T’i ofrojmë sakrifica të pranueshme Jehovait
NË NJË kohë të historisë, në hyrjen lindore të kopshtit të Edenita mund të vërehej një fenomen i veçantë. Atje, kerubinë të fuqishëm rrinin rojë dhe pamja e tyre kërcënuese e bënte të qartë se askush nuk duhej të guxonte të kalonte. Po aq kërcënues ishte edhe tehu flakërues i një shpate rrotulluese, e cila ka të ngjarë të shkaktonte një ndriçim të frikshëm në pemët përreth, gjatë natës. (Zanafilla 3:24) Sado që kjo pamje mund të ngjallte kureshtje, çdo spektator qëndronte në një distancë të konsiderueshme.
Kaini dhe Abeli fare mirë mund ta kenë vizituar vendin shumë herë. Duke qenë se u kishin lindur Adamit dhe Evës jashtë kopshtit, ata vetëm sa mund ta imagjinonin se si ishte të jetoje në parajsë, siç jetonin njëherë e një kohë prindërit e tyre, me bimësinë e saj të vaditur e të harlisur dhe me fruta e perime me bollëk. Tani, ajo pak që mund të shihej nga Edeni padyshim dukej e pakultivuar dhe tej mase e rritur.
Adami dhe Eva sigurisht që ua kishin shpjeguar fëmijëve të tyre se përse askush nuk kujdesej për kopshtin dhe pse ata ishin dëbuar prej tij. (Zanafilla 2:17; 3:6, 23) Sa të zhgënjyer duhet të jenë ndier Kaini dhe Abeli! Ata mund ta shihnin kopshtin, por nuk mund të hynin në të. Ishin kaq afër parajsës, e megjithatë tepër larg saj. Papërsosmëria i kishte njollosur ata dhe Kaini ose Abeli nuk mund të bënin shumë lidhur me këtë.
Marrëdhënia e prindërve të tyre me siguri që nuk i kishte përmirësuar gjërat. Kur dënoi Evën, Perëndia i tha: «Dëshirimi yt do të jetë për bashkëshortin tënd dhe ai do të të sundojë.» (Zanafilla 3:16, BR) Duke vërtetuar atë profeci, Adami tani duhej ta kishte ushtruar sundimin e tij mbi bashkëshorten, ndoshta duke mos e trajtuar më atë si një shoqe dhe ndihmëse. Edhe Eva dukej se shfaqte një varësi të tepërt ndaj burrit të saj. Një komentues madje shkon deri aty sa e përshkruan «dëshirimin» e saj si «një dëshirë që ngjan me një sëmundje».
Se deri në çfarë mase ka ndikuar kjo gjendje martesore mbi respektin e djemve për prindërit e tyre, Bibla nuk e thotë. Por është e dukshme se Adami dhe Eva lanë një shembull trazues për fëmijët e tyre.
Zgjedhin shtigje të ndryshme
Me kalimin e kohës Abeli u bë bari dhe Kaini fermer. (Zanafilla 4:2) Ndërsa ruante kopetë, Abeli padyshim kishte shumë kohë për të përsiatur mbi profecinë e veçantë të thënë para se prindërit e tij të dëboheshin nga Edeni: «Unë do të vë armiqësi midis teje dhe gruas dhe midis farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë në kokë dhe ti do ta shtypësh në thembër.» (Zanafilla 3:15, BR) Abeli duhet të ketë pyetur: ‘Si do të përmbushet premtimi i Perëndisë në lidhje me një farë që do të thërrmojë gjarprin dhe si do të shtypet në thembër kjo farë?’
Pas ca kohësh, ka mundësi kur ata të ishin tashmë të rritur, Kaini dhe Abeli i bënë secili nga një ofertë Jehovait. Meqë Abeli ishte bari, nuk është për t’u habitur që paraqiti «disa të parëlindur të kopesë së tij, madje pjesët e tyre të majmura». Në kontrast, Kaini ofroi «disa fruta të tokës». Jehovai pranoi flijimin e Abelit, por «nuk e pa fare me favor Kainin dhe ofertën e tij». (Zanafilla 4:3-5, BR) Pse jo?
