Kapitulli 9
Profeci që u përmbushën
Njerëzit s’janë të zotë të parathonë të ardhmen me siguri. Është për të ardhur keq, por përpjekjet e tyre për të parathënë diçka, kanë dështuar herë pas here. Nga ana tjetër, një libër me profeci që u përmbushën, duhet të tërheqë vëmendjen tonë, dhe Bibla është një libër i tillë.
1. (Përfshi hyrjen.) Çfarë tregon përmbushja e profecive të Biblës?
SHUMË profeci të Biblës janë përmbushur me aq saktësi, sa kritikët thonë se ato u shkruan pasi u përmbushën. Por e kanë gabim. Perëndia, duke qenë i plotfuqishëm, është plotësisht në gjendje t’i parathotë gjërat. (Isaia 41:21-26; 42:8, 9; 46:8-10) Plotësimi i profecive të Biblës tregon se ato u frymëzuan nga Perëndia, jo se u shkruan më vonë. Le të ndalemi te disa profeci të jashtëzakonshme, që u përmbushën dhe që japin edhe më shumë prova se Bibla është fjala e Perëndisë, dhe jo e njerëzve.
Mërgimi në Babiloni
2, 3. Si ndodh që Hezekia u tregon të dërguarve nga Babilonia tërë thesaret e shtëpisë e të mbretërisë së tij?
2 Hezekia mbretëroi për rreth 30 vjet në Jerusalem. Në vitin 740 p.e.s., ai pa si ra në duart e Asirisë fqinji i tij në veri, Izraeli. Në vitin 732 p.e.s., pa me sytë e tij si shpëton Perëndia, kur asirianët, që u përpoqën të pushtonin Jerusalemin, pësuan disfatë të rëndë.—Isaia 37:33-38.
3 Tani Hezekia pret një delegacion të dërguar nga Merodak-Baladani, mbreti i Babilonisë. Në dukje, këta ambasadorë vijnë të urojnë Hezekinë që është shëruar nga një sëmundje e rëndë. Megjithatë, ka të ngjarë që Merodak-Baladani ta shohë Hezekinë si aleat të mundshëm në luftën kundër fuqisë botërore të Asirisë. Por edhe Hezekia, duke u treguar vizitorëve nga Babilonia tërë thesaret e shtëpisë e të mbretërisë së tij, s’bën asgjë për t’ua larguar këtë ide nga mendja. Ndoshta edhe ai kërkon aleatë në rast se ndodh që asirianët kthehen sërish.—Isaia 39:1, 2.
4. Cilat pasoja tragjike të gabimit të Hezekisë parathotë Isaia?
4 Isaia është profeti kryesor në këtë kohë, dhe e kupton menjëherë se Hezekia ka vepruar pa mend. Ai e di mirë se nuk është Babilonia mbrojtja më e sigurt, por Jehovai, dhe i thotë se njohja e babilonasve me pasuritë e tij do të ketë pasoja tragjike. «Po vijnë ditët,—thotë Isaia,—kur gjithçka që gjendet në shtëpinë tënde dhe që paraardhësit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohet në Babiloni.» Jehovai dekreton: «S’do të mbetet asgjë.»—Isaia 39:5, 6.
5, 6. (a) Cilat fjalë të Jeremisë vërtetojnë profecinë e Isaisë? (b) Si u përmbushën profecitë e Isaisë dhe Jeremisë?
5 Në shekullin e 8-të p.e.s., mund të dukej e pamundur të përmbushej kjo profeci. Por 100 vjet më vonë, gjithçka ndryshoi. Tani nuk ishte më Asiria fuqi botërore, por Babilonia, kurse Juda kishte rënë kaq poshtë në kuptimin fetar, sa Perëndia nuk po e bekonte më. Në këtë kohë, Jeremia, një profet tjetër, u frymëzua të thoshte të njëjtin paralajmërimin si të Isaisë. Ai shpalli: «Do t’i sjell [babilonasit] kundër këtij vendi, kundër banorëve të tij. . . . I gjithë ky vend do të bëhet një shkreti, për të ngjallur habi, dhe këto kombe do t’i shërbejnë shtatëdhjetë vjet mbretit të Babilonisë.»—Jeremia 25:9, 11.
