«Zgjidhni jetën, që të rroni»
«Ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën, që të rroni.»—LIGJI I PËRTËRIRË 30:19.
1, 2. Në ç’kuptim njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë?
«LE TË bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, në ngjashmëri me ne.» Këto fjalë të Perëndisë janë dokumentuar në kapitullin e parë të Biblës. Kështu, Zanafilla 1:26, 27 thotë se «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». Pra, njeriu i parë ishte ndryshe nga të gjitha krijesat e tjera në tokë. I ngjante Krijuesit të tij, domethënë ishte i aftë të pasqyronte qëndrimin e Perëndisë për të gjykuar me arsye, për të shfaqur dashuri, drejtësi, mençuri dhe fuqi. Kishte ndërgjegjen, e cila do ta ndihmonte të merrte vendime që do t’i sillnin dobi atij vetë dhe do të kënaqnin Atin e tij qiellor. (Romakëve 2:15) Me pak fjalë, Adami kishte vullnet të lirë. Duke vënë re si ishte krijuar biri i tij tokësor, Jehovai i bëri këtë vlerësim punës së vet: «Ja, [është] shumë mirë.»—Zanafilla 1:31; Psalmi 95:6.
2 Si pasardhës të Adamit, edhe ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, në ngjashmëri me të. Por, a kemi vërtet liri zgjedhjeje në atë që bëjmë? Po. Edhe pse Jehovai ka aftësinë ta njohë që më përpara se çfarë do të ndodhë, ai nuk i paracakton veprimet tona dhe përfundimin që do të kemi. Është vullneti i tij që asnjë paracaktim i fatit të mos drejtojë jetën e fëmijëve të tij tokësorë. Që të kuptojmë pse është e rëndësishme të përdorim vullnetin e lirë për të bërë zgjedhjet e duhura, le të nxjerrim së pari një mësim nga kombi i Izraelit.—Romakëve 15:4.
Izraelitët kishin liri zgjedhjeje
3. Cili ishte i pari nga Dhjetë Urdhërimet dhe si treguan izraelitët besnikë se zgjodhën t’i bindeshin?
3 «Unë jam Jehovai, Perëndia yt, që të nxora nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë»,—i tha Jehovai popullit të Izraelit. (Ligji i përtërirë 5:6) Në vitin 1513 p.e.s., kombi i Izraelit u çlirua në mënyrë të mrekullueshme nga skllavëria egjiptiane, prandaj s’kishte arsye për t’i vënë në dyshim këto fjalë. Në të parin nga Dhjetë Urdhërimet, Jehovai shpalli me anë të zëdhënësit të tij, Moisiut: «Mos ki perëndi të tjera përveç meje.» (Dalja 20:1, 3) Në atë rast, kombi i Izraelit zgjodhi të bindej. Me vullnet të lirë, ata iu përkushtuan vetëm Jehovait.—Dalja 20:5; Numrat 25:11.
4. (a) Cilën zgjedhje u vuri përpara Moisiu izraelitëve? (b) Cilën zgjedhje kemi ne sot?
4 Rreth 40 vjet më vonë, me fjalë të fuqishme, Moisiu i rikujtoi një brezi tjetër izraelitësh zgjedhjen që kishin para tyre. Ai u tha: «Unë marr sot si dëshmitarë kundër jush qiellin dhe tokën, se ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj.» (Ligji i përtërirë 30:19) Njësoj është edhe sot; ne mund të zgjedhim. Po, mund të vendosim t’i shërbejmë me besnikëri Jehovait, me sytë nga jeta e përhershme, ose mund të vendosim të mos i bindemi dhe të vuajmë pasojat. Shqyrtoni dy shembuj të njerëzve që bënë zgjedhje të kundërta.
5, 6. Cilën zgjedhje bëri Josiu e me çfarë rezultati?
