Vërtet, a mund ta duash Perëndinë?
«ASNJË njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë»,—thotë Perëndia. (Dalja 33:20) Për më tepër, qysh prej kohëve biblike, s’ka asnjë dëshmi se ndonjë njeri ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me të. A nuk duket e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të zhvillosh një dashuri të thellë të përzemërt për dikë, që s’e ke parë apo dëgjuar kurrë? A është vërtet e mundur të kesh marrëdhënie të dashura me Krijuesin e universit?
S’duhet të ketë asnjë dyshim që është e mundur të zhvillosh një lidhje të ngrohtë personale me Perëndinë. Në Ligjin e përtërirë 6:5 lexojmë se kombi i Izraelit kishte marrë këtë urdhër: «Ti do ta duash, pra, Zotin [Jehovain, BR], Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.» Më vonë, Jezu Krishti u ripohoi këtë ligj ithtarëve të tij dhe shtoi: «Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi.» (Mateu 22:37, 38) A do të na nxiste Bibla të donim Perëndinë, sikur një marrëdhënie e tillë të ishte e paarritshme?
Por, a pret Jehovai që ne ta duam vetëm sepse ai na ka urdhëruar? Jo. Perëndia e krijoi çiftin e parë me aftësitë për ta dashur. Adami dhe Eva nuk qenë të detyruar të kishin një marrëdhënie të dashur me Krijuesin e tyre. Përkundrazi, Perëndia i vendosi në kushte ideale, në të cilat ata do të zhvillonin dashuri të thellë e të përzemërt për të. Zgjedhja u përkiste atyre: të lidheshin më ngushtë me Perëndinë ose të largoheshin prej tij.
Adami dhe Eva zgjodhën rebelimin. (Zanafilla 2:16, 17; 3:6, 7) Megjithatë, pasardhësit e tyre do të kishin aftësinë të zhvillonin një marrëdhënie të dashur me Krijuesin.
Të ecim me Perëndinë e vërtetë
Në Bibël, për shembull, për Abrahamin thuhet se ishte «miku» i Perëndisë. (Jakovit 2:23) Por, Abrahami nuk ishte në asnjë mënyrë i vetmi që gëzoi një marrëdhënie intime me Perëndinë. Bibla flet për shumë njerëz të tjerë të papërsosur, të cilët treguan dashuri të përzemërt të sinqertë për Jehovain dhe ‘ecën me Perëndinë’ e vërtetë.—Zanafilla 5:24; 6:9; Jobi 29:4; Psalmi 25:14; Proverbat 3:32.
Shërbëtorët e lashtë të Perëndisë nuk lindën me dashurinë për Perëndinë. U duhej ta zhvillonin atë. Në ç’mënyrë? Duke e njohur atë me emrin e tij personal, Jehova. (Dalja 3:13-15; 6:2, 3) Duke qenë të vetëdijshëm për ekzistencën dhe për Hyjninë e tij. (Hebrenjve 11:6) Duke medituar shpesh mbi veprat e tij të dashura. (Psalmi 63:6) Duke shprehur në lutje ndaj Perëndisë mendimet e tyre më të thella. (Psalmi 39:12) Duke mësuar për mirësinë e tij. (Zaharia 9:17) Duke zhvilluar një frikë të shëndoshë për të mos e fyer atë.—Proverbat 16:6.
A mund të bëhesh edhe ti mik me Perëndinë e të ecësh me të? Vërtet, Perëndinë nuk mund ta shohësh e s’mund të dëgjosh as zërin e tij. Megjithatë, Jehovai të fton të bëhesh ‘mysafir në tendën e tij’, një mik. (Psalmi 15:1-5, BR) Prandaj, është e mundur të duash Perëndinë. Por, si mund të zhvillosh një marrëdhënie intime e të përzemërt me të?