Mësimi hyjnor triumfon
«Sytë e tu duhet të bëhen sy që shohin Mësuesin tënd të Madh. Dhe vetë veshët e tu do të dëgjojnë një fjalë para teje, duke thënë: ‘Kjo është rruga. Ecni në të, ju njerëz.’»—ISAIA 30:20, 21, BR.
1. Përse mësimi i Jehovait mund të quhet me të drejtë mësim hyjnor?
PERËNDIA JEHOVA është Burimi i mësimit më të mirë që mund të merret. Nëse e dëgjojmë kur flet, veçanërisht nëpërmjet Fjalës së tij të Shenjtë, ai do të jetë Mësuesi ynë i Madh. (Isaia 30:20) Shkrimet Hebreje të Biblës e quajnë edhe «Hyjnori». (Psalmi 50:1, BR) Pra, mësimi i Jehovait është mësim hyjnor.
2. Në çfarë kuptimi është e vërtetë se vetëm Perëndia është i mençur?
2 Bota është krenare për institutet e saj të arsimimit, por asnjëra prej tyre nuk jep mësim hyjnor. E gjithë mençuria që bota ka fituar në shekuj është mjaft pak në krahasim me mësimin hyjnor të bazuar në mençurinë e pafundme të Jehovait. Romakëve 16:27 thotë se vetëm Perëndia është i mençur dhe kjo është e vërtetë në atë kuptim se vetëm Jehovai zotëron mençuri absolute.
3. Përse Jezu Krishti është mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë mbi tokë?
3 Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, është një model dhe ka qenë mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë mbi tokë. Dhe s’ka përse të habitemi! Për shekuj me radhë ka pasur Jehovain si mësues në qiell. Në fakt, mësimi hyjnor filloi kur Perëndia nisi të stërvitë krijesën e tij të parë, Birin e tij të vetëmlindur. Prandaj, Jezui mundi të thoshte: «Flas ashtu si më mësoi Ati.» (Gjoni 8:28; Proverbat 8:22, 30) Vetë fjalët e Krishtit, të shkruara në Bibël, e rrisin dukshëm njohurinë tonë për mësimin hyjnor. Dhe kur ithtarët e mirosur të Krishtit mësonin atë që u kishte mësuar ai, i bindeshin Mësuesit të Madh, i cili donte që ‘dija e shumëllojshme e Hyut’ të bëhej e njohur nëpërmjet kongregacionit.—Efesianëve 3:10, 11; 5:1; Luka 6:40.
Kërkimi i mençurisë
4. Çfarë është thënë në lidhje me aftësinë e trurit?
4 Për të fituar mençuri të vërtetë, që vjen si rezultat i mësimit hyjnor, është e nevojshme të përdorim me kujdes aftësinë e të menduarit që na ka dhënë Perëndia. Kjo është e mundur falë kapacitetit madhështor të trurit njerëzor. Një libër thotë: «Edhe kompjuterët më të sofistikuar që mund të imagjinojmë janë të papërpunuar në krahasim me natyrën e ndërlikuar dhe të shkathët të trurit njerëzor—cilësi që janë të mundura falë sistemit të koklavitur dhe të kalibruar të sinjaleve elektrokimike. . . . Miliona sinjale që lëvrijnë nëpërmjet trurit tuaj në çdo çast sjellin një ngarkesë të jashtëzakonshme me informacione. Japin lajme mbi çka ndodh brenda dhe jashtë trupit tuaj: një ngërç në gishtin e një këmbe, aroma e kafesë, apo komenti zbavitës i një miku. Sinjale të tjera, përpunojnë dhe analizojnë informacionet, duke prodhuar emocione, kujtime dhe mendime ose projekte që çojnë në vendime. Pothuajse në mënyrë të menjëhershme, sinjalet e trurit tuaj u thonë pjesëve të tjera të trupit çfarë të bëjnë: të lëvizin gishtin, të pinë kafenë, të qeshin apo ndoshta të japin një përgjigje me humor. Ndërkohë, pa ju shkuar mendja, truri kontrollon frymëmarrjen tuaj, kiminë e gjakut, temperaturën dhe procese të tjera thelbësore. Dërgon urdhra për të mbajtur funksionimet e rregullta të trupit në ekuilibër, krahas ndryshimeve që ndodhin vazhdimisht në ambientin rrethues. Gjithashtu, përgatitet për nevojat e ardhshme.»—The Incredible Machine, faqe 326.
