JETËSHKRIM
Lashë pas disa gjëra që të ndjek Zotërinë
«Nëse shkon të predikosh, mos u kthe më. Po u ktheve, do të t’i thyej këmbët.» Me këtë kërcënim të babait që më kumbonte në vesh, vendosa të ikja nga shtëpia. Kjo ishte hera e parë që lashë pas disa gjëra për të ndjekur Zotërinë. Isha vetëm 16 vjeç.
SI ARRITI puna deri këtu? Ja t’jua shpjegoj. Linda më 29 korrik 1929 dhe u rrita në një fshat në provincën e Bulakanit në Filipine. Bënim një jetë të thjeshtë, sepse ishte koha e krizës ekonomike. Kur isha i vogël, shpërtheu lufta. Ushtria japoneze pushtoi Filipinet. Megjithatë, fshati ynë ishte disi i thellë, ndaj nuk u prekëm drejtpërdrejt nga konfliktet e armatosura. Nuk kishim as radio, as televizor dhe as gazeta, kështu që merrnim vesh për luftën vetëm nga lajmet që kalonin gojë më gojë.
Isha i dyti nga tetë fëmijët, dhe në moshën 8-vjeçare gjyshërit më kishin marrë të jetoja me ta. Ndonëse ishim katolikë, gjyshi ishte mendjehapur në lidhje me fenë dhe koleksiononte literaturën fetare që i jepnin shokët. Mbaj mend që një herë më tregoi broshurat Mbrojtje, Siguri dhe Zbulim në gjuhën tagaloge,a si edhe Biblën. Më pëlqente të lexoja Biblën, sidomos katër Ungjijtë. Kjo më ngjalli dëshirën të ndiqja shembullin e Jezuit.—Gjoni 10:27.
MËSOJ TË NDJEK ZOTËRINË
Pushtimi japonez mori fund në 1945-n. Rreth asaj kohe, prindërit më kërkuan të kthehesha në shtëpi. Gjyshi më nxiti të shkoja te prindërit, dhe kështu bëra.
Pak pas kësaj, në dhjetor të 1945-s, në fshatin tonë erdhën të predikonin Dëshmitarët e Jehovait nga qyteza e Angatit. Një Dëshmitar i moshuar na erdhi në shtëpi dhe na shpjegoi çfarë thotë Bibla për «ditët e fundit». (2 Tim. 3:1-5) Na ftoi të ndiqnim një studim biblik në një fshat aty pranë. Prindërit e mi nuk shkuan, kurse unë vajta. Atje ishin nja 20 veta dhe disa bënin pyetje rreth Biblës.
Ngaqë nuk kuptova gjithçka që thoshin, vendosa të largohesha. Mirëpo, në atë moment filluan të këndonin një këngë Mbretërie. Ajo këngë më preku thellë, ndaj qëndrova. Pas këngës dhe lutjes, na ftuan të gjithëve që të dielën tjetër të ndiqnim një mbledhje në Angat.
Disa prej nesh ecëm afro 8 kilometra për të shkuar në mbledhje në shtëpinë e familjes Krus. Më bëri përshtypje që edhe fëmijët e vegjël mes 50 të pranishmëve komentonin për tema të thella biblike. Pas disa mbledhjesh, vëlla Damian Santosi, një pionier i moshuar që kishte qenë kryetar bashkie, më ftoi të qëndroja në shtëpinë e tij atë natë. Thuajse gjithë natën e kaluam duke folur për Biblën.
Në ato kohë, shumë nga ne i hidhnim shpejt hapat në të vërtetën pasi mësonim të vërtetat bazë të Biblës. Pas vetëm ca mbledhjesh, vëllezërit më pyetën mua dhe disa të tjerë: «A doni të pagëzoheni?» Unë u përgjigja: «Po, dua.» Isha i sigurt që doja ‘të shërbeja si skllav për Zotërinë, Krishtin’. (Kolos. 3:24) Më 15 shkurt 1946 shkuam në një lumë aty afër dhe dy nga ne u pagëzuam.
E dinim se tani që ishim të krishterë të pagëzuar, duhej të imitonim Jezuin e të predikonim rregullisht. Babait nuk i pëlqeu që bëja këtë vepër dhe tha: «Je tepër i ri për të predikuar. Pastaj, s’bëhesh predikues me një të kredhur në ujë.» I shpjegova se është vullneti i Perëndisë që të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Tij. (Mat. 24:14) Pastaj shtova: «Duhet ta përmbush betimin që i kam bërë Perëndisë.» Ky ishte rasti kur babai më bëri atë kërcënim që tregova në fillim. Ai ishte i vendosur të mos më linte të predikoja. Kjo bëri që për herë të parë të lija pas disa gjëra për të ndjekur synime në shërbim të Jehovait.
