia tha: «Ti je Perëndi i veprave të faljes, i hirshëm dhe i mëshirshëm, i ngadalshëm në hidhërim dhe i begatshëm në dashamirësi të dashur.» (Nehemia 9:17; krahaso Të Dalët 34:6, 7.) Natyrisht, që të vazhdojë të gëzojë mëshirën hyjnore, mëkatari duhet të luftojë për të mbajtur ligjin e Perëndisë. Sikurse tha psalmisti: «Le të vijë tek unë mëshira jote, që të mund të jetoj; sepse ligji yt më pëlqen. Të shumta janë mëshirat e tua, O Jehova. Sipas vendimeve të tua gjyqësore, oh më mbaj të gjallë.»—Psalmi 119:77, 156.
16. Ç’ngushëllim ekziston në faktin, se Jehovai e merr parasysh gjendjen tonë mëkatare?
16 Fakti se Jehovai e merr parasysh gjendjen tonë mëkatare, po ashtu i jep shkelësit të penduar ngushëllim dhe arsye për t’u lutur me besim se Jehovai do ta falë. (Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) Psalmisti David dha një sigurim ngushëllues, kur deklaroi: «Ai [Perëndia Jehova] nuk vepron me ne sipas mëkateve tona; e as që sjell mbi ne atë që meritojmë sipas gabimeve tona. Sepse, sikurse qiejt janë më lart se toka, dashamirësia e tij e dashur është mbi ata që i frikësohen. Sa është larg lindja nga perëndimi i diellit, aq larg prej nesh i ka vënë shkeljet tona. Sikurse ati tregon mëshirë ndaj bijve të vet, Jehovai ka treguar mëshirë ndaj atyre që i frikësohen. Sepse ai e di mirë formimin tonë, duke mbajtur mend se jemi pluhur.» (Psalmi 103:10-14) Po, Ati ynë qiellor është shumë më i mëshirshëm dhe më i dhembshur, sesa një prind njerëzor.
17. Si ndikon mbi faljen e kaluara në shërbim besnik ndaj Perëndisë?
17 Një mëkatar i penduar mund të lutet për falje me besim se Jehovai s’do ta harrojë të kaluarën e shërbimit të tij besnik. Nehemia nuk u lut për faljen e mëkatit të vet, por tha: «Më kujto, O Perëndia im, për të mirë.» (Nehemia 13:31) Një i krishterë i penduar mund të gjejë ngushëllim në fjalët: «Perëndia nuk është aq i padrejtë, sa të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që keni treguar për emrin e tij.»—Hebrenjve 6:10, NW.
Ndihmë nga pleqtë
18. Ç’duhet bërë, nëse mëkati e ka sëmurur frymësisht një të krishterë?
18 Ç’mund të themi, nëse një i krishterë ndihet i papërshtatshëm për të ndenjur në parajsën frymore apo për t’u lutur, sepse mëkati i tij e ka sëmurur frymësisht? «Le t’i ftojë pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten mbi të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait», shkroi dishepulli Jakov. «Dhe lutja e besimit do t’i bëjë mirë atij që është i paqejf dhe Jehovai do ta ngrejë. Dhe nëse ka bërë mëkate, do t’i falen.» Po, pleqtë e kongregacionit në mënyrë efektive mund të luten me dhe për bashkëbesimtarin e penduar me shpresë, se do ta përtrijnë atë në shëndet të mirë frymor.—Jakovi 5:14-16, NW.
