JETËSHKRIM
E shijuam dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë në shumë mënyra
SI NJË i ri me besim te Perëndia, babai im, Arturi, shpresonte të bëhej pastor metodist. Megjithatë, planet e tij ndryshuan kur lexoi literaturën e Studentëve të Biblës dhe filloi të shoqërohej me ta. Ai u pagëzua më 1914 në moshën 17-vjeçare. Atëherë, Lufta I Botërore po bënte kërdinë, dhe babait i erdhi thirrja për ushtar. Ngaqë nuk pranonte të merrte armët, e dënuan me dhjetë muaj në Burgun e Kingstonit në Ontario, Kanada. Pasi u lirua, im atë nisi shërbimin e plotkohor si përhapës (pionier).
Më 1926, Artur Gesti u martua me Hejzël Uillkinsonin, mamaja e së cilës e kishte njohur të vërtetën më 1908. Më 24 prill 1931 linda unë, i dyti nga katër fëmijët. Jeta jonë familjare përqendrohej tek adhurimi i Jehovait, dhe nderimi i thellë i babait për Biblën ushqeu te ne çmueshmërinë për Fjalën e Perëndisë, një çmueshmëri që zgjati gjithë jetën. Si familje, dilnim rregullisht në shërbimin shtëpi më shtëpi.—Vep. 20:20.
MBAJ ASNJANËSINË DHE BËHEM PIONIER SI BABAI
Më 1939 shpërtheu Lufta II Botërore, dhe vitin tjetër vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada u ndalua. Shkollat publike mbanin ceremoni patriotike që përfshinin nderimin para flamurit dhe këndimin e himnit kombëtar. Motrën time të madhe, Dorotinë, dhe mua na lejonin të dilnim nga klasa gjatë atyre ceremonive. U çudita kur një ditë mësuesja ime u përpoq të më turpëronte duke thënë se isha frikacak. Pas mësimit, disa shokë klase më sulmuan dhe më rrëzuan përtokë. Por faktikisht, ai sulm ma forcoi vendosmërinë që ‘t’i bindesha Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.—Vep. 5:29.
Në korrik 1942, në moshën 11-vjeçare, u pagëzova në fermë, në një rezervuar. Gjatë pushimeve të shkollës, kënaqesha teksa shërbeja çdo vit si pionier pushimi (tani quhet pionier ndihmës). Në një prej atyre viteve, bashkë me tre vëllezër u predikova druvarëve që jetonin në Ontarion Veriore, në një territor që nuk i ishte caktuar asnjë kongregacioni.
Më 1 maj 1949 u bëra pionier i rregullt. Meqenëse në zyrën e degës po bëheshin ndërtime, më ftuan të ndihmoja dhe më 1 dhjetor u bëra pjesëtar i familjes Bethel të Kanadasë. Më caktuan në shtypshkronjë dhe mësova të përdorja një makinë shtypi të sheshtë. Për disa javë punova në turnin e natës, duke shtypur një fletushkë që fliste për përndjekjen e popullit të Jehovait në Kanada.
Më vonë, kur punoja në Repartin e Shërbimit, intervistova disa pionierë që vizituan zyrën e degës ndërsa po shkonin të shërbenin në Kuebek, që në atë kohë ishte vatër e kundërshtimeve. Një nga vizitorët ishte Meri Zazula nga Edmontoni, Albertë. Ngaqë ajo dhe vëllai i saj i madh, Xhoi, nuk kishin pranuar ta ndërpritnin studimin e Biblës, prindërit, që ishin ortodoksë fanatikë, i kishin përzënë nga shtëpia. Të dy ishin pagëzuar në qershor 1951, dhe gjashtë muaj më vonë kishin filluar shërbimin si pionierë. Gjatë intervistës, më bëri përshtypje dashuria e thellë e Merit për Jehovain. Thashë me vete: «Nëse nuk del diçka negative, kjo duket si vajza me të cilën dua të martohem.» Pas nëntë muajsh, më 30 janar 1954, u martuam. Një javë më vonë, na ftuan të stërviteshim për veprën qarkore, dhe për dy vjet shërbyem në një qark në Ontarion Veriore.
Ndërsa vepra mbarëbotërore e predikimit rritej me shpejtësi, u bë një thirrje për misionarë. Menduam që nëse arrinim të duronim dimrin e acartë të Kanadasë dhe mushkonjat e bezdisshme gjatë verës, s’kishim pse të mos përballonim rrethanat e vështira në çfarëdo caktimi. Në korrik 1956 u diplomuam në klasën e 27-të të Shkollës së Galaadit dhe në nëntor kishim shkuar në caktimin tonë—Brazil.