Disa theksojnë faktin se flijimi i Abelit përbëhej nga «të parëlindurit e kopesë së tij», kurse sakrifica e Kainit përbëhej thjesht nga «disa fruta të tokës». Por, problemi nuk ishte në cilësinë e produkteve që ofroi Kaini, sepse tregimi thotë që Jehovai pa me favor «Abelin dhe ofertën e tij» dhe jo me favor «Kainin dhe ofertën e tij». Kështu, kryesisht Jehovai pa gjendjen e zemrës së adhuruesit. Çfarë kuptoi ai ndërsa bëri këtë? Hebrenjve 11:4 thotë se Abeli e ofroi flijimin e tij «me anë të besimit». Kështu, me sa duket Kainit i mungonte besimi që e bëri të pranueshëm flijimin e Abelit.
Në lidhje me këtë, vlen të përmendet se oferta e Abelit përfshinte derdhjen e gjakut. Ai me të drejtë mund të ketë nxjerrë si përfundim se premtimi i Perëndisë në lidhje me një farë që do të shtypej në thembër, do të përfshinte flijimin e një jete. Oferta e Abelit do të kishte qenë kështu një lutje për shlyerje dhe shprehte besim se Perëndia, në kohën e tij të duhur, do të përgatiste një flijim shlyes për mëkatet.
Në kontrast, Kaini mbase mund të ketë menduar vetëm në mënyrë sipërfaqësore për ofertën që bëri. «Oferta e tij ishte thjesht një njohje e Perëndisë si mirëbërës,—sugjeroi një komentues biblik i shekullit të 19-të.—Ajo zbulonte qartë se ai nuk pranonte ndonjë hendek real mes tij dhe Krijuesit të tij, as ndonjë nevojë për të rrëfyer mëkatin ose varësinë nga një shlyerje.»
Më tej, si i parëlindur, Kaini mund edhe të ketë pretenduar me mendjemadhësi se ishte ai fara e premtuar që do të shkatërronte Gjarprin, Satanain. Edhe Eva mund të kishte ushqyer aspirata të tilla ambicioze për birin e saj të parëlindur. (Zanafilla 4:1) Sigurisht, nëse Kaini dhe Eva prisnin këtë, ata gaboheshin rëndë.
Bibla nuk thotë se si e tregoi Jehovai miratimin e tij për flijimin e Abelit. Disa supozojnë se oferta u konsumua nga një zjarr që zbriti nga qielli. Cilido qoftë rasti, kur kuptoi se oferta e tij u refuzua, «Kaini u ndez nga zemërimi i madh dhe çehrja e tij filloi të binte». (Zanafilla 4:5, BR) Kaini po shkonte drejt katastrofës.
Këshilla e Jehovait dhe reagimi i Kainit
Jehovai arsyetoi me Kainin. «Pse je ndezur nga zemërimi dhe pse të ka rënë çehrja?»—e pyeti ai. Kjo i dha Kainit mjaft mundësi për të hetuar motivet dhe ndjenjat e tij. «Nëse kthehesh për të bërë të mirën,—vazhdoi Jehovai,—a nuk do të ketë ngazëllim? Por nëse nuk kthehesh për të bërë të mirën, mëkati po të zë pusinë te hyrja dhe dëshirimi i tij është për ty, dhe ti, nga ana jote, a do ta zotërosh atë?»—Zanafilla 4:6, 7, BR. (Shiko kutinë në faqe 23.)
Kaini nuk dëgjoi. Në vend të kësaj, ai e çoi Abelin në një fushë dhe e vrau. Më vonë, kur Jehovai e pyeti se ku gjendej Abeli, Kaini e rëndoi mëkatin e tij me një gënjeshtër. «Nuk e di,—ia ktheu ai.—Mos jam unë roja e vëllait tim?»—Zanafilla 4:8, 9, BR.
