Flijime që i pëlqyen Perëndisë
«Çdo kryeprift emërohet për të ofruar edhe dhurata, edhe flijime.»—HEBRENJVE 8:3.
1. Përse njerëzit ndiejnë nevojën t’i drejtohen Perëndisë?
«NJERIUT, të bëjë flijime i duket po aq ‘e natyrshme’ sa edhe të lutet: njëra tregon çfarë ndien ai për veten dhe tjetra çfarë ndien për Perëndinë»,—shkruan historiani biblik Alfred Edërshim. Që nga koha kur hyri në botë, mëkati ka sjellë me vete dhembjen që shkakton faji, largimi nga Perëndia dhe pafuqia. Nevojitet çlirim nga këto ndjenja. Është e lehtë të kuptojmë se, kur njerëzit gjenden në një situatë të tillë të dëshpëruar, ndiejnë nevojën për t’iu drejtuar Perëndisë për ndihmë.—Romakëve 5:12.
2. Çfarë dokumentimi për blatimet e hershme ndaj Perëndisë gjejmë në Bibël?
2 Dokumentimi i parë biblik i blatimeve që i bëheshin Perëndisë ka të bëjë me Kainin dhe Abelin. Lexojmë: «Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre.» (Zanafilla 4:3, 4) Më pas, shohim se Noeja, të cilin Perëndia e ruajti gjatë Përmbytjes së madhe që shkatërroi brezin e lig të ditëve të tij, u shty ‘të ofronte fli mbi altar’ për Jehovain. (Zanafilla 8:20) Në raste të ndryshme, shërbëtori besnik dhe miku i Perëndisë, Abrahami, i shtyrë nga premtimet dhe nga bekimet e Perëndisë, ‘ndërtoi një altar dhe i bëri thirrje emrit të Zotit’. (Zanafilla 12:8; 13:3, 4, 18) Më vonë, Abrahami hasi sprovën më të madhe të besimit të tij, kur Jehovai i tha ta ofronte të birin, Isakun, si blatim të djegur. (Zanafilla 22:1-14) Këto tregime, edhe pse të shkurtra, hedhin shumë dritë rreth argumentit të flijimit, siç do ta shohim.
3. Çfarë roli luajnë flijimet në adhurim?
3 Nga këto dhe nga tregime të tjera biblike, është e qartë se ofrimi i ndonjë forme flijimi ishte pjesë themelore e adhurimit, shumë kohë më përpara se Jehovai të jepte ligjet specifike për to. Në harmoni me këtë, një vepër referimi e përkufizon «flijimin» si «një rit fetar në të cilin një objekt i ofrohet një hyjnie, për të vendosur, për të mbajtur ose për të rivendosur një marrëdhënie të miratuar ndërmjet njeriut dhe asaj që ai e konsideron të shenjtë». Por kjo bën të lindin disa pyetje të rëndësishme, që ia vlejnë t’u kushtojmë vëmendje, si: Përse nevojitet flijimi në adhurim? Çfarë lloj flijimesh janë të pranueshme për Perëndinë? Dhe çfarë domethënie kanë për ne sot flijimet që bëheshin në lashtësi?
Përse nevojitet flijimi?
4. Çfarë përfundimi patën Adami dhe Eva, kur mëkatuan?
4 Kur Adami mëkatoi, e bëri këtë me paramendim. Fakti që mori dhe hëngri frytin nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes ishte një akt mosbindjeje i bërë qëllimisht. Dënimi për atë akt mosbindjeje ishte vdekja, siç e kishte thënë qartë Perëndia: «Ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.» (Zanafilla 2:17) Adami dhe Eva përfundimisht korrën pagën e mëkatit, domethënë, vdiqën.—Zanafilla 3:19; 5:3-5.
5. Përse Jehovai mori iniciativën në dobi të pasardhësve të Adamit, dhe çfarë bëri Ai për ta?
5 Por, ç’të themi për pasardhësit e Adamit? Duke trashëguar mëkatin dhe papërsosmërinë nga Adami, ata i janë nënshtruar të njëjtit largim nga Perëndia, së njëjtës pafuqi dhe së njëjtës vdekje që përjetoi çifti i parë njerëzor. (Romakëve 5:14) Megjithatë, Jehovai është një Perëndi jo vetëm i drejtësisë e i fuqisë, por në radhë të parë Perëndi i dashurisë. (1 Gjonit 4:8, 16) Prandaj, ai merr iniciativën për të mbyllur të çarën. Pasi pohon se «paga që paguan mëkati është vdekja», Bibla vazhdon duke thënë, «por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë».—Romakëve 6:23.
