Jehovai—‘Ai që sillte shpëtim’ në kohët biblike
«O Perëndi, vepro shpejt për mua! Ti je ndihma ime dhe Ai që më sjell shpëtim.»—PSAL. 70:5.
1, 2. (a) Kur i drejtohen Perëndisë për ndihmë adhuruesit e tij? (b) Cila pyetje ngrihet dhe ku mund ta gjejmë përgjigjen?
NDËRSA janë me pushime, prindërit e një gruaje 23-vjeçare marrin vesh se vajza e tyre është zhdukur në mënyrë të mistershme. Ata dyshojnë për diçka të keqe. Në çast, bëjnë gati plaçkat dhe nisen për në shtëpi, e gjatë gjithë rrugës i përgjërohen Jehovait për ndihmë. Një Dëshmitar 20-vjeçar diagnostikohet me një sëmundje që do ta lërë tërësisht të paralizuar. Menjëherë i lutet Jehovait. Një nënë e vetme që po lufton për të gjetur një punë, nuk ka mjaft para për të ushqyer veten dhe vajzën 12-vjeçare. Ajo i hap zemrën Jehovait në lutje. Po, kur hasin sprova ose vështirësi të rënda, natyrshëm adhuruesit e Perëndisë i drejtohen atij për ndihmë. A të ka ndodhur ndonjëherë t’i lutesh Jehovait kur ke pasur një hall të madh?
2 Një pyetje e rëndësishme që lind, është: A mund të presim vërtet që Jehovai t’u përgjigjet lutjeve tona për ndihmë? Te Psalmi 70 gjejmë përgjigjen që na forcon besimin. Këtë psalm prekës e shkroi Davidi, një adhurues besnik i Jehovait që hasi shumë sprova e vështirësi të mëdha në jetë. Nën frymëzim, ky psalmist i tha Jehovait: «O Perëndi, . . . ti je ndihma ime dhe Ai që më sjell shpëtim.» (Psal. 70:5) Shqyrtimi i Psalmit 70 mund të na ndihmojë të kuptojmë pse mund t’i drejtohemi Jehovait në kohë nevoje dhe të besojmë plotësisht se do të jetë për ne ‘Ai që sjell shpëtim’.
«Ti je . . . Ai që më sjell shpëtim»
3. (a) Ç’thirrje të ngutshme për ndihmë përmban Psalmi 70? (b) Çfarë sigurie shpreh Davidi në Psalmin 70?
3 Psalmi 70 fillon dhe mbaron me një thirrje të ngutshme për ndihmën e Perëndisë. (Lexo Psalmin 70:1-5.) Davidi i përgjërohet Jehovait që ‘të nxitojë’ dhe ‘të veprojë shpejt’ për ta çliruar. Në vargjet 2-4 Davidi i bën disa kërkesa Perëndisë, ku në secilën prej tyre shpreh një dëshirë të tij dhe përdor frazën «le të». Tri kërkesat e para kanë lidhje me ata që po përpiqen ta vrasin. Davidi i kërkon Jehovait t’i mundë këta armiq dhe t’i turpërojë për shkak të ligësisë së tyre. Dy kërkesat e tjera në vargun 4 lidhen me popullin e Perëndisë. Davidi lutet që, ata që e kërkojnë Jehovain, të gëzojnë dhe ta madhërojnë Atë. Në përfundim të këtij psalmi, Davidi i thotë Jehovait: «Ti je ndihma ime dhe Ai që më sjell shpëtim.» Vini re që Davidi nuk thotë «Le të jesh», sikur po bën një kërkesë tjetër. Përkundrazi, thotë «Ti je», duke shprehur kështu sigurinë e tij. Davidi beson se Perëndia do ta ndihmojë.
4, 5. Çfarë na mëson Psalmi 70 për Davidin dhe ç’siguri kemi?
4 Çfarë tregon Psalmi 70 për Davidin? Kur u ndodh përballë armiqve të betuar që donin t’i merrnin jetën, Davidi vendosi të mos i zgjidhte vetë problemet. Përkundrazi, pati besim se Jehovai do të merrej me kundërshtarët në mënyrën dhe në kohën e duhur sipas Tij. (1 Sam. 26:10) Davidi vazhdoi të ishte plotësisht i bindur se Jehovai i ndihmon dhe i çliron ata që e kërkojnë. (Hebr. 11:6) Davidi besonte se adhurues të tillë të vërtetë kanë çdo arsye për të gëzuar dhe për ta madhëruar Jehovain duke u folur të tjerëve për madhështinë e Tij.—Psal. 5:11; 35:27.
