Ndihmojini delet që kanë humbur rrugën
«Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen që më kishte humbur.»—LUKA 15:6.
1. Si tregoi Jezui se ishte një bari i dashur?
BIRI i vetëmlindur i Jehovait, Jezu Krishti, është quajtur ‘bariu i madh i deleve’. (Hebr. 13:20) Shkrimet parathanë ardhjen e tij dhe treguan se ai ishte një Bari i pashoq që u përpoq të gjente «delet e humbura» të Izraelit. (Mat. 2:1-6; 15:24) Për më tepër, ashtu si bariu mund të japë jetën për të mbrojtur delet, edhe Jezui vdiq si flijim shpërblyes për njerëzit që janë si dele, të cilët do të nxirrnin dobi nga flijimi i tij.—Gjoni 10:11, 15; 1 Gjon. 2:1, 2.
2. Pse disa të krishterë janë bërë joaktivë?
2 Mjerisht, disa që dukej se e çmonin flijimin e Jezuit dhe iu kushtuan Perëndisë, nuk shoqërohen më me kongregacionin e krishterë. Shkurajimi, problemet e shëndetit ose faktorë të tjerë mund t’ua kenë venitur zellin, dhe kështu janë bërë joaktivë. Megjithatë, vetëm duke qenë pjesë e kopesë së Perëndisë ata mund të gëzojnë qetësinë dhe lumturinë që përmendi Davidi në Psalmin 23. Për shembull, ai këndoi: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë.» (Psal. 23:1) Atyre që bëjnë pjesë në kopenë e Perëndisë nuk u mungon asgjë në kuptimin frymor, por nuk është kështu me delet që kanë humbur rrugën. Kush mund t’i ndihmojë? Si mund të ndihmohen? Çfarë mund të bëhet konkretisht për t’i ndihmuar të kthehen në kope?
Kush mund t’i ndihmojë?
3. Si e tregoi Jezui se çfarë nevojitet për të shpëtuar delet e humbura të kullotës së Perëndisë?
3 Kërkohen përpjekje të zellshme për të shpëtuar delet e humbura të kullotës së Perëndisë. (Psal. 100:3) Jezui e ilustroi këtë kur tha: «Nëse një njeri ka njëqind dele dhe njëra humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai nëntëdhjetë e nëntë në male, që të shkojë të kërkojë atë që ka humbur rrugën? Ja ku ju them: po ta gjejë, ai do të gëzojë më shumë për të, se për ato nëntëdhjetë e nëntë që nuk e kanë humbur rrugën. Po ashtu edhe Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.» (Mat. 18:12-14) Kush mund t’i ndihmojë njerëzit si dele, që kanë humbur rrugën?
4, 5. Ç’qëndrim duhet të kenë pleqtë ndaj kopesë së Perëndisë?
4 Nëse pleqtë e krishterë duan të ndihmojnë delet që kanë humbur rrugën, duhet të mbajnë ndër mend se kopeja e Perëndisë është një kongregacion me njerëz të kushtuar ndaj Jehovait—po, një ‘kope e [çmuar] e kullotës së Perëndisë’. (Psal. 79:13) Këto dele të shtrenjta kanë nevojë për kujdes të butë dhe kjo do të thotë se barinjtë e dashur duhet të interesohen personalisht për to. Vizitat baritore miqësore mund të jenë shumë të efektshme. Inkurajimi me dashuri që u jep një bari, mund t’i ndërtojë frymësisht dhe mund t’ua shtojë dëshirën që të kthehen në kope.—1 Kor. 8:1.
5 Barinjtë e kopesë së Perëndisë kanë përgjegjësinë të kërkojnë delet që kanë humbur rrugën dhe më pas të përpiqen t’i ndihmojnë ato. Apostulli Pavël u kujtoi pleqve të krishterë në Efesin e lashtë përgjegjësitë e tyre si barinj kur tha: «Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju emëroi mbikëqyrës, që të kullotni kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.» (Vep. 20:28) Në mënyrë të ngjashme, edhe apostulli Pjetër u dha pleqve të mirosur këtë këshillë: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht, as për fitim të pandershëm, por me gatishmëri, as duke u sjellë si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë.»—1 Pjet. 5:1-3.