6 Rreth katër vjet pasi profetizoi Jeremia, Juda u bë pjesë e perandorisë babilonase. Tre vjet më vonë, babilonasit morën në Babiloni disa robër judenj, si edhe thesare nga tempulli i Jerusalemit. Pas tetë vjetësh, në Judë shpërthyen revoltat, dhe ajo u pushtua për herë të dytë nga trupat e mbretit babilonas, Nabukodonosorit. Këtë herë qyteti dhe tempulli u shkatërruan fare. Tërë pasurinë e qytetit bashkë me judenjtë i çuan në Babiloninë e largët, si kishin parathënë Isaia dhe Jeremia.—2 Kronikave 36:6, 7, 12, 13, 17-21.
7. Si e vërteton arkeologjia përmbushjen e profecisë së Isaisë dhe të Jeremisë për Jerusalemin?
7 Një enciklopedi arkeologjike vëren se «qyteti [i Jerusalemit] ishte shkatërruar plotësisht» kur përfundoi sulmi i egër i babilonasve.1 (The Archaeological Encyclopedia of the Holy Land) Arkeologu Uilliam Ollbrait thotë: «Gërmimet dhe eksplorimi në sipërfaqe i rajonit të Judës kanë treguar se dy pushtimet kaldease jo vetëm që shkatërruan plotësisht qytetet e Judës, por edhe i lanë të pabanuara për breza me radhë—madje një pjesë e mirë ka mbetur e tillë, deri sot e kësaj dite.»2 Ja pra, arkeologjia tregon se përmbushja e kësaj profecie të lë gojëhapur.
Fundi i Tirit
8, 9. Çfarë profetizoi Ezekieli kundër Tirit?
8 Një tjetër shkrimtar i lashtë, që profetizoi i frymëzuar nga Perëndia, ishte Ezekieli. Ai profetizoi nga fundi i shekullit të 7-të p.e.s. deri në shekullin e 6-të, domethënë, gjatë viteve që i paraprinë shkatërrimit të Jerusalemit dhe gjatë dekadave të para të mërgimit të judenjve në Babiloni. Edhe disa kritikë të sotëm pajtohen me mendimin se libri i tij u shkrua rreth asaj kohe.
9 Ezekieli shkroi një profeci rrëqethëse për shkatërrimin e Tirit, fqinjit verior të Izraelit, që nga mik, ishte kthyer në armik të popullit të Perëndisë. (1 Mbretërve 5:1-9; Psalmi 83:2-8) Ai shkroi: «Ja çfarë thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë jam kundër teje, o Tir, dhe do të sjell kundër teje shumë kombe, ashtu si deti sjell dallgë. Ato do të t’i rrënojnë muret, o Tir, dhe do të t’i shembin kullat. Unë do të t’i heq rrënojat dhe do të të kthej në një shkrep të zhveshur e të lëmuar. . . . Gurët, punimet prej druri dhe rrënojat e tua të mbetura, do t’i hedhin në mes të ujit.»—Ezekieli 26:3, 4, 12.
10-12. Kur u përmbush përfundimisht profecia e Ezekielit dhe si?
10 A ndodhi vërtet kjo? Ç’është e vërteta, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e rrethoi Tirin vetëm pak vjet pasi Ezekieli kishte shkruar këtë profeci. (Ezekieli 29:17, 18) Por nuk qe aspak e lehtë, pasi një pjesë e Tirit ishte në kontinent (dhe quhej Tiri i Vjetër), kurse pjesa tjetër ishte në ishull, rreth 800 metra larg bregut. Nabukodonosori e shtiu në dorë ishullin pas 13 vjetësh rrethimi.
