Çfarë i ndodh shpirtit pas vdekjes?
«Doktrina që shpirti njerëzor është i pavdekshëm dhe do të vazhdojë të ekzistojë pas vdekjes së njeriut dhe tretjes së trupit të tij, është një nga gurët e themelit të filozofisë dhe teologjisë së krishterë.»—NEW CATHOLIC ENCYCLOPEDIA.
1. Çfarë pranon një enciklopedi (New Catholic Encyclopedia) në lidhje me shpirtin që mbijeton vdekjen?
VEPRA e referimit e cituar më sipër, megjithatë, pranon se, «nocioni i shpirtit që mbijeton pas vdekjes nuk është menjëherë i dallueshëm në Bibël». Çfarë, atëherë, mëson në të vërtetë Bibla në lidhje me atë që i ndodh shpirtit pas vdekjes?
Të vdekurit janë të pavetëdijshëm
2, 3. Cila është gjendja e të vdekurit dhe cilat shkrime e tregojnë këtë?
2 Gjendja e të vdekurve është treguar qartë në Eklisiastiu 9:5, 10, ku lexojmë: «Të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Nuk ka punë, as plane, as njohuri ose inteligjencë brenda varrit.» (Moffatt) Vdekja, pra, është një gjendje mosekzistence. Psalmisti shkroi se, kur një person vdes, «ai kthehet në dheun e tij, në atë ditë mendimet e tij zhduken».—Psalmi 146:4.
3 Kështu, të vdekurit janë të pavetëdijshëm, joaktivë. Kur shpalli vendimin kundër Adamit, Perëndia tha: «Ti pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Përpara se Perëndia ta formonte nga pluhuri i dheut dhe t’i jepte atij jetë, Adami nuk ekzistonte. Kur vdiq, Adami u kthye në atë gjendje. Ndëshkimi i tij ishte vdekja, jo një transferim në një ambient tjetër.
Shpirti mund të vdesë
4, 5. Jepni shembuj nga Bibla që tregojnë se shpirti mund të vdesë.
4 Çfarë ndodhi me shpirtin e Adamit kur ai vdiq? Kujtoni që në Bibël, shpesh, fjala «shpirt» i referohet thjesht një personi. Kështu, kur themi se Adami vdiq, po themi që shpirti i quajtur Adam vdiq. Kjo mund t’i tingëllojë e pazakontë një personi që beson në pavdekësinë e shpirtit. Por, Bibla thotë: «Shpirti që mëkaton, ai vetë do të vdesë.» (Ezekieli 18:4) Levitiku 21:1 flet për «një shpirt të vdekur» (një «kufomë», DSF). Nazirejëve iu tha që të mos i afroheshin «ndonjë shpirti të vdekur» («një trupi të vdekur», Dio).—Numrat 6:6.
5 Një referim i ngjashëm për shpirtin gjendet në 1. Mbretërve 19:4. Elija, tejet i shqetësuar, «filloi të kërkonte që shpirti i tij të vdiste». Ngjashëm, Jonai «vazhdonte të kërkonte që shpirti i tij të vdiste dhe vazhdimisht thoshte: ‘Të jem i vdekur është më mirë se të jem i gjallë.’». (Jonai 4:8) Jezui përdori shprehjen «të vrasësh një shpirt», të cilën The Bible in Basic English, e përkthen «ta ekzekutosh». (Marku 3:4) Pra, vdekja e shpirtit nënkupton thjesht, vdekjen e personit.
«Del» dhe «kthehet»
6. Çfarë nënkupton Bibla kur thotë se shpirti i Rahilës po «dilte»?
6 Çmund të themi për vdekjen tragjike të Rahilës, ndërsa po lindte birin e saj të dytë? Në Zanafillën 35:18, lexojmë: «Ndërsa shpirti i saj po dilte (sepse ajo vdiq), e quajti atë Benoni, por babai i tij e quajti Benjamin.» A lë të kuptojë ky fragment se Rahila kishte një qenie të brendshme që u largua pas vdekjes së saj? Aspak. Mos harroni, fjala «shpirt» mund t’i referohet, gjithashtu, jetës që personi zotëron. Kështu, në këtë rast «shpirti» i Rahilës do të thoshte thjesht «jeta» e saj. Për këtë arsye Bibla të tjera e përkthejnë shprehjen «shpirti i saj po dilte» si: «jeta e saj po mbaronte» (Knox), «dha frymën e fundit» (Jerusalem Bible) dhe «jeta iku prej saj» (Bible in Basic English). Nuk ka ndonjë shenjë që një pjesë misterioze e Rahilës mbijetoi pas vdekjes së saj.
