Pyetja 2: Çfarë do të më ndodhë pas vdekjes?
ROMANI ishte fëmijë kur një shok i ngushtë vdiq në një aksident me makinë. Ai thotë: «Vdekja e shokut më tronditi tmerrësisht. Edhe vite pas aksidentit, pyesja veten çfarë ndodh me ne kur vdesim.»
Pse e bëjmë këtë pyetje?
Vdekja e njeriut duket e panatyrshme. Pavarësisht nga mosha, zakonisht nuk duam të vdesim. Shumë veta i frikësohen asaj që vjen pas vdekjes.
Cila është përgjigjja sipas disave?
Mjaft veta besojnë se, kur dikush vdes, një pjesë e tij vazhdon të jetojë. Sipas tyre njerëzit e mirë shpërblehen në qiell, kurse të këqijtë ndëshkohen përgjithmonë për mëkatet që kanë bërë. Të tjerë mendojnë se ai që vdes, nuk ekziston më dhe me kalimin e kohës harrohet krejtësisht.
Ç’nënkuptojnë këto përgjigje?
Përgjigjja e parë lë përshtypjen se, pas vdekjes, dikush nuk vdes vërtet. Përgjigjja e dytë nënkupton se jeta nuk ka pikë kuptimi. Ata që mendojnë se jeta nuk ka ndonjë qëllim, mbase përvetësojnë këtë qëndrim fatalist: «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.»—1 Korintasve 15:32.
Çfarë mëson Bibla?
Bibla nuk mëson se pas vdekjes një pjesë jona vazhdon të jetojë. Perëndia e frymëzoi mbretin Solomon të shkruante: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Ata që s’janë «të vetëdijshëm për asgjë», nuk i perceptojnë fare gjërat që i rrethojnë. Nuk ndiejnë e as nuk veprojnë. Kështu që të vdekurit s’mund t’i ndihmojnë a t’i dëmtojnë të gjallët.
Ndryshe nga ç’besojnë shumë veta, Perëndia nuk kishte si qëllim që njerëzit të vdisnin. Ai e krijoi njeriun e parë, Adamin, që të jetonte përgjithmonë në tokë. I vetmi rast që Perëndia përmendi vdekjen ishte kur i tha Adamit se ç’ndëshkim do të vinte nga mosbindja. Ai e ndaloi Adamin të hante frytin e një peme dhe më pas e paralajmëroi se, po të hante prej saj, ‘kishte për të vdekur’. (Zanafilla 2:17) Nëse Adami dhe Eva do të tregoheshin gjithnjë të bindur, ata dhe tërë pasardhësit besnikë ndaj Perëndisë, do të jetonin përgjithmonë në tokë.
Adami zgjodhi ta shpërfillte paralajmërimin e Perëndisë. Ai mëkatoi kur s’iu bind Perëndisë, prandaj vdiq. (Romakëve 6:23) Asnjë pjesë e Adamit nuk mbijetoi pas vdekjes së tij. Përkundrazi, kur vdiq, Adami nuk ekzistonte më. Perëndia i tha atij: «Do të hash bukë me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Si pasardhës të Adamit, të gjithë kemi trashëguar mëkatin dhe vdekjen.—Romakëve 5:12.
Pavarësisht nga zgjedhja e gabuar e Adamit, Perëndia do ta përmbushë qëllimin e tij për të populluar tokën me pasardhës të përsosur të Adamit. (Zanafilla 1:28; Isaia 55:11) Së shpejti, Jehovai do të rikthejë në jetë shumicën e njerëzve që kanë vdekur. Duke folur për atë kohë, apostulli Pavël tha: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.»—Veprat 24:15.
Romani, djali që u citua më sipër, studioi Biblën dhe mësoi çfarë thotë ajo për vdekjen dhe për Perëndinë Jehova. Ajo që zbuloi pati ndikim të thellë tek ai. Lexo tregimin e tij në artikullin «Bibla të ndryshon jetën».