ARTIKULLI I STUDIMIT 32
Të rinj—Vazhdoni të përparoni pasi të pagëzoheni
«Le të rritemi me dashuri në çdo gjë.»—EFES. 4:15.
KËNGA 56 E jetoj çdo ditë të vërtetën
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë gjërash të mira kanë arritur shumë të rinj deri tani?
ÇDO vit, mijëra të rinj vendosin të pagëzohen si Dëshmitarë. Po ti, a e ke bërë këtë hap? Nëse po, vëllezërit e motrat në kongregacion janë të lumtur për ty, e po ashtu edhe Jehovai. (Prov. 27:11) Mendo sa gjëra të mira ke arritur deri tani! Mbase ke studiuar me zell Biblën për disa vite, dhe ky studim të ka bindur se Bibla është Fjala e Perëndisë. Por, ç’është më e rëndësishmja, ke arritur ta njohësh dhe ta duash Autorin e këtij libri të shenjtë. Dashuria jote për Jehovain u rrit aq shumë, saqë i kushtove jetën dhe u pagëzove. Sa fantastike!
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Pa dyshim, besimi yt u sprovua në mënyra të ndryshme ndërsa përparoje drejt pagëzimit. E teksa rritesh, do të përballesh me sprova të reja. Satanai do të përpiqet të të dobësojë dashurinë për Jehovain dhe të të pengojë t’i shërbesh Atij. (Efes. 4:14) Por mos e lejo kurrë këtë gjë! Ç’mund të të ndihmojë t’i qëndrosh besnik Jehovait dhe ta mbash betimin e kushtimit? Duhet të vazhdosh të përparosh—‘të sulesh’ drejt pjekurisë. (Hebr. 6:1) Mirëpo, si mund ta bësh këtë?
SI MUND TË BËSH PËRPARIM NË TË VËRTETËN?
3. Çfarë duhet të bëjnë të gjithë shërbëtorët e Perëndisë pas pagëzimit?
3 Pas pagëzimit, të gjithë kemi nevojë të ndjekim këshillën që u dha apostulli Pavël bashkëbesimtarëve në Efes. Ai i nxiti të bëheshin të krishterë «tërësisht të rritur». (Efes. 4:13) Me fjalë të tjera po u thoshte, ‘vazhdoni të përparoni’. Pavli e krahasoi përparimin në të vërtetën me rritjen e një fëmije. Një i sapolindur është gëzimi dhe krenaria e prindërve. Por, ai s’mund të mbetet foshnjë përgjithmonë. Me kalimin e kohës do t’i duhet të lërë pas «tiparet e një fëmije». (1 Kor. 13:11) Po njësoj ndodh me ne si shërbëtorë të Perëndisë. Pas pagëzimit duhet të vazhdojmë të përparojmë. Le të shohim disa sugjerime që do të na ndihmojnë ta bëjmë këtë.
4. Cila cilësi mund të na ndihmojë të përparojmë në të vërtetën? Shpjegoni. (Filipianëve 1:9)
4 Thello dashurinë për Jehovain. Ti e do me gjithë shpirt Jehovain. Por mund ta thellosh edhe më tepër këtë dashuri. Si? Apostulli Pavël na tregon një mënyrë te Filipianëve 1:9. (Lexoje.) Pavli u lut që dashuria e filipianëve ‘të shtohej gjithnjë e më shumë’. Edhe ne mund ta shtojmë dashurinë për Jehovain. Këtë mund ta bëjmë duke fituar ‘njohuri të saktë dhe aftësi të plotë dalluese’. Sa më shumë e njohim Jehovain, aq më shumë e duam dhe e çmojmë personalitetin e tij e mënyrën si vepron. Na shtohet dëshira për ta kënaqur dhe për të mos bërë asgjë që do ta zhgënjente. Përpiqemi fort të kuptojmë cili është vullneti i tij dhe si ta kryejmë atë.
5-6. Si mund ta thellojmë dashurinë për Jehovain? Shpjegoni.