VEPRA MISIONARE NË BRAZIL
Kur arritëm në zyrën e degës në Brazil, filluam të mësonim gjuhën portugeze. Pasi fiksuam përshëndetjet bazë dhe mësuam përmendsh një prezantim reviste prej një minute, na ftuan të dilnim në shërbim. Nëse i zoti i shtëpisë shfaqte interes, na sugjerohej të lexonim shkrime që përshkruanin jetën nën Mbretërinë e Perëndisë. Ditën e parë në shërbim, një zonjë na dëgjoi me vëmendje, prandaj i lexova Zbulesën 21:3, 4. Pas kësaj më ra të fikët. Trupi im nuk ishte mësuar me klimën e nxehtë dhe të lagësht, e kjo do të ishte një sfidë e vazhdueshme.
Caktimi ynë si misionarë ishte qyteti i Kamposit, ku tani ka 15 kongregacione. Kur arritëm, në qytet kishte vetëm një grup të izoluar, si edhe një shtëpi misionare me katër motra: Estera Trejsi, Ramona Bauer, Luiza Shvarc dhe Lorena Bruks (tani Uollën). Caktimi im në shtëpi ishte të ndihmoja në larjen e rrobave dhe të siguroja dru për gatim. Një të hënë në mbrëmje pas Studimit të Kullës së Rojës, patëm një vizitor të paftuar. Ime shoqe ishte shtrirë në divan për t’u çlodhur ndërsa po bisedonim si kishte vajtur dita. Kur ngriti kokën nga jastëku që të çohej, doli një gjarpër që shkaktoi një rrëmujë të madhe derisa e vrava.
Pasi studiuam gjuhën portugeze për një vit, më emëruan mbikëqyrës qarkor. Bënim jetë të thjeshtë në zonat rurale, ku s’kishte elektricitet, si edhe flinim në dysheme mbi shtroje e udhëtonim me kuaj e qerre. Gjatë një fushate predikimi në një territor të pacaktuar, udhëtuam me tren për në një qytezë mes maleve dhe morëm me qira një dhomë. Zyra e degës na dërgoi 800 revista që t’i përdornim në shërbim. Na u desh të bënim shumë vajtje-ardhje për te posta, që të merrnim kutitë me revista e t’i çonim atje ku ishim strehuar.
Më 1962, në mbarë Brazilin u mbajt Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë për vëllezërit, si edhe për motrat misionare. Për gjashtë muaj, më caktuan të udhëtoja nga një shkollë në tjetrën—por pa Merin. Shërbeva si instruktor në Manaus, Belem, Fortalezë, Recife dhe Salvador. Në teatrin e famshëm të operës në Manaus, organizova një kongres krahinor. Shirat e rrëmbyer ndotën një pjesë të mirë të ujit të pijshëm dhe mbetëm pa një mensë të hairit për kongresin. (Në ato kohë, në kongres shërbehej ushqim.) Njoftova ushtrinë, dhe një oficer i gjindshëm me kënaqësi mori masa të na furnizonte me ujë të pijshëm gjatë gjithë kongresit, si edhe dërgoi ushtarë që të ngrinin dy tenda të mëdha për kuzhinën e për mensën.
Kur unë isha larg, Meri predikoi në një lagje tregtare portugeze, ku e vetmja temë me interes ishte si të bëje pará. Ajo nuk arriti të bënte biseda biblike me asnjë, ndaj u tha disa bethelitëve: «Portugalia është vendi i fundit në botë ku do të doja të jetoja.» Kur, pak më vonë, na erdhi një surprizë: një letër ku na ftonin të shërbenim në Portugali. Në fillim Meri mbeti e shtangur. Në atë kohë, vepra jonë atje ishte e ndaluar. Por gjithsesi, e pranuam caktimin.
CAKTIMI YNË NË PORTUGALI
Në gusht 1964, mbërritëm në Lisbonë, Portugali. Vëllezërit ishin shënjestra e shumë përndjekjeve nga policia sekrete portugeze. Ja pse, më e mira ishte që në fillim ata të mos dilnin për të na mirëpritur dhe të mos kontaktonim me Dëshmitarët vendës. Morëm një dhomë me qira ndërsa pritnim lejeqëndrimin. Pasi na dhanë vizën, morëm me qira një apartament. Më në fund në janar 1965, kontaktuam me zyrën e degës. Sa ditë e gëzuar ishte ajo kur ndoqëm mbledhjen e parë pas pesë muajsh!
Morëm vesh se policia po bastiste përditë shtëpitë e vëllezërve. Duke qenë se Sallat e Mbretërisë po mbylleshin, mbledhjet e kongregacionit mbaheshin në shtëpitë e vëllezërve. Qindra Dëshmitarë përfundonin në rajone policie për t’i identifikuar dhe për t’i marrë në pyetje. Vëllezërit i keqtrajtonin për të zbuluar emrat e atyre që drejtonin mbledhjet. Si pasojë, vëllezërit e bënë zakon ta thërritnin njëri-tjetrin me emër, si Zhuze ose Paulo, në vend se me mbiemër. Kështu, edhe ne bënim njësoj.
