«Duart e tua mos u dobësofshin!»
«Duart e tua mos u dobësofshin! Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton.»—SOFONIA 3:16, 17.
1. Çfarë ka pohuar një studiues i Biblës në lidhje me profecinë e Sofonisë?
PROFECIA e Sofonisë shtrihet përtej përmbushjes së saj të parë në shekujt e shtatë e të gjashtë p.e.s. Në komentin e tij mbi Sofoninë, profesori Karl F. Keil shkroi: «Profecia e Sofonisë . . . jo vetëm që fillon me shpalljen e një gjykimi universal mbi gjithë botën, nga e cila del se gjykimi do të bjerë mbi Judën për shkak të mëkateve të saj dhe mbi botën e kombeve për shkak të armiqësisë së tyre ndaj popullit të Jehovait; por shtrihet gjatë gjithë ditës së madhe e të tmerrshme të Jehovait.»
2. Çfarë ngjashmërish ekzistojnë ndërmjet kushteve në ditët e Sofonisë dhe gjendjes brenda të ashtuquajturit krishterim sot?
2 Sot, sipas vendimit gjyqësor të Jehovait, kombet do të mblidhen për shkatërrim në një shkallë shumë më të madhe se në ditët e Sofonisë. (Sofonia 3:8) Ato kombe që pohojnë se janë të krishtere janë veçanërisht fajtore në sytë e Perëndisë. Ashtu si edhe Jerusalemi pagoi një çmim të shtrenjtë për shkak të pabesnikërisë së tij ndaj Jehovait, kështu edhe i ashtuquajturi krishterim duhet t’i përgjigjet Perëndisë për rrugët e tij të shthurura. Gjykimet hyjnore të shpallura kundër Judës dhe Jerusalemit në ditët e Sofonisë, gjejnë aplikim me një forcë shumë më të madhe për kishat dhe sektet e të ashtuquajturit krishterim. Gjithashtu, ata e kanë ndotur adhurimin e pastër me doktrinat e tyre që nuk e nderojnë Perëndinë, shumë prej të cilave janë me origjina pagane. Ata kanë sakrifikuar miliona nga bijtë e tyre të shëndetshëm mbi altarin modern të luftës. Për më tepër, banorët e Jerusalemit antitipik e përziejnë të ashtuquajturin krishterim me astrologjinë, me praktika spiritiste dhe me imoralitet të degjeneruar seksual, gjëra që të sjellin ndër mend adhurimin e Baalit.—Sofonia 1:4, 5.
3. Ç’mund të themi sot për shumë krerë të botës dhe qeveri politike dhe çfarë profetizoi Sofonia?
3 Shumë prej krerëve politikë të të ashtuquajturit krishterim u pëlqen të bien në sy nëpër kisha. Por, ashtu si «princat» e Judës, disa prej tyre e shfrytëzojnë popullin si «luanë vrumbullues» dhe si «ujqër» të uritur. (Sofonia 3:1-3) Lakenjtë e tyre politikë ‘po i mbushin me dhunë dhe mashtrim shtëpitë e zotërve të tyre’. (Sofonia 1:9) Rryshfetet dhe korrupsioni mbizotërojnë. Sa për qeveritë politike brenda dhe jashtë të ashtuquajturit krishterim, një numër në rritje i tyre ‘mburret’ kundër popullit të Jehovait të ushtrive, kundër Dëshmitarëve të tij, duke e trajtuar si një «sekt» të përbuzur. (Sofonia 2:8; Veprat 24:5, 14) Në lidhje me gjithë këta krerë politikë dhe ithtarët e tyre, Sofonia profetizoi: «As argjendi i tyre, as ari i tyre nuk do të mund t’i çlirojnë ditën e zemërimit të Zotit; përkundrazi, tërë vendi do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë së tij, sepse ai do të kryejë me siguri një shkatërrim të plotë të të gjithë banorëve të vendit.»—Sofonia 1:18.