Familja Krus më ftoi të jetoja me ta në Angat. Veç kësaj, ata më inkurajuan mua dhe vajzën e tyre të vogël, Norën, të fillonim si pionierë. Të dy nisëm të shërbenim si pionierë më 1 nëntor 1947. Nora shërbente në një qytet tjetër, kurse unë vazhdoja të mbështetja shërbimin në Angat.
NJË RAST TJETËR PËR TË LËNË PAS DISA GJËRA
Vitin e tretë të shërbimit tim si pionier, Ërl Stjuarti, një vëlla nga zyra e degës, mbajti një fjalim para më shumë se 500 vetave në sheshin e Angatit. Ai e mbajti fjalimin në anglisht, dhe më pas unë bëra një përmbledhje të fjalimit në gjuhën tagaloge. Kisha vetëm shtatë vjet shkollë, por mësuesit e mi përdornin vazhdimisht gjuhën angleze. Një gjë tjetër që më ndihmoi të përmirësoja anglishten ishte fakti që kishim shumë pak botime biblike në gjuhën tagaloge. Prandaj, shumë nga botimet i studioja në anglisht. Kështu kisha mësuar mjaftueshëm anglisht sa të përktheja atë fjalim dhe të tjera më vonë.
Ditën kur përktheva për vëllanë Stjuart, ai i tha kongregacionit se zyra e degës donte të ftonte një ose dy vëllezër pionierë në Bethel. Ata do të ndihmonin kur misionarët të ndiqnin Asamblenë e vitit 1950 «Rritja e Teokracisë» në Nju-Jork, SHBA. Isha një nga vëllezërit që ftuan. Përsëri lashë pas ambientin me të cilin isha mësuar, këtë herë për të ndihmuar në Bethel.
Mbërrita në Bethel më 19 qershor 1950, dhe nisa caktimin tim të ri. Betheli ishte në një shtëpi të madhe, të vjetër e të rrethuar me pemë të larta, në një truall me sipërfaqe një hektar. Ishim rreth dymbëdhjetë vëllezër beqarë që shërbenim atje. Herët në mëngjes ndihmoja në kuzhinë. Pastaj, pas orës nëntë punoja në lavanderi duke hekurosur rroba. Pasdreke ndiqja pak a shumë të njëjtin program. Vazhdova të shërbeja në Bethel edhe pasi misionarët u kthyen nga asambleja ndërkombëtare. Paketoja revistat që shpërndaheshin me postë, merresha me abonimet dhe shërbeja si recepsionist; bëja çdo gjë që më kërkonin.
LË PAS FILIPINET PËR TË SHKUAR NË GALAAD
Në vitin 1952 u emocionova jashtë mase kur, bashkë me gjashtë vëllezër të tjerë nga Filipinet, mora ftesën për të ndjekur klasën e 20-të të Shkollës së Galaadit. Shumë nga gjërat që pamë e përjetuam në Shtetet e Bashkuara ishin të reja e të panjohura për ne. Ndryshonin krejt nga ato që kisha njohur në fshatin tonë të vogël.
Për shembull, na u desh të mësonim si të përdornim pajisje dhe mjete që s’i kishim parë ndonjëherë. E sa për motin, s’e luan topi që ishte ndryshe! Një mëngjes kur dola jashtë godinës u gjenda para një bote plot bardhësi. Ishte hera e parë që shihja dëborë. Pastaj zbulova që ishte e ftohtë, shumë e ftohtë.
Megjithatë, ato përshtatje nuk ishin asgjë krahasuar me stërvitjen e mrekullueshme që mora në Galaad. Instruktorët përdornin metoda të efektshme mësimdhënieje. Mësuam të bënim kërkime dhe të studionim në mënyrë domethënëse. Pa diskutim, stërvitja në Galaad më ndihmoi ta forcoja marrëdhënien me Jehovain.
Pasi u diplomova, më caktuan përkohësisht si pionier special në Bronks, në qytetin e Nju-Jorkut. Kështu, në korrik të 1953-shit pata mundësi të ndiqja Asamblenë «Shoqëria e Botës së Re», që u mbajt në të njëjtën zonë të qytetit. Pas asamblesë u ktheva në një caktim në Filipine.
LË PAS REHATITË E QYTETIT
Vëllezërit në zyrën e degës më thanë: «Tani do të shkosh në veprën qarkore.» Kjo do të më jepte një mundësi të re për të ndjekur në kuptimin e mirëfilltë gjurmët e Zotërisë, që udhëtonte për në qytete e fshatra të largëta që të ndihmonte delet e Jehovait. (1 Pjet. 2:21) Më caktuan në një qark që mbulonte një zonë jashtëzakonisht të madhe të Lusonit Qendror, ishulli më i madh në Filipine. Përfshinte provincën e Bulakanit, të Nueva-Esihas, të Tarlakut dhe të Zambales. Për të vizituar disa qytete, duhej të kaloja nëpër malet e thepisura Sierra-Madre. Nuk kishte transport publik që të çonte në këto vende, ndaj duhej t’u kërkoja shoferëve nëse mund të ulesha mbi trungjet që transportonin me kamionët e tyre të mëdhenj. Shpesh më merrnin me vete, por kjo nuk ishte mënyra më e rehatshme për të udhëtuar.