5 Mund ta thellojmë dashurinë për Jehovain duke njohur më mirë Birin e tij, i cili e pasqyron në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit. (Hebr. 1:3) Mënyra më e mirë për ta njohur Jezuin, është duke studiuar tregimet e katër ungjijve. Nëse nuk e ke bërë zakon të lexosh Biblën çdo ditë, pse të mos fillosh tani? Ndërsa lexon tregimet për Jezuin, kushtoju vëmendje cilësive të tij. Ai ishte i afrueshëm; me dashuri i merrte fëmijët e vegjël në krahë. (Mar. 10:13-16) Dishepujt ndiheshin rehat me të; nuk ngurronin t’i shprehnin atë që mendonin. (Mat. 16:22) Në këtë aspekt, Jezui imitonte Atin e tij qiellor. Edhe Jehovai është i afrueshëm. Ne mund t’i drejtohemi me anë të lutjes. Kur i lutemi, mund t’ia zbrazim zemrën, të sigurt se nuk do të na gjykojë. Ai na do dhe merakoset për ne.—1 Pjet. 5:7.
6 Jezuit i dhimbseshin njerëzit. Një prej apostujve, Mateu, shkroi: «Kur pa turmat, ai u prek thellë, sepse ishin të keqtrajtuara e të hallakatura si dele pa bari.» (Mat. 9:36) Po Jehovai, si ndihet? Jezui tha: «Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.» (Mat. 18:14) Sa fjalë zemërdhënëse! Ndërsa njohim më mirë Jezuin, na thellohet dashuria për Jehovain.
7. Si të ndihmon shoqëria me motra e vëllezër të pjekur?
7 Një mënyrë tjetër si ta thellosh dashurinë për Jehovain dhe të përparosh në të vërtetën, është duke kaluar kohë me motra e vëllezër të pjekur në kongregacion. Ndërsa vëren gëzimin e tyre, do të kuptosh se nuk janë bërë fare pishman që kanë vendosur t’i shërbejnë Jehovait. Pyeti për përvojat që kanë pasur në shërbim të Jehovait. Dhe kur je para një vendimi të rëndësishëm, kërkoju këshilla. Fundja, «kur ka shumë këshilltarë, ka sukses».—Prov. 11:14.
8. Çfarë mund të bësh nëse ndonjëherë dyshon tek ajo që thotë Bibla?
8 Kapërce dyshimet. Siç e pamë në paragrafin dy, Satanai do të bëjë çmos që të mos përparosh në të vërtetën. Një mënyrë si mund ta bëjë këtë, është duke mbjellë dyshime në mendjen tënde për disa nga mësimet e Biblës. Për shembull, herët a vonë do të ndeshesh me teorinë e evolucionit, e cila e mohon Perëndinë. Mbase nuk e ke vrarë shumë mendjen për këtë temë kur ishe i vogël, por tani që je i rritur, ndoshta këtë teori po e mëson në shkollë. Ajo që thonë mësuesit për të mbështetur evolucionin mund të duket logjike dhe bindëse. Gjithsesi, ka të ngjarë që ata të mos i kenë shqyrtuar kurrë seriozisht provat se ekziston një Krijues. Kujto parimin që gjendet te Proverbat 18:17: «Kush e parashtron i pari çështjen, duket se ka të drejtë, derisa ndërhyn pala tjetër dhe e pyet fill e për pe.» Në vend se t’i pranosh verbërisht si fakte idetë që dëgjon në shkollë, shqyrto me kujdes të vërtetat që gjenden në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Bëj kërkime në botimet tona. Fol me vëllezër e motra që në të shkuarën besonin tek evolucioni dhe pyeti se çfarë i bindi se ka një Krijues që na do. Biseda të tilla mund të të ndihmojnë të shqyrtosh provat se ekziston një Krijues.
9. Çfarë mësojmë nga shembulli i Melisës?
9 Një motër që quhet Melisa nxori tej mase dobi nga kërkimet që bëri për temën e krijimit.b Ajo thotë: «Në shkollë, evolucioni shpjegohet në atë mënyrë që duket tepër bindës. Në fillim, ngurroja të bëja kërkime për të hequr dyshimet. Kisha frikë se bindjet e mia nuk kishin bazë aq të fortë. Por arsyetova se Jehovai nuk dëshiron që t’i shërbejmë verbërisht. Prandaj punova për të hequr dyshimet. Lexova librin A ka një Krijues që interesohet për ju? e broshurat A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh. Kjo ishte fiks ajo që më nevojitej. Ah sikur ta kisha bërë më parë këtë!»