«Të mbrojtur në ditën e zemërimit të Jehovait»
4. Nga duket se në ditën e madhe të Jehovait do të ketë të mbijetuar, por ç’duhet të bëjnë ata?
4 Në shekullin e shtatë p.e.s. nuk u shfarosën të gjithë banorët e Judës. Ngjashëm, edhe në ditën e madhe të Jehovait do të ketë të mbijetuar. Për këta, Jehovai tha nëpërmjet profetit të tij, Sofonisë: «Para se dekreti të ketë efekt, para se dita të kalojë si byku, para se të bjerë mbi ju zemërimi i zjarrtë i Zotit, para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Zotit, kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndoshta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.»—Sofonia 2:2, 3.
5. Në këtë kohë të fundit, cilët ishin të parët që dëgjuan paralajmërimin e Sofonisë dhe si i ka përdorur Jehovai ata?
5 Në këtë kohë të fundit të botës, të parët që e dëgjuan ftesën profetike ishin mbetja e izraelitëve frymorë, të krishterët e mirosur. (Romakëve 2:28, 29; 9:6; Galatasve 6:16) Pasi kishin kërkuar drejtësinë dhe butësinë e meqë kishin treguar respekt për vendimet gjyqësore të Jehovait, ata u liruan nga Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme dhe u vunë përsëri nën favorin hyjnor në vitin 1919. Qysh nga ajo kohë e veçanërisht nga viti 1922, kjo mbetje besnike ka shpallur pa frikë gjykimet e Jehovait kundër kishave dhe sekteve të të ashtuquajturit krishterim dhe kundër kombeve politike.
6. (a) Çfarë profetizoi Sofonia në lidhje me mbetjen e mirosur? (b) Si është përmbushur kjo profeci?
6 Për këtë mbetje besnike, Sofonia profetizoi: «Do të bëj të mbetet midis teje një popull i përulur dhe i varfër, që do të ketë besim te emri i Zotit. Mbetja e Izraelit nuk do të kryejë paudhësi dhe nuk do të thotë më gënjeshtra, as do të gjendet në gojën e tyre një gjuhë gënjeshtare; sepse ata do ta kullotin kopenë e tyre, do të bien të flenë dhe askush nuk do t’i trembë.» (Sofonia 3:12, 13) Këta të krishterë të mirosur e kanë mbajtur gjithmonë në ballë emrin e Jehovait, por veçanërisht qysh prej vitit 1931, kur adoptuan emrin Dëshmitarë të Jehovait. (Isaia 43:10-12) Duke nënvizuar çështjen e sovranitetit të Jehovait, ata kanë nderuar emrin hyjnor, i cili është bërë për ta një strehim. (Proverbat 18:10) Jehovai i ka ushqyer ata frymësisht me bollëk dhe ata banojnë pa frikë në një parajsë frymore.—Sofonia 3:16, 17.
«Të famshëm dhe të lavdishëm midis tërë popujve»
7, 8. (a) Cila profeci e mëtejshme është përmbushur mbi mbetjen e Izraelit frymor? (b) Çfarë kanë pranuar miliona njerëz dhe cilat janë ndjenjat e tua në këtë drejtim?
7 Fakti që mbetja ka qëndruar e lidhur ngushtë me emrin e Jehovait dhe me parimet e drejta të Fjalës së tij, nuk ka kaluar pa u vërejtur. Njerëzit e sinqertë kanë parë ndryshimin mes sjelljes së mbetjes dhe korrupsionit e hipokrizisë së krerëve politikë e fetarë të kësaj bote. Jehovai i ka bekuar «të mbeturit e Izraelit [frymor]». Ai i ka nderuar ata me privilegjin që të mbajnë emrin e tij dhe ka bërë që të kenë një famë të shkëlqyer midis banorëve të tokës. Ashtu siç ka profetizuar Sofonia: «Në atë kohë unë do t’ju kthej, po, në atë kohë do t’ju mbledh; sepse do t’ju bëj të famshëm dhe të lavdishëm midis tërë popujve të tokës, kur, para syve tuaj, do t’i bëj të kthehen ata që janë në robëri,—thotë Zoti.»—Sofonia 3:20.
