PIKËPAMJA E BIBLËS
Racizmi
Nga e kanë origjinën racat njerëzore?
«Adami e quajti gruan e tij Evë, sepse ajo do të bëhej nëna e gjithë të gjallëve.»—Zanafilla 3:20.
ÇFARË THONË EKSPERTËT?
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESKO) thotë se «të gjithë njerëzit i përkasin një lloji të vetëm dhe e kanë prejardhjen nga një trung i përbashkët».—Deklarata për racën dhe paragjykimet raciale, 1978.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Perëndia krijoi dy njerëz, Adamin dhe Evën, dhe u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zanafilla 1:28) Kështu Adami dhe Eva u bënë prindërit e gjithë njerëzimit. Më vonë, kur përmbytja fshiu nga faqja e dheut shumicën e popullsisë në tokë, katër çifte mbijetuan: Noeja dhe gruaja e tij bashkë me tre djemtë e nuset e tyre. Bibla mëson se të gjithë ne e kemi prejardhjen nga djemtë e Noesë.—Zanafilla 9:18, 19.
A ka ndonjë racë më të lartë se një tjetër?
«Nga një njeri i vetëm ai [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut.»—Veprat 17:26.
ÇFARË KANË THËNË DISA?
Gjatë shekullit të 20-të, disa grupe përvetësuan ideologji raciste. Për shembull, nazistët e argumentonin mbi baza biologjike bindjen e tyre se një racë është më e lartë se një tjetër. Nga ana tjetër, dokumenti i UNESKO-s që cituam më parë, pranoi «unitetin thelbësor të racës njerëzore dhe si rrjedhojë barazinë themelore të të gjitha qenieve njerëzore dhe të të gjithë popujve».
ÇFARË THOTË BIBLA?
Veprat 10:34, 35 thotë: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» Për këtë arsye, askush nuk mund ta konsiderojë me të drejtë një racë më të lartë se një tjetër.
Jezui vendosi standardin për të krishterët kur u tha dishepujve: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» (Mateu 23:8) Ai u lut që dishepujt e tij të ishin të bashkuar dhe «të përsosur në një», jo të ndarë a të përçarë.—Gjoni 17:20-23; 1 Korintasve 1:10.
A do të marrë ndonjëherë fund racizmi?
«Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të lartësohet patundshmërisht. . . . Drejt tij do të vërshojnë të gjitha kombet.»—Isaia 2:2.
ÇFARË MENDOJNË DISA?
Tensioni i vazhdueshëm midis racave i shtyn njerëzit e shumë vendeve të pyesin nëse shoqëria ka bërë përparim domethënës për zhdukjen e racizmit. Disa arrijnë në përfundimin se s’kanë për të parë kurrë barazi midis racave.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Perëndia nuk do ta tolerojë përgjithnjë urrejtjen raciale. Përkundrazi, nën Mbretërinë e tij, burra dhe gra «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» do t’i shërbejnë në unitet, duke treguar dashuri të vërtetë për njëri-tjetrin. (Zbulesa 7:9) Mbretëria e Perëndisë nuk është një gjendje abstrakte e zemrës. Por ajo është një qeveri që do të ndikojë thellë te planeti ynë, pikërisht aty ku Perëndia kishte për qëllim që të gjithë njerëzit të banonin pa pengesa raciale.a
a Për më shumë informacion, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.