10-11. Ç’mund të bësh që të qëndrosh i pastër moralisht? (1 Selanikasve 4:3, 4)
10 Hidh poshtë sjelljet e gabuara. Gjatë adoleshencës, impulset seksuale bëhen tepër të forta dhe të tjerët mund të të bëjnë presion që të kryesh imoralitet seksual. Satanai dëshiron të dorëzohesh para dëshirave të tua. Ç’mund të bësh që të qëndrosh i pastër moralisht? (Lexo 1 Selanikasve 4:3, 4.) Fol hapur me Jehovain në lutje. Tregoji si ndihesh vërtet dhe kërkoji të të japë forcë. (Mat. 6:13) Mos harro se Jehovai dëshiron të të ndihmojë, jo të të ndëshkojë. (Psal. 103:13, 14) Gjithashtu mund të të vijë në ndihmë edhe Fjala e Perëndisë. Melisa e përmendur më sipër luftonte me mendime imorale. Ajo thotë: «Leximi i përditshëm i Biblës më ndihmoi të mos dorëzohesha. Më kujtonte se i përkitja Jehovait dhe se doja që ai të ishte pjesë e jetës sime.»—Psal. 119:9.
11 Mos u përpiq t’i zgjidhësh vetë problemet. Fol me prindërit për vështirësitë që has. Natyrisht nuk është kollaj të flasësh për gjëra personale, por kjo është shumë e rëndësishme. Melisa thotë: «U luta për guxim dhe pastaj fola me babin për problemin që kisha. Pas kësaj, u ndieva e lehtësuar. E dija që Jehovai ishte krenar për mua.»
12. Si mund të marrësh vendime të mira?
12 Lër parimet e Biblës të të udhëheqin. Me kalimin e kohës do të fitosh më tepër liri për të marrë vendime. Mirëpo, ke akoma plot gjëra për të mësuar. Si t’i shmangësh gabimet që do ta dëmtonin miqësinë tënde me Jehovain? (Prov. 22:3) Një motër që quhet Keri shpjegon çfarë e ndihmoi të merrte vendime më të mira. Ajo kuptoi se të krishterëve të pjekur nuk iu duhen rregulla për çdo situatë që lind. Keri thotë: «Kisha nevojë të kuptoja si të zbatoja parimet e Biblës në vend që thjesht të ndiqja disa rregulla.» Kur lexon Biblën, pyet veten: «Çfarë më tregojnë këto vargje për mënyrën si mendon Jehovai? A përmbajnë parime që më ndihmojnë të bëj atë që është e drejtë? Nëse po, si do të nxjerr dobi po t’i zbatoj?» (Psal. 19:7; Isa. 48:17, 18) Kur lexon Biblën dhe mediton për parimet e saj, do ta kesh më të lehtë të marrësh vendime që e kënaqin Jehovain. Ndërsa vazhdon të përparosh, do të kuptosh se nuk të duhen rregulla për çdo situatë. Pse? Sepse do të kesh mësuar mënyrën si mendon Jehovai.
13. Si ndikojnë te ti miqtë e mirë? (Proverbat 13:20)
13 Zgjidh miq që e duan Jehovain. Siç e pamë më sipër, miqtë që zgjedh ndikojnë shumë te përparimi yt. (Lexo Proverbat 13:20.) Një motër që quhet Sara kishte filluar të humbte gëzimin. Por pastaj ndodhi diçka që e ndihmoi ta rifitonte. Ajo kujton: «Gjeta miq të mirë tamam në kohën e duhur. Bashkë me një motër të re mblidheshim çdo javë që të studionim Kullën e Rojës. Një shoqe tjetër më ndihmoi që të filloja të komentoja në mbledhje. Falë ndikimit të miqve, nisa ta merrja seriozisht studimin personal e të lutesha rregullisht. Forcova miqësinë me Jehovain dhe po ndieja sërish gëzim.»
14. Si zuri miq të mirë Xhulieni?
14 Si mund të zësh miq që ndikojnë për mirë te ti? Xhulieni, që tani shërben si plak, thotë: «Kur isha i ri, zura shokë të mirë ndërsa dilja në shërbim. Ata ishin të zellshëm dhe më ndihmuan ta shijoja predikimin. Shërbimi në kohë të plotë u bë synimi im. Veç kësaj, kuptova se duke u shoqëruar vetëm me ata të moshës sime, po e privoja veten nga miqësi interesante dhe të shëndetshme. Më vonë, gjeta miq të mirë edhe në Bethel. Shembulli i tyre më ndihmoi të bëja zgjedhje të mençura në lidhje me zbavitjen, e kjo më afroi më shumë me Jehovain.»