5. Çfarë është mençuria në kuptimin e Shkrimeve?
5 Pasi truri njerëzor ka pa dyshim aftësi të mrekullueshme, si mund ta përdorim mendjen në mënyrën më të mirë? Jo duke iu dedikuar vetëm studimit të vështirë të gjuhëve, historisë, shkencave, psikologjisë apo feve. Mbi të gjitha, duhet t’i përdorim aftësitë tona mendore për të fituar mësimin hyjnor. Vetëm ai prodhon mençurinë e vërtetë. Por çfarë është mençuria e vërtetë? Sipas kuptimit biblik, fjala «mençuri» nxjerr në pah gjykimin e shëndoshë të bazuar në njohurinë e saktë dhe kuptimin e vërtetë. Mençuria na lejon të përdorim mirë njohurinë dhe kuptimin për të zgjidhur problemet, për t’i shmangur ose parandaluar rreziqet, për të ndihmuar të tjerët dhe për të arritur qëllimet. Është interesant kontrasti që bën Bibla në mes të mençurisë dhe marrëzisë, budallallëkut dhe çmendurisë, karakteristika që duam t’i shmangim.—Ligji i përtërirë 32:6; Proverbat 11:29; Eklisiastiu 6:8.
Libri i madh i Jehovait
6. Nëse duam të shfaqim mençuri të vërtetë, çfarë duhet të përdorim mirë?
6 Mençuria botërore është me bollëk përreth nesh. (1. Korintasve 3:18, 19) Në fakt, në botë ka shkolla dhe biblioteka që mbajnë miliona libra! Shumë prej këtyre janë tekste për studimin e gjuhëve, matematikës, shkencave dhe degëve të tjera të dijes njerëzore. Por, Mësuesi i Madh ka siguruar librin që tejkalon të gjithë të tjerët: Fjalën e tij të frymëzuar, Biblën. (2. Timoteut 3:16, 17) Ajo është e saktë jo vetëm kur flet mbi subjekte të tilla si historia, gjeografia dhe botanika, por edhe kur parathotë të ardhmen. Përveç kësaj, na ndihmon që qysh tani të bëjmë një jetë sa më të lumtur dhe prodhuese që të jetë e mundur. Natyrisht, ashtu si studentët që shkojnë në shkollë duhet të përdorin librat e tyre edhe ne duhet të mësojmë të njohim mirë Librin e madh të Perëndisë nëse duam të tregojmë mençuri të vërtetë si «nxënës të Hyut».—Gjoni 6:45.
7. Përse mund të thuash se njohuria intelektuale mbi përmbajtjen e Biblës nuk është e mjaftueshme?
7 Por njohuria e Biblës vetëm në shkallë mendore nuk është njëlloj si të kesh mençurinë e vërtetë dhe të përputhesh me mësimin hyjnor. Le të bëjmë një shembull: në shekullin XVII të e.s, një katolik me emrin Kornelius van der Sten donte të bëhej jezuit, por nuk u pranua sepse ishte shumë i shkurtër si trup. Manfred Barthel, në një nga librat e tij mbi jezuitët (The Jesuits—History and Legend of the Society of Jesus, New York, 1984) thotë: «Komiteti e informoi Van der Stenin se ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga kërkesa për shtatin, por vetëm me kusht që të mësonte të recitonte të gjithë Biblën përmendësh. Nuk do t’ia vlente barra qiranë për ta treguar këtë episod, nëse Van der Steni nuk do ta kishte pranuar këtë kërkesë mjaft të ekzagjeruar.» Çfarë përpjekje nevojitej për të mësuar përmendësh të tërë Biblën! Sigurisht që është shumë më e rëndësishme ta kuptojmë Fjalën e Perëndisë, sesa ta mësojmë atë përmendësh.
8. Çfarë do të na ndihmojë për të përfituar nga mësimi hyjnor dhe për të shfaqur mençuri të vërtetë?
