Uilliam Uiston—Heretik apo studiues i ndershëm?
A DO TË sakrifikoje karrierën për hir të bindjeve të tua? Uilliam Uiston e bëri këtë gjë.
Uiston ishte në qendër të një debati fetar në fillim të shekullit të 18-të, për shkak të një çështjeje me Kishën Anglikane rreth mësimeve të Biblës. Përfundimisht ai u demaskua si heretik. Kështu ai u bë objekt talljeje për disa, por filloi të respektohej nga të tjerë.
Kush ishte Uilliam Uiston? Çfarë bëri ai?
Një studiues i Biblës
Uilliam Uiston ishte një koleg i shkëlqyer i Isak Njutonit në Universitetin e Kembrixhit. Në qoftë se konsulton përkthimet angleze të shkrimeve nga historiani hebre i shekullit I, Jozef Flavius, përkthimi i bërë nga Uiston në 1736 do të të pëlqente më tepër. Megjithëse ekzistojnë përkthime të tjera, përkthimi i tij i shoqëruar me shënime dhe komente, është superior dhe është akoma në shtyp. Shumë e konsiderojnë këtë punë si kulmin e arritjeve të Uistonit.
Për të mos u nënvleftësuar, është Primitive New Testament, përkthim i Shkrimeve të Krishtere Greke edhe ky i bërë nga Uiston. Ky përkthim u botua në 1745, kur ai ishte 78 vjeç. Uiston përktheu katër Ungjijtë dhe Veprat e Apostujve nga Kodeksi i Bezaes, letrat e Pavlit nga kodeksi i Klermontit, si dhe pjesën e mbetur, duke përfshirë edhe Zbulesën nga Dorëshkrimet e Aleksandrit. Ai fshiu me kujdes pjesën e shtuar te 1. Gjonit 5:7. Uistoni zgjodhi këto tri burime të lashta greke si më të mirat e asaj kohe.
Dashuria për Biblën ishte motivi që e shtynte Uistonin për të bërë këto përkthime. Në atë kohë ishte mbizotërues deizmi, mësimi sipas të cilit për të besuar në Perëndi duhet të mbështeteshe mbi baza të mjaftueshme. Sipas librit Uilliam Uiston, njutoniani i ndershëm (William Whiston—Honest Newtonian), mbështet me forcë «opinioni tradicional se Bibla është i vetmi burim i pagabueshëm i historisë së hershme». Termi «njutonian» këtu i referohet Isak Njutonit, shumë i njohur për veprën e tij Principia, në të cilën ai shpjegoi ligjin universal të gravitetit. Mendimet e Njutonit patën një efekt të madh mbi Uilliam Uistonin. Përse?
Kontrast personalitetesh
Uilliam Uiston ka lindur në 1667, bir i një kleriku të një kishe angleze. Pasi kishte qenë i caktuar si klerik anglikan në 1693, rikthehet në Universitetin e Kembrixhit për të studiuar matematikën dhe për t’u bërë një asistent i Njutonit. Midis tyre lindi një miqësi e ngushtë. Kur Njutoni pas tre vjetësh hoqi dorë nga katedra si profesor Lukasian i matematikës, bëri që Uistoni të merrte vendin e tij. Duke ndjekur karrierën e tij, Uistoni mbante leksione në astronomi dhe matematikë, por ndikimi i Njutonit e shtyu atë që të interesohej më tepër për kronologjinë dhe doktrinën biblike.
Njutoni ishte një njeri fetar. Si një besimtar i zellshëm i Mijëvjeçarit biblik, ai shkroi gjerësisht për profecitë e Danielit dhe të Zbulesës. Megjithatë, asnjë prej këtyre shkrimeve nuk u botua gjatë jetës së tij. Ai e hodhi poshtë doktrinën e Trinitetit. Por, kur erdhi koha për të botuar dëshmitë e tij kundër Trinitetit, «Njutoni u tërhoq nga frika se idetë e tij antitrinitare do të bënin bujë në publik», vërente Encyclopœdia Britannica. F. E. Manuel e përshkroi kështu situatën, në veprën Isak Newton Historian: «Grupi i Njutonit ose i mban mendimet e veta në sekret ose entuziazmi i tyre u zbeh . . . Ndërsa Njutoni vepronte me maturi, Uiston bërtiste sikur të ishte në markatë.» Këta dy burra, pra, kishin personalitete në kontrast me njëri-tjetrin.