Meraku kryesor ishte t’u siguronim vëllezërve ushqim frymor. Caktimi i Merit ishte të shtypte në shaptilograf kopje të artikujve të studimit nga Kulla e Rojës dhe të botimeve të tjera.
MBROHET LAJMI I MIRË NË GJYKATË
Në qershor 1966, u mbajt një gjyq tepër i rëndësishëm në Lisbonë. Të 49 pjesëtarët e kongregacionit «Fazhu» u nxorën para gjyqit me arsyen se kishin ndjekur një mbledhje të paligjshme në një shtëpi. I përgatita për seancën dhe marrjen në pyetje duke bërë rolin e avokatit të palës akuzuese. E dinim se do ta humbnim çështjen, por e kishim të qartë se si rezultat do të jepej një dëshmi e madhe. Avokati ynë e përfundoi mbrojtjen duke cituar me guxim fjalët që tha Gamalieli në shekullin e parë. (Vep. 5:33-39) Lajmet për këtë çështje morën faqet e gazetave, dhe 49 vëllezërit e motrat vuajtën dënime nga 45 ditë deri në pesë muaj e gjysmë. Jemi të lumtur që, para se të vdiste, avokati ynë i guximshëm pranoi një studim biblik dhe ndiqte mbledhjet.
Në dhjetor 1966, më emëruan mbikëqyrës dege dhe kalova shumë kohë me çështje ligjore. U vendosën baza të forta për të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait që të gëzojnë lirinë e adhurimit. (Filip. 1:7) Më në fund, më 18 dhjetor 1974, u njohëm ligjërisht. Vëllezërit Nejthën Nor dhe Frederik Franc nga selia botërore, vizituan Portugalinë për të gëzuar bashkë me ne në një mbledhje historike në Oporto dhe Lisbonë, ku morën pjesë gjithsej 46.870 veta.
Jehovai kishte hapur derën që vepra të zgjerohej në disa ishuj ku flitej portugalisht, si në Azore, Kepi i Gjelbërt, Madeirë dhe Sao-Tome-e-Principe. Si rrjedhojë lindi nevoja për ndërtesa dege më të mëdha, e kjo u plotësua më 1988. Më 23 prill të atij viti, vëlla Milton Hensheli drejtoi kushtimin e ndërtesave të reja para një auditori entuziast prej 45.522 vetash. Sa na u ngroh zemra që për atë ngjarje historike erdhën 20 vëllezër e motra që kishin shërbyer si misionarë në Portugali!
PËRFITUAM NGA SHEMBUJT E BESNIKËVE
Përgjatë viteve, shoqërimi me vëllezër besnikë e ka pasuruar pa masë jetën tonë. Ndërsa ndihmoja vëllanë Teodor Xharaz në një vizitë zone, nxora një mësim me vlerë. Dega që po vizitonim po haste një situatë serioze dhe anëtarët e Komitetit të Degës kishin bërë gjithë sa mundeshin. Vëllai Xharaz i qetësoi me këto fjalë: «Tani është koha t’i lëmë ca hapësirë frymës së shenjtë që të veprojë.» Gjatë një vizite në Bruklin disa dekada më parë, gruaja ime, Meri, dhe unë kaluam një mbrëmje me vëlla Francin e me disa të tjerë. Kur i kërkuam që në fund të mbrëmjes të na thoshte diçka për vitet e shumta në shërbim të Jehovait, vëlla Franci tha: «Sugjerimi im është: në të mirë e në të keq qëndro me organizatën e dukshme të Jehovait. Është e vetmja që po bën veprën që u urdhëroi Jezui dishepujve të tij—predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë.»
Bashkë me gruan kemi provuar kënaqësi të thellë duke bërë pikërisht këtë. Për ne janë të shtrenjta kujtimet që kemi nga vizitat e zonës nëpër degë. Ato vizita na dhanë mundësi të tregonim çmueshmëri për shërbimin besnik që bënin qoftë të rinjtë qoftë të moshuarit. Gjithashtu i inkurajonim të vazhdonin t’i shërbenin Jehovait, që është një privilegj i veçantë.
Vitet kanë rrjedhur njëri pas tjetrit, dhe tani të dy jemi në të 80-at. Meri lufton me shumë probleme shëndetësore. (2 Kor. 12:9) Sprovat kanë vlejtur për të na rafinuar besimin dhe për të na forcuar vendosmërinë që të mbajmë integritetin. Kur meditojmë për jetën tonë, me gjithë zemër e pranojmë se e kemi shijuar dashamirësinë e pamerituar të Jehovait në shumë e shumë mënyra.a
a Ndërsa ky artikull përgatitej për botim, Dagllas Gesti vdiq besnik ndaj Jehovait më 25 tetor 2015.