8 Që nga viti 1935, miliona njerëz kanë pranuar se bekimet e Jehovait janë mbi mbetjen. Ata ndjekin me gëzim këta hebrenj apo izraelitë frymorë, duke thënë: «Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.» (Zaharia 8:23) Këto «dele të tjera» shohin te mbetja e mirosur «skllavin besnik e të matur», që Krishti e caktoi «mbi të gjitha zotërimet e tij [tokësore]». Me mirënjohje, ata marrin ushqimin frymor të përgatitur nga klasa e skllavit «në kohën e duhur».—Gjoni 10:16; Mateu 24:45-47, BR.
9. Çfarë «të foluri» kanë mësuar të flasin miliona njerëz dhe në cilën vepër të madhe po shërbejnë delet e tjera «krah për krah» me mbetjen e mirosur?
9 Krah për krah me mbetjen, këto miliona dele të tjera po mësojnë të jetojnë e të flasin në harmoni me «një të folur të pastër».a Jehovai profetizoi me anë të Sofonisë: «Atëherë do t’u jap popujve një të folur të pastër, me qëllim që të gjithë të përmendin emrin e Zotit, për t’i shërbyer me një marrëveshje të përbashkët [krah për krah, BR].» (Sofonia 3:9) Po, delet e tjera, në unitet i shërbejnë Jehovait «krah për krah» me anëtarët e mirosur të «tufës së vogël», në veprën urgjente të predikimit «të këtij lajmi të mirë të mbretërisë . . . për dëshmi në të gjitha kombet».—Luka 12:32; Mateu 24:14, BR.
«Dita e Jehovait do të vijë»
10. Për çfarë ka qenë gjithmonë e bindur mbetja e mirosur dhe si klasë ata do të jetojnë për të parë çfarë gjëje?
10 Mbetja e mirosur ka mbajtur vazhdimisht në mendje deklaratën e frymëzuar të apostullit Pjetër: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë disa njerëz ngadalësinë, por ai është i durueshëm me ju, sepse dëshiron që askush të mos shkatërrohet, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim. Por dita e Jehovait do të vijë si një vjedhës.» (2. Pjetrit 3:9, 10, BR) Anëtarët e klasës së skllavit besnik s’kanë pasur kurrë asnjë dyshim në lidhje me ardhjen e ditës së Jehovait në kohën tonë. Ajo ditë e madhe do të fillojë me ekzekutimin e gjykimeve të Perëndisë kundër të ashtuquajturit krishterim, Jerusalemit antitipik dhe kundër mbeturinave të Babilonisë së Madhe.—Sofonia 1:2-4; Zbulesa 17:1, 5; 19:1, 2.
11, 12. (a) Cila pjesë tjetër e profecisë së Sofonisë është përmbushur mbi mbetjen? (b) Si e ka dëgjuar mbetja e mirosur thirrjen «duart e tua mos u dobësofshin»?
11 Mbetja besnike gëzohet që është liruar në vitin 1919 nga robëria frymore e Babilonisë së Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme. Ata kanë provuar përmbushjen e profecisë së Sofonisë: «Lësho britma gëzimi, o bijë e Sionit! Lësho britma hareje, o Izrael! Gëzohu dhe ngazëllo me gjithë zemër, o bijë e Jerusalemit! Zoti i ka revokuar gjykimet e tij kundër teje, ka dëbuar armikun tënd. Mbreti i Izraelit, Zoti [Jehovai, BR], ndodhet midis teje, nuk do të kesh më frikë nga asgjë. Atë ditë do të thonë në Jerusalem: ‘Mos ki frikë, o Sion, duart e tua mos u dobësofshin! Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton.’»—Sofonia 3:14-17.
