IMITONI BESIMIN E TYRE | SARA
«Ti je grua e bukur»
SARA qëndroi në mes të dhomës dhe pa përreth. Përfytyro një grua nga Lindja e Mesme me sy të zinj, magjepsës e shprehës. Mos kishte ndonjë gjurmë trishtimi në ta? Nëse po, s’është e vështirë ta kuptosh pse. Kishte shumë kujtime në këtë shtëpi. Këtu bashkë me bashkëshortin e saj të dashur, Abrahamin, kishin kaluar orë të panumërta plot lumturi.a Të dy e kishin kthyer shtëpinë në një vatër të ngrohtë familjare.
Ata jetonin në Ur, një qytet i begatë plot me artizanë, zanatçinj dhe tregtarë, ndaj me siguri kanë pasur zotërime. Ama, për Sarën shtëpia ishte shumë më tepër se thjesht vendi ku mbante gjërat. Këtu bashkë me burrin kishin kaluar vite me gëzime e zhgënjime. Në këtë shtëpi i ishin lutur me qindra herë Perëndisë së tyre të dashur, Jehovait. Sara kishte plot arsye për ta dashur këtë vend.
Prapëseprapë ishte gati të largohej e të linte pas çdo gjë me të cilën ishte mësuar. Edhe pse ndoshta në të 60-at, do të udhëtonte në vende të panjohura dhe do të niste një jetë të mbushur me rreziqe e vështirësi, pa pasur mundësi të kthehej mbrapa. Pse ky ndryshim drastik në jetën e saj? Dhe çfarë mund të mësojmë nga besimi i saj?
‘LËRE VENDIN TËND’
Ka të ngjarë që Sara të jetë rritur në Ur. Sot gjithë sa ka mbetur nga ky qytet është vetëm një grumbull rrënojash. Por në ditët e Sarës, nëpër ujërat dhe kanalet e lumit Eufrat lundronin anije tregtarësh që sillnin nga larg mallra të çmuara në këtë qytet që lulëzonte. Rrugët e ngushta e gjarpërushe të Urit gëlonin nga njerëzit, anijet shtyheshin me njëra-tjetrën përgjatë portit dhe tregjet ishin të tejmbushura me mallra. Imagjino Sarën teksa rritej në këtë qytet plot jetë dhe u mësonte emrat shumë prej banorëve. Me siguri që edhe ata e njihnin, pasi ajo binte në sy për bukurinë e jashtëzakonshme. Atje kishte edhe familjen e saj të madhe.
Sipas Biblës, Sara kishte shumë besim te Perëndia, por jo te perëndia-hënë, që adhurohej gjerësisht në Ur e për të cilën ishte ngritur një kullë e lartë. Ajo adhuronte Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Tregimi i frymëzuar nuk na thotë si u bë adhuruese e Jehovait. Të paktën për njëfarë kohe i ati adhuronte perëndi të tjera. Sido të ketë qenë, ajo u martua me Abrahamin që ishte dhjetë vjet më i madh.b (Zanafilla 17:17) Më vonë ai u bë i njohur si «ati i të gjithë atyre që kanë besim». (Romakëve 4:11) Ndërtuan një martesë të shkëlqyer e të fortë, që karakterizohej nga respekti, komunikimi i mirë dhe gatishmëria për t’i zgjidhur bashkë problemet. Mbi të gjitha, lidhjen e tyre e përshkonte dashuria për Perëndinë.
Sara e donte me gjithë shpirt të shoqin dhe të dy filluan të jetonin mes të afërmve në Ur. Por s’kaloi shumë kohë dhe u përballën me një situatë zhgënjyese. Bibla na tregon se Sara «ishte shterpë, nuk kishte fëmijë». (Zanafilla 11:30) Kjo ishte një sfidë sidomos për kulturën e asaj kohe. Gjithsesi, ajo i qëndroi besnike Perëndisë dhe të shoqit. Me sa duket nipi i tyre jetim, Loti, iu bë si djalë. Jeta vazhdoi, derisa erdhi dita që ndryshoi gjithçka.