11 Megjithatë, profecia e Ezekielit u përmbush në të gjitha hollësitë në vitin 332 p.e.s. Në atë kohë, pushtuesi maqedonas, Aleksandri i Madh, po zaptonte Azinë. Tiri, duke u ndier i sigurt në ishullin e tij, bëri qëndresë. Aleksandri nuk donte të linte pas një armik të mundshëm, por as donte të humbte kohë duke e mbajtur të rrethuar Tirin për vite të tëra, si kishte bërë Nabukodonosori.
12 Cilën strategji ushtarake përdori që të zgjidhte këtë problem? Ai ndërtoi një urë lidhëse ose një mol që të çonte në ishull, kështu që ushtarët mund të marshonin e t’i suleshin qytetit-ishull. Por, a e merr dot me mend se me ç’material e ndërtoi molin? Një enciklopedi thotë: «Me gërmadhat e pjesës kontinentale të qytetit, që kishte shkatërruar në vitin 332 p.e.s., ai bëri një mol të madh që të lidhte ishullin me kontinentin.» (The Encyclopedia Americana) Rrethimi nuk zgjati shumë, dhe qyteti-ishull u shkatërrua plotësisht. Madje, profecia e Ezekielit u përmbush deri në hollësitë më të vogla, pasi edhe «gurët, punimet prej druri dhe rrënojat» e Tirit të Vjetër ‘u hodhën në mes të ujit’.
13. Si e përshkroi një udhëtar i shekullit të 19-të atë që kishte mbetur nga Tiri i lashtë?
13 Një udhëtar i shekullit të 19-të komentoi për atë që kishte mbetur në kohën e tij nga Tiri i lashtë. Ai tha: «Përveç varreve të gërmuara në shkëmb, rrëzë malit, dhe mureve të themelit, s’ka mbetur as edhe një gërmadhë nga Tiri origjinal që njihte Solomoni dhe profetët e Izraelit. . . . Edhe në ishullin që Aleksandri i Madh e ktheu në kep, duke mbushur me dhé pjesën mes tij dhe kontinentit kur rrethoi qytetin, nuk ka mbetur asgjë që mund të dallohet si një relike e një periudhe më të hershme se Kryqëzatat. Qyteti modern, që në tërësi është relativisht i ri, zë gjysmën veriore të ishullit të dikurshëm, kurse gati tërë sipërfaqja e mbetur është plot me rrënoja pa asnjë formë.»3
Kthimi i Babilonisë
14, 15. Çfarë profetizuan Isaia dhe Jeremia kundër Babilonisë?
14 Në shekullin e 8-të p.e.s., Isaia, profeti që njoftoi judenjtë se i priste zgjedha e Babilonisë, paratha edhe diçka tjetër të mahnitshme: zhdukjen e plotë të vetë Babilonisë. Fjalët që përdori, ishin mjaft të qarta: «Ja, unë po ngre kundër tyre medët . . . Babilonia, stolia e mbretërive, ajka e krenarisë së kaldeasve, do të bëhet si Sodoma dhe Gomorra kur i përmbysi Perëndia. Ajo nuk do të banohet më kurrë dhe për të s’do të ketë më vend brez pas brezi.»—Isaia 13:17-20.
15 Edhe profeti Jeremia paratha rënien e Babilonisë që do të ndodhte shumë vjet më vonë. Ai dha edhe një hollësi interesante: «Do të vijë një shkretim mbi vendet me ujë, dhe ato do të thahen. . . . Burrat e fuqishëm të Babilonisë kanë reshtur së luftuari. Janë ulur te fortesat. U kanë shteruar fuqitë.»—Jeremia 50:38; 51:30.
16. Kur u mund Babilonia dhe nga kush?
16 Ditët e Babilonisë si fuqi mbizotëruese botërore perënduan në vitin 539 p.e.s., kur Kiri, mbreti i fuqishëm pers, marshoi drejt qytetit i mbështetur nga forcat ushtarake të Medisë. Megjithatë, ai u gjend para një pengese të madhe. Babilonia rrethohej nga mure vigane dhe dukej e pathyeshme. Veç kësaj, qyteti përshkohej nga lumi i madh Eufrat, i cili i siguronte një mbrojtje të mirë.