6. Cili është vullneti i Jehovait për dëmet që shkaktoi mëkati i Adamit?
6 Ajo që bëri së fundi Perëndia Jehova për ta garantuar këtë dhuratë ishte të siguronte diçka që do të mbulonte humbjen që erdhi si pasojë nga shkelja e Adamit. Në hebraisht, fjala kapharʹ fillimisht ndoshta kishte kuptimin «mbuloj» ose ndoshta «fshij», dhe përkthehet, gjithashtu, «shlyerje».a Me fjalë të tjera, Jehovai siguroi një mjet të përshtatshëm për të mbuluar mëkatin e trashëguar nga Adami dhe për të fshirë dëmet që erdhën si pasojë, kështu, ata që kualifikohen për atë dhuratë të mund të lirohen nga dënimi i mëkatit dhe i vdekjes.—Romakëve 8:21.
7. (a) Cila shpresë u sigurua nëpërmjet dënimit që i dha Perëndia Satanait? (b) Cili çmim duhet paguar për çlirimin e njerëzimit nga mëkati e nga vdekja?
7 Për shpresën e çlirimit nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes u fol në mënyrë të tërthortë menjëherë pasi çifti i parë njerëzor mëkatoi. Duke shpallur dënimin e tij për Satanain, i cili përfaqësohej nga gjarpri, Jehovai tha: «Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Me atë deklaratë profetike, depërtoi një rreze shprese për të gjithë ata që do të besonin tek ai premtim. Gjithsesi, duhet paguar një çmim për atë çlirim. Nuk është se Fara e premtuar thjesht do të vinte e do të shkatërronte Satanain. Fara duhet të plagoset në thembër, domethënë, duhet të vuajë vdekjen, ndonëse jo në mënyrë të përhershme.
8. (a) Si doli se qe një zhgënjim Kaini? (b) Përse flijimi i Abelit doli se ishte i pranueshëm në sytë e Perëndisë?
8 Pa dyshim, Adami dhe Eva menduan shumë për identitetin e Farës së premtuar. Kur Eva lindi djalin e saj të parëlindur, Kainin, shpalli: «Fitova një burrë nga Zoti.» (Zanafilla 4:1) A po mendonte ajo që ndoshta i biri do të dilte se ishte Fara? Pavarësisht nëse Eva e mendoi apo jo, Kaini, si edhe blatimi i tij, dolën se ishin një zhgënjim. Nga ana tjetër, vëllai i tij, Abeli, tregoi besim në premtimin e Perëndisë dhe u shty të ofronte disa të parëlindur të kopesë së tij si flijim ndaj Jehovait. Lexojmë: «Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se ai i Kainit, besim nëpërmjet të cilit për të u dha dëshmi se ishte i drejtë.»—Hebrenjve 11:4.
9. (a) Ku e vuri Abeli besimin dhe si e shprehu këtë? (b) Çfarë përmbushi blatimi i Abelit?
9 Besimi i Abelit nuk ishte thjesht besim te Perëndia në përgjithësi, besim të cilin duhet ta ketë pasur edhe Kaini. Abeli kishte besim në premtimin e Perëndisë për një Farë që do të sillte shpëtimin e njerëzve besimplotë. Abelit nuk iu zbulua se si do të bëhej kjo, por premtimi i Perëndisë e bëri të vetëdijshëm atë se dikush duhej plagosur në thembër. Po, me sa duket, ai nxori si përfundim se duhej derdhur gjak dhe ky është tamam koncepti i flijimit. Abeli i ofroi Burimit të jetës një dhuratë që përfshinte jetën dhe gjakun, ndoshta në shenjë të dëshirës së tij shumë të madhe për realizimin e premtimit të Jehovait dhe duke i paraprirë kësaj gjëje. Kjo shprehje besimi ishte ajo që e bëri flijimin e Abelit të pëlqyeshëm për Jehovain dhe, në një mënyrë të kufizuar, shprehte thelbin e flijimit: një mjet me anë të të cilit njerëzit mëkatarë mund t’i afrohen Perëndisë për të marrë miratimin e tij.—Zanafilla 4:4; Hebrenjve 11:1, 6.
