«Si në qiell, edhe në tokë»
«Në besimin katolik përcaktohen katër gjëra përfundimtare: Vdekja, Gjykimi, Ferri, Parajsa.»—Catholicism, botuar nga Xhorxh Brantli.
VINI re që mes këtyre katër gjërave përfundimtare nuk përfshihet toka. Kjo nuk është fare për t’u habitur, sepse Kisha Katolike, ashtu si edhe shumë fe të tjera, e mbështet idenë se toka një ditë do të shkatërrohet. Një fjalor (Dictionnaire de Théologie Catholique) e bën të qartë këtë kur shpjegon frazën «fundi i botës»: «Kisha Katolike beson dhe mëson se bota e tanishme, kështu si e krijoi Perëndia dhe kështu siç ekziston, nuk do të zgjatë përjetë.» Edhe në një manual të kohëve të fundit për katekizmin katolik paraqitet kjo ide: «Bota jonë . . . është e destinuar të zhduket.» Por, nëse planeti ynë do të zhduket, çfarë të themi atëherë për premtimet e Biblës për një parajsë tokësore?
Bibla flet qartë për një parajsë të ardhme në tokë. Për shembull, profeti Isaia e përshkroi tokën dhe banorët e saj në këtë mënyrë: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme dhe të zgjedhurit e mi do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre.» (Isaia 65:21, 22) Judenjtë, të cilëve Perëndia u dha këto premtime, ishin të sigurt se vendi i tyre dhe në të vërtetë mbarë toka, një ditë do të bëhej parajsë për dobinë e përhershme të njerëzimit.
Në Psalmin 37 vërtetohet kjo shpresë. «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën.» (Psalmi 37:11) Në këtë varg nuk po flitet vetëm për një rivendosje të përkohshme të kombit të Izraelit në Tokën e Premtuar. Po në të njëjtën psalm thuhet qartë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29)a Vini re që në këtë psalm thuhet se jeta e përhershme në tokë do të jetë shpërblimi për «zemërbutët». Në një koment për këtë varg thuhet se fjala hebraike e përkthyer «zemërbutët» «ka një kuptim shumë më të gjerë se sa shfaqet në përkthime; ajo përfshin të mjerët, të munduarit ose të përndjekurit për hir të Jahveut [Jehovait], njerëzit me zemër të përulur që i nënshtrohen Perëndisë».
Në tokë apo në qiell?
Në Predikimin në Mal, Jezui bëri një premtim që na kujton shkrimet e cituara më sipër: «Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5, Simon Filipaj) Edhe një herë këtu thuhet se toka do të jetë shpërblimi i përhershëm për besnikët. Megjithatë Jezui ua bëri të qartë apostujve se po përgatiste një vend për ta «në shtëpinë e Atit [të tij]» dhe ata do të ishin me të në qiell. (Gjoni 14:1, 2; Luka 12:32; 1 Pjetrit 1:3, 4) Atëherë, si duhet t’i kuptojmë premtimet për bekimet tokësore? A vlejnë edhe për sot dhe për cilët do të jenë?
Studiues të ndryshëm të Biblës thonë se «toka» që përmendi Jezui te Predikimi në Mal, e që gjejmë edhe te Psalmi 37, është simbolike. Në komentet që bëri në botimin e tij (Bible de Glaire), autori F. Vigërë tha se në këto vargje shihte «një simbol të qiellit dhe të Kishës». Për M. Lagranzhin, një studiues francez i Biblës, ky «nuk është një premtim se zemërbutët do të zotërojnë tokën ku jetojnë, as në këtë sistem, as nën një rend më të përsosur, por do të zotërojnë vendin, kudo që mund të jetë ai, që është mbretëria e qiejve». Sipas një studiuesi tjetër këtu kemi të bëjmë «me përdorimin simbolik të termave tokësore për t’iu referuar qiellit». Sipas studiuesve të tjerë të Biblës, «toka e premtuar, Kanaani, ka një kuptim simbolik dhe përfaqëson mëmëdheun lart, mbretërinë e Perëndisë, të cilën do ta zotërojnë ata që janë zemërbutë. Ky është gjithashtu edhe kuptimi i kësaj ideje në Psalmin 37 dhe kudo gjetkë». Por, a duhet ta heqim menjëherë tokën e mirëfilltë nga qëllimet e Perëndisë?