Me fytyrën që i rrëzëllente nga gëzimi, Abrahami vrapoi te Sara. S’po e besonte dot atë që sapo kishte ndodhur. Perëndia që adhuronin, kishte folur me të—madje i ishte shfaqur, pa dyshim me anë të një engjëlli. Imagjino Sarën, gjithë sy e veshë, që pyet me një frymë të shoqin: «Çfarë të tha? Të lutem, ma thuaj!» Mbase në fillim Abrahami u ul që të mblidhte veten, pastaj i tregoi fjalët e Jehovait: «Lëre vendin dhe farefisin tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj.» (Veprat 7:2, 3) Pasi iu zbeh disi entuziazmi i fillimit, nisën të mendonin thellë për caktimin që u kishte dhënë Jehovai. Duhej të hiqnin dorë nga jeta e sigurt dhe e rehatshme e të jetonin si nomadë. Si do të reagonte Sara? Me siguri që Abrahami po e shihte gjithë kureshtje. A do të ishte gati ta mbështeste gjatë këtyre ndryshimeve të mëdha?
Ndoshta nuk arrijmë ta kuptojmë zgjedhjen që duhej të bënte Sara. Mund të mendojmë: «Epo, Perëndia s’na ka kërkuar kurrë një gjë të tillë mua dhe bashkëshortit!» Megjithatë, a nuk përballemi të gjithë me zgjedhje të ngjashme? Jetojmë në një botë materialiste, që mund të na nxitë të vëmë në vend të parë rehatitë, pasurinë a ndjenjën e sigurisë. Por, Bibla na nxit të bëjmë një tjetër zgjedhje—të vendosim adhurimin e Perëndisë në vend të parë, të kënaqim Atë para vetes sonë. (Mateu 6:33) Ndërsa meditojmë për shembullin e Sarës, mund të pyesim veten: «Po unë, çfarë do të zgjedh?»
ATA ‘DOLËN NGA VENDI’
Ndërsa Sara bënte gati plaçkat, duhej të vendoste çfarë të merrte e çfarë jo. S’mund të merrte gjëra tepër të mëdha për një karvan me gomarë dhe deve, gjëra jopraktike për një jetë nomadësh. Pa dyshim, shumë prej tyre duhej t’i shitnin ose t’i dhuronin. Bashkë me to duhej të hiqte dorë edhe nga lehtësirat e jetës në qytet—dyqanet e tregjet ku blinte grurë, mish, fruta, rroba dhe gjëra të tjera që plotësonin nevojat e dëshirat.
Mbase gjëja më e vështirë për Sarën ishte të linte shtëpinë. Nëse ishte si shumë shtëpi të Urit që kanë zbuluar arkeologët, Sara s’do t’i kishte më këto komoditete. Disa nga këto shtëpi kishin mbi 12 dhoma, çezma me ujë të pijshëm dhe sistem hidraulik. Madje edhe një shtëpi modeste kishte një çati të sigurt, mure dhe derë që mbyllej me lloz. A mund të siguronte tenda këtë lloj mbrojtjeje nga hajdutët? Ose nga luanët, leopardët, arinjtë dhe ujqit—kafshë të zakonshme në vendet biblike të asaj kohe?
Ç’të themi për familjen? Kë do të linte pas Sara? Urdhri i Perëndisë ‘për të lënë vendin dhe farefisin’ mund të ketë qenë veçanërisht i vështirë për të. Ajo ishte një grua e dashur dhe e përzemërt e mund të ketë pasur vëllezër e motra, nipa e mbesa, halla, teze, daja e xhaxhallarë me të cilët duhet të ketë qenë shumë e lidhur e që mund të mos i takonte më kurrë. Gjithsesi, Sara nuk hoqi dorë, por ditë pas dite vazhdoi të bëhej gati për nisjen.
Pavarësisht nga vështirësitë, Sara paketoi çdo gjë dhe ishte gati të nisej ditën e caktuar. Terahu, si patriarku i familjes, duhej të shkonte me Abrahamin dhe Sarën, edhe pse ishte gati 200 vjeç. (Zanafilla 11:31) Sigurisht që Sarës do t’i duhej të kujdesej për babanë e saj të moshuar. Edhe Loti do të shkonte me ta teksa i bindeshin Jehovait dhe ‘dilnin nga vendi i kaldeasve’.—Veprat 7:4.