5 Ashtu si Davidi, edhe ne mund të kemi besim të plotë se Jehovai është Ndihmësi ynë dhe ‘Ai që na sjell shpëtim’. Prandaj, kur hasim sprova të vështira ose kemi shumë nevojë për ndihmë, mund të lutemi me të drejtë që Jehovai të na vijë në ndihmë menjëherë. (Psal. 71:12) Por, si mund t’u përgjigjet Jehovai lutjeve tona për ndihmë? Para se të shqyrtojmë se si mund të na ndihmojë Jehovai, le të shohim tri mënyra si e shpëtoi Davidin duke e ndihmuar kur kishte nevojë për ndihmë të menjëhershme.
E çliroi nga kundërshtarët
6. Si e dinte Davidi se Jehovai u siguron shpëtimin të drejtëve?
6 Nga Shkrimet e frymëzuara që ishin dokumentuar deri në atë kohë, Davidi e dinte se të drejtët mund të mbështeten për ndihmë te Jehovai. Kur Jehovai solli Përmbytjen mbi botën e paperëndishme, ai shpëtoi Noenë dhe familjen e tij që i frikësohej Perëndisë. (Zan. 7:23) Kur Jehovai bëri që mbi banorët e ligj të Sodomës dhe të Gomorrës të binte zjarr e squfur, ai e ndihmoi Lotin e drejtë dhe dy vajzat e tij që të mos vdisnin. (Zan. 19:12-26) Kur Jehovai shkatërroi faraonin krenar dhe forcat e tij ushtarake në Detin e Kuq, Ai e mbrojti popullin e vet, duke e ndihmuar kështu të shpëtonte nga një fund i tmerrshëm. (Dal. 14:19-28) Prandaj nuk habitemi që në një psalm tjetër Davidi e lartësoi Jehovain si «Perëndia i veprave të shpëtimit».—Psal. 68:20.
7-9. (a) Për ç’arsye Davidi kishte besim te fuqia shpëtuese e Perëndisë? (b) Kujt ia dha meritën Davidi për çlirimin?
7 Gjithashtu, Davidi kishte edhe vetë një arsye për të pasur besim të plotë te fuqia shpëtuese e Jehovait. Davidi e kishte provuar vetë se ‘krahët e përjetshëm’ të Jehovait mund t’i çlirojnë ata që i shërbejnë. (Ligj. 33:27) Në më shumë se një rast, Jehovai e kishte shpëtuar Davidin nga kthetrat e ‘armiqve të zemëruar’. (Psal. 18:17-19, 48) Le të marrim një shembull.
8 Kur gratë e Izraelit filluan ta lëvdonin Davidin për aftësitë e tij ushtarake, mbreti Saul u bë kaq xheloz, saqë në dy raste i vërviti heshtën Davidit. (1 Sam. 18:6-9) Në të dyja rastet, Davidi i shpëtoi majës së mprehtë të heshtës. A shpëtoi ai vetëm falë aftësisë dhe shkathtësisë si luftëtar me përvojë? Jo. Bibla shpjegon se «Jehovai ishte me të». (Lexo 1 Samuelit 18:11-14.) Më vonë, kur komploti i Saulit për të vrarë Davidin me anë të filistinëve dështoi, «[Sauli] pa dhe kuptoi se Jehovai ishte me Davidin».—1 Sam. 18:17-28.
9 Kujt ia dha meritën Davidi për çlirimin e tij? Mbishkrimi i Psalmit 18 thotë se Davidi «ia drejtoi fjalët e kësaj kënge Jehovait, ditën që Jehovai e çliroi . . . nga dora e Saulit». Davidi i shprehu ndjenjat me këngë: «Jehovai është shkrepi im, kalaja ime dhe Ai që më sjell shpëtim. Perëndia është shkëmbi im. Tek ai do të strehohem.» (Psal. 18:2) A nuk na forcohet besimi kur e dimë se Jehovai është në gjendje t’i çlirojë shërbëtorët e tij?—Psal. 35:10.
E mbështeti në shtratin e lëngatës
10, 11. Çfarë na ndihmon të përcaktojmë se kur mund të jetë sëmurur Davidi, siç përmendet te Psalmi 41?
10 Njëherë mbreti David u sëmur rëndë, siç thuhet edhe te Psalmi 41. I ngujuar për njëfarë kohe në shtratin e lëngatës, Davidi ishte kaq sëmurë, saqë disa armiq të tij menduan se ‘nuk do të ngrihej më’ kurrë. (Vargjet 7, 8) Kur u sëmur Davidi kaq rëndë? Rrethanat e përmendura në këtë psalm mund të lidhen me periudhën stresuese që kaloi Davidi kur i biri, Absalomi, u përpoq t’i zhvaste fronin.—2 Sam. 15:6, 13, 14.