5 Në vitin 1473 p.e.s., Josiu i udhëhoqi izraelitët në Tokën e Premtuar. Pak para se të vdiste, Josiu e nxiti kombin me fjalë të fuqishme dhe iu përgjërua: «Në qoftë gjë e keqe në sytë tuaj t’i shërbeni Jehovait, zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni: o perëndive, të cilat u shërbyen paraardhësit tuaj matanë Lumit, o perëndive të amoritëve, në vendin e të cilëve po banoni.» Pastaj tha për familjen e tij: «Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.»—Josiu 24:15.
6 Kohë më parë, Jehovai e kishte nxitur Josiun të ishte i fortë dhe guximtar, duke e udhëzuar që të mos shmangej nga Ligji i Perëndisë, por t’i bindej gjithnjë. Duke e lexuar nën zë ditë e natë librin e Ligjit, Josiu do të kishte sukses në udhën e tij. (Josiu 1:7, 8) E kështu doli. Zgjedhja që bëri Josiu i solli bekime. Ai pohoi: «Asnjë nga të gjitha gjërat e mira që i premtoi Jehovai shtëpisë së Izraelit nuk mbeti pa u plotësuar; të gjitha dolën të vërteta.»—Josiu 21:45.
7. Cilën zgjedhje bënë izraelitët në ditët e Isaisë dhe me çfarë pasojash?
7 Por, shikoni situatën e Izraelit rreth 700 vjet më pas. Tashmë shumë izraelitë po ndiqnin zakone pagane. Për shembull, ditën e fundit të vitit, njerëzit mblidheshin rreth tryezave plot me ushqime të shijshme dhe verë të ëmbël. Kjo s’ishte thjesht një mbrëmje familjare, por një ceremoni fetare për nder të dy hyjnive pagane. Profeti Isaia dokumentoi pikëpamjen e Perëndisë për këtë pabesi të tyre: «Ju që më braktisët mua, Jehovain, që harruat malin tim të shenjtë, që shtroni tryezën për perëndinë e Fatit të Mirë dhe shtini verë të përzier për perëndinë e Riskut.» Ata besonin se për të pasur të korra të mbara, duhej të kënaqnin «perëndinë e Fatit të Mirë» dhe «perëndinë e Riskut», jo të kishin bekimin e Jehovait. Në të vërtetë, ishte pikërisht rruga e tyre rebele dhe ajo që zgjodhën me vullnet të lirë, që vulosi fundin që do të kishin. «Risku juaj do të jetë shpata,—tha Jehovai,—dhe do të përkuleni që të gjithë për t’u vrarë, sepse kur ju thirra, nuk u përgjigjët, kur ju fola, nuk më dëgjuat. Ju bënit atë që ishte e keqe në sytë e mi dhe zgjodhët të bënit gjëra që unë nuk i pëlqej.» (Isaia 65:11, 12) Zgjedhja e tyre jo e mençur u solli shkatërrimin, dhe perëndia e Riskut apo ajo e Fatit të Mirë nuk ishin në gjendje ta pengonin këtë.
Të bëjmë zgjedhjen e duhur
8. Çfarë përfshin të bëjmë zgjedhjen e duhur, sipas Ligjit të përtërirë 30:20?
8 Kur i nxiti izraelitët të zgjidhnin jetën, Moisiu renditi tre hapa se si ta arrinin këtë: «Duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të.» (Ligji i përtërirë 30:20) Le të shqyrtojmë secilin hap, që të bëjmë zgjedhjen e duhur.