17, 18. (a) Si ndodhi ‘një shkretim mbi vendet me ujë [të Babilonisë]’? (b) Pse nuk ‘luftuan burrat e fuqishëm’ të Babilonisë?
17 Historiani grek, Herodoti, shpjegon si e zgjidhi Kiri këtë problem: «Ai vuri një pjesë të ushtrisë së tij në pikën ku lumi futej në qytet dhe një pjesë tjetër në anën e kundërt, ku lumi dilte nga qyteti. I urdhëroi ushtarët të hynin në qytet sapo lumi të bëhej i kalueshëm, dhe të ndiqnin shtratin e tij. . . . Me anë të një kanali që përfundonte në një pellg të kthyer në kënetë [një liqen artificial i bërë nga një sundimtar i mëparshëm i Babilonisë], ai ndryshoi drejtimin e Eufratit. Kështu, niveli i ujit u ul, aq sa mund të kalohej nëpër shtratin e lumit. Atëherë, persët që ishin pozicionuar qëllimisht në anë të lumit, e kaluan ujin, niveli i të cilit kishte rënë aq sa u arrinte deri në mes të kofshës, dhe hynë në qytet.»4
18 Kështu qyteti u pushtua si kishin paralajmëruar Jeremia dhe Isaia. Por le të shohim si u plotësuan edhe hollësitë e kësaj profecie. Pati vërtet ‘një shkretim mbi vendet me ujë, dhe ato u thanë’. Rënia e nivelit të Eufratit i dha mundësi Kirit të hynte në qytet. Si ‘reshtën së luftuari burrat e fuqishëm të Babilonisë’ sipas paralajmërimit të Jeremisë? Bibla si edhe historianët grekë Herodoti dhe Ksenofoni, thonë se babilonasit kishin shtruar gosti kur u sulmuan nga persët.5 Në Kronikën e Nabonidit, një mbishkrim zyrtar kuneiform, thuhet se trupat e Kirit hynë në Babiloni «pa luftuar», që mund të nënkuptojë: pa luftime të egra.6 Duket qartë se burrat e fuqishëm të Babilonisë nuk bënë shumë që ta mbronin qytetin.
19. A u përmbush profecia që thoshte se Babilonia ‘nuk do të banohej kurrë’? Shpjego.
19 Ç’mund të themi për profecinë që thoshte se Babilonia ‘nuk do të banohej më’ kurrë? Kjo nuk u përmbush menjëherë në vitin 539 p.e.s. Megjithatë, profecia u përmbush deri më një. Pasi ra, Babilonia u bë vatra e shumë revoltave deri në vitin 478 p.e.s. kur u shkatërrua nga Kserksi. Në fund të shekullit të 4-t, Aleksandri i Madh mendoi ta rindërtonte, por vdiq para se puna të vihej në vijë. Që atëherë, qyteti s’ngriti më kokë. Në shekullin e 1-rë të e.s., atje jetonin ende disa banorë, por sot, nga Babilonia e lashtë ka mbetur vetëm një pirg rrënojash në Irak. Edhe sikur rrënojat e saj të restauroheshin pjesërisht, Babilonia vetëm sa do të shuante kureshtjen e turistëve; s’do të ishte një qytet i gjallë e me jetë. Trualli i saj i shkretuar dëshmon se janë përmbushur plotësisht profecitë e frymëzuara që u shkruan për të.
Fuqitë botërore
20, 21. Cilën profeci për fuqitë botërore tha Danieli dhe si u përmbush ajo?
