E hënë, 6 shkurt
Mes jush ka xhelozi dhe konflikte.—1 Kor. 3:3.
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i dishepullit Apol dhe i apostullit Pavël? Të dy i njihnin në majë të gishtave Shkrimet. Të dy ishin vëllezër të mirënjohur dhe mësues të shkëlqyer. E të dy kishin ndihmuar shumë veta të bëheshin dishepuj. Por asnjë prej tyre nuk e shihte tjetrin si rival. (Vep.18:24) Në fakt, ca kohë pasi Apoli u largua nga Korinti, Pavli iu lut që të kthehej atje. (1 Kor. 16:12) S’ka dyshim se Apoli i përdori për mirë aftësitë që kishte—për të predikuar lajmin e mirë dhe për t’u dhënë forcë vëllezërve. Mund të jemi të sigurt edhe se ai ishte i përulur. Për shembull, Bibla nuk thotë se Apoli u ofendua kur Akuila dhe Prishila «i shpjeguan më saktë udhën e Perëndisë». (Vep. 18:24-28.) Apostulli Pavël i njihte arritjet e Apolit në shërbim dhe punën e tij të shkëlqyer. Por nuk ndihej i kërcënuar nga aftësitë e Apolit. Pavli ishte i përulur, modest dhe i arsyeshëm e kjo duket qartë te këshilla që i dha kongregacionit të Korintit.—1 Kor. 3:4-6. w21.07 18-19 ¶15-17
E martë, 7 shkurt
Shumë do të bëhen të drejtë.—Rom. 5:19.
Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë me dashje, prandaj e kishin hak që Ai t’i dëbonte nga familja e tij. Po ç’do të ndodhte me pasardhësit e tyre? Me dashuri, Jehovai krijoi mundësinë t’i birësonte e t’i bënte pjesë të familjes së Tij ata që do t’i bindeshin. Këtë e bëri nëpërmjet flijimit të Birit të tij të vetëmlindur. (Gjoni 3:16) Falë flijimit të Jezuit, 144.000 njerëz besnikë janë birësuar si fëmijë të Perëndisë. (Rom. 8:15-17; Zbul. 14:1) Veç kësaj, miliona e miliona besnikë të tjerë po i binden Perëndisë duke bërë vullnetin e tij. Ata kanë perspektivën që, pas provës përfundimtare në fund të Mijëvjeçarit, të bëhen pjesëtarë të familjes së Perëndisë në kuptimin e plotë. (Psal. 25:14; Rom. 8:20, 21) E thërrasin që sot «Atë» Jehovain, Krijuesin e tyre. (Mat. 6:9) Edhe të ringjallurve do t’u jepet mundësia të mësojnë çfarë pret Jehovai prej tyre. Ata që zgjedhin t’i binden drejtimit të Perëndisë, si përfundim do t’i bashkohen familjes së tij. w21.08 5 ¶10-11
E mërkurë, 8 shkurt
Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.—Filip. 1:10.
Apostulli Pavël kishte marrë caktimin të predikonte, dhe kjo vepër ishte gjëja më e rëndësishme në jetën e tij për dekada të tëra. Pavli predikonte «publikisht e shtëpi më shtëpi». (Vep. 20:20) Në fakt, ai shfrytëzonte çdo rast për të predikuar. Për shembull, ndërsa priste shokët e tij në Athinë, Pavli i dha lajmin e mirë një grupi njerëzish të shquar, dhe disa prej tyre e përqafuan të vërtetën. (Vep. 17:16, 17, 34) Madje edhe kur ishte «në vargonj», u predikonte atyre që kishte përreth. (Filip. 1:13, 14; Vep. 28:16-24) Pavli e shfrytëzonte kohën me mençuri. Shpesh ftonte të tjerë që ta shoqëronin në shërbim. Për shembull, në udhëtimin e parë misionar, mori me vete Gjon Markun, kurse në të dytin, Timoteun. (Vep. 12:25; 16:1-4) Pa dyshim që Pavli bëri çmos t’i mësonte këta burra si të organizonin një kongregacion, si të kryenin veprën baritore dhe si të bëheshin mësues të zotë.—1 Kor. 4:17. w22.03 27 ¶5-6