Një qëllim i përjetshëm për Tokën
Në fillim toka ishte e lidhur drejtpërdrejt me qëllimin e Perëndisë për njerëzit. Psalmisti shkroi: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.» (Psalmi 115:16) Pra, qëllimi që kishte në fillim Perëndia për njerëzit lidhej me tokën, e jo me qiellin. Jehovai i dha çiftit të parë njerëzor detyrën që ta shtrinte kopshtin e Edenit derisa të mbulonte tokën. (Zanafilla 1:28) Ky qëllim nuk ishte i përkohshëm. Jehovai pohon në Fjalën e tij se toka do të jetë përgjithmonë: «Një brez shkon dhe një brez tjetër vjen, por toka qëndron përjetë.»—Eklisiastiu 1:4; 1 Kronikave 16:30; Isaia 45:18.
Premtimet e Perëndisë nuk mbeten kurrë pa u plotësuar, sepse ai është Më i Larti dhe arrin t’i përmbushë ato. Duke përdorur si ilustrim ciklin natyror të ujit, Bibla shpjegon se përmbushja e premtimeve të Perëndisë është e pashmangshme: «Sepse ashtu si shiu e bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen pa e ngopur tokën, pa e bërë të prodhojë e të blerojë, . . . po ashtu edhe fjala [fjala e Perëndisë] që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:10, 11) Perëndia u bën premtime njerëzve. Mund të kalojë njëfarë kohe para se këto premtime të realizohen, por ato nuk mbeten pa u përmbushur. Ato ‘kthehen’ tek ai, pasi është kryer gjithçka që ishte thënë.
Sigurisht që Jehovait i ‘pëlqeu’ që krijoi tokën për njerëzit. Në fund të ditës së gjashtë krijuese ai shpalli se gjithçka ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Shndërrimi i tokës në një parajsë të përhershme është pjesë e qëllimit të Perëndisë që ende nuk është realizuar. Megjithatë, premtimet e Perëndisë ‘nuk do të kthehen prapë tek ai pa dhënë fryt’. Tërë premtimet për një jetë të përsosur në tokë, ku njerëzit do të jetojnë në përjetësi në paqe dhe siguri, do të përmbushen.—Psalmi 135:6; Isaia 46:10.
Qëllimi i Perëndisë do të realizohet patjetër
Mëkati që kryen prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, ndërhyri përkohësisht në qëllimin fillestar të Perëndisë për ta bërë tokën një parajsë. Pas mosbindjes që treguan, ata u dëbuan nga kopshti. Kështu humbën privilegjin që të merrnin pjesë në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë që njerëzit e përsosur të banojnë në një tokë parajsore. Gjithsesi Perëndia mori masa që ta përmbushte qëllimin e tij. Në ç’mënyrë?—Zanafilla 3:17-19, 23.
Situata në Eden ishte e ngjashme me atë të një njeriu që nis të ndërtojë një shtëpi në një tokë të shkëlqyer. Sapo vë themelet, vjen dikush dhe i prish. Në vend që të heqë dorë nga projekti, ai njeri ndërmerr hapa që të përfundojë shtëpinë. Edhe pse kjo punë shtesë përfshin më shumë shpenzime, nuk e vë në dyshim nëse projekti fillestar është apo jo i mençur.
Po kështu Perëndia mori masa që të siguronte realizimin e qëllimit të tij. Menjëherë pas mëkatit të prindërve tanë të parë, ai shpalli një shpresë për pasardhësit e tyre: një ‘farë’ që do të zhbënte dëmin e shkaktuar. Në përmbushjen e kësaj profecie, pjesa kryesore e farës ishte Biri i Perëndisë, Jezui, i cili erdhi në tokë dhe ofroi jetën si një flijim që të riblente njerëzimin. (Galatasve 3:16; Mateu 20:28) Pasi të ringjallej në qiell, Jezui do të bëhej Mbreti i Mbretërisë. Në radhë të parë, ai është zemërbuti që do të trashëgojë tokën bashkë me besnikët e zgjedhur që ringjallen në qiell për t’u bërë bashkësundimtarë në këtë Mbretëri. (Psalmi 2:6-9) Në kohën e duhur, kjo qeveri do të marrë në dorë çështjet e tokës që të përmbushë qëllimin fillestar të Perëndisë dhe ta shndërrojë tokën në një parajsë. Miliona zemërbutë të tjerë ‘trashëgojnë tokën’, në kuptimin që nxjerrin dobi nga sundimi i kësaj Mbretërie nëpërmjet Jezu Krishtit dhe bashkësundimtarëve të tij.—Zanafilla 3:15; Danieli 2:44; Veprat 2:32, 33; Zbulesa 20:5, 6.