20 Në shekullin e 6-të p.e.s., kur judenjtë ishin të mërguar në Babiloni, Danieli, një tjetër profet i frymëzuar, pa disa vegime të jashtëzakonshme që parathoshin ngjarje botërore që do të ndodhnin. Në njërin prej tyre, Danieli përshkruan disa kafshë simbolike që i zënë vendin njëra-tjetrës në skenën botërore. Një engjëll i shpjegoi se këto kafshë përfaqësonin fuqitë botërore që do të pasonin njëra-tjetrën që nga ajo kohë e më pas. Për dy kafshët e fundit ai tha: «Dashi me dy brirë përfaqëson mbretin e Medisë e të Persisë. Cjapi leshtor përfaqëson mbretin e Greqisë, kurse briri i madh midis syve të tij përfaqëson mbretin e parë. Meqenëse ai u thye dhe në vend të tij dolën së fundi katër të tjerë, kjo do të thotë se nga kombi i tij do të dalin katër mbretëri, por që nuk do të kenë fuqinë e tij.»—Danieli 8:20-22.
21 Ky vegim profetik u përmbush fjalë për fjalë. Perandoria babilonase u përmbys nga Medo-Persia, e cila 200 vjet më vonë, u gjunjëzua para fuqisë botërore greke. Perandoria greke çau përpara me Aleksandrin e Madh, ‘bririn e madh’. Por, pasi ai vdiq, gjeneralët e tij luftuan për pushtet mes tyre, dhe përfundimisht, kjo perandori me shtrirje të madhe u nda në katër perandori më të vogla, «katër mbretëri».
22. Cila fuqi e re botërore u përmend në profecinë e Danielit?
22 Një vegim disi i ngjashëm, në kapitullin 7 të Danielit, tregonte çdo të ndodhte në një të ardhme të largët. Fuqia botërore babilonase paraqitej nga një luan, ajo perse nga një ari dhe ajo greke nga një leopard me katër krahë në kurriz e katër koka. Pastaj, Danieli pa një bishë tjetër, «të frikshme, të tmerrshme dhe jashtëzakonisht të fortë . . . dhe kishte dhjetë brirë». (Danieli 7:2-7) Kjo bishë e katërt paraqiste Perandorinë Romake të fuqishme që filloi të merrte formë rreth tre shekuj pasi Danieli tha këtë profeci.
23. Në ç’kuptim bisha e katërt e profecisë së Danielit «ndryshonte nga të gjitha mbretëritë e tjera»?
23 Engjëlli profetizoi për Romën: «Bisha e katërt është një mbretëri e katërt që do të vijë në tokë dhe do të jetë e ndryshme nga të gjitha mbretëritë e tjera. Ajo do të përpijë gjithë tokën, do ta shkelë e do ta thërrmojë.» (Danieli 7:23) Për këtë, Herbert Uellsi thotë në një libër të tij: «Fuqia e re romake që u ngrit të sundonte botën perëndimore në shekullin e 2-të dhe të 1-rë p.e.s., ndryshonte në shumë kuptime nga të gjitha perandoritë e mëdha që kishin mbizotëruar botën e qytetëruar deri në atë kohë.»7 (A Pocket History of the World) Ajo e nisi rrugën e saj si republikë dhe e vazhdoi si monarki. Ndryshe nga perandoritë e mëparshme, ajo nuk u krijua nga ndonjë pushtues dhe u rrit pareshtur përgjatë shekujve. Jetoi shumë më gjatë se të tjerat dhe zotëroi një territor shumë më të madh se çdo perandori e mëparshme.
24, 25. (a) Si u shfaqën dhjetë brirët e bishës së egër? (b) Cilën betejë mes brirëve të bishës së egër paratha Danieli?
24 Por, ç’përfaqësonin dhjetë brirët e kësaj bishe të stërmadhe? Engjëlli tha: «Dhjetë brirët tregojnë se nga ajo mbretëri do të dalin dhjetë mbretër. Pas tyre do të dalë edhe një tjetër, që do të jetë i ndryshëm nga të parët dhe do të poshtërojë tre mbretër.» (Danieli 7:24) Si u përmbush kjo?