11 Për shembull, Davidi thotë se një mik i besuar me të cilin dikur hanin bashkë, e tradhtoi. (Vargu 9) Kjo mund të na kujtojë një ngjarje në jetën e Davidit. Gjatë rebelimit të Absalomit, këshilltari i besueshëm i Davidit, Ahithofeli, e tradhtoi dhe u bashkua me Absalomin në revoltën kundër mbretit. (2 Sam. 15:31; 16:15) Imagjinoni pak mbretin e ligështuar që dergjej në shtrat, pa forca për t’u ngritur, i vetëdijshëm se rrethohej nga komplotistë që e donin të vdekur, me qëllim që të realizonin planet e tyre të liga.—Vargu 5.
12, 13. (a) Çfarë sigurie shprehu Davidi? (b) Si mund ta ketë forcuar Perëndia Davidin?
12 Besimi i Davidit tek ‘Ai që sjell shpëtim’, nuk u lëkund. Për një adhurues të drejtë që është i sëmurë, Davidi tha: «Në ditë të keqe Jehovai do t’i sigurojë shpëtim. Ti, o Jehova, do ta mbështetësh në shtratin e lëngatës. Gjatë sëmundjes, ti do ta shndërrosh shtratin e tij.» (Psal. 41:1, 3) Këtu vërejmë sërish sigurinë që kishte Davidi, kur u shpreh me fjalët: «Ti, o Jehova, do ta mbështetësh . . . do ta shndërrosh.» Davidi ishte i sigurt se Jehovai do t’i sillte shpëtim. Si?
13 Davidi nuk priste që Jehovai të bënte një mrekulli dhe ta shëronte. Përkundrazi, ishte i sigurt se Jehovai ‘do ta mbështeste’, domethënë, do t’i jepte mbështetje dhe forcë ndërsa ishte në shtratin e lëngatës. Davidi kishte vërtet nevojë për këtë ndihmë. Përveç sëmundjes që e kishte ligështuar, ai rrethohej nga armiq që thoshin gjëra të liga për të. (Vargjet 5, 6) Jehovai mund ta ketë forcuar Davidin duke i sjellë në mendje mendime ngushëlluese. Davidi tha: «Ti më ke përkrahur për shkak të integritetit tim.» (Vargu 12) Gjithashtu, Davidi mund të ketë gjetur forcë duke menduar se, pavarësisht nga gjendja e tij e dobët dhe nga gjërat e këqija që thoshin armiqtë e tij, Jehovai e shihte si njeri me integritet. Në fund, Davidi u shërua. A nuk ndihemi më të qetë kur e dimë se Jehovai mund t’i mbështetë ata që janë të sëmurë?—2 Kor. 1:3.
I plotësoi nevojat
14, 15. Kur u gjendën në nevojë Davidi e burrat me të dhe ç’ndihmë iu dha?
14 Kur u bë mbret i Izraelit, Davidi mund të shijonte ushqimet dhe pijet më të mira, e madje të ftonte shumë të tjerë në tryezën e tij. (2 Sam. 9:10) Megjithatë, Davidi e dinte ç’do të thoshte të ishte ngushtë. Kur i biri, Absalomi, organizoi revoltën dhe u përpoq t’i rrëmbente fronin, Davidi dhe disa përkrahës besnikë ikën nga Jerusalemi. Ata shkuan në vendin e Galaadit, në lindje të lumit Jordan. (2 Sam. 17:22, 24) Të detyruar të jetonin si të arratisur, Davidi dhe burrat me të, shpejt u gjendën në pikë të hallit, sepse s’kishin për të ngrënë, për të pirë e ku të pushonin. Por, si t’ia bënin në atë zonë thuajse të humbur?
15 Më në fund, Davidi dhe njerëzit e tij mbërritën në qytetin e Mahanaimit. Atje takuan tre burra të guximshëm: Shobin, Makirin dhe Barzilain. Këta ishin gati të vinin në rrezik jetën për të ndihmuar mbretin e emëruar nga Perëndia, sepse, në qoftë se Absalomi do të shtinte në dorë fronin përfundimisht, pa dyshim do të ndëshkonte këdo që kishte përkrahur Davidin. Duke kuptuar gjendjen e vështirë të Davidit dhe të njerëzve të tij, këta tre nënshtetas besnikë sollën shumë gjëra të nevojshme, si: shtretër, grurë, elb, drithë të pjekur, bathë, thjerrëza, mjaltë, gjalpë e dhen. (Lexo 2 Samuelit 17:27-29.) Besnikëria dhe mikpritja e jashtëzakonshme e këtyre tre burrave duhet t’i ketë prekur zemrën Davidit. E si mund ta harronte gjithçka bënë për të?