«Si në qiell, edhe në tokë»
Dy aspektet e këtij shpëtimi, ai qiellor dhe ai tokësor, përmenden në një vegim që pa apostulli Gjon. Ai pa mbretër në fronet qiellore që ishin zgjedhur nga dishepujt besnikë të Krishtit. Bibla thotë në mënyrë specifike për këta shokë të Krishtit se «ata do të mbretërojnë mbi tokën». (Zbulesa 5:9, 10) Vini re aspektin e dyfishtë në realizimin e qëllimit të Perëndisë: një tokë e ripërtërirë nën drejtimin e Mbretërisë qiellore të përbërë nga Jezu Krishti dhe bashkëtrashëgimtarët e tij. Të gjitha këto masa të Perëndisë bëjnë të mundur që të rivendoset përfundimisht Parajsa në tokë në përputhje me qëllimin fillestar të Tij.
Në lutjen model Jezui i ftoi dishepujt të luteshin që të bëhej vullneti i Perëndisë «si në qiell, edhe në tokë». (Mateu 6:9, 10) A do të kishin kuptim këto fjalë nëse toka do të shkatërrohej ose do të ishte vetëm një simbol për qiellin? Po kështu, a do të kishin kuptim nëse të gjithë të drejtët do të shkonin në qiell? Vullneti i Perëndisë për tokën shihet qartë në Shkrime, që nga tregimi i krijimit e deri te vegimet e librit të Zbulesës. Toka do të bëhet siç kishte qëllim Perëndia: Parajsë. Ky është vullneti që Perëndia premton se do ta përmbushë. Besnikët që janë në tokë luten që të përmbushet ky vullnet.
Jeta e përhershme në tokë ishte qëllimi që kishte në fillim Krijuesi, Perëndia i cili ‘s’ka ndryshuar’. (Malakia 3:6; Gjoni 17:3; Jakovi 1:17) Për më tepër se një shekull, revista Kulla e Rojës ka shpjeguar këto dy aspekte të përmbushjes së qëllimit të Perëndisë. Kjo na ndihmon të kuptojmë premtimet për një ripërtëritje të tokës të cilat gjenden në Shkrime. Të ftojmë që të shqyrtosh më tej këtë temë, ose duke biseduar me Dëshmitarët e Jehovait, ose duke kontaktuar botuesit e kësaj reviste.
[Shënimi]
a Edhe pse në shumë përkthime të Biblës fjala hebraike ‘érets është përkthyer «vend» e jo «tokë», nuk ka asnjë arsye që fjala ‘érets në Psalmin 37:11, 29 të përdoret vetëm në kuptimin vendi që iu dha kombit të Izraelit. Në një botim (Old Testament Word Studies) të autorit Uilliam Uilson, termi ‘érets përkufizohet si «toka në kuptimin më të gjerë të fjalës, si pjesët e banuara, ashtu edhe ato të pabanuara; kur përdoret në një kuptim të kufizuar, përshkruan një pjesë të sipërfaqes së tokës, pra një vend ose shtet». Kështu, kuptimi i parë dhe kryesor i fjalës hebraike është planeti ose rruzulli ynë, Toka.—Shih Kullën e Rojës, 1 janar 1986, faqja 31, anglisht.
[Figura në faqen 4]
Bibla flet qartë për vendosjen e Parajsës në tokë në të ardhmen
[Figura në faqen 7]
A do të kishte kuptim lutja model që dha Jezui, nëse toka do të shkatërrohej?