25 Kur Perandoria Romake filloi të dobësohej në shekullin e 5-të të e.s., nuk u zëvendësua menjëherë nga një fuqi tjetër botërore, por u shpërbë në disa mbretëri, «dhjetë mbretër». Në fund, Perandoria Britanike mundi tri perandoritë rivale: Spanjën, Francën dhe Holandën, dhe u bë fuqia kryesore botërore. Ja pra, si i poshtëroi ‘tre mbretërit’ ‘briri’ i sapoardhur.
A u shkruan profecitë e Danielit pasi u përmbushën?
26. Sipas kritikëve, kur u shkrua libri i Danielit? Pse ata mendojnë kështu?
26 Sipas Biblës, libri i Danielit u shkrua në shekullin e 6-të p.e.s. Profecitë e tij u përmbushën me kaq saktësi, sa kritikët thonë se ky libër mund të jetë shkruar rreth vitit 165 p.e.s. kur disa nga këto profeci tashmë ishin përmbushur.8 Arsyeja e vetme pse mendojnë kështu, është se profecitë e Danielit u përmbushën, dhe kjo datë e mëvonshme për shkrimin e librit të Danielit paraqitet si datë e sigurt në shumë vepra referimi.
27, 28. Cilat fakte tregojnë se libri i Danielit nuk u shkrua në vitin 165 p.e.s.?
27 Megjithatë, kjo teori duhet peshuar duke marrë parasysh faktet e mëposhtme: së pari, ky libër përmendet në veprat judaike që dolën gjatë shekullit të 2-të p.e.s., si për shembull, në librin e parë të Makabenjve. Së dyti, u përfshi në versionin grek të Septuagintës, e cila nisi të përkthehej në shekullin e 3-të p.e.s.9 Së treti, copëza nga kopje të librit të Danielit, që mendohet se datojnë rreth vitit 100 p.e.s., përbëjnë pjesën më të madhe të veprave të gjetura te Rrotullat e Detit të Vdekur.10 Pra, është e qartë se menjëherë pas kohës kur supozohet të jetë shkruar, libri i Danielit ishte gjerësisht i njohur dhe i respektuar. Ja një provë bindëse që tregon se libri u shkrua shumë më parë se data që thonë kritikët.
28 Gjithashtu, libri i Danielit përmban edhe hollësi historike, që do të ishin krejt të panjohura për një shkrimtar të shekullit të 2-të. Rasti që bie më shumë në sy është ai i Belshazarit, sundimtarit të Babilonisë, që u vra kur ra Babilonia, në vitin 539 p.e.s. Përveç Biblës, dëshmitë më të mëdha për rënien e Babilonisë i kemi nga Herodoti (shekulli i 5-të), Ksenofoni (shekulli i 5-të dhe i 4-t) dhe Berosi (shekulli i 3-të). Asnjëri nga këta s’e kishte idenë kush ishte Belshazari.11 Është krejt e pamundur që një shkrimtar i shekullit të 2-të të kishte të dhëna që këta shkrimtarë më të hershëm nuk i kishin! Tregimi për Belshazarin te kapitulli i pestë i Danielit është një provë bindëse se Danieli e shkroi librin e tij para se këta shkrimtarë të shkruanin të tyret.a
29. Pse libri i Danielit nuk mund të jetë shkruar pas përmbushjes së profecive që përmban?
29 Në librin e Danielit ka edhe mjaft profeci të tjera që u përmbushën shumë kohë pas vitit 165 p.e.s. Njëra është për Perandorinë Romake që u përmend më lart. Një tjetër, një profeci e jashtëzakonshme, parathotë ardhjen e Jezuit, Mesisë.
Ardhja e të mirosurit
30, 31. (a) Cila profeci e Danielit paratha kohën e shfaqjes së Mesisë? (b) Duke u bazuar në profecinë e Danielit, si mund ta llogaritim vitin kur do të shfaqej Mesia?