6. Pse delet e Perëndisë kanë nevojë për kujdesin e barinjve sidomos sot?
6 Barinjtë e krishterë duhet të imitojnë ‘bariun e shkëlqyer’, Jezuin. (Gjoni 10:11) Ai interesohej thellësisht për delet e Perëndisë dhe theksoi rëndësinë e kujdesjes për to kur i tha Simon Pjetrit që ‘të kulloste delet e Tij të vogla’. (Lexo Gjonin 21:15-17.) Delet kanë nevojë për këtë kujdes sidomos sot, sepse Djalli i ka shtuar përpjekjet për t’u thyer integritetin atyre që i janë kushtuar Perëndisë. Satanai përfiton nga dobësitë e mishit dhe përdor botën në përpjekje për t’i shtyrë delet e Jehovait në veprime mëkatare. (1 Gjon. 2:15-17; 5:19) Sidomos joaktivët janë më të brishtë e për këtë arsye kanë nevojë për ndihmë që të zbatojnë këshillën ‘për të ecur sipas frymës’. (Gal. 5:16-21, 25) Për t’i ndihmuar këto dele, kërkohet mbështetje te Perëndia me anë të lutjeve, drejtimi i frymës së tij dhe përdorimi me mjeshtëri i Fjalës së tij.—Prov. 3:5, 6; Luka 11:13; Hebr. 4:12.
7. Sa e rëndësishme është vepra baritore për pleqtë që kujdesen për njerëzit si dele?
7 Një bari në Izraelin e lashtë përdorte një shkop të gjatë e të kthyer ose kërrabë, për të drejtuar kopenë. Kur delet hynin ose dilnin nga vatha, ‘kalonin nën kërrabën e bariut’ dhe kështu ai mund t’i numëronte. (Lev. 27:32; Mik. 2:12; 7:14) Po kështu, një bari i krishterë duhet të njohë kopenë e Perëndisë dhe të dijë se si po ecën secila prej deleve. (Krahaso Proverbat 27:23.) Prandaj, vepra baritore është një nga çështjet e rëndësishme që diskuton trupi i pleqve. Kjo përfshin marrjen e masave për të ndihmuar delet që kanë humbur rrugën. Vetë Jehovai tha se do t’i kërkonte delet e tij dhe do t’u tregonte kujdesin që u nevojitej. (Ezek. 34:11) Pra, Perëndia kënaqet kur pleqtë bëjnë hapa të tillë në përpjekje për të ndihmuar delet që kanë humbur rrugën, të kthehen në kope.
8. Në cilat mënyra pleqtë mund t’u kushtojnë vëmendje deleve individualisht?
8 Kur një bashkëbesimtar është i sëmurë fizikisht, vizita e një bariu të kopesë së Perëndisë mund të jetë burim gëzimi dhe inkurajimi. Po kështu mund të jetë edhe kur një deleje të sëmurë frymësisht i kushtohet vëmendje individualisht. Pleqtë mund të lexojnë shkrime, të shqyrtojnë një artikull, të diskutojnë pika kryesore nga mbledhjet, të luten me joaktivët e kështu me radhë. Ata mund t’u shpjegojnë se pjesëtarët e kongregacionit do të kënaqeshin nëse do t’i shihnin përsëri në mbledhjet e kongregacionit. (2 Kor. 1:3-7; Jak. 5:13-15) Një vizitë, një telefonatë ose një letër mund t’i ndihmojë shumë. Ndihma personale që i jep një deleje që ka humbur rrugën, mund t’ia shtojë gëzimin edhe bariut të dhembshur të krishterë.
Një përpjekje e përbashkët
9, 10. Pse nuk janë vetëm pleqtë që duhet të interesohen për një dele që ka humbur rrugën?
9 Jetojmë në kohë kritike dhe plot shpërqendrime, prandaj ka mundësi të mos e vërejmë që një bashkëbesimtar po e merr rryma e po largohet nga kongregacioni. (Hebr. 2:1) Megjithatë, delet e Jehovait janë të çmuara në sytë e tij. Secila prej tyre ka vlerë, ashtu siç ka vlerë çdo gjymtyrë ose pjesë e trupit të njeriut. Prandaj, të gjithë ne duhet të interesohemi për vëllezërit dhe të kujdesemi vërtet për njëri-tjetrin. (1 Kor. 12:25) A e bëni këtë?