Në fillim karvani u nis për në Haran, rreth 960 km në veriperëndim, duke ndjekur rrjedhën e Eufratit. Për njëfarë kohe familja u vendos atje. Në këtë kohë Terahu mund të ketë qenë sëmurë, i pafuqishëm të udhëtonte më tej. Familja ndenji aty derisa ai vdiq në moshën 205-vjeçare. Diku para se të fillonin fazën tjetër të udhëtimit, Jehovai foli prapë me Abrahamin dhe i përsëriti urdhrin që të ikte që aty dhe të shkonte në vendin që do t’i tregonte Ai. Por këtë herë Perëndia i bëri edhe një premtim emocionues: «Unë do të bëj nga ti një komb të madh.» (Zanafilla 12:2-4) Mirëpo, kur ikën nga Harani, Abrahami ishte 75 vjeç dhe Sara 65 vjeçe, e nuk kishin fëmijë. Si mund të vinte një komb i madh prej tij? Mos vallë do të merrte një grua tjetër? Poligamia ishte e zakonshme në atë kohë, kështu që Sarës mund t’i ketë shkuar edhe kjo në mendje.
Sidoqoftë, ata lanë Haranin dhe vazhduan para. Por shih kë kishin tjetër me vete. Tregimi thotë se familja e Abrahamit u largua me pasurinë e grumbulluar si edhe me «shpirtrat që kishin fituar në Haran». (Zanafilla 12:5) Cilët ishin këta? Me shumë gjasa ishin shërbëtorë. S’ka dyshim se Abrahami dhe Sara folën për besimin e tyre me ata që donin të dëgjonin. Sipas disa komenteve të lashta judaike, njerëzit për të cilët flet ky varg ishin prozelitë, që ishin bashkuar me Abrahamin dhe Sarën për të adhuruar Jehovain. Nëse kjo ishte e vërtetë, me siguri që besimi i madh e shtynte Sarën t’u fliste me bindje të tjerëve për Perëndinë dhe për shpresën e vet. Ia vlen të meditojmë për këtë meqë jetojmë në një kohë ku ka një krizë të theksuar besimi dhe shprese. Kur mëson diçka të bukur nga Bibla, pse të mos ia thuash edhe dikujt tjetër?
«ZBRITI NË EGJIPT»
Pasi kaluan Eufratin, ka të ngjarë më 14 nisan 1943 p.e.s., u drejtuan për në jug, në tokën që u kishte premtuar Jehovai. (Dalja 12:40, 41) Përfytyro Sarën që sheh përreth e mahnitur nga bukuria, larmia dhe klima e mirë e atij vendi. Jehovai iu shfaq prapë Abrahamit pranë pemëve të mëdha të Morehut, afër Sikemit, dhe këtë herë i tha: «Unë do t’ia jap këtë vend farës sate.» «Farë!» Sa shumë kuptim duhet të ketë pasur për Abrahamin kjo fjalë! Me siguri i solli ndër mend kopshtin e Edenit, ku Jehovai kishte parathënë se do të vinte dita që një farë do të shkatërronte Satanain. Jehovai i kishte thënë tashmë Abrahamit se kombi që do të vinte prej tij, do të hapte rrugën që të bekohej gjithë njerëzimi.—Zanafilla 3:15; 12:2, 3, 6, 7.
Prapëseprapë, kjo familje nuk ishte e imunizuar nga problemet. Kanaanin e përfshiu një zi buke, ndaj Abrahami vendosi ta çonte familjen drejt jugut, në Egjipt. Megjithatë atje pikasi një rrezik të veçantë, prandaj i tha Sarës: «Më dëgjo, të lutem! Unë e di mirë që ti je grua e bukur. Prandaj, egjiptianët do të të shohin e do të thonë: ‘Kjo është gruaja e tij.’ Kështu mua do të më vrasin, ndërsa ty do të të lënë gjallë. Të lutem, thuaj se je motra ime, që të më shkojë mbarë për shkakun tënd dhe shpirti im të jetojë falë teje.» (Zanafilla 12:10-13) Pse Abrahami i bëri këtë kërkesë kaq të çuditshme?