9. Si mund ta tregojmë dashurinë tonë për Jehovain?
9 Duke dashur Jehovain, Perëndinë tonë: Ne zgjedhim t’i shërbejmë Jehovait sepse e duam. Duke ua vënë veshin shembujve paralajmërues nga koha e Izraelit, u kundërvihemi tundimeve për të kryer imoralitet dhe i shmangim ato mënyra jetese që mund të na bëjnë të biem në kurthin e materializmit të kësaj bote. (1 Korintasve 10:11; 1 Timoteut 6:6-10) Qëndrojmë të lidhur me Jehovain dhe zbatojmë rregullat e tij. (Josiu 23:8; Psalmi 119:5, 8) Para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu i nxiti: «Ja, unë jua mësoj rregullat dhe ligjet ashtu si më urdhëron Jehovai, Perëndia im, që ju t’i zbatoni në vendin që po shkoni të shtini në dorë. Mbajini e zbatojini ato, sepse kështu tregoni para syve të popujve që i dëgjojnë gjithë këto rregulla se keni mençuri dhe mend.» (Ligji i përtërirë 4:5, 6) Tani është koha ta tregojmë dashurinë që kemi për Jehovain, duke e vënë vullnetin e tij në vend të parë në jetën tonë. Nëse zgjedhim të veprojmë kështu, do të bekohemi me siguri.—Mateu 6:33.
10-12. Ç’mësime nxjerrim kur shqyrtojmë atë që ndodhi në ditët e Noesë?
10 Duke dëgjuar zërin e Perëndisë: Noeja ishte ‘predikues i drejtësisë’. (2 Pjetrit 2:5) Pothuajse të gjithë njerëzit në botën para Përmbytjes ishin të shpërqendruar dhe «nuk [u] kushtuan vëmendje» paralajmërimeve të Noesë. Me çfarë pasojash? «Erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë.» Jezui paralajmëroi se ditët tona, gjatë ‘pranisë së Birit të njeriut’, do të ishin të ngjashme. Ajo që ndodhi në ditët e Noesë, është një paralajmërim kthjellues për njerëzit sot që vendosin të mos ia vënë veshin mesazhit të Perëndisë.—Mateu 24:39.
11 Ata që tallen me paralajmërimet e Perëndisë, që po i shpallin shërbëtorët e sotëm të tij, duhet të kuptojnë se çfarë do të thotë për ta ky veprim. Apostulli Pjetër tha për këta tallës: «Me dëshirë, atyre u shpëton pa vënë re ky fakt, se që nga kohët e lashta kishte qiej dhe tokë që qëndronte në mënyrë kompakte jashtë ujit dhe në mes të ujit me anë të fjalës së Perëndisë. Prej tyre bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji. Megjithatë, me anë të së njëjtës fjalë, qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.»—2 Pjetrit 3:3-7.
12 Ndryshe nga këta, shikoni se çfarë zgjodhi Noeja dhe familja e tij. «Me anë të besimit, Noeja, pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, tregoi frikë Perëndie dhe ndërtoi një arkë.» Ngaqë i kushtoi vëmendje paralajmërimit, e gjithë familja e tij shpëtoi. (Hebrenjve 11:7) Le të jemi edhe ne të shpejtë për të dëgjuar mesazhin e Perëndisë dhe pastaj t’ia vëmë veshin me bindje.—Jakovi 1:19, 22-25.
13, 14. (a) Pse është jetësore ‘të lidhemi ngushtë me Jehovain’? (b) Si duhet ta lejojmë Jehovain, ‘Poçarin tonë’, të na modelojë?
13 Duke qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain: Që ‘të zgjedhim jetën e të rrojmë’, jo vetëm që duhet ta duam Jehovain e ta dëgjojmë, por edhe duhet ‘të qëndrojmë lidhur ngushtë me’ të, domethënë të ngulmojmë për të bërë vullnetin e tij. «Me qëndrueshmërinë tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj»,—tha Jezui. (Luka 21:19) Faktikisht, zgjedhja që bëjmë në këtë aspekt, zbulon çfarë kemi në zemër. «Lum njeriu që ka frikë përherë, por kush e ngurtëson zemrën, do të bjerë në mjerim»,—thuhet te Proverbat 28:14. Faraoni i Egjiptit të lashtë ishte një shembull i kësaj. Pas secilës nga Dhjetë Plagët që ranë mbi Egjipt, faraoni e ngurtësonte zemrën, në vend që të shfaqte frikë Perëndie. Jehovai nuk e detyroi faraonin që të ndiqte rrugën e mosbindjes, por e lejoi atë sundimtar krenar të zgjidhte. Sidoqoftë, vullneti i Jehovait u krye, siç shpjegoi apostulli Pavël lidhur me pikëpamjen që kishte Jehovai për faraonin: «Pikërisht për këtë shkak të kam lënë gjallë, që në rastin tënd të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë tokën.»—Romakëve 9:17.