10 Edhe pse pleqtë kanë përgjegjësinë kryesore për të kërkuar e për të ndihmuar delet që kanë humbur rrugën, nuk janë vetëm këta mbikëqyrës të krishterë që duhet të interesohen për këta bashkëbesimtarë. Edhe të tjerët mund të bashkëpunojnë me këta barinj. Ne mund dhe duhet t’u japim inkurajim e ndihmë frymore vëllezërve dhe motrave tona të cilët kanë nevojë për ndihmë që të kthehen në kope. Si mund të jepet kjo ndihmë?
11, 12. Ç’privilegj mund t’ju jepet për të ndihmuar ata që kanë nevojë për ndihmë frymore?
11 Në disa raste, pleqtë mund të caktojnë lajmëtarë me përvojë për të drejtuar një studim biblik me joaktivët që shprehin dëshirën për t’u ndihmuar. Qëllimi i këtyre përpjekjeve është të rindezin tek ata «dashurinë e [tyre të] fillimit». (Zbul. 2:1, 4) Këta bashkëbesimtarë mund të ndërtohen e të forcohen frymësisht, duke shqyrtuar informacionet që nuk i kanë dëgjuar gjatë kohës që kanë munguar në kongregacion.
12 Nëse pleqtë ju ftojnë të studioni me një bashkëbesimtar që ka nevojë për ndihmë frymore, lutuni që Jehovai të drejtojë e të bekojë përpjekjet tuaja. Po, ‘lërjani në dorë Jehovait punët tuaja, dhe planet tuaja do të jenë të sigurta’. (Prov. 16:3) Meditoni rreth vargjeve biblike dhe pikave besimforcuese që mund të përdorni gjatë bisedave me ata që kanë nevojë për ndihmë frymore. Mendoni për shembullin e shkëlqyer të apostullit Pavël. (Lexo Romakëve 1:11, 12.) Pavli digjej nga dëshira që t’i shihte të krishterët në Romë, për t’u dhënë ndonjë dhuratë frymore, që të bëheshin të patundur. Gjithashtu, ai mezi priste rastin që të inkurajonin njëri-tjetrin. A nuk duhet të kemi këtë frymë kur kërkojmë të ndihmojmë delet e kopesë së Perëndisë që kanë humbur rrugën?
13. Për çfarë mund të flitni me një joaktiv?
13 Gjatë bisedave mund t’i bëni pyetjen: «Si e mësove të vërtetën?» Ndihmojeni të kujtojë gëzimet e së kaluarës, duke e inkurajuar të flasë për përvojat e këndshme që ka pasur në mbledhje, në veprën e predikimit dhe në kongrese. Flitni për kohët e bukura që mund të keni kaluar së bashku si shërbëtorë të Jehovait. Shprehni gëzimin që provon kur i afrohesh Jehovait. (Jak. 4:8) Gjithashtu, shprehni mirënjohjen tuaj për mënyrën si kujdeset Perëndia për ne si populli i tij—sidomos duke na dhënë ngushëllim dhe shpresë në shtrëngimet tona.—Rom. 15:4; 2 Kor. 1:3, 4.
14, 15. Cilat bekime që gëzonin dikur joaktivët do të ishte e dobishme t’u kujtonit?
14 Ka shumë të ngjarë që të jetë e dobishme t’i kujtoni një prej bekimeve që gëzonte dikur, ngaqë shoqërohej ngushtë me kongregacionin. Për shembull, rritej në njohuri për Fjalën dhe qëllimet e Perëndisë. (Prov. 4:18) Kur ‘ecte sipas frymës’, pa dyshim e kishte më të lehtë t’u rezistonte tundimeve për të mëkatuar. (Gal. 5:22-26) Ndërgjegjja e pastër që fitonte si rrjedhim, e ndihmonte t’i afrohej Jehovait në lutje dhe të gëzonte ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim dhe që ruan zemrën dhe fuqitë tona mendore’. (Filip. 4:6, 7) Mbajini parasysh këto pika, tregoni interes të sinqertë dhe bëni çmos për ta inkurajuar me dashuri vëllanë ose motrën tuaj frymore që të kthehet në kope.—Lexo Filipianëve 2:4.