Shumica e kongregacioneve ishin relativisht të vogla dhe të sapoformuara. Ja pse vëllezërit e çmonin shumë kur i ndihmoja të organizonin mbledhjet dhe shërbimin në mënyrë më të efektshme.
Më vonë më transferuan në një qark që mbulonte gjithë rajonin e Bikolit. Përbëhej kryesisht nga grupe të izoluara ku pionierët specialë hapnin territore të papredikuara më parë. Në një shtëpi banja e vetme që kishin, ishte një gropë në tokë me dy trungje të vendosura paralel mbi gropë. Kur vura këmbën te trungjet, ato ranë në gropë, dhe unë bashkë me to. M’u desh goxha kohë të pastrohesha e të bëhesha gati për të ngrënë mëngjes.
Kur isha në atë caktim fillova të mendoja për Norën, që e kishte filluar shërbimin si pioniere në Bulakan. Tani ajo ishte pioniere speciale në qytetin e Dumagetës, dhe unë shkova ta takoja. Pastaj shkëmbyem letra për njëfarë kohe dhe në vitin 1956 u martuam. Javën pas martesës e kaluam duke vizituar një kongregacion në ishullin Rapu-Rapu. Duhej të ngjitnim male e të ecnim shumë, ama ishte gëzim i pamasë t’u shërbenim vëllezërve në zona të thella si një çift i martuar.
FTESË PËR TË SHËRBYER SËRISH NË BETHEL
Pasi kaluam gati katër vjet së bashku në veprën udhëtuese, na ftuan të shërbejmë në zyrën e degës. Kështu, janari i vitit 1960 shënoi fillimin e një karriere të gjatë në Bethel. Me kalimin e kohës, kam mësuar shumë duke shërbyer përkrah vëllezërve me përgjegjësi të mëdha, ndërsa Nora ka pasur lloj-lloj caktimesh në Bethel.
Falë caktimit në Bethel, kam pasur bekimin të shoh me sytë e mi rritjen e jashtëzakonshme të veprës në Filipine. Kur erdha për herë të parë në Bethel, si vëlla i ri beqar, ishin afro 10.000 lajmëtarë në të gjithë vendin. Tani ka mbi 200.000 lajmëtarë në Filipine dhe qindra bethelitë që shërbejnë për të mbështetur aktivitetet jetësore të predikimit.
Me kalimin e viteve, teksa vepra rritej, godinat e Bethelit nuk na nxinin më. Kështu Trupi Udhëheqës na udhëzoi të kërkonim një truall për të ndërtuar një Bethel të ri e më të madh. Bashkë me mbikëqyrësin e shtypshkronjës vajtëm shtëpi më shtëpi në lagjen ku ndodhej dega, që të pyesnim nëse dikush shiste pronën. Në atë lagje banonin shumë kinezë. Asnjë nuk shiste. Madje një pronar na tha: «Ne kinezët nuk shesim. Vetëm blejmë.»
Mirëpo një ditë, një nga pronarët befas na pyeti nëse donim të blinim truallin e tij; ai do të transferohej në Shtetet e Bashkuara. Kështu nisi një zinxhir ngjarjesh të pabesueshme. Një fqinj tjetër vendosi të shiste tokën dhe i nxiti edhe të tjerët përreth tij të bënin njësoj. Arritëm madje të blinim edhe truallin e burrit që na tha: «Ne kinezët nuk shesim.» Brenda një kohe të shkurtër, sipërfaqja e truallit të degës u rrit më shumë se trefish. Jam i bindur se Perëndia Jehova donte të ndodhte kjo.
Në vitin 1950 isha anëtari më i ri në moshë i familjes Bethel. Sot unë dhe gruaja jemi më të moshuarit. S’jam pishman që kam ndjekur Zotërinë kudo që më ka drejtuar. Vërtet, prindërit më përzunë nga shtëpia, por Jehovai më ka dhënë një familje të madhe me bashkëbesimtarë. S’kam pikë dyshimi që Jehovai na siguron gjithçka që na nevojitet, pavarësisht se çfarë caktimi marrim. Unë dhe Nora i jemi shumë mirënjohës Jehovait për gjithçka që na ka siguruar me dashuri, dhe i inkurajojmë edhe të tjerët ta vënë në provë Jehovain.—Mal. 3:10.
Një herë Jezui i bëri këtë ftesë një taksambledhësi që quhej Mate Levi: «Bëhu ithtari im.» Si u përgjigj Mateu? «Ai la pas çdo gjë, u çua dhe e ndoqi [Jezuin].» (Luka 5:27, 28) Edhe unë kam pasur mundësi të ngjashme, dhe i nxit të tjerët me gjithë zemër të bëjnë njësoj dhe të provojnë bekime të shumta.
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypen më.