A keni pikëpamjen e Perëndisë për njerëzit e dhunshëm?
Prej shumë kohësh njerëzit i kanë admiruar dhe i kanë nderuar njerëzit e fuqishëm, ata që shfaqin forcë të madhe fizike dhe trimëri. një i tillë ishte heroi mitologjik i greqisë së lashtë, herakliu ose herkuli, siç e njihnin romakët.
HERAKLIU ishte superhero me famë të madhe, luftëtari më i fuqishëm. Sipas legjendës, ai ishte gjysmëperëndi, fëmija i perëndisë grek Zeus me Alkmenën, një nënë njerëzore. Bëmat e tij filluan që kur ishte foshnjë në djep. Herakliu mbyti dy gjarpërinj gjigandë që një perëndeshë xheloze i kishte dërguar ta vritnin. Më vonë në jetë ai bëri beteja, mundi përbindësha dhe bëri dyluftim me Vdekjen për të shpëtuar një mikeshën e tij. Gjithashtu, shkatërroi qytete, rrëmbeu gra, hodhi një djalë nga një kullë dhe vrau gruan e fëmijët e tij.
Ndonëse nuk është person real, që nga kohët e lashta Herakliu mitologjik është paraqitur në historitë e vendeve të lashta që njihnin grekët. Romakët e adhuronin atë si perëndi; tregtarët dhe udhëtarët i luteshin për begati dhe mbrojtje nga rreziku. Për mijëra vjet, historitë e bëmave të tij i kanë mahnitur njerëzit.
Origjina e legjendës
A kanë ndonjë bazë nga jeta reale historitë e Herakliut dhe të heronjve të tjerë mitologjikë? Në njëfarë kuptimi edhe mund të kenë. Bibla tregon për një kohë, në fillimet e historisë njerëzore, kur «perënditë» dhe «gjysmëperënditë» gjendeshin vërtet në tokë.
Duke përshkruar atë epokë, Moisiu shkroi: «Kur njerëzit filluan të shumohen mbi faqen e dheut dhe u lindën atyre vajza, djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë.»—Zanafilla 6:1, 2.
Ata ‘djem të Perëndisë’ nuk ishin njerëz, por bij engjëllorë të Perëndisë. (Krahaso Jobin 1:6; 2:1; 38:4, 7.) Shkrimtari biblik Juda tregon se disa engjëj «nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, po e lanë banimin e tyre». (Judës 6) Me fjalë të tjera, ata lanë vendin që u ishte caktuar në organizatën qiellore të Perëndisë, sepse preferuan të jetonin me gratë e bukura në tokë. Juda shton se këta engjëj rebelë ishin si njerëzit e Sodomës dhe të Gomorrës, të cilët «u dhanë pas kurvërimit dhe u dhanë pas çoroditjesh seksuale».—Judës 7.
Bibla nuk i tregon me çdo hollësi aktivitetet e këtyre engjëjve të pabindur. Megjithatë, legjendat e lashta të Greqisë dhe të vendeve të tjera krijojnë një tablo të perëndive dhe të perëndeshave të shumta që jetonin mes njerëzimit qoftë në mënyrë të dukshme, qoftë në mënyrë të padukshme. Kur merrnin formë njerëzore, ata ishin shumë të bukur. Hanin, pinin, flinin e kishin marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin dhe me njerëzit. Edhe pse besohej se ishin të shenjtë e të pavdekshëm, ata gënjenin dhe mashtronin, grindeshin dhe luftonin, joshnin dhe përdhunonin. Këto tregime mitologjike mund të pasqyrojnë, edhe pse në formë të zbukuruar e të shtrembëruar, kushtet para Përmbytjes së përmendur në librin biblik të Zanafillës.
Heronjtë e lashtësisë, njerëzit e famshëm
Engjëjt e pabindur të materializuar patën marrëdhënie seksuale me gratë dhe ato lindën fëmijë. Këta nuk ishin fëmijë normalë. Ishin nefilimë, gjysmënjerëz dhe gjysmëengjëj. Tregimi biblik thotë: «Kishte gjigandë [nefilimë, BR] mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve.»—Zanafilla 6:4.