8 Nëse duam të fitojmë njohuri të vërtetë dhe realisht të përfitojmë nga mësimi hyjnor, duhet të kemi njohuri të saktë mbi Shkrimet. Gjithashtu, duhet të udhëhiqemi nga fryma e shenjtë ose forca vepruese e Jehovait. Kjo do të na lejojë të mësojmë të vërteta të thella, «gjërat e thella të Perëndisë». (1. Korintasve 2:10, BR) Të studiojmë, pra, me kujdes Librin e madh të Jehovait dhe të lutemi për të pasur udhëheqjen e tij me anë të frymës së shenjtë. Në përputhje me Proverbat 2:1-6, le t’i kushtojmë vëmendje mençurisë, ta anojmë zemrën tonë nga arsyeja dhe të thërrasim kuptueshmërinë. Duhet ta bëjmë këtë sikur të kërkonim thesare të fshehura, sepse vetëm atëherë ‘do të ndiejmë frikën e Zotit dhe kemi për të gjetur kuptimin e Perëndisë’. Shqyrtimi i disa triumfeve dhe dobive të mësimit hyjnor do ta shtojë çmueshmërinë tonë për mençurinë që na jep Perëndia.
Kuptueshmëri progresive
9, 10. Çfarë tha Perëndia, siç shënohet në Zanafillën 3:15, dhe cili është kuptimi i saktë i këtyre fjalëve?
9 Mësimi hyjnor triumfon, duke i dhënë popullit të Jehovait kuptueshmëri në rritje nga Shkrimet. Për shembull, kemi kuptuar se ishte Satana Djalli ai që foli me anë të gjarprit në Eden dhe që në mënyrë të rreme e akuzoi Perëndinë se kishte gënjyer kur kishte thënë se ndëshkimi për atë që do të hante frutin e ndaluar do të ishte vdekja. Por, shohim se mosbindja ndaj Perëndisë Jehova i solli me të vërtetë vdekjen racës njerëzore. (Zanafilla 3:1-6; Romakëve 5:12) Megjithatë, Perëndia i dha njerëzimit një shpresë, kur i tha gjarprit, pra Satanait: «Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.»—Zanafilla 3:15.
10 Këto fjalë përmbanin një sekret që do të zbulohej në mënyrë progresive me anë të mësimit hyjnor. Kemi kuptuar se tema kryesore e Biblës është hakmarrja e sovranitetit të Jehovait me anë të Farës, një pasardhës i Abrahamit dhe i Davidit që kishte të drejtën ligjore në sundimin e Mbretërisë. (Zanafilla 22:15-18; 2. Samuelit 7:12, 13; Ezekieli 21:25-27) Gjithashtu, Mësuesi ynë i Madh na ka mësuar se Jezu Krishti është Fara kryesore e «gruas», organizatës universale të Perëndisë. (Galatasve 3:16) Jezui, krahas çdo prove që i vuri Satanai, e mbajti integritetin gjer në vdekje, kur u shtyp thembra e Farës. Gjithashtu, kemi kuptuar se 144.000 bashkëtrashëgimtarë të Mbretërisë nga njerëzimi do të marrin pjesë me Krishtin për t’i shtypur kokën Satanait, «gjarprit të lashtë». (Zbulesa 14:1-4; 20:2; Romakëve 16:20; Galatasve 3:29; Efesianëve 3:4-6) Sa e çmojmë këtë njohuri nga Fjala e Perëndisë!
Në dritën e mrekullueshme të Perëndisë
11. Përse mund të themi se mësimi hyjnor triumfon, duke i sjellë njerëzit në dritë frymore?
11 Mësimi hyjnor triumfon duke i çuar njerëzit në dritën frymore. Të krishterët e mirosur e kanë pasur këtë përvojë në përmbushje të 1. Pjetrit 2:9: «Ju jeni ‘një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull me zotërim të veçantë, derisa shpallni shkëlqesitë’ e atij që u thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (BR) Sot, edhe një «shumicë e madhe» njerëzish që kanë shpresë të jetojnë mbi një tokë parajsore gëzon dritën që jep Perëndia. (Zbulesa 7:9; Luka 23:43) Ndërsa Perëndia mëson popullin e tij, vërtetohet Proverbi 4:18: «Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.» Ky proces progresiv i mësimit e rafinon kuptimin tonë të mësimit hyjnor ashtu siç përparojnë edhe studentët, falë ndihmës së shkëlqyer të një mësuesi në studimin e gramatikës, historisë ose të ndonjë lënde tjetër.
12, 13. Nga cilat doktrina të rrezikshme e ka mbrojtur mësimi hyjnor popullin e Jehovait?