15. Çfarë paralajmërimi i dha Pavli Timoteut në lidhje me shoqërinë? (2 Timoteut 2:20-22)
15 Po nëse kupton që dikush në kongregacion nuk po ndikon për mirë te ti? Pavli e dinte se disa shërbëtorë të Jehovait në shekullin e parë nuk jetonin si të krishterë, prandaj e paralajmëroi Timoteun t’u qëndronte larg. (Lexo 2 Timoteut 2:20-22.) Miqësia jonë me Jehovain është e çmuar. Nuk duhet të lejojmë askënd të na dobësojë lidhjen me Atin tonë qiellor, për të cilën jemi përpjekur aq shumë.—Psal. 26:4.
SI TË NDIHMOJNË SYNIMET TË PËRPAROSH NË TË VËRTETËN?
16. Çfarë synimesh duhet të vësh?
16 Vër synime me vlerë. Zgjidh synime që do të ta forcojnë besimin e do të të ndihmojnë të jesh më i pjekur. (Efes. 3:16) Për shembull, mund të vendosësh të mbash një program më të mirë për studimin personal dhe leximin e Biblës. (Psal. 1:2, 3) Ose mund të përpiqesh t’i lutesh më shpesh Jehovait e të përmirësosh cilësinë e lutjeve. A mbase ke nevojë të bësh më tepër kujdes me zbavitjet që zgjedh dhe me mënyrën si e përdor kohën. (Efes. 5:15, 16) Jehovai do të kënaqet shumë ndërsa sheh që përpiqesh fort të përparosh.
17. Si nxjerr dobi kur ndihmon të tjerët?
17 Gjithashtu mund të bëhesh një i krishterë më i pjekur kur ndihmon të tjerët. Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Vep. 20:35) Do të kënaqesh tej mase kur përdor kohën dhe energjitë e tua për të ndihmuar të tjerët. Për shembull, mund të vësh synim të ndihmosh të moshuarit dhe ata me shëndet të dobët në kongregacion. Ndoshta mund t’u bësh pazarin a ndonjë punë tjetër ose t’i ndihmosh të përdorin pajisjet elektronike. Nëse je vëlla, vër synimin të bëhesh shërbëtor kongregacioni me motivin që t’u shërbesh motrave e vëllezërve të tu. (Filip. 2:4) Veç kësaj, kur u jep lajmin e mirë për Mbretërinë atyre që s’janë Dëshmitarë, tregon se i do. (Mat. 9:36, 37) Dhe nëse rrethanat të lejojnë, pse të mos synosh t’i shërbesh Jehovait në kohë të plotë?
18. Si mund të të ndihmojë të përparosh shërbimi në kohë të plotë?
18 Shërbimi në kohë të plotë të ofron mjaft mundësi që të përparosh në të vërtetën. Shërbimi i pionierit mund të të hapë rrugën që të marrësh pjesë në Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, të shërbesh në Bethel ose të punosh në projekte teokratike ndërtimi. Një pioniere e re që quhet Kejtlin thotë: «Një gjë që më ndihmoi shumë të përparoja pas pagëzimit, ishte të kaloja kohë në shërbim me vëllezër e motra me përvojë. Shembulli i tyre më motivoi të studioja më thellë Biblën dhe të përmirësoja aftësitë në mësimdhënie.»
19. Çfarë bekimesh do të shijosh ndërsa përparon në të vërtetën?
19 Ndërsa përparon në të vërtetën, do të shijosh shumë bekime nga Jehovai. S’ke për ta çuar dëm rininë duke rendur pas synimeve boshe. (1 Gjon. 2:17) Do t’i kursesh vetes dhimbjet që sjellin vendimet e gabuara, do të jesh i lumtur dhe do të kesh sukses në jetë. (Prov. 16:3) Shembulli yt i mirë do të nxitë bashkëbesimtarët, qofshin të rinj a të moshuar. (1 Tim. 4:12) Ç’është më e rëndësishmja, do të provosh paqen dhe kënaqësinë që vjen kur i gëzon zemrën Jehovait dhe kur ke një miqësi të ngushtë me të.—Prov. 23:15, 16.
KËNGA 88 Më mëso udhët e tua
a Të gjithë shërbëtorëve të Jehovait u bëhet zemra mal kur shohin të rinjtë të pagëzohen. Pa diskutim, pas pagëzimit dishepujt e rinj duhet të vazhdojnë të përparojnë në të vërtetën. Për dobinë e të gjithëve në kongregacion, në këtë artikull do të përqendrohemi te disa mënyra se si të rinjtë e sapopagëzuar mund të përparojnë drejt pjekurisë.
b Disa emra janë ndryshuar.