Fjala hebraike «nefilim» fjalë për fjalë do të thotë «rrëzues», domethënë ata që rrëzonin të tjerët ose që i shkaktonin të rrëzoheshin me anë të akteve të dhunshme. Pra, nuk është e habitshme që tregimi biblik shton: «Toka ishte . . . plot e përplot me dhunë.» (Zanafilla 6:11) Gjysmëperënditë mitologjike, siç janë Herakliu dhe heroi babilonas Gilgameshi, u ngjajnë shumë nefilimëve.
Vini re se nefilimët quheshin «heronj» dhe «njerëz të famshëm». Ndryshe nga njeriu i drejtë Noe, i cili jetoi në të njëjtën periudhë, nefilimët nuk ishin të interesuar të përhapnin famën e Jehovait. Ata ishin të interesuar për famën, lavdinë dhe reputacionin e tyre. Me anë të veprave të fuqishme, të cilat pa dyshim përfshinin dhunën dhe gjakderdhjen, ata fituan famën që dëshironin prej botës së paperëndishme që i rrethonte. Ata ishin superheronjtë e ditëve të tyre, të cilëve njerëzit ua kishin frikën, i respektonin e që në dukje ishin të pamposhtshëm.
Edhe pse nefilimët dhe baballarët e tyre të degjeneruar engjëllorë mund të kenë gëzuar famë në sytë e bashkëkohësve, patjetër që nuk ishin të famshëm në sytë e Perëndisë. Mënyra e tyre e jetesës ishte e neveritshme. Për pasojë, Perëndia veproi kundër këtyre engjëjve të rënë. Apostulli Pjetër shkroi: «Perëndia nuk i kurseu engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në tartar të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq; dhe nuk kurseu botën e lashtë, por shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen mbi botën e të pabesëve.»—2. Pjetrit 2:4, 5.
Në Përmbytjen globale, engjëjt rebelë u çmaterializuan dhe u kthyen, të poshtëruar, në sferën frymore. Perëndia i ndëshkoi dhe ua ndaloi të merrnin përsëri trupa njerëzorë. Nefilimët, pasardhësit mbinjerëzorë të engjëjve të pabindur vdiqën që të gjithë. Vetëm Noeja dhe familja e tij e vogël mbijetuan nga Përmbytja.
Njerëzit e famshëm sot
Sot, perënditë dhe gjysmëperënditë nuk ekzistojnë më në tokë. Megjithatë, dhuna është me bollëk. Njerëzit e sotëm të famshëm lartësohen nëpër libra, filma, programe televizive dhe në muzikë. As që bëhet fjalë të kthejnë faqen tjetër, të duan armiqtë e tyre, të kërkojnë paqen, të falin ose t’i largohen dhunës. (Mateu 5:39, 44; Romakëve 12:17; Efesianëve 4:32; 1. Pjetrit 3:11) Përkundrazi, heronjtë e ditëve moderne admirohen për forcën dhe për aftësinë e tyre për të luftuar, për t’u hakmarrë dhe për t’iu përgjigjur dhunës me dhunë më të egër.a
Pikëpamja e Perëndisë për këta njerëz nuk ka ndryshuar që nga ditët e Noes. Jehovai as i admiron ata që e duan dhunën, as zbavitet nga bëmat e tyre. Psalmisti këndoi: «Vetë Jehovai shqyrton si të drejtin, ashtu edhe të ligun dhe shpirti i Tij urren këdo që do dhunën.»—Psalmi 11:5, BR.
