PIKËPAMJA E BIBLËS
Spiritizmi
A është e gabuar të përpiqesh të komunikosh me të vdekurit?
«Mos iu drejtoni mediumeve . . . që të mos ndoteni prej tyre.»—Levitiku 19:31.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Kuptohet, njerëzit duan të sigurohen se të afërmit që u kanë vdekur nuk po vuajnë. Prandaj thonë: «Pse të mos përpiqem të flas me ta nëpërmjet një mediumeje? Ndoshta ajo do të më jepte ndonjë zgjidhje dhe do të më ndihmonte të gjeja paqe.»
ÇFARË THOTË BIBLA?
Bibla shprehet qartë për përpjekjet e të gjallëve që duan të komunikojnë me të vdekurit, një praktikë e përhapur në kohët e lashta. Për shembull, Ligji që Perëndia Jehova i dha kombit të Izraelit thoshte: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që këshillohet me një medium ose . . . pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.» (Ligji i përtërirë 18:10-12) Gjithashtu, Bibla thotë se ata që praktikojnë çfarëdo forme të spiritizmit «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».—Galatasve 5:19-21.
A mund të ndikojnë të vdekurit te të gjallët?
«Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»—Eklisiastiu 9:5.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Shumë thonë se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë në njëfarë forme. Prandaj, mund të përpiqen të komunikojnë me të vdekurit, ndoshta për të marrë ndonjë informacion ose për të qetësuar të vdekurit me shpresën se do t’i lënë rehat të gjallët.
ÇFARË THOTË BIBLA?
«Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë . . . Dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre [që ndienin kur ishin gjallë] tashmë kanë marrë fund.» (Eklisiastiu 9:5, 6) Po, Bibla na mëson se të vdekurit janë thjesht të vdekur. Nuk mund të mendojnë, të veprojnë e madje as të adhurojnë Perëndinë. «Të vdekurit nuk e lëvdojnë [Perëndinë], dhe as ata që zbresin në vendin e heshtjes [së vdekjes]»,—thuhet te Psalmi 115:17.
A nuk japin ndonjëherë mediumet hollësi të sakta?
«A duhet t’u drejtohemi të vdekurve për të gjallët?»—Isaia 8:19.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Disa thonë se mediumet janë në gjendje të zbulojnë informacione që vetëm të vdekurit dhe familja ose miqtë mund t’i dinë.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Kapitulli 28 në librin e 1 Samuelit tregon se si mbreti jobesnik me emrin Saul shkeli urdhrin e Perëndisë për të mos u këshilluar me mediume. Ai shkoi te një mediume, që dukej sikur komunikonte me një njeri të Perëndisë që kishte vdekur, i cili quhej Samuel. Por a u lidh vërtet me Samuelin? Jo! Në të vërtetë, ajo po komunikonte me një mashtrues, dikush që po hiqej si Samueli i vdekur.
Ky mashtrues ishte një frymë e ligë, një përfaqësues i ‘atit të gënjeshtrës’, Satanait. (Gjoni 8:44) Por pse frymërat e liga, ose demonët, nxitin pikëpamjen se të vdekurit jetojnë? Sepse kanë si qëllim të shpifin për Perëndinë dhe të diskreditojnë Fjalën e tij të shkruar, Biblën.—2 Timoteut 3:16.
Por, a do të thotë gjithë sa thamë më lart se të vdekurit janë të pashpresë? Aspak! Bibla premton se në të ardhmen do të ringjallen ata që si të thuash ‘kanë rënë në gjumë’ në varr.a (Gjoni 11:11-13; Veprat 24:15) Ndërkohë, ajo na siguron se të afërmit tanë që kanë vdekur nuk provojnë asnjë lloj vuajtjeje.
a Kapitulli 7 i librit Çfarë mëson vërtet Bibla? mban titullin «Shpresë reale për njerëzit e afërt që na kanë vdekur».