19. Nëse një person është përjashtuar, ç’duhet të bëjë që të falet dhe të pranohet përsëri?
19 Madje, edhe nëse komiteti gjyqësor e përjashton një mëkatar të papenduar, nuk është e thënë se ai ka bërë mëkatin e pafalshëm. Megjithatë, që t’i falet dhe të pranohet përsëri, ai me përulësi duhet të dëgjojë ligjet e Perëndisë, të japë fryte të përshtatshme për pendim dhe t’i drejtohet pleqve për pranim të sërishëm. Pasi një i dhënë pas kurvërisë u përjashtua nga kongregacioni në Korintin e vjetër, Pavli shkroi: «Është mjaft për atë njeri ky qortim i ashpër që iu bë prej shumicës, prandaj, në të kundërtën tani, ju duhet që me mirësi ta falni e ta ngushëlloni atë, që të mos përpihet nga trishtimi. Prandaj, ju bëj thirrje, të tregoni dashuri kundrejt tij.»—2. Korintasve 2:6-8; 1. Korintasve 5:1-13.
Perëndia jep fuqi
20, 21. Ç’mund ta ndihmojë një person që vuan nga shqetësimi se mund të ketë bërë mëkat të pafalshëm?
20 Nëse faktorë të tillë, si shëndeti i dobët apo dëshpërimi shkaktojnë shqetësim, duke dyshuar se është bërë mëkat i pafalshëm, pushimi i mjaftueshëm dhe fjetja mund të ndihmojnë. Por, në veçanti duhet të kujtosh fjalët e Pjetrit: «Hidhe gjithë shqetësimin tënd mbi të [Perëndinë], sepse ai kujdeset për ty.» Gjithashtu, mos lejo kurrë që Satanai të të dekurajojë, sepse Pjetri shtoi: «Rrini zgjuar! Armiku juaj, Djalli, si një luan ulëritës, endet andej-këtej, duke kërkuar të përpijë dikë. Pra, merrni qëndrim kundër tij, të fortë në besim, duke e ditur se po të njëjtat gjëra, përsa i përket vuajtjeve, kryhen ndaj gjithë shoqërisë së vëllezërve tuaj në botë. Por, pasi të keni vuajtur për pak kohë, Perëndia i çdo lloj mirësie . . . ai vetë do ta plotësojë përgatitjen tuaj, do t’ju bëjë të fortë.»—1. Pjetrit 5:6-10.
21 Kështu, nëse je penduar, por ke frikë se je fajtor apo se ke bërë mëkat të pafalshëm, sill ndër mend se rrugët e Perëndisë janë të mençura, të drejta dhe të dashura. Prandaj, lutju atij me besim. Vazhdo të marrësh ushqimin frymor që ai e siguron përmes «skllavit besnik e të matur». (Mateu 24:45-47) Shoqërohu me bashkëbesimtarët dhe merr pjesë rregullisht në shërbimin e krishterë. Kjo do ta fortësojë besimin tënd dhe do të të lirojë nga çdo frikë se Perëndia nuk mund ta falë mëkatin tënd.
22. Ç’do të shqyrtojmë në vazhdim?
22 Banorët e parajsës frymore mund të gjejnë ngushëllim në njohurinë se Jehovai fal në masë të gjerë. Mirëpo, jeta e tyre sot nuk është pa sprova. Ndoshta janë të dëshpëruar prej vdekjes së ndonjë të dashuri të vet apo sepse ndonjë mik i dashur është i sëmurë. Siç do të shohim, në këto dhe në rrethana të tjera, Jehovai e ndihmon dhe e udhëheq popullin e vet përmes frymës së vet të shenjtë.
Pyetjet për përsëritje
◻ Cila provë ekziston, se Jehovai «fal në masë të gjerë»?
◻ Për cilin mëkat nuk ekziston falja?
◻ Në çfarë rrethanash falen mëkatet e ndokujt?
◻ Përse shkelësit e penduar mund të besojnë në faljen e Perëndisë?
◻ Cila ndihmë është e mundshme për shkelësit e penduar?
[Figura në faqen 10]
A e di se përse u falën Davidi dhe Pjetri, ndërsa Juda Iskarioti jo?
[Figura në faqen 12]
Ndihma e pleqve të kongregacionit mund të bëjë shumë për t’u ndihmuar të krishterëve frymësisht?