10. Si u bë e qartë domethënia e flijimit, kur Jehovai i kërkoi Abrahamit të ofronte Isakun?
10 Domethënia e thellë e flijimit u bë shumë e qartë kur Jehovai e urdhëroi Abrahamin që të ofronte birin e tij, Isakun, si një blatim të djegur. Ndonëse në fakt, ky flijim nuk u krye, ai shërbeu si një tablo e asaj që së fundi do të bënte vetë Jehovai: të ofronte Birin e tij të vetëmlindur si flijimin më të madh që është bërë ndonjëherë, me qëllim që të përmbushte vullnetin e Tij ndaj njerëzimit. (Gjoni 3:16) Me flijimet dhe blatimet e Ligjit të Moisiut, Jehovai vendosi modele profetike që ta mësonte popullin e tij të zgjedhur çfarë duhej të bënte për të marrë faljen për mëkatet dhe për të përforcuar shpresën për shpëtim. Çfarë mund të mësojmë nga këto?
Flijime të pranueshme për Jehovain
11. Cilat ishin dy kategoritë e blatimeve që paraqiste kryeprifti i Izraelit dhe me çfarë qëllimi?
11 «Çdo kryeprift emërohet për të ofruar edhe dhurata, edhe flijime»,—thotë apostulli Pavël. (Hebrenjve 8:3) Vini re se Pavli i ndan blatimet që bënte kryeprifti në Izraelin e lashtë në dy kategori, domethënë, në «dhurata» dhe në «flijime» ose «flijime për mëkatet». (Hebrenjve 5:1) Në përgjithësi, njerëzit japin dhurata për të shprehur përzemërsinë dhe çmueshmërinë, si edhe për të kultivuar miqësinë, miratimin ose pranimin. (Zanafilla 32:20; Fjalët e urta [Proverbat] 18:16) Në mënyrë të ngjashme, shumë nga blatimet e kërkuara nga Ligji mund të konsiderohen si «dhurata» që i bëhen Perëndisë për të kërkuar pranimin dhe miratimin e tij.b Shkeljet e Ligjit kërkonin dëmshpërblim dhe, për të zhdëmtuar, ofroheshin «flijime për mëkatet». Pentateuku e, në veçanti librat, si: Dalja, Levitiku dhe Numrat, sigurojnë një sasi të madhe informacionesh për sa u përket llojeve të ndryshme të flijimeve dhe blatimeve. Ndonëse mund të jetë një sfidë e vërtetë që të përvetësojmë dhe të kujtojmë të gjitha hollësitë, disa pika kryesore lidhur me llojet e ndryshme të flijimeve e meritojnë vëmendjen tonë.
12. Ku mund të gjejmë në Bibël një pamje të përgjithshme për flijimet ose blatimet e Ligjit?
12 Mund të vërejmë që në kapitujt 1 deri në 7 të Levitikut, pesë llojet kryesore të blatimeve—blatimi i djegur, blatimi në drithë, flijimi i përbashkët, blatimi për mëkat dhe blatimi i fajit—përshkruhen një nga një, ndonëse disa prej tyre, në fakt, ofroheshin bashkë. Vërejmë, gjithashtu, se në këta kapituj këto blatime përshkruhen dy herë, me synime të ndryshme: një herë në Levitikun 1:2 deri në 6:7, ku përshkruhej me hollësi ajo që duhej ofruar në altar dhe, hera e dytë, në Levitikun 6:8 deri në 7:36, ku tregohen pjesët që liheshin mënjanë për priftërinjtë dhe ato që ruheshin për blatuesin. Pastaj, në kapitujt 28 dhe 29 të Numrave gjejmë atë që mund të konsiderohet si një program i detajuar, ku theksohej çfarë duhej ofruar çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dhe në festat vjetore.
13. Përshkruani blatimet që i bëheshin vullnetarisht si dhurata Perëndisë.
13 Ndër blatimet e bëra vullnetarisht si dhurata ose për t’iu afruar Perëndisë që të fitonin miratimin e tij ishin blatimet e djegura, blatimet në drithë dhe blatimet e përbashkëta. Disa studiues mendojnë se termi hebraik për «blatim i djegur» do të thotë «një blatim për t’u ngjitur lart» ose «një blatim që ngjitet lart». Kjo është e përshtatshme sepse, në një blatim të djegur, kafsha e therur digjej në altar dhe një erë e këndshme ose qetësuese ngjitej lart në drejtim të qiellit, drejt Perëndisë. Aspekti dallues i blatimit të djegur ishte se, pasi gjaku spërkatej përqark altarit, kafsha i ofrohej e gjitha Perëndisë. Priftërinjtë ‘tymosnin çdo gjë mbi altar, si një olokaust [blatim të djegur, BR], një flijim që është bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin’.—Levitiku 1:3, 4, 9; Zanafilla 8:21.