16. Kush e kishte në fund të fundit meritën për ndihmën që iu dha Davidit dhe njerëzve të tij?
16 Po në fund të fundit, kush e kishte meritën për ndihmën që iu dha Davidit dhe njerëzve të tij? Davidi ishte i bindur se Jehovai kujdeset për popullin e tij. Patjetër, Jehovai mund t’i shtyjë shërbëtorët e tij që t’i vijnë në ndihmë një bashkadhuruesi në nevojë. Kur meditonte për atë që kishte ndodhur në vendin e Galaadit, pa dyshim Davidi e shihte dashamirësinë e atyre tre burrave si një shprehje të kujdesit të dashur të Jehovait. Nga fundi i jetës së tij, Davidi shkroi: «Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë [përfshirë edhe atë vetë] të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.» (Psal. 37:25) A nuk ngushëllohemi kur dimë se Jehovai do t’ua plotësojë nevojat shërbëtorëve të tij?—Prov. 10:3.
‘Jehovai di t’i çlirojë njerëzit’
17. Çfarë ka treguar herë pas here Jehovai?
17 Davidi ishte vetëm një nga adhuruesit e shumtë në kohët biblike që Jehovai u solli shpëtim. Që nga koha e Davidit, Perëndia ka treguar herë pas here sa të vërteta janë fjalët e apostullit Pjetër: «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor.» (2 Pjet. 2:9) Të marrim dy shembuj të tjerë.
18. Si solli çlirim Jehovai në kohën e Hezekisë?
18 Kur në shekullin e tetë p.e.s., ushtria e fuqishme asiriane kishte pushtuar Judën dhe kërcënonte Jerusalemin, mbreti Hezekia u lut: «O Jehova, Perëndia ynë, na shpëto . . . që tërë mbretëritë e tokës ta dinë se vetëm ti, o Jehova, je Perëndi.» (Isa. 37:20) Meraku kryesor i Hezekisë ishte emri dhe reputacioni i Perëndisë. Jehovai iu përgjigj asaj lutjeje të bërë me gjithë shpirt. Brenda një nate, një engjëll i vetëm vrau 185.000 asirianë, duke çliruar kështu shërbëtorët besnikë të Jehovait.—Isa. 37:32, 36.
19. Cili paralajmërim i ndihmoi të krishterët e shekullit të parë të shpëtonin nga një katastrofë?
19 Vetëm pak ditë para vdekjes, Jezui dha një paralajmërim profetik në dobi të dishepujve të tij në Jude. (Lexo Lukën 21:20-22.) Pas disa dekadash, në vitin 66 të e.s., një revoltë e judenjve bëri që forcat romake të vinin kundër Jerusalemit. Legjionet e udhëhequra nga Cest Gali arritën të dëmtonin një pjesë të murit të tempullit, por më pas u tërhoqën papritur. Duke e parë këtë si një mundësi për t’i shpëtuar shkatërrimit që kishte parathënë Jezui, të krishterët besnikë ikën nëpër male. Legjionet romake u kthyen në vitin 70 të e.s. Këtë herë ata nuk u tërhoqën dhe e shkatërruan Jerusalemin plotësisht. Të krishterët që i vunë veshin paralajmërimit të Jezuit, i shpëtuan kësaj katastrofe të tmerrshme.—Luka 19:41-44.
20. Pse mund të kemi besim te Jehovai si ‘Ai që sjell shpëtim’?
20 Na forcohet besimi kur meditojmë për dëshmitë që tregojnë se Jehovai e ndihmon popullin e tij. Ajo që ka bërë në të kaluarën na jep arsye për të pasur besim tek ai. Pavarësisht nga vështirësitë që mund të kemi tani ose në të ardhmen, edhe ne mund të kemi besim të plotë te Jehovai si ‘Ai që sjell shpëtim’. Por, si mund të na sjellë shpëtim Jehovai? Dhe, ç’të themi për ata që përmendëm në hyrje të artikullit? Si shkuan gjërat më tej? Këto do t’i shohim në artikullin vijues.
A ju kujtohet?
• Ç’arsye për të pasur besim jep Psalmi 70?
• Si mori ndihmë Davidi kur ishte sëmurë?
• Cilët shembuj tregojnë se Jehovai mund ta çlirojë popullin e tij nga kundërshtarët?
[Figura në faqen 6]
Jehovai iu përgjigj lutjes së Hezekisë