A e dini?
Në kohët kur u shkrua Bibla, si përcaktohej fillimi i një viti a një muaji?
PËR hebrenjtë në Tokën e Premtuar, viti shekullar fillonte me lërimin dhe mbjelljen e tokës në periudhën që sot përkon me muajt shtator-tetor.
Në një kalendar hënor me 12 muaj (secili me nga 29 ose 30 ditë), viti është më i shkurtër nga ç’është një vit diellor. Prandaj njerëzit përdornin sisteme të ndryshme që t’i harmonizonin këto dy metoda për llogaritjen e kohës. Kjo bëhej duke shtuar disa ditë gjatë vitit ose duke shtuar rregullisht një muaj më shumë, ndoshta para se të fillonte viti tjetër. Falë këtij sistemi, kalendari përkonte me stinët e mbjelljeve e të korrjeve.
Mirëpo në kohën e Moisiut, Perëndia e udhëzoi popullin e Tij që viti fetar të fillonte me muajin abib, ose nisan, në pranverë. (Eks. 12:2; 13:4) Në atë muaj bëhej një festë ku blatoheshin frytet e para të elbit.—Eks. 23:15, 16.
Në librin Historia e popullit judaik në epokën e Jezu Krishtit (175 p.K.–135 A.D.), studiuesi Emil Shyrer thotë: «Rregulla që përdorej për të vendosur nëse do të shtohej një muaj ishte shumë e thjeshtë. Festa e Pashkës, që duhet festuar kur është hënë e plotë në muajin nisan (14 nisan), duhet të bjerë gjithmonë pas ekuinoksit të pranverës . . . Prandaj, nëse nga fundi i vitit vërehej se Pashka do të binte para ekuinoksit të pranverës, merrej vendimi të shtohej një muaj [i 13-të] para nisanit.»
Dëshmitarët e Jehovait e përdorin këtë metodë kur përcaktojnë datën e saktë për Darkën e Zotërisë, që mbahet në pranverë dhe përkon me 14 nisanin e kalendarit judaik. Kongregacionet përqark globit njoftohen që më parë për këtë datë.a
Por nga e dinin hebrenjtë se kur mbaronte një muaj e kur fillonte tjetri? Sot mjafton t’i hedhim një sy kalendarit në mur ose në një pajisje elektronike. Mirëpo në kohët kur u shkrua Bibla nuk ishte kaq e thjeshtë.
Në kohën e Përmbytjes, muajt llogariteshin me nga 30 ditë secili. (Zan. 7:11, 24; 8:3, 4) Më vonë, hebrenjtë përdornin një kalendar ku muajt nuk ishin gjithmonë me 30 ditë. Në kalendarin judaik, muaji fillonte kur shfaqej në qiell drapri i parë i hënës së re. Kjo ndodhte 29 ose 30 ditë pasi kishte filluar muaji.
Në një rast kur po flisnin për fillimin e një muaji të ri, Davidi dhe Jonatani thanë: «Nesër është hëna e re.» (1 Sam. 20:5, 18) Pra duket se në kohën e tyre, në shekullin e 11-të p.e.s., llogaritej që më parë se kur do të fillonte muaji i ri. Por si arrinin ta përcaktonin këtë izraelitët? Mishna, një përmbledhje e ligjeve dhe traditave gojore judaike, na jep disa informacione. Ajo tregon se në periudhën pas mërgimit, në këtë çështje përfshihej Sinedri (gjykata e lartë judaike). Gjatë shtatë muajve që kremtoheshin festa, gjykata mblidhej ditën e 30-të të muajit. Anëtarët e gjykatës kishin përgjegjësinë të përcaktonin kur do të niste muaji tjetër. Mbi ç’bazë e bënin këtë?
Në disa pika të larta përqark Jerusalemit qëndronin roja që vrojtonin qiellin e natës për të dalluar draprin e parë të hënës së re. Me ta pikasur, lajmëronin Sinedrin. Nëse anëtarët e asaj gjykate mendonin se kishte mjaft prova që ishte shfaqur hëna e re, njoftonin fillimin e muajit të ri. Po në rast se retë ose mjegulla nuk i lejonin rojat ta shihnin hënën e re? Atëherë njoftohej se muaji që po mbaronte, kishte 30 ditë dhe të nesërmen mund të fillonte muaji i ri.
Mishna shpjegon se vendimi i Sinedrit njoftohej me anë të një zjarri që ndizej lart në Malin e Ullinjve, pranë Jerusalemit. Edhe në pika të tjera të larta anekënd Izraelit ndizeshin zjarre të mëdha për ta përhapur lajmin. Kurse në periudha të mëvonshme, lajmi përhapej me anë të korrierëve. Kështu judenjtë në Jerusalem, anembanë Izraelit dhe në diasporë njoftoheshin për fillimin e një muaji të ri. Si rezultat, të gjithë mund t’i kremtonin festat stinore në të njëjtën kohë.
Tabela e bashkëngjitur mund të të ndihmojë të kuptosh si ndërthureshin muajt, festat dhe stinët në Izrael.
a Shih Kullën e Rojës të 15 shkurtit 1990, f. 15, anglisht, dhe «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 qershorit 1977, anglisht.