14. Si paraqitej blatimi në drithë?
14 Blatimi në drithë përshkruhet në kapitullin 2 të Levitikut. Ishte një blatim vullnetar që përbëhej nga miell i mirë, zakonisht i njomur me vaj, të cilit i shtohej temjan i bardhë. «Prifti do të marrë prej saj një grusht majë mielli dhe vaji me gjithë temjanin dhe do ta tymosë mbi altar si kujtim. Është një flijim i bërë me zjarr e erë të këndshme për Zotin.» (Levitiku 2:2) Temjani i bardhë ishte një nga përbërësit e temjanit të shenjtë që digjej në altarin e temjanit në tabernakull dhe në tempull. (Eksodi [Dalja] 30:34-36) Me sa duket, mbreti David kishte këtë në mendje kur tha: «Lutja ime qoftë e përgatitur si temjan përpara teje, ngritja e pëllëmbëve të mia si blatimi në drithë i mbrëmjes!»—Psalmi 141:2, BR.
15. Cili ishte qëllimi i flijimit të përbashkët?
15 Një blatim tjetër vullnetar ishte flijimi i përbashkët, i përshkruar në kapitullin 3 të Levitikut. Emri mund të përkthehet edhe «një flijim me blatime paqeje». Në hebraisht, fjala «paqe» nënkupton shumë më tepër sesa thjesht të mos jesh në luftë ose të mos kesh shqetësime. «Në Bibël, ajo nënkupton këtë dhe, gjithashtu, gjendjen ose marrëdhënien paqësore me Perëndinë, nënkupton begatinë, gëzimin dhe lumturinë»,—thuhet në një libër, Studies in the Mosaic Institutions. Kështu, flijimet e përbashkëta ofroheshin jo për të siguruar paqen me Perëndinë, si për ta qetësuar atë, por për të shprehur mirënjohjen ose për të kremtuar gjendjen e bekuar paqësore me Perëndinë që gëzojnë ata që janë të miratuar prej tij. Priftërinjtë dhe blatuesi hanin nga flijimi pasi gjaku dhe dhjami i ishin ofruar Jehovait. (Levitiku 3:17; 7:16-21; 19:5-8) Në një mënyrë të bukur dhe simbolike, blatuesi, priftërinjtë dhe Perëndia Jehova po merrnin pjesë së bashku në një vakt, në shenjë të marrëdhënies paqësore që ekzistonte midis tyre.
16. (a) Cili ishte qëllimi i blatimit për mëkat dhe i blatimit për fajin? (b) Si ndryshonin ato nga blatimi i djegur?
16 Flijimet që ofroheshin për të kërkuar falje për mëkatin ose për të shlyer shkeljet kundër Ligjit përfshinin blatimin për mëkat dhe blatimin e fajit. Ndonëse edhe këto flijime përfshinin djegien në altar, ato ndryshonin nga blatimi i djegur, sepse nuk i ofrohej Perëndisë e gjithë kafsha, por vetëm dhjami dhe disa pjesë të veçanta të saj. Pjesën tjetër të kafshës e eliminonin jashtë kampit ose në disa raste e hanin priftërinjtë. Dallimi është domethënës. Blatimi i djegur i paraqitej Perëndisë si një dhuratë për të lejuar afrimin tek ai, prandaj i ofrohej vetëm Perëndisë dhe i ofrohej i gjithi. Interesant është fakti se një blatim i djegur, zakonisht, paraprihej nga një blatim për mëkatin ose nga një blatim për fajin, duke sugjeruar se për ta bërë dhuratën e një mëkatari të pranueshme te Perëndia, nevojitej falja e mëkateve.—Levitiku 8:14, 18; 9:2, 3; 16:3, 5.
17, 18. Për çfarë ishte siguruar blatimi për mëkat dhe cili ishte qëllimi i blatimeve për fajin?
17 Blatimi për mëkatin pranohej vetëm për mëkatet pa dashje kundër Ligjit, mëkate të kryera për shkak të dobësisë së mishit. «Në rast se dikush kryen mëkat nga padituria [gabimisht, BR] kundër çfarëdo urdhërimi, duke bërë diçka që nuk duhet të bënte», atëherë mëkatari duhej të ofronte një blatim për mëkatin në përputhje me pozitën ose statusin e tij në shoqëri. (Levitiku 4:2, 3, 22, 27) Nga ana tjetër, mëkatarët e papenduar vriteshin dhe për ta nuk kishte në dispozicion asnjë flijim.—Eksodi 21:12-15; Levitiku 17:10; 20:2, 6, 10; Numrat 15:30; Hebrenjve 2:2.