Si përpara, ashtu edhe pas vrasjes së Abelit, Kaini refuzoi të ‘kthehej për të bërë të mirën’. Ai zgjodhi të linte që mëkati ta zotëronte dhe për këtë gjë Kaini u dëbua nga zona ku banonte familja njerëzore. Atij iu vendos një «shenjë», ndoshta thjesht një dekret solemn, me qëllim që askush të mos hakmerrej për vdekjen e Abelit, duke vrarë Kainin.—Zanafilla 4:15.
Më vonë Kaini ndërtoi një qytet, duke i vënë emrin e birit të tij. S’është për t’u habitur që pasardhësit e tij u bënë të njohur për dhunën e tyre. Përfundimisht, linja familjare e Kainit mori fund kur Përmbytja e ditëve të Noes i fshiu të gjithë njerëzit e padrejtë.—Zanafilla 4:17-24; 7:21-24.
Tregimi biblik për Kainin dhe Abelin nuk u ruajt thjesht për ta lexuar në kohën e lirë. Përkundrazi, ai u «shkrua për mësimin tonë» dhe është «i dobishëm për mësim, për qortim». (Romakëve 15:4; 2. Timoteut 3:16, BR) Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim?
Një mësim për ne
Ashtu si Kaini dhe Abeli, të krishterëve sot u bëhet ftesa t’i ofrojnë Perëndisë një sakrificë, jo një ofertë reale të djegur, por «një sakrificë lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve që i bëjnë shpallje publike emrit të tij». (Hebrenjve 13:15, BR) Kjo po kryhet aktualisht në shkallë mbarëbotërore, pasi Dëshmitarët e Jehovait e predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në më shumë se 230 vende. (Mateu 24:14) A po merr pjesë në këtë vepër? Atëherë mund të jesh i sigurt se «Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tënde dhe dashurinë që ke treguar për emrin e tij».—Hebrenjve 6:10, BR.
Ashtu si me ofertat e Kainit dhe të Abelit, sakrifica jote nuk gjykohet nga pamja e jashtme, për shembull, vetëm nga numri i orëve që harxhon në shërbim. Jehovai sheh më thellë. Jeremia 17:10 thotë se ai «heton zemrën» e madje «shqyrton veshkat», mendimet, ndjenjat dhe motivimet më të thella të personalitetit të një personi. Prandaj çështja e vërtetë është motivi, jo sasia. Vërtet, pavarësisht nëse është e madhe apo e vogël, një sakrificë ka vlerë për Perëndinë kur ofrohet nga një zemër që motivohet nga dashuria.—Krahaso Markun 12:41-44 me Mr 14:3-9.
Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të vetëdijshëm se Jehovai nuk do të pranojë sakrifica të gjymtuara, ashtu si nuk pranoi ofertën me gjysmë zemre të Kainit. (Malakia 1:8, 13) Jehovai kërkon që ti t’i japësh atij më të mirën tënde, që t’i shërbesh me të gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde. (Marku 12:30) A po e bën këtë? Atëherë ke arsye të vlefshme për ta parë me kënaqësi sakrificën tënde. Pavli shkroi: «Secili le të provojë se çfarë është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim në lidhje vetëm me veten e tij dhe jo në krahasim me personin tjetër.»—Galatasve 6:4, BR.
Kaini dhe Abeli patën të njëjtin edukim. Por koha dhe rrethanat i dhanë secilit rastin për të zhvilluar tipare unike. Qëndrimi i Kainit u bë gjithnjë e më i munduar nga xhelozia, grindjet dhe nga shpërthimi i zemërimit.
