PIKËPAMJA E BIBLËS
Ëndrrat nga perëndia
A i ka përdorur Perëndia ëndrrat për të komunikuar me njerëzit?
«Ndërsa ishte në shtratin e tij, Danieli [profeti i Perëndisë] pa një ëndërr. . . . Atëherë ai e shkroi ëndrrën dhe e tregoi tërë çështjen.»—Danieli 7:1.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Perëndia u ka përçuar njerëzve mesazhe të rëndësishme në mënyra të ndryshme. Në kohët biblike, ai ndonjëherë përdorte ëndrrat. Por nuk ishin ëndrra të përditshme të mjegullta dhe pa logjikë. Ëndrrat nga Perëndia ishin të gjalla, logjike dhe jepnin një mesazh të qartë. Për shembull, profeti Daniel pa në një ëndërr disa bisha njëra pas tjetrës që simbolizonin perandoritë politike që nga Babilonia e deri në ditët tona. (Danieli 7:1-3, 17) Me anë të një ëndrre, Perëndia i tha Jozefit nga Nazareti, babait adoptues të Jezuit, të ikte në Egjipt bashkë me gruan dhe fëmijën. Si rrjedhojë, Jezui shpëtoi nga duart e mbretit të lig Herod që donte ta vriste. Kur Herodi vdiq, Perëndia ia tregoi këtë Jozefit me anë të një ëndrre, dhe në të njëjtën kohë e udhëzoi të kthehej në vendin e tij bashkë me familjen.—Mateu 2:13-15, 19-23.
A i përdor Perëndia ëndrrat për të komunikuar me ne sot?
«Mos shko përtej gjërave të shkruara.»—1 Korintasve 4:6.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Ëndrrat e dokumentuara në Bibël janë pjesë e asaj që Perëndia i ka zbuluar njerëzimit në formë të shkruar. Për këtë, 2 Timoteut 3:16, 17 thotë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»
Bibla ‘na pajis plotësisht’ në kuptimin që na tregon gjithçka që duhet të dimë për Perëndinë, për cilësitë e normat e tij morale dhe për vendin që ne zëmë në qëllimin e tij për tokën. Pra, Perëndia nuk përdor më ëndrrat për t’u dhënë mesazhe njerëzve. Nëse duam të dimë të ardhmen dhe atë që Perëndia pret nga ne, nuk duhet ‘të shkojmë përtej gjërave të shkruara’—domethënë atyre që janë shkruar në Bibël. Për më tepër, pothuajse të gjithë njerëzit mund ta kenë këtë libër dhe të studiojnë gjërat e shumta që na ka zbuluar Perëndia, përfshirë ëndrrat.
Pse e meritojnë besimin tënd ëndrrat dhe vegimet e dokumentuara në Bibël?
«Njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»—2 Pjetrit 1:21.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Shumë nga ëndrrat dhe vegimet e dokumentuara në Bibël ishin profetike, domethënë parathoshin ngjarje të së ardhmes. Duke u dokumentuar këto profeci, shkrimtarët e Biblës dhe Shkrimet u vunë në provë për besueshmërinë e tyre. A dolën të sakta këto dokumentime? Le të marrim si shembull vegimin te Danieli 8:1-7, i dokumentuar aty nga fundi i Perandorisë Babilonase.
Profecia fliste në mënyrë simbolike për një dash dhe një cjap që e goditi dashin dhe e hodhi përtokë. Danieli nuk kishte pse të hamendej për kuptimin e vegimit. Një lajmëtar engjëllor i Perëndisë shpalli: «Dashi me dy brirë përfaqëson mbretin e Medisë e të Persisë. Cjapi leshtor përfaqëson mbretin e Greqisë.» (Danieli 8:20, 21) Historia vërteton se Medo-Persia pasoi Babiloninë si fuqi botërore. Pastaj, rreth dyqind vjet më vonë, Medo-Persia u mposht nga Aleksandri i Madh i Greqisë. Profecitë biblike, përfshirë ëndrrat profetike, karakterizohen nga kjo saktësi e mahnitshme. Vetëm ky fakt mjafton për ta dalluar Biblën nga të gjithë librat e tjerë të shenjtë, dhe e bën të denjë për besimin tonë.