Mëso nga Fjala e Perëndisë
Pse duhet ta përdorim emrin e Perëndisë?
Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. Pse Perëndia i ka vënë emër vetes?
Pa dyshim që të pëlqen të të thërrasin me emrin tënd dhe jo me ndonjë titull, si «burrë», «zotëri», «zonjë» ose «grua». Emri të identifikon si individ. Perëndia ka tituj të tillë, si: «Zotëri Sovran», «Perëndi i Plotfuqishëm» dhe ‘Krijues i Madh’. (Zanafilla 15:2; 17:1; Eklisiastiu 12:1) Por ai i ka vënë vetes edhe një emër që të na ndihmojë të kemi një lidhje personale me të. Në shqip, emri i Perëndisë është Jehova.—Lexo Isainë 42:8.
Edhe pse shumë përkthyes të Biblës e kanë zëvendësuar emrin e Perëndisë me terma të tillë si «Perëndi» dhe «Zot», emri i tij gjendet afro 7.000 herë në dorëshkrimet e lashta hebraike të Biblës. Qartë, Perëndia do që emri i tij të jetë i njohur.—Lexo Isainë 12:4.
2. Pse është jetësore ta njohim emrin e Perëndisë?
Të njohësh emrin e Perëndisë do të thotë më tepër se thjesht të dish si thuhet. Nënkupton të kesh një lidhje të ngushtë me të. Emri Jehova ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Është një garanci se Perëndia bën gjithçka që nevojitet për të përmbushur qëllimin e tij. Pra, të njohim emrin e Perëndisë nënkupton të besojmë se Perëndia do t’i përmbushë premtimet. (Psalmi 9:10) Besimi i njerëzve që e njohin emrin e Perëndisë dhe e përdorin atë, i nxit të kenë siguri tek ai dhe ta vënë në vend të parë në jetë. Perëndia Jehova do t’i mbrojë këta njerëz.—Lexo Psalmin 91:14.
3. Pse Perëndia dëshiron ta bëjë të njohur emrin e tij?
Perëndia do që njerëzit ta njohin me emër, sepse kjo u sjell dobi. U jep mundësi të bëhen miq me Perëndinë, me shpresë që të jetojnë përgjithmonë. S’habitemi pse Jehovai do që ne ta bëjmë të njohur emrin e tij.—Lexo Gjonin 17:3; Romakëve 10:13, 14.
Jezui e bëri të njohur emrin e Perëndisë duke i mësuar njerëzit për udhët, ligjet e premtimet e Perëndisë. Sot, dishepujt e Jezuit vazhdojnë ta bëjnë të njohur emrin e Perëndisë në të gjitha kombet. E bëjnë këtë në unitet, si «një popull për emrin e [Perëndisë]».—Lexo Veprat 15:14; Gjonin 17:26.
4. Si do t’i japë lavdi Perëndia emrit të tij?
Perëndia Jehova dëshiron t’i japë lavdi emrit të tij, sepse për të kanë shpifur. Për shembull, disa thonë se ai nuk e krijoi jetën dhe se nuk ka pse t’i bindemi. Të tjerë thonë se s’do t’ia dijë për ne dhe se është përgjegjës për vuajtjet. Këta njerëz hedhin baltë mbi emrin e Perëndisë. Por nuk do ta bëjnë këtë përgjithmonë. Perëndia do të veprojë kundër atyre që e çnderojnë emrin e tij.—Lexo Psalmin 83:17, 18.
Jehovai do ta lartësojë emrin e vet kur Mbretëria e tij t’u japë fund të gjitha sundimeve njerëzore dhe t’i rikthejë paqen e sigurinë njerëzimit. (Danieli 2:44) Së shpejti, të gjithëve do t’u duhet ta dinë se Jehovai është Perëndia i vërtetë.—Lexo Ezekielin 36:23; Mateun 6:9.
Ç’duhet të bësh? Afroju Perëndisë duke studiuar Fjalën e tij dhe duke u shoqëruar me njerëzit që e duan atë. Kur Jehovai t’i sjellë lavdi emrit të vet, do t’i kujtojë shërbëtorët e tij besnikë.—Malakia 3:16.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 1, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 16]
Emri i Perëndisë në një dorëshkrim të lashtë hebraik