12 Me bindjen dhe me prova të bollshme se Jehovai po e mbështet, mbetja e mirosur ka shkuar përpara pa frikë në përmbushje të urdhrit të saj hyjnor. Ata e kanë predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë dhe kanë bërë të njohura gjykimet e Jehovait kundër të ashtuquajturit krishterim, pjesës tjetër të Babilonisë së Madhe dhe kundër gjithë sistemit të lig të gjërave të Satanait. Pavarësisht nga vështirësitë, gjatë dhjetëvjeçarëve qysh prej vitit 1919, ata i janë bindur urdhrit hyjnor: «Mos ki frikë, o Sion, duart e tua mos u dobësofshin!» Nuk kanë ndenjur duarkryq, por kanë shpërndarë miliarda fletushka, revista, libra dhe broshura, të cilat lajmërojnë Mbretërinë e Jehovait. Ata kanë qenë një shembull që u ka frymëzuar besim deleve të tjera, të cilat qysh prej 1935-ës, janë grumbulluar përkrah tyre.
«Duart e tua mos u dobësofshin»
13, 14. (a) Përse disa hebrenj u tërhoqën nga shërbimi i Jehovait dhe si u bë e dukshme kjo? (b) Ç’gjë nuk do të ishte aspak e mençur ta bënim dhe në cilën vepër nuk duhet t’i lëmë duart të na dobësohen?
13 Edhe pse ‘jemi në pritje’ të ditës së madhe të Jehovait, si mund të marrin një ndihmë praktike nga profecia e Sofonisë? Së pari, duhet të kemi kujdes të mos bëhemi si hebrenjtë në ditët e Sofonisë, të cilët u tërhoqën duke mos ndjekur më Jehovain, pasi kishin dyshime për afërsinë e ditës së Jehovait. Ata hebrenj mund të mos i kenë shprehur patjetër hapur dyshimet e tyre, por mënyra e tyre e të vepruarit zbuloi se ata nuk besonin me të vërtetë që dita e madhe e Jehovait ishte afër. Ata u përqendruan mbi grumbullimin e pasurive, në vend se të prisnin Jehovain.—Sofonia 1:12, 13; 3:8.
14 Sot, nuk është koha të lejojmë që dyshimet të hedhin rrënjë në zemrat tona. Nuk do të ishte aspak e mençur që në mendjet e në zemrat tona të linim pas dore ditën e Jehovait. (2. Pjetrit 3:1-4, 10) Nuk duhet të tërhiqemi nga Jehovai e të lëmë që duart tona ‘të dobësohen’ në shërbimin e tij. Kjo do të thotë, të mos punojmë «me dorë përtace» në predikimin e «lajmit të mirë».—Proverbat 10:4; Marku 13:10, BR.
Të luftojmë indiferencën
15. Ç’gjë mund të shkaktojë përtaci në duart tona në shërbimin e Jehovait dhe si ishte parathënë ky problem në profecinë e Sofonisë?
15 Së dyti, duhet të ruhemi nga ndikimet dobësuese të indiferencës. Në shumë vende perëndimore, mungesa e interesit për gjërat frymore mund të bëhet një shkak për shkurajim mes disa predikuesve të lajmit të mirë. Një indiferencë e tillë ekzistonte në kohën e Sofonisë. Nëpërmjet profetit të tij, Jehovai deklaroi: «Do të ndëshkoj njerëzit që . . . thonë në zemër të tyre: ‘Zoti nuk bën as të mirë, as të keqe.’» (Sofonia 1:12) Duke shkruar në lidhje me këtë pjesë, A. B. Davidson pohonte se kjo u referohet njerëzve që kanë «rënë në një indiferencë të pandjeshme apo edhe që nuk besojnë për asnjë ndërhyrje të ndonjë fuqie më të lartë në punët e njerëzimit».—Cambridge Bible for Schools and Colleges.
16. Cila gjendje mendore ekziston mes shumë anëtarëve të kishave të të ashtuquajturit krishterim, por ç’inkurajim na jep Jehovai?
16 Indiferenca është qëndrimi që mbizotëron sot në shumë pjesë të tokës, sidomos në kombet më të pasura. Edhe anëtarë të kishave të të ashtuquajturit krishterim nuk besojnë se Perëndia Jehova do të ndërhyjë në punët e njerëzve, në ditët tona. Ata u shmangen përpjekjeve tona për t’u çuar lajmin e mirë të Mbretërisë, qoftë me ndonjë buzëqeshje hipokrite apo edhe me ndonjë përgjigje troç: «S’më intereson!» Në këto kushte, qëndrueshmëria në veprën e predikimit mund të jetë një sfidë e vërtetë. Ajo vë në provë durimin tonë. Por, nëpërmjet profecisë së Sofonisë, Jehovai i jep fuqi popullit të tij besnik, duke thënë: «Duart e tua mos u dobësofshin! Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi.»—Sofonia 3:16, 17.