Një lloj i ndryshëm force
Në kontrast të plotë me heronjtë e dhunës është njeriu më i famshëm që ka jetuar ndonjëherë, Jezu Krishti, një njeri i paqes. Kur ishte në tokë ai ‘nuk kreu asnjë dhunë’. (Isaia 53:9) Kur armiqtë e tij erdhën për ta arrestuar në kopshtin e Getsemanisë, ithtarët e tij kishin me vete disa shpata. (Luka 22:38, 47-51) Ata mund të kishin formuar një turmë luftuese në përpjekje për të mos e lënë të dorëzohej te judenjtë.—Gjoni 18:36.
Në fakt, apostulli Pjetër nxori shpatën për të mbrojtur Jezuin, por ky i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» (Mateu 26:51, 52) Po, siç e ka treguar shpesh historia njerëzore, dhuna nxit dhunën. Përveç mundësisë për t’u mbrojtur me armë, Jezui kishte edhe një mjet tjetër mbrojtjeje. Ai i tha më pas Pjetrit: «A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?»—Mateu 26:53.
Në vend që t’i drejtohej dhunës ose mbrojtjes engjëllore, Jezui lejoi të kapej nga ata që më pas e vranë. Përse? Një arsye ishte se ai e dinte që nuk kishte ardhur ende koha kur Ati i tij qiellor do t’i jepte fund keqbërjes në tokë. Në vend që ta merrte vetë çështjen në dorë, Jezui e vuri besimin te Jehovai.
Kjo nuk ishte një gjendje dobësie, por e një force të madhe të brendshme. Jezui tregoi besim të fortë se Jehovai do t’i rregullonte çështjet në kohën dhe në mënyrën e Tij. Për shkak të bindjes së tij, Jezui u lartësua në një pozitë që e bëri me famë, duke qenë i dyti vetëm pas Jehovait. Apostulli Pavël shkroi në lidhje me Jezuin: «Ai e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit [shtyllës së mundimeve, BR]. Prandaj, edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezuit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore ,dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.»—Filipianëve 2:8-11.
Premtimi i Perëndisë për t’i dhënë fund dhunës
Të krishterët e vërtetë e modelojnë jetën sipas shembullit dhe mësimeve të Jezuit. Ata nuk admirojnë e nuk imitojnë njerëzit e famshëm të botës dhe dhunën e tyre. Ata e dinë se në kohën e duhur të Perëndisë, këta persona do të shfarosen përgjithnjë dhe kjo është po aq e sigurt sa zhdukja e të ligjve në ditët e Noes.
Perëndia është Krijuesi i tokës dhe i njerëzimit. Ai është, gjithashtu, Sovrani legjitim. (Zbulesa 4:11) Nëse një gjykatës njerëzor ka autoritetin ligjor për të marrë vendime gjyqësore, Perëndia ka akoma më shumë autoritet për ta bërë këtë. Respekti për parimet e tij të drejta, si edhe dashuria e tij për ata që e duan, do ta nxitë që t’i japë fund gjithë ligësisë dhe atyre që e praktikojnë.—Mateu 13:41, 42; Luka 17:26-30.
Kjo do t’i hapë rrugë paqes së qëndrueshme në tokë, paqes së themeluar fortësisht mbi drejtësinë dhe të drejtën. Një gjë e tillë u paratha në profecinë e mirënjohur lidhur me Jezu Krishtin: «Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive.»—Isaia 9:5, 6.
Pra, të krishterët kanë arsye të vlefshme që i vënë veshin këshillës së frymëzuar të shumë kohëve më parë: «Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij, sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.»—Fjalët e urta (Proverbat) 3:31, 32.
[Shënimi]
a Personazhet e dhunshme në shumë lojëra në video dhe në filma fantastiko-shkencorë shpesh i pasqyrojnë në mënyrë më të fortë këto karakteristika të këqija e të dhunshme.
[Diçitura në faqen 29]
HERONJTË E DITËVE MODERNE ADMIROHEN PËR FORCËN DHE AFTËSINË E TYRE PËR T’IU PËRGJIGJUR DHUNËS ME DHUNË MË TË EGËR
[Burimi i figurës në faqen 26]
Alinari/Art Resource, NY