12 Një triumf i mëtejshëm i mësimit hyjnor është se mbron nga ‘mësimet e frymëzuara nga djajtë’ ata që e marrin përulësisht. (1. Timoteut 4:1) Në krahun tjetër, shikoni krishterimin! Në vitin 1878, perlati katolik John Henry Newman shkroi: «Me besim se krishterimi kishte fuqi për të rezistuar nga infektimi i së keqes dhe nga kthimi për një përdorim ungjillor të shumë mjeteve dhe praktikave të lidhura me adhurimin e demonëve, . . . krerët e Kishës që në kohët e hershme u treguan të gatshëm, sa herë që dilte rasti, të adoptonin, të imitonin ose të miratonin rite dhe praktika që ekzistonin ndër popuj, si dhe filozofinë e klasës së arsimuar.» Newman shtoi se gjëra të tilla si uji i shenjtë, veshjet priftërore dhe shëmbëlltyrat, ishin «të gjitha me prejardhje pagane, të shenjtëruara sepse u adoptuan nga Kisha». Populli i Perëndisë është mirënjohës që mësimi hyjnor e mbron nga një apostazi e tillë. Ai del fitues mbi çdo formë demonike!—Veprat 19:20.
13 Natyrisht, mësimi hyjnor triumfon mbi gabimet fetare në çdo drejtim. Për shembull, duke qenë të mësuar prej Perëndisë, ne nuk besojmë në Trinitetin, por njohim se Jehovai është Më i Larti, se Jezui është Biri i tij dhe se fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë. Nuk kemi frikë nga zjarri i ferrit, sepse kuptojmë se ferri biblik është varri i zakonshëm i njerëzve. Dhe ndërsa ndjekësit e fesë së rreme thonë se shpirti njerëzor është i pavdekshëm, ne e dimë se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë. Dhe mund të renditim një listë me të vërtetat që kemi kuptuar me anë të mësimit hyjnor. Çfarë bekimi është që të jesh i lirë nga skllavëria frymore e Babilonisë së Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme!—Gjoni 8:31, 32; Zbulesa 18:2, 4, 5.
14. Përse shërbëtorët e Perëndisë mund të vazhdojnë të ecin në dritë frymore?
14 Meqë triumfon mbi gabimet fetare, mësimi hyjnor u lejon shërbëtorëve të Perëndisë që të vazhdojnë të ecin në dritën frymore. Në fakt, ata dëgjojnë një zë prapa tyre, që thotë: «Kjo është rruga. Ecni në të, ju njerëz.» (Isaia 30:21, BR) Mësimi i Perëndisë i mbron, gjithashtu, shërbëtorët e tij nga arsyetimi i gabuar. Kur disa «apostuj të rremë» shkaktuan probleme në kongregacionin e krishterë të Korintit të lashtë, apostulli Pavël shkroi: «Armët e luftimit tonë, nuk janë armë lëndore, por armë të fuqisë së Hyut të afta të shkatërrojnë kështjellat—ne rrëzojmë e hedhim për dhe sofizmet e njerëzve si dhe çdo kreni që ngritet kundër pranimit të Hyut e përkulim çdo njeri të arsyeshëm në dëgjesë ndaj Krishtit.» (2. Korintasve 10:4, 5; 11:13-15) Arsyetimet e kundërta me mësimin hyjnor përmbysen me anë të mësimit që jepet me butësi në kongregacion dhe me predikimin e lajmit të mirë atyre që janë jashtë.—2. Timoteut 2:24-26.
Adhurim me frymë dhe të vërtetë
15, 16. Ç’do të thotë të adhurosh Jehovain me frymë dhe të vërtetë?
15 Ndërsa vepra e predikimit të Mbretërisë përparon me të shpejtë, mësimi hyjnor triumfon duke u treguar të butëve se si ta adhurojnë Perëndinë «me frymë e të vërtetë». Pranë pusit të Jakobit që ndodhet afër qytetit të Sikarit, Jezui i tha një samaritanase se do të mund t’i siguronte ujë që të jep jetën e përhershme. Duke iu referuar samaritanasve ai shtoi: «Ju adhuroni atë që nuk njihni . . . Ora erdhi, dhe është tani, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë e të vërtetë, sepse me të vërtetë, Ati kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:7-15, 21-23, BR) Pra, Jezui e identifikoi veten si Mesia.
16 Por si mund ta adhurojmë Perëndinë me frymë? Duke kryer një adhurim të pastër nga një zemër mirënjohëse, plot dashuri ndaj Perëndisë në bazë të njohurisë së saktë të Fjalës së tij. Mund ta adhurojmë me të vërtetë, duke hedhur falsitetet fetare dhe duke bërë vullnetin hyjnor, kështu siç është zbuluar në Librin e madh të Jehovait.