14 Shekuj të tërë pas çlirimit të Izraelit nga dora e faraonit, profeti Isaia shpalli: «Ti, o Jehova, je Ati ynë. Ne jemi argjila, dhe ti je Poçari ynë. Që të gjithë jemi vepër e duarve të tua.» (Isaia 64:8) Kur e lejojmë Jehovain të na modelojë nëpërmjet studimit tonë personal dhe zbatimit të Fjalës së tij, pak nga pak veshim personalitetin e ri. Bëhemi më të butë, më të përpunueshëm, dhe kjo na e bën më të lehtë të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain, sepse dëshirojmë sinqerisht t’i pëlqejmë.—Efesianëve 4:23, 24; Kolosianëve 3:8-10.
‘Bëjini të njohura’
15. Sipas Ligjit të përtërirë 4:9, cilën përgjegjësi të dyfishtë u kujtoi Moisiu izraelitëve?
15 Kombit të Izraelit që ishte mbledhur dhe po bëhej gati të hynte në Tokën e Premtuar, Moisiu i tha: «Veç tregohuni shumë të kujdesshëm dhe ruajeni shpirtin tuaj, që të mos i harroni gjërat që patë me sytë tuaj e që ato të mos largohen nga zemra juaj për gjithë jetën. Bëjuani të njohura ato bijve dhe nipërve tuaj.» (Ligji i përtërirë 4:9) Për të pasur bekimin e Jehovait dhe begati në tokën që do të trashëgonin pas pak, izraelitët duhej të përmbushnin një përgjegjësi të dyfishtë para Jehovait, Perëndisë së tyre. Nuk duhej t’i harronin gjërat e mrekullueshme që kishte kryer Jehovai para syve të tyre dhe duhej t’ua mësonin brezave të ardhshëm. Sot, si populli i Perëndisë, ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë, nëse dëshirojmë ‘të zgjedhim jetën dhe të rrojmë’. Po çfarë kemi parë me sytë tanë nga veprat që ka kryer Jehovai në dobinë tonë?
16, 17. (a) Çfarë kanë arritur të kryejnë në veprën e predikimit të Mbretërisë misionarët e stërvitur në Galaad? (b) Çfarë shembujsh njihni ju, për njerëz që nuk e kanë pakësuar zellin e tyre?
16 Mahnitemi kur shohim se si e ka bekuar Jehovai veprën tonë të predikimit e të bërjes së dishepujve. Që nga çelja e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, në vitin 1943, misionarët kanë marrë drejtimin në veprën e bërjes së dishepujve, në shumë vende. Edhe sot e kësaj dite, të diplomuarit e hershëm të kësaj shkolle e ruajnë zellin për predikimin e Mbretërisë, edhe pse janë të kaluar në moshë dhe disa kanë kufizime për shkak të shëndetit. Një shembull i shkëlqyer është Meri Olsoni, e cila u diplomua në Galaad në vitin 1944. Ajo ka shërbyer si misionare së pari në Uruguai, pastaj në Kolumbi dhe tani në Porto-Riko. Ndonëse e kufizojnë disi problemet fizike që i ka sjellë pleqëria, motra Olsoni e mban ende entuziazmin për predikimin. Meqë ka mësuar spanjisht, ajo planifikon kohë çdo javë për të dalë me lajmëtarët vendës në shërbim.