Syrgjynosje
Në korrik 1708, Uiston u shkroi kryepeshkopëve të Kentërbërit dhe Jorkut, duke i nxitur të pranojnë reformën e doktrinës së Kishës Anglikane, që binte në kundërshtim me falsitetin e doktrinës së Trinitetit e pasqyruar nga Kredoja Atanasiane. Siç pritej, ai u këshillua të ishte i kujdesshëm. Por Uistoni ngulmonte. «Unë i kam studiuar këto pika në thellësi,—tha ai,—dhe jam plotësisht i bindur se kisha e krishterë ka qenë e mashtruar gjatë prej këtyre; dhe nëse do të varej nga unë, me bekimin e Perëndisë, ajo nuk do të mashtrohej më.»
Njutoni u frikësua për pozitën e tij sociale dhe akademike. Por Uistoni nuk frikësohej. Duke i pasur të qarta idetë e tij antitrinitare, ai shkroi një broshurë ku paraqiste pikëpamjet e tij. Por, në gusht 1708, Universiteti i Kembrixhit refuzoi t’i jepte Uistonit një leje për të botuar këtë material, duke e gjykuar si antiortodokse.
Në 1710, Uiston ishte akuzuar si mësonjës i një doktrine që ishte në kundërshtim me besimin e Kishës Anglikane. Ai u gjykua si fajtor, duke u dëbuar nga katedra dhe Kembrixhi. Megjithatë, ai kurrë nuk u fajësua për herezi.
Megjithëse pikëpamjet e tij antitrinitare ishin të ngjashme me ato të Uistonit, Njutoni nuk e mbrojti publikisht mikun e tij dhe preu përfundimisht çdo lidhje me të. Në 1754, studimet biblike antitrinitare të Njutonit më në fund u publikuan—27 vjet pas vdekjes së tij. Por ishte shumë vonë për të ndihmuar Uistonin, i cili kishte 2 vjet që kishte vdekur.
Njutoni gjithashtu është konsideruar si përgjegjës për largimin e Uistonit nga Shoqata e famshme Rojëll. Por Uiston nuk u shkurajua. Ai dhe familja e tij u transferuan në Londër, ku ai themeloi një shoqatë për shtytjen e krishterimit primitiv. Ai vuri të gjitha energjitë e tij në shkrim dhe veprat më të mira të asaj periudhe ishin katër volumet e Ringjalljes së krishterimit primitiv.
Objekt kundërshtimi deri në fund
Si shkencëtar, Uistoni punoi në mënyra të ndryshme për të përcaktuar gjatësinë në det. Megjithëse idetë e tij nuk u pranuan, këmbëngulja e tij çoi në zhvillimin e kronometrit detar. Megjithëse shumë prej pikëpamjeve të Uistonit rreth profecive biblike, si ato aktualet, kanë dalë të pasakta, ai nuk u kursye për kërkimin e së vërtetës. Broshurat e tij për orbitat e kometave dhe postulatet e tij për pasojat e Përmbytjes së ditëve të Noes janë midis shumë shkrimeve që ai i shkroi për të mbrojtur si shkencën, ashtu edhe të vërtetën e Biblës. Por megjithatë, nga shkrimet e tij, më të rëndësishmet janë ato që demaskojnë Trinitetin si një doktrinë të antishkrimeve.
Siç edhe pritej prej tij, Uistoni u largua nga Kisha Anglikane në vitin 1747. Ai e bëri këtë si në kuptimin e vërtetë ashtu edhe në atë simbolik, kur doli jashtë kishës, si një klerik filloi të lexonte Kredon Atanasiane. Një enciklopedi fetare thotë për Uistonin: «Janë për t’u admiruar sinqeriteti dhe vërtetësia e madhe e karakterit të tij, qëndrueshmëria në jetën e tij dhe ndershmëria e sjelljes së tij.»
Për Uilliam Uistonin, e vërteta nuk mund të kompromentohej dhe bindjet e tij personale ishin më të çmueshme se duartrokitja dhe aprovimi i njerëzve. Megjithëse i diskutueshëm, Uiston ishte një studiues i ndershëm, që pa frikë e mbrojti fuqishëm Biblën si Fjalën e Perëndisë.—2. Timoteut 3:16, 17.
[Burimi i figurës në faqen 26]
Copyright British Museum