Triumfues mbi problemet dhe botën
17. Si mund të provosh se mësimi hyjnor i ka ndihmuar shërbëtorët e Jehovait për t’u bërë ballë provave?
17 Kur populli i Perëndisë përballon prova, mësimi hyjnor triumfon vazhdimisht. Konsidero këtë fakt: në fillim të Luftës II Botërore, në shtator të vitit 1939, shërbëtorët e Jehovait patën nevojë për mendjehollësi të veçantë në studimin e Librit të tij të madh. Një ndihmë e madhe qe artikulli i Kullës së Rojës së 1 nëntorit 1939 (angl.) që paraqiti qartësisht mësimin hyjnor mbi çështjen e asnjanësisë. (Gjoni 17:16) Ngjashëm, në fillim të viteve ’60, artikujt e Kullës së Rojës mbi nënshtrimin relativ ndaj «autoriteteve më të larta» qeveritare i ndihmuan shërbëtorët e Perëndisë që të ishin në përputhje me mësimin hyjnor, krahas gjendjes së trazuar shoqërore.—Romakëve 13:1-7; Veprat 5:29.
18. Si i konsideronin disa që quheshin të krishterë në shekullin II dhe III e.s. zbavitjet degraduese dhe çfarë ndihme siguron mësimi hyjnor në lidhje me këtë sot?
18 Mësimi hyjnor na ndihmon të triumfojmë edhe mbi tundimet, si për shembull joshja e zbavitjeve degraduese. Vërej se ç’pohuan disa që thoshin se ishin të krishterë në shekullin II dhe III të e.s. Tertuliani shkroi: «Në fakt, asgjë nuk kemi të përbashkët, si në të folur, në të parë ose në të dëgjuar me marrëzitë e cirkut, paturpësinë e teatrove, me egërsinë e arenave.» Një tjetër shkrimtar i asaj periudhe pyeti: «Çfarë bën mes këtyre gjërave një i krishterë besnik, pasi nuk i lejohet as edhe të mendojë mbi ligësinë? Përse ai gjen kënaqësi në shfaqjen e epsheve?» Megjithëse jetuan disa vjet pas të krishterëve të shekullit të parë, këta shkrimtarë dënuan dëfrimet e korruptuara. Sot, mësimi hyjnor na jep mençuri për të shmangur shfaqjet e urryera, imorale dhe të dhunshme.
19. Si na ndihmon mësimi hyjnor për të triumfuar mbi botën?
19 Duke u mbajtur fort pas mësimit hyjnor jemi në gjendje të triumfojmë edhe mbi botën. Po, duke zbatuar mësimet e Mësuesit tonë të Madh fitojmë mbi ndikimet e liga të kësaj bote që dergjet nën pushtetin e Satanait. (2. Korintasve 4:4; 1. Gjonit 5:19) Efesianëve 2:1-3 thotë se Perëndia na ka bërë të gjallë, edhe pse ishim të vdekur në gabimet dhe mëkatet tona kur ecnim sipas sundimtarit të autoritetit të ajrit. I jemi mirënjohës Jehovait që mësimi hyjnor na ndihmon të triumfojmë mbi dëshirat botërore dhe mbi frymën që vjen prej armikut të tij dhe tonit, kryemashtruesit Satana Djallit!
20. Cilat pyetje meritojnë shqyrtim të mëtejshëm?
20 Është e qartë, pra, se mësimi hyjnor triumfon në shumë mënyra. Në fakt, është gati e pamundur t’i përmendim të gjitha. Ai ndikon mbi njerëz nga e gjithë bota. Por, çfarë po bën për ty? Në ç’mënyrë mësimi hyjnor ndikon mbi jetën tënde?
Çfarë ke mësuar?
◻ Si mund të përcaktohet mençuria e vërtetë?
◻ Çfarë ka zbuluar vazhdimisht Perëndia në lidhje me Zanafillën 3:15?
◻ Si ka triumfuar mësimi hyjnor në çështje frymore?
◻ Çfarë do të thotë të adhurohet Perëndia me frymë dhe të vërtetë?
◻ Si i ka ndihmuar mësimi hyjnor shërbëtorët e Jehovait për të triumfuar mbi botën dhe provat?
[Figurat në faqen 10]
Jezui e mbajti integritetin gjer në vdekje, kur u shtyp thembra e Farës