Abrahami nuk ishte as gënjeshtar dhe as frikacak, siç e kanë akuzuar disa kritikë. Sarën e kishte vërtet gjysmëmotër. Dhe kujdesi i Abrahamit ishte më se i drejtë. Abrahami dhe Sara e dinin se gjëja më e rëndësishme ishte qëllimi i Perëndisë për të sjellë një farë të veçantë dhe një komb nëpërmjet Abrahamit, prandaj siguria e tij kishte rëndësi parësore. Për më tepër, provat arkeologjike kanë treguar se nuk ishte e pazakontë që burrat e pushtetshëm në Egjipt të rrëmbenin një grua të martuar e t’i vritnin bashkëshortin. Kështu që Abrahami u tregua i mençur dhe, me përulësi, Sara ra dakord me vendimin e tij.
S’kaloi shumë kohë dhe ngjarjet provuan se frika e Abrahamit ishte më se e justifikuar; disa nga princat e faraonit vunë re bukurinë mbresëlënëse të Sarës, veçori e rrallë për moshën e saj. I treguan faraonit për të, dhe ai i urdhëroi t’ia çonin. Vështirë të imagjinosh ankthin e Abrahamit ose frikën e Sarës. Gjithsesi duket se nuk e trajtuan si robinjë, por si të ftuar nderi. Ndoshta plani i faraonit ishte që t’i prishte mendjen e t’i bënte përshtypje me pasurinë e tij, pastaj të binte në ujdi me «vëllanë» e saj që ta merrte për grua.—Zanafilla 12:14-16.
Mendo për Sarën teksa shihte peizazhin e Egjiptit nga dritarja a ballkoni i pallatit mbretëror. Si u ndie që po jetonte sërish në një shtëpi të sigurt dhe me ushqime të shijshme? A u tundua nga ajo jetë e rehatshme, mbase shumë më luksoze nga çdo gjë që kishte parë në Ur? Imagjino sa do të kënaqej Satanai nëse ajo do të përpiqej ta braktiste Abrahamin e të bëhej gruaja e faraonit! Mirëpo, Sara nuk e bëri këtë. Ajo i qëndroi besnike burrit, martesës dhe Perëndisë. Ah, sikur çdo i martuar të tregonte një besnikëri të tillë në këtë botë imorale! A mund ta imitosh besnikërinë e Sarës në marrëdhëniet me njerëzit e dashur dhe me miqtë?
Jehovai ndërhyri për ta mbrojtur këtë grua të dashur, duke e goditur me plagë faraonin dhe shtëpinë e tij. Kur faraoni mori vesh se Sara ishte gruaja e Abrahamit, ia ktheu dhe i kërkoi të gjithë familjes të largohej nga Egjipti. (Zanafilla 12:17-20) Sa i lumtur ishte Abrahami që u bashkua me gruan e tij të shtrenjtë! Mos harro se ai i kishte thënë me përzemërsi: «Unë e di mirë që ti je grua e bukur.» Ama, ajo që çmonte më shumë te Sara, ishte një tjetër lloj bukurie, një bukuri që shkonte përtej paraqitjes së jashtme. Ajo kishte atë lloj bukurie që vlerësohej nga Jehovai, bukurinë e brendshme. (1 Pjetrit 3:1-5) Kjo është një bukuri që mund të përpiqemi ta kemi të gjithë. Po të vendosim miqësinë me Perëndinë para gjërave materiale, po të përpiqemi t’u tregojmë të tjerëve çfarë dimë për Zotin dhe po të mbajmë me besnikëri normat morale të Tij edhe përballë tundimeve, imitojmë besimin e Sarës.
a Fillimisht, ata quheshin Abram dhe Sarajë, por më shumë njihen me emrat që u vuri më vonë Jehovai.—Zanafilla 17:5, 15.
b Sara ishte gjysmëmotra e Abrahamit. Të dy kishin baba Terahun, por nëna të ndryshme. (Zanafilla 20:12) Sot një martesë e tillë është e papërshtatshme, por të mos harrojmë sa ndryshe ishin gjërat në atë kohë. Njerëzit ishin më afër përsosmërisë që humbën Adami me Evën. Për njerëz aq të shëndetshëm si ata, martesa mes të afërmve të ngushtë nuk paraqiste rreziqe gjenetike për pasardhësit. Megjithatë, gati 400 vjet më vonë njerëzit ishin edhe më larg përsosmërisë. Në atë kohë, Ligji i Moisiut i ndaloi marrëdhëniet seksuale mes të afërmve të ngushtë.—Levitiku 18:6.