30 Kjo profeci gjendet në kapitullin 9 të Danielit dhe thotë: «Shtatëdhjetë javë [vitesh, ose katërqind e nëntëdhjetë vjet] janë dekretuar për popullin tënd dhe për qytetin tënd të shenjtë.»b (Danieli 9:24, The Amplified Bible) Ç’duhej të ndodhte gjatë këtyre 490 vjetëve? Në vargun tjetër lexojmë: «Që nga dalja e urdhrit për të restauruar dhe për të ndërtuar Jerusalemin deri te [ardhja e] të mirosurit, princit, do të kalojnë shtatë javë [vitesh] dhe gjashtëdhjetë e dy javë [vitesh].» (Danieli 9:25, AB) Pra, kjo profeci tregon kohën kur do të vinte ‘i mirosuri’, Mesia. Si u përmbush?
31 Urdhri për të restauruar dhe për të ndërtuar Jerusalemin ‘doli’ në ‘vitin e njëzetë të mbretërimit të Artakserksit’, mbretit të Persisë, domethënë, në vitin 455 p.e.s. (Nehemia 2:1-9) Në fund të 49 vjetëve (7 javë vitesh), Jerusalemi kishte fituar një pjesë të mirë të lavdisë së humbur. Kështu, duke numëruar gjithsej 483 vjet (7 plus 62 javë vitesh) nga viti 455 p.e.s., arrijmë në vitin 29 të e.s. Kjo kohë përkon me «vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar» kur Jezui u pagëzua nga Gjon Pagëzori. (Luka 3:1) Pikërisht në këtë kohë, Jezui u identifikua botërisht si Biri i Perëndisë dhe nisi shërbimin e tij duke i predikuar lajmin e mirë kombit jude. (Mateu 3:13-17; 4:23) Kështu, ai u bë ‘i mirosuri’ ose Mesia.
32. Sipas profecisë së Danielit, sa do të zgjaste shërbimi tokësor i Jezuit dhe çfarë do të ndodhte në fund të tij?
32 Profecia vazhdon: «Pas gjashtëdhjetë e dy javë [vitesh] i mirosuri do të vritet.» Pastaj shton: «Ai do të hyjë në një besëlidhje të fortë e të patundur me ata shumë veta për një javë [shtatë vjet], dhe në mes të javës do të bëjë të ndalet flijimi dhe blatimi.» (Danieli 9:26, 27, AB) Në përputhje me këtë profeci, Jezui shkoi posaçërisht tek «ata shumë veta», pra, te vetë judenjtë. Në ndonjë rast, ai u predikoi edhe samaritanëve që besonin një pjesë të Shkrimeve, por që ishin ndarë nga judaizmi për të formuar një sekt më vete. Pastaj, «në mes të javës», pas tre vjetësh e gjysmë predikimi, ai ‘u vra’, domethënë, dha jetën si flijim. Kjo i dha fund Ligjit të Moisiut, si edhe flijimeve e blatimeve që kërkoheshin nga ky Ligj. (Galatasve 3:13, 24, 25) Pra, me vdekjen e tij, Jezui ‘ndaloi flijimin dhe blatimin’.
33. Për sa kohë do të merrej Jehovai vetëm me judenjtë, dhe cila ngjarje shënoi fundin e kësaj periudhe?
33 Megjithatë, edhe për tre vjet e gjysmë të tjerë kongregacioni i krishterë i sapoformuar u dëshmoi vetëm judenjve dhe, më vonë, samaritanëve që kishin njëfarë lidhjeje me ta. Por, në vitin 36 të e.s., në fund të shtatëdhjetë javëve vjetore, apostulli Pjetër u udhëzua t’i predikonte Kornelit, që nuk ishte jude. (Veprat 10:1-48) Tani, ‘besëlidhja me ata shumë veta’ nuk kufizohej më vetëm te judenjtë. Lajmi i shpëtimit u predikohej edhe popujve të tjerë që nuk rrethpriteshin.