7. Në ç’mënyrë shpirti i birit të ringjallur të vejushës «u kthye në të»?
7 Kjo është e ngjashme me ringjalljen e djalit të së vesë, regjistruar në 1. Mbretërve, kapitulli 17. Në vargun 22, lexojmë se, ndërsa Elija po lutej mbi trupin e djaloshit, «Jehovai dëgjoi zërin e Elijas, kështu që shpirti i fëmijës u kthye brenda tij dhe ai erdhi në jetë». Edhe një herë, fjala «shpirt» do të thotë «jetë». Kështu, në New American Standard Bible lexojmë: «Jeta e fëmijës u rikthye tek ai dhe ai rijetoi.» Po, ishte jeta, jo ndonjë formë si hije që u rikthye te djaloshi. Kjo është në harmoni me atë çfarë i tha Elija nënës së djaloshit: «Shiko, djali yt [i gjithë personi] është gjallë.»—1. Mbretërve 17:23.
Dilema e «Gjendjes së ndërmjetme»
8. Çfarë besojnë se do të ndodhë gjatë ringjalljes, shumë persona që pohojnë se janë të krishterë?
8 Shumë persona, që pohojnë se janë të krishterë, besojnë se do të ketë një ringjallje të ardhshme, në të cilën trupat do të bashkohen me shpirtrat e pavdekshëm. Atëherë, të ringjallurit do t’i dorëzohen fatit të tyre, qoftë një shpërblimi për ata që kanë bërë një jetë të drejtë, qoftë një shpagimi për të ligjtë.
9. Cila është domethënia e termit «gjendje e ndërmjetme» dhe çfarë thonë disa se i ndodh shpirtit gjatë kësaj periudhe?
9 Ky koncept duket i thjeshtë. Por ata që i përmbahen bindjes në pavdekësinë e shpirtit, e kanë të vështirë ta shpjegojnë atë çfarë ndodh me shpirtin në kohën ndërmjet vdekjes dhe ringjalljes. Në të vërtetë, kjo «gjendje e ndërmjetme», siç quhet shpesh, ka krijuar hamendje për shekuj. Disa thonë se gjatë kësaj periudhe shpirti shkon në purgator, ku mund të pastrohet nga mëkatet e falshme, kështu që bëhet i përshtatshëm për qiellin.a
10. Përse nuk është i bazuar në shkrime besimi që shpirtrat ndalen në purgator pas vdekjes dhe si e mbështet këtë përvoja e Lazrit?
10 Megjithatë, siç kemi parë, shpirti është thjesht personi. Kur personi vdes, shpirti vdes. Prandaj, nuk ka ekzistencë të vetëdijshme pas vdekjes. Për këtë arsye, kur Lazri vdiq, Jezu Krishti nuk tha se ai ishte në purgator, Limbo ose në ndonjë «gjendje të ndërmjetme» tjetër. Përkundrazi, Jezui tha vetëm: «Lazri ka rënë në gjumë.» (Gjoni 11:11, New English Bible) Është e qartë se Jezui, i cili e njihte të vërtetën në lidhje me atë që ndodh me shpirtin pas vdekjes, besonte se Lazri ishte i pavetëdijshëm, pra nuk ekzistonte.
Çfarë është Fryma?
11. Përse fjala «frymë» nuk mund t’i referohet një pjese të shtrupëzuar të një personi që mbijeton pas vdekjes?
11 Bibla thotë se, kur një njeri vdes «fryma e tij del, ai kthehet në dheun e tij». (Psalmi 146:4) A do të thotë kjo që një frymë e shtrupëzuar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, largohet dhe jeton pas vdekjes së personit? Kjo nuk është e mundur, pasi më pas psalmisti thotë se «në atë ditë mendimet e tij zhduken», («e gjithë aftësia e të menduarit të tij merr fund», NEB). Çfarë është, atëherë, fryma dhe si «del» nga personi në momentin që ai vdes?
12. Çfarë nënkuptohet nga fjalët hebraike dhe greke të përkthyera «frymë» në Bibël?