Në kontrast, Abeli mbahet mend nga Perëndia si një njeri i drejtë. (Mateu 23:35) Vendosmëria që kishte për t’i pëlqyer Perëndisë me çdo kusht e bëri Abelin një kontrast freskues me pjesëtarët mosmirënjohës të familjes së tij: Adamin, Evën dhe Kainin. Bibla na thotë se edhe pse Abeli vdiq, ai «flet ende». Shërbimi i tij besimplotë ndaj Perëndisë është pjesë e dokumentacionit të përhershëm historik që përmban Bibla. Le të ndjekim shembullin e Abelit, duke i ofruar vazhdimisht Perëndisë sakrifica të pranueshme!—Hebrenjve 11:4.
[Shënimi]
a Disa mendojnë se kopshti i Edenit ndodhej në një rajon malor, në pjesën lindore të Turqisë së sotme.
[Kutia dhe figura në faqen 23]
Një model për këshilluesit e krishterë
«PSE je ndezur nga zemërimi dhe pse të ka rënë çehrja?» Me këtë pyetje, Jehovai arsyetoi me dashamirësi me Kainin. Ai nuk e detyroi Kainin që të ndryshonte, sepse Kaini ishte një person me vullnet të lirë. (Krahaso Ligjin e përtërirë 30:19.) Megjithatë, Jehovai nuk ngurroi të tregonte pasojat e drejtimit rebel të Kainit. Ai e paralajmëroi Kainin: «Nëse nuk kthehesh për të bërë të mirën, mëkati po të zë pusinë te hyrja dhe dëshirimi i tij është për ty.»—Zanafilla 4:6, 7, BR.
Është për t’u vërejtur se pavarësisht nga ky qortim i rëndë, Jehovai nuk e trajtoi Kainin si një ‘rast i pashpresë’. Përkundrazi, ai i foli Kainit për bekimet që e prisnin nëse ndryshonte mënyrën e tij të jetesës dhe shprehu siguri se Kaini mund ta kapërcente këtë problem, po të zgjidhte të vepronte kështu. «Nëse kthehesh për të bërë të mirën,—tha Jehovai,—a nuk do të ketë ngazëllim?» Ai, gjithashtu, e pyeti Kainin në lidhje me zemërimin e tij vrasës: «Dhe ti, nga ana jote, a do ta zotërosh atë?»
Sot, pleqtë në kongregacionin e krishterë duhet të imitojnë shembullin e Jehovait. Siç vërehet në 2. Timoteut 4:2, ata ndonjëherë duhet të «qortojnë» dhe të «heqin vërejtje», duke nxjerrë drejtpërdrejt në pah pasojat e drejtimit të pabindur të një mëkatari. Në të njëjtën kohë, pleqtë duhet të «bëjnë thirrje». Fjala greke parakaleʹo do të thotë «të inkurajosh». «Këshillimi nuk është therrës, polemizues ose kritikues,—vëren Theological Dictionary of the New Testament.—Fakti që fjala ngushëllim mund të jetë një domethënie tjetër e fjalës greke, tregon të njëjtën gjë.»
Në mënyrë domethënëse, një fjalë greke që lidhet me këtë, fjala paraʹkletos, mund t’i referohet një ndihmësi ose avokati në një çështje ligjore. Prandaj, edhe kur pleqtë japin qortim me një synim të caktuar, ata duhet të mbajnë mend se janë ndihmues, jo kundërshtarë të individit që ka nevojë për këshillë. Ashtu si Jehovai, pleqtë duhet të jenë pozitivë, duke treguar siguri se ai që po këshillohet mund ta zotërojë problemin.—Krahaso Galatasve 6:1.
Patjetër, në fund të fundit i përket individit që ta zbatojë këshillën. (Galatasve 6:5; Filipianëve 2:12) Këshilluesit mund të vërejnë që disa nuk ua vënë veshin paralajmërimeve të tyre, ashtu si Kaini që zgjodhi ta shpërfillte qortimin nga vetë Krijuesi. Megjithatë, kur imitojnë Jehovain, Modelin e përsosur për këshilluesit e krishterë, pleqtë mund të jenë të sigurt se kanë bërë atë që duhej të bënin.