34. Në përputhje me profecinë e Danielit, çfarë ndodhi me kombin e Izraelit ngaqë hodhi poshtë Mesinë?
34 Kur romakët shkuan të shkatërronin Jerusalemin në vitin 70 të e.s., Jehovai nuk e mbrojti kombin jude, sepse kishin hedhur poshtë Jezuin dhe kishin kurdisur ekzekutimin e tij. Kështu u përmbushën edhe fjalët e tjera të Danielit: «Populli i një princi që do të vijë ka për të shkatërruar qytetin dhe shenjtëroren; fundi i tij do të vijë me një përmbytje dhe deri në mbarim të luftës janë dekretuar shkatërrime.» (Danieli 9:26b, Dio) Ky ‘princ’ i dytë ishte Titi, gjenerali romak që shkatërroi Jerusalemin në vitin 70 të e.s.
Profeci e frymëzuar
35. Cilat profeci të tjera për Jezuin u përmbushën?
35 Kështu, pra, profecia e Danielit për 70 javët u përmbush me një saktësi të mahnitshme. Po, mjaft profeci të Shkrimeve Hebraike u përmbushën gjatë shekullit të 1-rë dhe shumë ishin për Jezuin. Ndër to mund të përmendim vendin ku lindi, zellin e tij për shtëpinë e Perëndisë, predikimin, tradhtinë për 30 monedha argjendi, mënyrën si vdiq, shortin që u hodh për rrobat e tij—të gjitha hollësi që ishin parathënë në Shkrimet Hebraike. Përmbushja e tyre nuk lë hije dyshimi se Jezui ishte Mesia dhe tregon edhe një herë se profecitë ishin të frymëzuara.—Mikea 5:2; Luka 2:1-7; Zakaria 11:12; 12:10; Mateu 26:15; 27:35; Psalmet 22:18; 34:20; Gjoni 19:33-37.
36, 37. Çfarë mësojmë nga fakti se profecitë e Biblës u përmbushën, dhe ç’siguri na jep kjo gjë?
36 Në fakt, të gjitha profecitë e Biblës që duhej të përmbusheshin, u përmbushën. Gjithçka ka ndodhur pikërisht si paratha Bibla. Kjo është një provë bindëse se ajo është Fjala e Perëndisë. Po, plotësimi me aq saktësi i atyre thënieve profetike, tregon se burimi i tyre duhet të ketë qenë dikush që kishte mençuri mbinjerëzore.
37 Por, ka edhe parashikime të tjera në Bibël që nuk janë përmbushur në të shkuarën. Pse? Sepse duhet të përmbushen në kohën tonë ose në të ardhmen. Përderisa profecitë e lashta që shqyrtuam, u përmbushën, kjo na siguron se edhe këto parashikime të tjera do të plotësohen patjetër. Kjo do të ndodhë me të vërtetë, si do ta shohim edhe në kapitullin tjetër.
[Shënimet]
a Shih kapitullin 4, «Sa e besueshme është ‘Besëlidhja e Vjetër’?», paragrafët 16 dhe 17.
b Në këtë përkthim fjalët në kllapa katrore janë shtuar nga përkthyesi për të sqaruar domethënien.
[Diçitura në faqen 133]
Të gjitha profecitë që duhej të përmbusheshin, u përmbushën. Gjithçka ndodhi saktësisht ashtu si kishte parathënë Bibla
[Figura në faqen 118]
Arkeologët kanë zbuluar se Nabukodonosori e shkatërroi Jerusalemin plotësisht
[Figura në faqen 121]
Fotografi e Tirit të sotëm. Nga Tiri që njihnin profetët e Izraelit, s’ka mbetur pothuajse asgjë
[Figura në faqen 123]
Turistët që vizitojnë vendndodhjen e Babilonisë së lashtë, shohin me sytë e tyre që profecitë e thëna kundër këtij qyteti, janë përmbushur
[Figurat në faqen 126]
Profecitë e Danielit për fuqitë botërore që pasuan njëra-tjetrën, u përmbushën me aq saktësi, sa kritikët e sotëm mendojnë se u shkruan pasi u përmbushën
BABILONIA
PERSIA
GREQIA
ROMA
BRITANIA
[Figura në faqen 130]
Danieli paratha kohën e saktë kur do të shfaqej Mesia në Izrael