12 Në Bibël fjalët e përkthyera «frymë» (hebraisht, ruʹach; greqisht, pneuʹma) në themel do të thonë «frymëmarrje». Në këtë mënyrë, në vend të «fryma e tij doli» përkthimi nga R. A. Knoks përdor shprehjen «frymëmarrja lë trupin e tij». (Psalmi 145:4, Knox) Por fjala «frymë» përfshin shumë më tepër se procesin e frymëmarrjes. Për shembull, në përshkrimin e shkatërrimit të jetës njerëzore dhe asaj shtazore në kohën e Përmbytjes globale, Zanafilla 7:22 thotë: «Çdo gjë, në të cilën frymëmarrja e forcës [ose frymë; hebraisht, ruʹach] së jetës ishte aktive në vrimat e hundëve të tyre, domethënë, çdo gjë që ekzistonte mbi dheun e thatë, vdiq.» Kështu, «fryma» mund t’i referohet forcës jetësore që është aktive në të gjitha krijesat e gjalla, si te njerëzit edhe te kafshët dhe që mbështetet nga frymëmarrja.
13. Në ç’mënyrë fryma mund të krahasohet me rrymën elektrike?
13 Ta ilustrojmë: rryma elektrike i jep fuqi një pajisjeje. Nëse rryma ndalon, pajisja pushon së funksionuari. Rryma vetë nuk bëhet ndonjë pajisje e veçantë. Ngjashëm, kur një person vdes, fryma e tij pushon të gjallërojë qelizat e trupit. Nuk e lë trupin dhe transferohet në një tjetër ambient.—Psalmi 104:29.
14, 15. Si rikthehet fryma te Perëndia pas vdekjes?
14 Atëherë, përse Eklisiastiu 12:7 thotë se kur një person vdes «fryma vetë rikthehet te Perëndia i vërtetë, i cili ja dha atë»? A do të thotë kjo se fryma, në kuptimin e vërtetë të fjalës, udhëton nëpër hapësirë në praninë e Perëndisë? Nuk përfshihet asnjë gjë e ngjashme. Mos harroni, fryma është forca jetësore. Pasi kjo forcë jetësore ka ikur, vetëm Perëndia ka aftësinë ta kthejë atë. Kështu, fryma «rikthehet te Perëndia e vërtetë» në kuptimin se çdo shpresë për jetën e ardhshme, për atë person, mbështetet plotësisht në Perëndinë.
15 Vetëm Perëndia mund ta kthejë frymën ose forcën jetësore, duke shkaktuar që një person të vijë në jetë. (Psalmi 104:30) Por, a ka për qëllim të veprojë kështu Perëndia?
[Shënimi]
a Sipas një enciklopedie (New Catholic Encyclopedia), «Etërit e Kishës, në përgjithësi, janë të qartë në pohimin e tyre për ekzistencën e purgatorit». Por, kjo vepër referimi pranon, gjithashtu, se «doktrina katolike mbi purgatorin është bazuar në traditë, jo në Shkrimet e Shenjta».
[Kutia në faqen 23]
Kujtime të një jete të mëparshme
NËSE asgjë nuk i mbijeton vdekjes së trupit, çfarë mund të themi për kujtimet e një jete të mëparshme që disa pohojnë se kanë?
Studiuesi hinduist Nikilananda thotë se «përvojat pas vdekjes nuk mund të demonstrohen me arsye». Në leksionin «Modele të bindjes në përjetësinë në fetë», teologu Hans Kyng vë në dukje: «Asnjë prej tregimeve, të një kujtese të një jete të mëparshme, shumica e të cilave vijnë nga fëmijët ose nga vende ku ekziston bindja në rimishërimin, nuk mund të verifikohen.» Ai shton: «Shumica e [kërkuesve që punojnë me zell dhe në mënyrë shkencore në këtë fushë] pranojnë se përvojat e krijuara nga ata, nuk sigurojnë bazën për një provë, vërtetë bindëse, të një përsëritjeje të jetës tokësore.»
Çfarë mund të themi nëse ju besoni se keni kujtime personale të një jete të mëparshme? Ndjesi të tilla mund të jenë shkak i faktorëve të ndryshëm. Shumë prej informacionit që ne marrim është vendosur në ndonjë qoshe të fshehur të mendjes sonë të nënvetëdijshme, për shkak se ne nuk kemi një nevojë direkte ose të menjëhershme për të. Kur kujtime të harruara dalin në sipërfaqe, disa njerëz e interpretojnë këtë si një shenjë të një jete të mëparshme. Megjithatë, fakti është se ne nuk kemi përvoja të verifikueshme të jetës përveç asaj që jetojmë tani. Shumica e njerëzve që jetojnë mbi tokë nuk kanë ndonjë kujtesë se kanë jetuar më parë dhe as nuk mendojnë që mund të kenë jetuar jetë të mëparshme.