17 Tani vejushë, Nensi Porteri, e cila u diplomua në Shkollën e Galaadit në vitin 1947, shërben ende në ishujt Bahama. Ajo është një tjetër misionare që angazhohet shumë në veprën e predikimit. «T’u mësoj të tjerëve të vërtetën biblike ka qenë një burim i veçantë gëzimi»,—thotë motra Porteri në jetëshkrimin e saj.a Ajo vazhdon: «Kjo gjë më siguron një rutinë të rregullt frymore, e cila i ka dhënë formë dhe qëndrueshmëri jetës sime.» Kur mendojnë për të kaluarën e tyre, motra Porter dhe shërbëtorë të tjerë besnikë nuk harrojnë atë që ka bërë Jehovai. Po ne? A e vërejmë me mirënjohje se si e ka bekuar Jehovai veprën e Mbretërisë në vendin tonë?—Psalmi 68:11.
18. Ç’mund të mësojmë duke lexuar jetëshkrimet e misionarëve?
18 Gëzojmë kur shohim se çfarë kanë bërë këta shërbëtorë nga shumë kohë, dhe çfarë bëjnë ende. Marrim zemër kur lexojmë jetëshkrimet e tyre, sepse, kur shohim çfarë ka bërë Jehovai për këta shërbëtorë besnikë, na forcohet vendosmëria për t’i shërbyer atij. A i lexoni rregullisht këto përvoja emocionuese që botohen në Kullën e Rojës dhe a meditoni rreth tyre?
19. Si mund t’i përdorin sa më mirë prindërit e krishterë jetëshkrimet që janë në Kullën e Rojës?
19 Moisiu u kujtoi izraelitëve se nuk duhej të harronin të gjitha gjërat që kishte bërë Jehovai për ta dhe se këto gjëra nuk duhej t’u largoheshin nga zemra gjatë gjithë ditëve të jetës së tyre. Pastaj shtoi një hap tjetër: «Bëjuani të njohura ato bijve dhe nipërve tuaj.» (Ligji i përtërirë 4:9) Historitë e vërteta kanë një tërheqje të veçantë. Të rinjtë kanë nevojë për shembuj të mirë ndërsa rriten. Motrat beqare mund të nxjerrin mësime nga shembulli besnik i motrave të moshuara, jetëshkrimet e të cilave tregohen në Kullën e Rojës. Shërbimi në një territor të gjuhës së huaj në vendin e tyre, u jep si vëllezërve, dhe motrave, mundësi të mëtejshme për të qenë të zënë në predikimin e lajmit të mirë. Prindër të krishterë, përse të mos i përdorni përvojat e misionarëve besnikë të Galaadit dhe përvojat e të tjerëve për t’i nxitur fëmijët tuaj që të zgjedhin një jetë në shërbimin e plotkohor?
20. Ç’duhet të bëjmë që ‘të zgjedhim jetën’?
20 Atëherë, si mund ‘të zgjedhë jetën’ secili nga ne? Duke përdorur dhuratën e mrekullueshme të vullnetit të lirë për t’i treguar Jehovait se e duam dhe duke vazhduar të bëjmë më të mirën në shërbim të tij, për sa kohë që na e lejon këtë privilegj. «Pasi,—vazhdoi Moisiu,—[Jehovai] është jeta juaj dhe ju jep bollëk ditësh.»—Ligji i përtërirë 30:19, 20.
[Shënimi]
a Shih «E gëzuar dhe mirënjohëse, me gjithë humbjen e hidhur», botuar në Kullën e Rojës, 1 qershor 2001, faqet 23-27.
A ju kujtohet?
• Çfarë keni mësuar nga shembujt që kemi shqyrtuar për njerëz që bënë zgjedhje të kundërta?
• Çfarë hapash duhet të bëjmë që ‘të zgjedhim jetën’?
• Cilën përgjegjësi të dyfishtë nxitemi të përmbushim?
[Figura në faqen 26]
«Ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen»
[Figura në faqen 29]
Noeja dhe familja e tij shpëtuan ngaqë dëgjuan zërin e Perëndisë
[Figura në faqen 30]
Meri Olsoni
[Figura në faqen 30]
Nensi Porteri