17. Cilin shembull të shkëlqyer duhet të ndjekin më të rinjtë mes deleve të tjera dhe në ç’mënyrë?
17 Është një fakt në historinë moderne të popullit të Jehovait, se mbetja, si edhe më të vjetrit mes deleve të tjera, kanë kryer një vepër të jashtëzakonshme grumbullimi në këto ditë të fundit. Të gjithë këta të krishterë besnikë kanë treguar durim gjatë dekadave. Ata s’kanë lejuar që indiferenca e shumicës së njerëzve në të ashtuquajturin krishterim t’i shkurajojë. Kështu, pra, edhe më të rinjtë mes deleve të tjera, le të mos i lëshojë zemra përpara indiferencës ndaj gjërave frymore që është kaq mbizotëruese sot në shumë vende! ‘Duart e tyre mos u dobësofshin’ apo të mos bien në përtaci! Le të shfrytëzojnë çdo rast për të prezantuar revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe botime të tjera të shkëlqyeshme, që janë bërë veçanërisht për të ndihmuar njerëzit ngjashëm deleve të mësojnë të vërtetën mbi ditën e Jehovait dhe bekimet që do të vijnë!
Përpara, ndërsa presim ditën e madhe!
18, 19. (a) Çfarë inkurajimi për të duruar gjejmë në Mateun 24:13 dhe në Isainë 35:3, 4? (b) Si do të bekohemi, nëse në unitet shkojmë përpara në shërbimin e Jehovait?
18 Jezui pohoi: «Ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.» (Mateu 24:13) Pra, të mos kemi «duar të dobësuara» dhe «gjunjë të pasigurt», ndërsa presim ditën e madhe të Jehovait! (Isaia 35:3, 4) Profecia e Sofonisë pohon në mënyrë siguruese për Jehovain: «Si një i Fuqishëm, ai do të shpëtojë.» (Sofonia 3:17, BR) Po, Jehovai do të shpëtojë «shumicën e madhe» gjatë fazës përfundimtare të «mjerimit të madh», kur të urdhërojë Birin e tij për të thërrmuar kombet politike që vazhdojnë në «kryelartësinë e tyre» kundër popullit të tij.—Zbulesa 7:9, 14, BR; Sofonia 2:10, 11; Psalmi 2:7-9.
19 Ndërsa dita e madhe e Jehovait afrohet, le të shkojmë përpara me zell, duke i shërbyer atij «krah për krah»! (Sofonia 3:9) Duke bërë kështu, ne vetë dhe shumë e shumë të tjerë, do të jemi në gjendje për të qenë «të ruajtur ditën e zemërimit të Jehovait» dhe dëshmitarë të shenjtërimit të emrit të tij të shenjtë.
[Shënimi]
a Për një trajtim të plotë të «të folurit të pastër», shiko Kullën e Rojës 1 prill 1991, faqe 20-25 dhe 1 maj 1991, faqe 10-20, angl.
Rishikim
◻ Në cilat aspekte gjendja fetare brenda të ashtuquajturit krishterim ngjan me atë të ditëve të Sofonisë?
◻ Në ç’mënyrë, shumë krerë të sotëm politikë ngjasojnë me «princat» civilë të kohës së Sofonisë?
◻ Cilat premtime në librin e Sofonisë janë përmbushur mbi mbetjen?
◻ Çfarë kanë pranuar miliona njerëz?
◻ Përse nuk duhet të lejojmë që të na dobësohen duart në shërbimin e Jehovait?
[Figurat në faqen 15]
Si Sofonia, mbetja besnike e të krishterëve të mirosur ka shpallur pa frikë gjykimet e Jehovait
[Figurat në faqen 18]
«Delet e tjera» nuk kanë lejuar që indiferenca e njerëzve t’i shkurajojë