15 Ta zëmë se je një plak që po bën një vizitë baritore. Ti mund të inkurajosh një çift joaktiv që të mendojnë për kohën kur mësuan për herë të parë të vërtetën nga Fjala e Perëndisë. Sa e mrekullueshme, e arsyeshme dhe e këndshme ishte e vërteta, e sa i çliroi frymësisht! (Gjoni 8:32) Sa u gufonte zemra nga mirënjohja për atë që po mësonin për Jehovain, për dashurinë dhe qëllimet e tij të mrekullueshme! (Krahaso Lukën 24:32.) Kujtoju marrëdhënien e ngushtë me Jehovain dhe privilegjin e mrekullueshëm të lutjes që gëzojnë të krishterët e kushtuar. Inkurajoji me gjithë zemër joaktivët që t’i përgjigjen përsëri «të lavdishmit lajm të mirë të Perëndisë së lumtur».—1 Tim. 1:11.
Vazhdoni t’u tregoni dashuri
16. Përmendni një shembull që tregon se përpjekjet për të ndihmuar frymësisht joaktivët janë vërtet të efektshme.
16 A janë vërtet të efektshme sugjerimet e mësipërme? Po. Për shembull, një i ri që filloi të shërbente si lajmëtar i Mbretërisë kur ishte 12 vjeç, u bë joaktiv në moshën 15-vjeçare. Por më vonë, u bë aktiv dhe ka më shumë se 30 vjet në shërbimin e plotkohor. Ai u rimëkëmb nga ana frymore kryesisht falë ndihmës që i dha një plak i krishterë. Sa e vlerësoi këtë ndihmë!
17, 18. Çfarë cilësish do t’ju nevojiten që të ndihmoni një dele që ka humbur rrugën?
17 Është dashuria që i nxit të krishterët të ndihmojnë joaktivët të kthehen në kongregacion. Jezui u tha dishepujve: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Po, dashuria është shenja identifikuese e të krishterëve të vërtetë. A nuk duhet shprehur kjo dashuri për të krishterët e pagëzuar që mund të jenë bërë joaktivë? Patjetër! Ndërsa i ndihmojmë, duhet të shfaqim cilësi të krishtere.
18 Çfarë cilësish mund të jetë e nevojshme të shfaqni, nëse doni të ndihmoni një dele të kopesë së Perëndisë që ka humbur rrugën? Përveç dashurisë, mund të jetë e nevojshme të shfaqni dhembshuri, mirëdashje, butësi dhe shpirtgjerësi. Në varësi të rrethanave, mund të jetë e nevojshme edhe të falni. Pavli shkroi: «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»—Kolos. 3:12-14.
19. Pse ia vlejnë përpjekjet për të ndihmuar njerëzit si dele të kthehen në vathën e krishterë?
19 Artikulli vijues që lidhet me këtë temë, do të shqyrtojë arsyet pse disa dele të Perëndisë humbin rrugën. Gjithashtu, do të tregojë se ç’pritje mund të shpresojnë ata që kthehen në kongregacion. Teksa meditoni për këtë artikull dhe studioni artikullin vijues, të jeni të sigurt se ia vlen çdo përpjekje që bëni me shpresën për të ndihmuar njerëzit si dele të kthehen në vathën e krishterë. Në sistemin e sotëm, shumë njerëz e kalojnë gjithë jetën duke u përpjekur të grumbullojnë pasuri, por edhe vetëm një jetë ka më shumë vlerë se gjithë paratë e botës. Jezui e theksoi këtë në ilustrimin për delen e humbur. (Mat. 18:12-14) Mbajeni gjithnjë parasysh këtë pikë teksa bëni përpjekje të zellshme dhe urgjente për të ndihmuar delet e shtrenjta të Jehovait që kanë humbur rrugën, të kthehen në kope.
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’përgjegjësi kanë barinjtë e krishterë ndaj njerëzve si dele që kanë humbur rrugën?
• Si mund të ndihmoni ata që tani nuk janë pjesëtarë aktivë të kongregacionit?
• Çfarë cilësish do t’ju nevojiten që të ndihmoni delet e kopesë së Perëndisë që kanë humbur rrugën?
[Figura në faqen 10]
Barinjtë e krishterë përpiqen me dashuri të ndihmojnë delet e Perëndisë që kanë humbur rrugën