18 Domethënia dhe qëllimi i blatimit për fajin bëhet e qartë në kapitujt 5 dhe 6 të Levitikut. Një person mund të ketë mëkatuar pa dashje. Megjithatë, shkelja e tij mund të ketë shkaktuar faj ndaj të drejtave o të njerëzve të tjerë, o të Perëndisë Jehova, dhe ky gabim duhej korrigjuar ose duhej vënë në vend. Përmenden disa kategori mëkatesh. Disa ishin mëkate personale (Le 5:2-6), disa ishin mëkate kundër «gjërave të shenjta të Zotit» (Le 5:14-16) dhe disa, ndonëse jo krejt pa dashje, ishin mëkate që bëheshin si pasojë e dëshirave të gabuara ose e dobësive të mishit (Le 6:1-3). Përveçse duhej t’i rrëfente këto mëkate, shkelësit i kërkohej të zhdëmtonte atje ku ishte e përshtatshme dhe, pastaj, t’i paraqiste Jehovait një blatim për fajin.—Levitiku 6:4-7.
Diçka më e mirë duhej të vinte
19. Ndonëse e kishte Ligjin dhe flijimet e tij, përse Izraeli nuk arriti të fitonte miratimin e Perëndisë?
19 Ligji i Moisiut, me flijimet dhe blatimet e shumta, iu dha izraelitëve që të kishin mundësi t’i afroheshin Perëndisë për të fituar dhe për të mbajtur miratimin dhe bekimin e tij, derisa të vinte Fara e premtuar. Apostulli Pavël, një jude nga lindja, u shpreh kështu: «Ligji është bërë tutori ynë që çon te Krishti, me qëllim që të shpallemi të drejtë falë besimit.» (Galatasve 3:24) Mjerisht, si komb, Izraeli nuk iu përgjigj kësaj kujdestarie, por abuzoi me këtë privilegj. Prandaj, flijimet e tyre të shumta u bënë diçka e neveritshme për Jehovain, i cili tha: «Jam ngopur me olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepëve nuk e pëlqej.»—Isaia 1:11.
20. Çfarë ndodhi në vitin 70 të e.s., me Ligjin dhe flijimet e tij?
20 Në vitin 70 të e.s., sistemit judaik, me tempullin dhe priftërinë e tij, i erdhi fundi. Pas kësaj, nuk ishte më e mundur të bëheshin flijimet në mënyrën e përshkruar nga Ligji. A do të thotë kjo se flijimet, si pjesë thelbësore e Ligjit, e kanë humbur fare domethënien e tyre për adhuruesit e Perëndisë sot? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc. (anglisht), shpjegon: «Siç është përdorur në Bibël, ‘shlyerja’ përmban mendimin bazë të ‘mbulimit’ ose të ‘shkëmbimit’ dhe ajo që jepet si shkëmbim ose si një ‘mbulim’ për një gjë tjetër, duhet të jetë e barazvlefshme me të. . . . Për të bërë shlyerjen e duhur për atë që humbi Adami, duhej siguruar një blatim për mëkat, që kishte tamam vlerën e një jete të përsosur njerëzore.»
b Një fjalë hebraike që përkthehet shpesh «blatim» është qorbanʹ. Duke dokumentuar dënimin që i bëri Jezui një praktike të paskrupull të skribëve dhe të farisenjve, Marku shpjegoi se «kurban» do të thotë «dhuratë kushtuar Perëndisë».—Marku 7:11.
A mund ta shpjegoni?
• Çfarë i shtyu burrat besimplotë në lashtësi që t’i ofronin flijime Jehovait?
• Përse nevojiteshin flijimet?
• Cilat lloje kryesore flijimesh ofroheshin nën Ligj, dhe cilat ishin qëllimet e tyre?
• Sipas Pavlit, për çfarë qëllimi kryesor shërbeu Ligji dhe flijimet e tij?
[Figura në faqen 14]
Flijimi i Abelit ishte i pëlqyeshëm, sepse tregoi besimin e tij në premtimin e Jehovait
[Figura në faqen 15]
A e kuptoni domethënien e kësaj skene?